Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

A jane te lumtura grate qe jetojne ne luks Empty A jane te lumtura grate qe jetojne ne luks

Mon 5 Mar 2012 - 17:22
Gëzim Tushi
Asnjëherë nuk jemi marrë nga pikëpamja sociologjike me një kategori të re sociale të shoqërisë sonë, të shfaqur si produkt i demokracisë dhe mundësive diferencuese që krijon ekonomia e tregut, siç është grupi social i “grave të luksit”, që jetojnë në mirëqenie pasive, të plotë, përtej kushteve mesatare të shoqërisë shqiptare.

Si çdo grup social edhe ata kanë problem të shfaqura në mënyrë paradoksale në jetën e tyre, që shpesh, në thelb, nuk është ashtu siç duket në pamje, apo që statusi i pasurisë personale po bëhet një “grackë sociale” që i izolon dhe vetizolon ato nga jeta shoqërore. Po cilat janë ato dhe çfarë përjetojnë në situatën e tyre të re ekonomike?

Sa i favorizon ato “mirëqënia pasive”, si dhuratë e ardhur për të qënë vetevetja, të lira dhe të integruara në jetën sociale? A është luksi dhe mirëqeia qëllim në vetvete, i vetëmjaftueshëm që gruaja të jetë e lumtur dhe e vetëkënaqur, vetëm duke patur të plotësuar në mënyrë maksimale kërkesat biologjike, material të “luksit” si tregues i jashtëm i jetës moderne? Pavarësisht dukjes së jashtme, duhet parë sesi ndihen gratë e luksit shpirtërisht, sa janë ato të integruara në jetën sociale aktive të shoqërisë sonë?

Çfarë ndryshimi kanë ato nga gratë e tjera që jetojnë të “mbyllura” në shtëpi, që siç thonë sociologët modernë është duke u bërë gjithnjë e më shumë “burgu” i gruas moderne shtëpiake? A është pasuria e tepërt dhe jeta e mbyllur në shtëpi, kusht për jetën moderne, apo në të vërtetë, është grackë e burrave të pasur për të “siguruar kënaqësinë e margjinalizuar” të grave të vetëkënaqura të luksit, të cilat nga personalitete të vërteta po bëhen koketa, “kukulla” për të luajtur dhe kënaqur dëshirat e personalizuara të burrave të tyre? A e kuptojnë ato këtë grackë sociale të supermirëqenies dhe deformimet që sjell kjo situatë në kufizimin e rrezes sociale të ndikimit dhe integrimit social, që gradualisht deformon personalitetin e tyre shoqëror?

Nuk është dhe kaq moderne situate sociale e “grave të luksit”, nuk është as ndonjë pozitë që duhet admiruar ajo e grave që kënaqen vetëm biologjikisht me sasinë e madhe të sendeve, objekteve dhe ushqimeve të tepërta që përdorin.

Në të vërtetë efekti bumerang në pozitën sociale të grave të luksit që është lidhur me kushtet pasurore të burrit të tyre është tashmë fare e dukshme. Nga pikëpamja sociologjike kjo pozitë e gruas së luksit që luan rolin e koketës sociale dhe të “kukullës” së argëtimit fizik të burrit në shtëpi është formë e skllavërimit modern të gruas së vetëkënaqur, që jeton e izoluar nga shoqëria, por jo në varfëri, por në luks. Këtë pozitë të tyre, shpesh e sajojnë me stratagjemat e njohura maskiliste dhe egoiste meshkujt e pasur, të cilët nuk kanë dëshirë të kenë mbi kokë andrallat dhe koston e barazisë dhe partneritetit të gruas së tyre në marrëdhëniet martesore.

Ky mentalitet sjell natyrshëm një pabarazi gjinore dhe një pozitë të diferencuar të gruas në shtëpi, e cila shpesh pranohet pa kushte dhe parapëlqehet si një mjet për të treguar epërsi sociale publike. Për disa burra të pasur me mentalitet maskilist, është më mirë që gruaja të qëndrojë në shtëpi dhe të “zhgryhet” në luksin e saj, të merret me veten, duke qënë e izoluar në shtëpi, në botën e ngushtë sociale, në “grackën” e jetës boshe, duke konsumuar telenovela dhe thashetheme pa fund.

Në kohën moderne, shumë dukuri sociale kanë mundësi të maskojnë thelbin e vërtetë dhe të tregojnë mirazhin social të deformuar. Kështu ndodh edhe me pozitën e “grave të luksit”, tek të cilat jo gjithnjë është në përpjestim të drejtë pasuria me personalitetin. Madje e kundërta nuk është e pamundur. Në këtë kontekst, është iluzion mirazhi me të cilin kënaqen një sasi e grave që jetojnë në luks që mendojnë në mënyrë të kufizuar, se kanë superioritet mbi homologet e tyre gjinore, për shkak se kanë pasuri, se e kalojnë ditën nëpër lokalet luksoze të qejfit dhe luksit metropolitan, që merren në mënyrë eksplicite tërë ditën me “lukun” për të qënë vetëm atraktive si femra, duke qënë të plotësuara vetëm për “gjysmën e misionit” të tyre, duke harruar dhe neglizhuar kërkesat polidimensionale të personalitetit të tyre social të femrës së vërtetë moderne. Jeta e mbyllur, vaniteti, shpërdorimi inproduktiv i kohës, reduktimi në minimum i shqetësimeve të jetës sociale, bëhen tipare zotëruese të jetës së përditshme të grave të luksit. Ato shpesh ndihen të vetkënaqura ngaqë e kanë ngushtuar rrezen e perceptimit social të pozitës së tyre, dhe duke jetuar “në lumturinë” e jetës materiale, në botën e luksit dhe konsumit pasiv, nuk e ndjejnë, nuk e përjetojnë “grackën sociale” në të cilën kanë rënë.

Duke patur shumë mundësi personale të jem njohur dhe ngaqë puna e sjell që të kem shpesh kontakt social me këtë kategori, më duket se në këtë situatë ka gjëra paradoksale. Në shumicën e rasteve, pozita e “gruas së luksit” është rezultat i kompromisit me burrin e saj të pasur, që nuk ka kohë të ketë veç biznesit apo menaxhimit të pasurisë edhe andrallat e menaxhimit të “mendjes së gruas”. Por nuk janë të pakta ndërkaq disa gra që e vetëpëlqejnë pozitën e “luksit pasiv” ngaqë jeta e gjatë shtëpiake i ka konsumuar moralisht dhe intelektualisht në atë farë feje që ato e ndjejnë veten pa resurse dhe energji, me aftësi mendore dhe intelektuale të shterura. Ka një sasi prej tyre që tmerrohen kur u kujton punën, angazhimin social, detyrimin që të jenë të integruara në jetë si qytetare me rol dhe mision të barabartë me burrin. Në këtë pozitë, të konsumuara nga “kënaqësitë e luksit”, ato parapëlqejnë më mirë të vegjetojnë në pasuri, të bëjnë jetë boshe sesa të vënë në lëvizje energjitë dhe të përballen si “qenie sociale” me sfidat e vështira të realitetit social.

Unë mendoj se nuk është pozitë sociale e admiruar ajo në të cilën jetojnë gratë e luksit, përkundrazi është një pozicion social që me dinakëri maskiliste, që vjen nga epërsia pasurore e mashkullit, i margjinalizon, i anonimizon disa nga femrat tona që kanë shans të jetojnë në mirëqënie të lartë, nga njeri konkret, në objekt luksi dhe kënaqësie, duke e reduktuar pozitën e femrës në nivelin më të ulët të vlerave biologjike dhe seksuale. Personalisht mendoj se nuk ka pozitë më të mjerë, nuk ka pamje më të shëmtuar për gruan shqiptare të kohës moderne, për gruan që synon barazi, shanse gjinore dhe drejtësi sociale, të cilat jo domosdoshmërisht vijnë në mënyrë automatike nga sasia e pasurisë që disponon burri dhe familja e grave të luksit.

Është e vërtetë që në shoqërinë moderne paraja mund të jetë edhe mjet për arritjen e qëllimit pozitiv edhe për gratë. Por kjo ndodh kur njeriu është qenie sociale, është në jetë, në luftë me sfidat e konkurrencës dhe të betejave të suksesit personal. Por sado para të kesh, pozita sociale, paraja, karriera, fama publike dhe shumë vlera të tjera morale të gruas moderne, nuk të vijnë vetvetiu dhe automatikisht në shtëpi si dhuratë, ashtu siç vijnë paratë dhe luksi nga burri i pasur. Pasuria, luksi pa destinacion social, pa qëllime e synime të gjëra shoqërore të gruas, nuk ka vlerë.

Madje pa mëdyshje do të thosha se luksi i tepërt për gratë po bëhet bumerang që i izolon ato nga jeta, nga mundësia e përjetimit intensiv të realitetit social, pa të cilën i gjithë luksi, sado i madh dhe i dukshëm që të jetë, kthehet në mjerim për gratë. Nga një vëzhgim i dukjes dhe një analizë e thelluar e dukurisë, më duket se pas shfaqjes luksoze, veshjeve impozante dhe sjelljeve teatrore prej kokete të “gruas së luksit”, fshihet një qenie bosh, me interesime sociale të ngushta, që jetojnë tërë ditën të ngarkuara me meskinitetin e rëndomtë të jetës vanitoze. Ato janë të gatshme për biseda eterike morale dhe seksuale, të gatshme për të dhënë informacione të bollshme për intrigat e dashurisë të filmave dhe thashetheme të jetës banale. Por janë jashtë qëllimeve, synimeve dhe ambicieve të shëndetshme, larg “betejave sociale” ku luajnë gratë e sukseshme të politikës, jetës sociale, akademike, profesionale dhe të shoqërisë civile, ngaqë luksi i tepërt u ka mpirë forcat dhe paralizuar personalitetin, i ka nxjerrë ato nga “lufta” dhe i ka vendosur në situatën e vegjetimit social. Janë vërtet të pasura materialisht, por janë të varfëra shpirtërisht. Gruaja nuk është krijesë njerëzore që mund të jetë e lumtur po qe se jeton në luks dhe pasivitet.

Kjo situatë nuk i ndihmon gratë që të jenë të pasuruara shpirtërisht dhe emocionalisht. Gratë e luksit nuk mund të jenë të kënaqura që pozita e tyre të jetë po aq pasive, më falni, sa ajo e “qenit të shtëpisë”. Ky paralelizëm mund të jetë ca i hidhur, por nga pikëpamja sociale është i vërtetë. Sado në luks të jenë, atyre u mungon pavarësia, që është një nga kushtet për personalitet funksionues. Pas luksit, dukjes, shfaqjes së lumturisë së grave të luksit, fshihet jeta e vakët shpirtërore, koha bosh, pa jetë reale, të vërtetë. Pas luksit, dukjes, maskohet vartësia e tyre e natyrshme nga faktorë të tjerë, që qëndrojnë jashtë tyre që ndikojnë dhe determinojnë sjelljen sociale.

Le të mendojnë si të duan të tjerët, unë sociologjikisht mendoj se, pas pozitës pasive të grave të luksit, fshihet diabolizmi i vjetër mashkullor, që tradicionalisht kanë dashur dhe duan ta determinojnë fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht pozitën e gruas në familje, për xhelozi apo paranoja të tjera seksualiste. Dhe jo vetëm. Tek shumë meshkuj të pasur ka filluar të rigjallërohet dukshëm, me bujë, mentaliteti ultramaskilist, që e barazon rolin e gruas në shtëpi me atë të mackës, që mund ta përkëdhelësh kur të duash, ose kur të duhet…

SONDAZHI

Sodazhin e kësaj jave e zhvilluam në Tiranë dhe Durrës, ku u pyetën 65 gra, mbi të 30-at. Pyetjet tona (formularë të thjeshtë me shkrim) ishin:

1 -A njihni gra të kamura financiarisht?

2 -Nëse po, çfarë ju bën më shumë përshtypje tek ato?

Përgjigjet:

Pyetjes së parë, 63 gra iu përgjigjën Po dhe vetëm dy gra, ju përgjigjën Jo

Nga 63 përgjigjet pozitive, pyetjes së dytë iu përgjigjën:

29 – Modeli i flokëve, aksesorët, veshjet

12 – Mobilimi i shtëpisë

20 – Makina që përdorin

02 – Nuk kam mendim
shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi