Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Engjelli Embel
Engjelli Embel
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Kosova
 <b>Mosha</b> Mosha : 33
<b>Postime</b> Postime : 2575
<b>Hobi</b> Hobi : Poezia,Udhetimet..
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Folen E Engjejve..!
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 08/11/2010

 Ç’eshte Parapsikologjia? Empty Ç’eshte Parapsikologjia?

Wed 7 Mar 2012 - 13:47
Dukurit paranormale, në format e veta të ndryshme shpërthejnë kornizat e botës sonë shkencore. Epoka e shkencave natyrore është në kulm, por vlerat e shumta të tyre do të kenë ndryshime të mëdha me zhvillimin e parapsikologjisë, e cila qysh sot konsiderohet si shkencë dhe ka vendin e vet në botën shkencore.


Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, kokat më të njohura të botës janë munduar që të kuptojnë të vërtetën për fenomene të ashtuquajtura “paranormale”, fenomene të cilat kanë ekzistuar prej se ekziston njeriu.
Fjala “Parapsikologji” është formuar qysh në vitin 1889, por në rrjedhën e decenieve të fundit është pranuar ndërkombëtarisht. Sot, në vend të fjalës parapsikologji, shumë shpesh e hasim edhe termin më të ri, “Psikotronik”, por që në fakt kanë të njëjtën domethënie. Më herët këto dukuri anglezët i quanin “kërkime psikike” (Psyxhicol resarch), francezët “Metapsikologji”, ndërsa prof. dr. Hans Beneder, nga Universiteti i Freiburgut, e quajti “Der sechste Sinn” (shqisa e gjashtë).
Në mesjetë këto dukuri të pashpjeguara i quanin “magji” dhe ishin të ndaluara. Dënoheshin të gjithë ata që merreshin me to. Që nga shekulli XVI, “për këtë punë të dreqit” u gjet emërtimi më i përshtatshëm: “Okultizëm”. Fjala është marr nga libri i shkrimtares gjermane A. Neteschein. Në këtë libër flitet për forcat e fshehta të materies dhe shpirtit, ndërsa fjala ka prejardhje latine, “Okultus” - sekret, fshehtësi, diçka e fshehtë.
Fjala “parapsikologji” rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë: “para” - pranë, “psycho” - shpirt dhe “logos” - shkencë, dituri, mendim. Parapsikologjia është degë e psikologjisë, e cila merret me studimin e dukurive, të cilat janë jashtë forcës së të kuptuarit të shqisave tona , e shpesh i tejkalojnë edhe ligjet ekzistuese të shkencës bashkëkohore e që në popull merren edhe si çudira.
Këto dukuri ekzistojnë që nga lashtësia, por qysh në fund të shekullit XIX, dhe në rrjedh të shekullit XX, studiuesit filluan të merren seriozisht me to dhe të vërtetojnë rëndësinë e tyre për njerëzimin e posaçërisht për ardhmërinë.
Parapsikologjia sot është në gjendje që disa nga ato dukuri, duke u bazuar në prova, t’i dokumentoj në mënyrë shkencore.
Është interesant të shikohen edhe disa enciklopedi të disa shteteve, të cilat bëjnë fjalë për dukurit parapsikologjike. Enciklopedia amerikane, botuar më 1973, jep një artikull mjaftë të zgjeruar nga prof, T. Rini, në të cilin parapsikologjia definohet si pjesë e psikologjisë. Ai jep historikun e parapsikologjisë, ofron shembuj bindës si dhe shpjegime shkencore nga kjo lëmi. Sipas tij, parapsikologjia është degë e psikologjisë, e cila merret me përjetimet dhe sjelljet paranormale, siç janë: telepatia, parashikimi i ngjarjeve, bioenergjia etj., të cilat janë të pashpjegueshme e lidhën me ligjet e natyrës. Për këtë arsye ato quhen edhe shpesh paranormale, supernormale, pra aludohet se i përkasin anës tjetër, edhe pse në to nuk ka asgjë mbinormale, Në fakt, ato nuk janë asgjë tjetër veçse fenomene të natyrës normale.
Enciklopedia ruse e vitit 1975 jep një artikull trefaqësh, të shkruar nga tre psikologë dhe profesor të universitetit, V. P. Zincenko dhe A. Leontijev, në të cilin thuhet se parapsikologjia bënë gjurmime në lëmin i cila kryesisht studion: 1- Formën e ndjeshmërisë, e cila mundëson aftësinë e marrjes së informatave, të cilat nuk janë të shpjegueshme për shqisat tona organike; 2- Format e përshtatshme të veprimit të krijesave të gjalla në paraqitjet fizike, të cilat zhvillohen jashtë organizmit, pa forcën e muskujve.
Enciklopedia franceze e vitit 1967 shkruan: “Parapsikologjia është disiplinë që studijonë fenomene paranormale, siç janë: telepatia, parashikimi, parandjeshmëria etj. Shumë mashtrues janë futur dhe e kanë shkatërruar këtë lëmi, të cilës shkencëtarët ia kanë kthyer shpinën, duke e lënë si fushë të hapur për manipulime të sharlatanëve”.
Enciklopedia jugosllave e vitit 1961 shkruan se parapsikologjia është pseudodituri për fenomenet e okultizmit, ndodhitë shpirtërore, të cilat shkenca e sotme nuk mund t’i sqarojë.
Në enciklopedinë shqiptare nuk ka shënime fare për parapsikologjinë!
Sipas shënimeve, sot më se 50 shtete, në mënyrë shkencore, studiojnë dukuritë parapsikologjike dhe në këtë drejtim janë formuar rreth 150 institute për parapsikologji, të pavarura ose pranë universiteteve, diku edhe në rang fakultetesh. Në botë, sot, janë botuar me mijëra libra dhe artikuj të shumtë gazetaresk, që flasin mbi këtë lëmi.
Midis shkrimtarëve dhe personaliteteve që kanë bërë kërkime mbi këto dukuri, gjenden edhe emrat e Albert Ajnshtajnit, Moska Plonkes, Anrije Brenksonit, Artur Shopenhauerit, J.V. Gëtes, Kami Flamarit, Karl G. Jungut, I. J. Pavlovit etj., të cilët me njohuritë e tyre kanë kontribuar shumë për konsolidimin e parapsikologjisë në rang shkencor. Një zbulim epokal në lëmin e parapsikologjisë e bëri shkencëtari rus, Sejman D. Kilirian (bashkë me të shoqen). Ai kah fundi i viteve të 60, me ndihmën e rrymës elektrike të frekuencave të larta, zbuloi dhe arriti të fotografojë “aurën”, energjia e shndritshme dhe shumëngjyrëshe e së cilës, i rrethon të gjitha qeniet e gjalla.
Parapsikologu amerikan, prof. D. Rajn, në librin e tij shkencor, “Shpërndarja e shpirtit të njeriut” shkruan: “Është e pikëllueshme, por e vërtet që ne sot më mirë e njohim atomin se shpirtin, i cili na mundësoi ta njohim atë. Kur do e njohim shpirtin vetëm sa gjysma e asaj, sa fizika njeh materien, atëherë, me gjasë, do të ishim në gjendje të parashtronim ligje të karakterit parimor, të cilat për jetën e njerëzve do të ishin me rëndësi të madhe”.
Duke iu falënderuar punës kërkimore të këtij shkencëtari, u zgjerua horizonti për parapsikologjinë në shumë shtete të zhvilluara dhe kjo fushë u përfshi në shumë universitete, si p.sh. në universitetet e SHBA-ve, Anglisë, Holandës, Gjermanisë etj. Në Gjermani është i njohur prof. Hans Beneder. Përveç këtij në këtë shtet duhet përmendur edhe tre profesorë: E. Jance, nga Marburgu, prof. P. Jordan nga Hamburgu dhe filozofin H. Drischi, i cili qysh në vitin 1932 shkroi librin për parapsikologjinë.
Në Amerikë, përpos D. Zh. Rajnit njihet dhe psikologu eminent, V. M. Dungel si dhe fiziologu me famë botërore, Kurt Djukas. Në Angli, në lëmin e parapsikologjisë është i njohur nobelisti, prof. Oliver Lodzh. Në Holandë, udhëheqësi kësaj dege është prof. V. N. Tenacet, ndërsa në Suedi është prof. Jon Bjenhen. Në Francë me parapsikologji u muar, për kohë të gjatë, psikologu dhe fiziologu e nobelisti, Sharl Risha. Kohëve të fundit kjo degë filloi të shtrihet edhe në Evropën Lindore. Në Rusi, shkencëtari më i njohur në këtë drejtim është psikologu, I. I. Vasiljev, i njohur gjithashtu, si hipnotizues me famë botërore, si dhe M. Ryzel, i cili emigroi në SHBA dhe tash punon në Institutin për Kërkime të Natyrës Njerëzore. Janë të njohura fjalët e tij: “Civilizimi i sotëm i largon njerëzit nga jeta e brendshme e tyre”.
Në Austri, para ca kohësh, u paraqit libri i psikologur Georg Grodek, një ndër ithtarët e S. Frojdit dhe themelues i mjekësisë psikosomatike (psikofiziologjike) me titullin e çuditshëm “Libri mbi ES-in”. “ES” në gjermanishte do të thotë: “kjo”, “këtë”. Dr. Grodek-u thotë se trupi nga vetja nuk mund të sëmuret, sepse ai pa psiken është i vdekur. “ES”, që ai e përmend, është forca e cila na shtynë të punojmë, të mendojmë dhe na mundëson të jetojmë të shëndoshë, por njëkohësisht edha na i nxit sëmundjet. Me analiza duhet të zbulohet faktori i konfliktit dhe me largimin e tij të pamundësojmë shkatërrimin e të sëmurit.
Dukurit paranormale, në format e veta të ndryshme shpërthejnë kornizat e botës sonë shkencore. Epoka e shkencave natyrore është në kulm, por vlerat e shumta të tyre do të kenë ndryshime të mëdha me zhvillimin e parapsikologjisë, e cila qysh sot konsiderohet si shkencë dhe ka vendin e vet në botën shkencore.
ShtriGa
ShtriGa
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 28
<b>Postime</b> Postime : 220
<b>Hobi</b> Hobi : Poezia
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Burrel
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 03/01/2014

 Ç’eshte Parapsikologjia? Empty Re: Ç’eshte Parapsikologjia?

Sat 24 Jan 2015 - 15:32
 Ç’eshte Parapsikologjia? C%20eshte%20para1Esenca e parapsikologjise

“Askush nuk ka të drejtë të nënçmojë shkencën, të cilën nuk e njeh”
(Paracelzusi)



Duke filluar nga shekulli XIX, botëkuptimet shkencore mbi botën në përgjithësi kanë përjetuar ndryshime shumë të thella. Njohjeve të materies dhe energjisë si dhe të shumë ligjeve të fizikës klasike, iu bashkëngjitën edhe njohuri të reja, që, si pasoj, sollën edhe vështrim krejtësisht të ri dhe ekspansion të madh të horizontit.
Herci zbuloi vibracionet elektrike; Rëntgeni, dukuritë e panjohura të rrezatimit; çifti Curie, radioaktivitetin; pastaj, Ajnshtajni bëri të njohur se materia përmban energji të pamatur (gjë që solli deri te fizika nukleare, që në anën e saj pozitive mundësoi shfrytëzimin e energjisë përmes elektranave nukleare, kurse në anën tjetër, negative, e ballafaqoi njerëzimin me tmerrin e armës atomike).
Pastaj: telefoni, radioja, televizioni, automobilat, aeroplanët etj. u bënë dukuri të përditshme. U zbulua radio-teleskopi, që na mundësoi shikim në botën makrokozmike, ndërsa mikroskopi elektronik na i shpalosi thellësitë e mikrokozmosit. Nëpër frigorifer me ngrirje të thellë u vendosën pjesë rezervë për trupin e njeriut, ndërsa kirurgët iu përveshën punës për transplantimin e organeve të rëndësishme për jetë. Kompjuterët (trurët elektronik) depërtuan në shkencë, industri, bujqësi etj. Sakaq, amerikanët lansuan anijen e parë kozmike, me njerëz për në hënë: pastaj satelitë të tjerë për planete më të largëta, si dhe satelitë të shumtë që pandërprerë i sillen rreth e përqark planetit tonë Tokës. Zbulimet dhe prodhimet e ndryshme, të panumërta “çuditëse”, që deri më dje ishin “science fiction” u bënë realitet i kohës.
Megjithatë, përkundër gjithë këtyre shpikjeve, gjithë këtij përparimi, një pjesë të konsiderueshme të njerëzimit e ka kapluar një fobi e pakuptueshme. Trandjet psikike (streset), sëmundjet psikosomatike (psikofiziologjike), neurozat, psikozat si dhe vetëvrasjet janë në rritje e sipër...pra, lind pyetja: ku është arsyeja e gjithë kësaj?

Një kohë tepër të gjatë shkenca ishte e drejtuar vetëm në njërën anë të medaljonit. Në anën materiale të njeriut dhe natyrës në përgjithësi, pra në mikro dhe makrokozmos, duke e drejtuar shikim vetëm në paraqitjet dhe dukjet e jashtme fizike. Ajo filloi të masë e të analizoj, pra të studioj njeriun dhe natyrën, duke u nisur vetëm nga pikëpamjet materiale dhe duke besuar se në atë mënyrë do të mund t’i zbulojë të gjitha sekretet dhe misteret e tyre. Kurse si masë e vetme vlente vetëm introdukta fizike me konceptet e pastra mekanike. Përfytyrimi për botën, që në kohë dhe hapësirë zhvillohet sipas ligjit të shkakut dhe veprimit, u bë udhëheqës i shkencës bashkëkohore dhe me këtë ajo zgjodhi rrugën njëanësore.
Duke e ndjekur këtë rrugë, shkenca ka arritur përparime që s’merren me mend në kërkimet teknike, në industri etj. Por, shtrohet pyetja: Cilat nevoja i plotësojnë ato? A nuk janë vetëm nevoja të pastra materiale, fizike etj? A mund të jemi të lumtur vetëm me plotësimin e nevojave të tilla, materiale e fizike, duke lënë anash nevojat shpirtërore?
Pra, për shpirtin ajo u interesua shumë pak, për të mos thënë gati aspak.
Shpirti dhe të gjitha dukurit tjera paranormale mbeti në prapavijë. Gjithashtu, në prapavijë mbeti edhe ana etike e njeriut, sikurse të mos kishte ekzistuar fare. U harrua formula e ser Artur Edington-it në “New Path - Ways of Science” (“Rrugët e reja të shkencës”) se “bota fizike nuk është e vetme” dhe në “Psysics and Philosophy” se “bota e njohur për fizikën paraqet vetëm një prerje nga i gjithë realiteti”. Ajo gjithashtu harroi se pranë kuazalitetit fizik, ekziston edhe ai psikik dhe ai është shumë i rëndësishëm për jetën e njeriut.
Duke e lënë prapa këtë drejtim shkenca, dhe duke e përdorë për nevoja të veta manipuluese grupe fetare, sekte të ndryshme etj., ndodhi që njerëzit, duke mos qenë të kënaqur me realitetin dhe duke kërkuar harmoni shpirtërore, të bënin përpjekje për ta shpërthyer këtë errësirë teknologjike dhe për të kërkuar rrugë të reja kah vetëvetja. Por, duke kërkuar këto rrugë, shpesh silleshin nëpër shtigje të gabuara, rëndom duke iu dhënë drogës, alkoolit etj., që në instancën e fundit kishin pasoja të rënda, shpesh edhe vdekjeprurëse. Shumë prej tyre shkuan edhe në Indi e vende të tjera për të gjetur atë harmoni shpirtërore të humbur, kryesisht nëpër,mjet meditimeve të jogistë të ndryshëm, guru etj., ku disa prej tyre edhe mbetën përgjithmonë nëpër tempuj e faltore të atjeshme.
Dhe të gjitha këto dilema hapën rrugë për një alternativë tjetër. Alternativë që shumë seriozisht do ju qasej mu këtyre dukurive për t’i zhveshur përfundimisht nga velloja misterioze që mbizotëronin për to, dhe për t’iu dhënë vlerësim të merituar logjik e shkencor. Kjo lëmi e re do të marr nocionin “Parapsikologji”.
Hipnoza dhe sugjestioni, të cilat shkenca bashkëkohore sot i ka pranuar në gjirin e vet, vërtetojnë se në nëndijen tonë ekzistojnë forca dhe aftësi, për të cilat vetëdija jonë nuk di pothuajse asgjë. Kjo është edhe një dëshmi e fuqishme se njohuritë tona për ligjet e natyrës janë të mangëta, posaçërisht ato mbi jetën shpirtërore të njeriut.
Fatmirësisht, me pranimin e psikologjisë si degë shkencore, kohëve të fundit edhe parapsikologjia filloi të zhvillohet dhe të pranohet edhe nga pikëpamjet shkencore, sakaq shkollat e tilla të përhapen kudo nëpër qendra të ndryshme të botës. Kjo bëri që sadopak të zbutet ky tension dhe, më në fund të fillojmë t’i kthehemi më shumë vetës, pra UN-it tonë.
ShtriGa
ShtriGa
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 28
<b>Postime</b> Postime : 220
<b>Hobi</b> Hobi : Poezia
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Burrel
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 03/01/2014

 Ç’eshte Parapsikologjia? Empty Re: Ç’eshte Parapsikologjia?

Sat 24 Jan 2015 - 15:33
 Ç’eshte Parapsikologjia? BotajungutNëse dëshirojmë që të gjitha civilizimet njerëzore t'i nënshtrojmë për disa qëllime më të "LARTA", së pari do t'ua marrim fuqinë e mendimit të lirë, duke i ndarë kështu nga natyra e vërtetë që kanë. Me shkurtimin e krahëve të fuqisë së tyre të lirë mendore dhe shpirtërore, vëmendjen do t'ua fokusojmë në gjërat e parëndësishme sporadike".


▪ Për shumë dijetarë eminent botërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të thuhet thjeshtë se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto që kurrë nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre. Nga lista e madhe e emrave të këtyre personaliteteve shkencore, pa dyshim, dallohet edhe psikiatri i famshëm me renome botërore Karl Gustav Jungu.
Karl Gustav Jungu, me profesion ishte mjek-psikiatër, nxënës i dikurshëm dhe koleg i Sigmund Frojdit, ligjërues, shkencëtar dhe studiues i madh në lëmin e psikologjisë dhe psikiatrisë, autor i shumë punimeve dhe studimeve shkencore që e kanë futur atë në radhët e emrave më eminent të shkencës bashkëkohore. Por, nga ana tjetër, vetëm një numër i vogël i njerëzve dinte se, Jungu gjatë hulumtimeve të veta, për së tepërmi ka qenë i interesuar për fenomene paranormale dhe parapsikologjike, e veçanërisht për telepatinë (bartjen e mendimeve nga larg) dhe projeksionin astral (udhëtimin e vetëdijshëm shpirtëror duke e braktisur trupin).
Sigurisht nga droja se mos i rrezikohet reputacioni i madh që kishte si shkencëtar, ai këtë interesim kurrë nuk e ka shprehur publikisht. Por, edhe sikur ta dinte opinioni i gjerë për këtë realitet, dyshoj se mund të merrej si diçka e pabesueshme, sepse botërisht ka qenë e njohur se fenomenet parapsikologjike në përgjithësi dhe marrja me to, ishin si mani e trashëgimisë familjare. Për nënën e Jungut thuhej se mbante një ditar ku regjistronte eksperiencat e veta paranormale, si dhe ato që i dëgjonte prej të tjerëve. Ka mjaft dëshminga bashkëkohësit e vet se edhe Jungu sa ishte fëmijë, dispononte me aftësinë paranormale të TELEKINEZËS (lëvizjes së trupave fizik përmes ndikimit mental). Pasi që kishte një pasion të madh për Niçen dhe filozofinë e tij, qysh sa ishte nxënës në gjimnaz, intuitivisht ia qëllon se filozofi i famshëm kishte Zaratustrën si model identifikimi dhe se ai ishte sëmurë psikikisht, mu pse Zaratustra ka sunduar me qenien e tij. Më pas, një gjë e njëjtë i ka ndodhur edhe vetë Jungut. Atij në ëndërr shpesh i paraqitej një plak me aftësi magjike që e këshillonte dhe udhëzonte në jetë. Plaku quhej "FILIMON". Tek dikur më vonë, Jungu ka kuptuar se plaku i ëndrrave të hershme ishte vetëm UNI i tij i dytë (Alter ego).
Andaj, aspak nuk do të jetë i çuditshëm fakti se pse pikërisht paranormalja dhe fenomenet parapsikologjike kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme hulumtuese të këtij shkencëtari të madh. Ndoshta, nisur mu nga këto ndikime, ka ardhur edhe deri te shkëputja e tij definitive prej mësimeve të mësuesit të vet, S. Frojdit, i cili, atëbotë ishte tejet i popullarizuar me teorinë e tij famëmadhe të kushtëzimit të të gjitha raporteve dhe marrëdhënieve të sjelljes së jashtme të njeriut me veprimin e brendshëm të epshit seksual. Duke e kundërshtuar ashpër teorinë e Frojdit, Jungu konstatonte se në këto sjellje dhe raporte të jashtme të njeriut, nuk ndikon kryekëput vetëm epshi seksual, por ato janë të kushtëzuara edhe nga "fuqia jetësore" që trashëgohet nga e kaluara mijëvjeçare e njerëzimit. Këtë fuqi ai e quan si "ndërvetëdije kolektive". Në mbështetjen shkencore të kësaj teorie, Jungu, në veprat e veta, prezantonte shumë shembuk, si ato të eksperiencave vetjake paranormale, ashtu edhe ato të regjistruara dhe hulumtuara si përjetime të të tjerëve.
Nga visari i madh i këtyre shembujve praktikë, si njëra ndër dëshmitë më dramatike dhe më të pasqaruara të përjetimit personal të paranormales, është "Misteri i librave të kuqe".

"Misteri i librave të kuq"
Një mbrëmje, pasi që e ndjente veten paksa më të lodhur, Jungu vendos të shkojë në shtrat më herët se zakonisht. Por, edhe përpos dhuntisë që me çdo kusht të flinte, atë nuk e zinte gjumi. Ishte i vërshuar tërësisht nga mendimet! Mu para disa orëve qe kthyer nga varrimi i një miku të vet që banonte afër. Duke qëndruar ashtu i shtrirë në shtrat dhe me sytë e hapur, profesor Jungu i bluante në kokë kujtimet e paharruara që kishte kaluar me mikun e posa varrosur.
Derisa në mendje merrej me këto mendime, për momentin e ndjen se dikush është në dhomën e tij të gjumit. Posa e vështron me vëmendje hapësirën përreth dhomës, para tij, tejet qartë paraqitet hija e figurës së një personi trupgjatë dhe të hollë për nga konstruksioni fizik. Këtë figurë Jungu e identifikon si të mikut të vet, në varrimin e të cilit ishte para disa orëve.
- "Qëndronte përballë shtratit tim mu afër këmbëve dhe dukej i njëjtë sikur e kam njohur të gjallë. Butësisht më ishte drejtuar me pyetjen, mos vallë dëshiroj të shkoj diku me të" - shkruante më vonë Jungu. - "Duke e vrojtuar me habi këtë paraqitje të pazakonshme, nuk e kisha ndjenjën e një pamje trupore fizike. Më tepërmund të thuhej se ishte si një vizion, të cilin vetes ia kumtova si fantazi. Meqë ende isha i shtrirë në shtrat dhe e vështroja këtë paraqitje me mosbesim, figura emikut vazhdoi të ecë deri tek dera e daljes duke më bërë shenjë me dorë. Në atë çast, për veten konstatova se isha tërësisht në gjendje transi. Realisht nuk u ngrita nga shtrati, por ndjeva sikur shpirti im shkoi pas tij. Më çonte përmes rrugës, kah kopshti i shtëpisë së tij... dhe menjëherë, së bashku, u gjetëm në dhomën e punës së mikut. Hija përcjellëse hipi mbi një karrige dhe tregoi me gisht në librin e dytë nga shtatë librat e kuqe që ishin të vëna mbi raftin e fundit të librave."
Me këtë përmbyllet ky vizion. Jungu, tërësisht i habitur brof nga shtrati i fjetjes. E ndez llambën që e kishte pranë dhe me të në dorë hulumton nëpër tërë shtëpinë. Pasi konstaton se dera kryesore e hyrjes qe e mbyllur si zakonisht dhe vëren përreth se çdo gjë ishte në vendin e vet, sërish shtrihet në shtrat dhe tek dikur vonë e zë gjumi. Të nesërmen në mëngjes, ende i hutuar me ngjarjen e përjetuar nga nata e kaluar, me padurim priste që ta vizitonte vejushën e mikut të vdekur. Pa i treguar se çfarë i kishte ndodhur mbrëmë, nga ajo kërkon që në dhomën e punës së bashkëshortit të saj të ndjerë, të verifikojë se mos rastësisht aty e gjen një libër që i duhej. Ai ishte gjithmonë i mirëpritur në këtë shtëpi dhe për këtë dëshirë nga nikoqirja nuk hasi në kurrfarë pengesash. Me kureshtje të madhe hyn në dhomën e punës së mikut tashmë të ndjerë dhe mbetet i befasuar nga ajo që vëren. Afër librave ende ishte po ajo karriga ku mbrëmë, miku i vdekur, kishte hipur që t'ia tregonte librin. Menjëherë, sytë i drejton në raftin e fundit me libra. Për çudinë e tij edhe më të madhe, aty qëndronin të sistemuara shtatë librame kopertina të kuqërremta. Merr librin e dytë sipas radhës dhe në të lexon titullin: "Forca e të vdekurve".
Tashmë Jungu s'kishte dyshim në vete! Ajo që i kishte ndodhur mbrëmë, e tëra ishte e vërtetë.
Këtë rast të përjetimit vetjak, Jungu e ka publikuar me plot pompozitet edhe në literaturat e veta studimore shkencore. Meqë ai në jetën e përditshme ishte i njohur si njeri racional dhe serioz, ky rast edhe në qarqet shkencore është pranuar si prezantim i besueshëm.
I joshur nga këto fenomene që sot e kësaj dite mbeten ende të pasqaruara sa duhet, si një shkencëtar me reputacion, pa u frikuar fare nga normat rigoroze të standardeve shkencore, Jungu, në mënyrë origjinale, e ka trasuar rrugën e vet kërkimore kah thellësitë e panjohura të mendjes dhe shpirtit.
Edhe pse tejet i frytshëm dhe me një karrierë të bujshme shkencore, ndoshta mu për këtë shkas, ai edhe sot e kësaj dite, merrej si shkencëtar kontradiktor dhe alternativ në psikiatrinë bashkëkohore.
Dhe, për fund, do të ishte interesante të konstatojmë edhe një realitet tjetër: pikërisht teoria e vënë nga Jungu mbi ndikimin e ndërvetëdijes kolektive të qenies njerëzore në sjelljet individuale të individit, nuk mund t'i vishej origjinalitetit të tij. Okultizmi, magjia, hermetizmi, alkimia si dhe njohuri tjera të urtësive të lashta, mijëra vite para Jungut e kanë njohur këtë fluid kolektiv dhe atë e quanin si "niveli astral gjithëpërfshirës". Andaj, fare nuk do të mbetej i pabazë konstatimi të cilin e dhamë në fillim të këtij artikulli:
"Për shumë dijetarë eminentë botërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të thuhet thjeshtë se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto, që kurrë nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre".
Sponsored content

 Ç’eshte Parapsikologjia? Empty Re: Ç’eshte Parapsikologjia?

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi