Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Cilën t’folme?! Empty Cilën t’folme?!

Mon 26 Mar 2012 - 18:37
Pak e gjat por ja vlen ta lexosh

Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918) në 95-vjetorin e saj/Të merren dy dialekte apo një, kjo solli diskutime në mes anëtarëve të Komisisë. Gurakuqi, Fishta, Paluca, Logoreci ishin që në bazë të gjuhës së shkrimit të mbështetej në një dialekt që për Gurakuqin duhet të zgjidhej “një dialekt që të ishte së urë në mes dialekteve, i cili asht për t’u kërkue në Shqipërinë e mesme, prandaj mund të merrej dialekti i Elbasanit, por gjithnji tue vështrue me gjetë forma të mesme me përmirësime për me i futun në gjuhë të përbashkme”. Diskutimi u ndez dhe Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Peci, Paluca shfaqën mendimet e veta rreth këtij problemi pro dhe kundër

Prof. dr. Tomor Osmani

Shekulli XX sapo kishte trokitur. Ndërgjegjja politike e shqiptarëve ishte në ngritje. Të gjitha përpjekjet dhe orvatjet e popullit tonë ishin drejtuar drejt shpalljes së pavarësisë, kur gjithandej popujt e tjerë të Ballkanit kishin kohë që ishin shkëputur nga Perandoria Osmane.

Edhe lëvizja kulturore kishte pikësynimet e saj, pasi edhe ajo do t’i shërbente çështjes sonë kombëtare. Atmosfera politike dhe kulturore ishte elektrizuese. Ndër idealet e para në fushën e kulturës ishte njësimi i alfabetit që u arrit në nëntorin e vitit 1908, në Kongresin e Manastirit. Ishte një fitore e madhe me rrezatim të gjerë, pasi shqiptarët nuk do të shkruanin sipas dëshirës, por do të zbatonin atë sistem shkrimor që i finalizua, më 1908. Koha vërtetoi se zgjidhja që bëri ky kongres ishte sa kulturore, aq edhe politike, racionale dhe bindëse. Ajo periudhë 353-vjeçare që nga libri i parë shqip “Meshari “(1555) i Gjon Buzukut, e karakterizuar nga persekutimet dhe reprezaljet për njësimin e alfabetit u zgjidh përfundimisht. Kërkohej zgjidhja e problemeve të tjera. Shqiptarët pas Kongresit të Manastirit do të përballonin sfidat e reja që lindën pas problemit të tejzgjatur të çështjes së njësimit të alfabetit të shqipes, si hapjen e shkollave në gjuhën amtare, përgatitjen kuadrit mësimdhënës dhe të teksteve mësimore etj. Dëshira e çdo shqiptari ishte përhapja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe. Patrioti Pandeli Sotiri përmes revistës “Albania” të Faik Koncës bënte thirrje: “ Neve çdo shtëpi ta kemi shkollë e secili prej nesh të jetë mësonjëtor”. Në këto rrethana mungonte infrastruktura e nevojshme për hapjen e shkollave, gjë që e bëri të nevojshme që këto probleme të diskutoheshin në një tubim mbarëkombëtar, që u realizua me organizimin e Kongresit të Elbasanit që i filloi punimet nga dt. 1-9 shtator 1909. Ai miratoi, përveç të tjerave, hapjen e shkollës normale në Elbasan që do të përgatiste mësuesit e ardhshëm të gjuhës amtare, me aftësi profesionale dhe pedagogjike, duke pasur si pikësynim përdorimin e elbasanishtes si e folme mbarëkombëtare. Në vendimet e këtij Kongresi, ai u rekomandonte “të gjithë shkrimtarëve shqiptarë që të përdorin ndë shkrimet e tyre, me sa t’munden, dialektin e Elbasanit, sepse asht dialekti që kuptohet në të gjitha anët e Shqipnisë”.



***

1912. Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Shoqërisë shqiptare i dilnin detyra të reja në rrafshin kulturor. Ajo kërkonte një gjuhë të përbashkët e nisur që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare. Nismën e mori një elitë intelektuale, e njohur për veprimtarinë e tyre politike, kulturore, arsimore , kryesisht nga Shkodra, një qytet me tradita të hershme, si në fushën kulturore, ashtu edhe një atë arsimore. Por situata nuk ishte e qetë. Armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm kërkonin ta copëtonin Shqipërinë dhe të mos njihnin qeverinë e Vlorës. Një dukuri e tillë u shfaq edhe në Shkodër. Pas vitit 1912 ky qytet u pushtua nga ushtritë malazeze (1913). Pas një qëndrimi për disa kohë u larguan, duke u kthyer përsëri më 27 qershor 1915. Kësaj radhe qëndruan vetëm 6 muaj, meqë, më 22 janar 1916 Shkodra ra nën sundimin austro-hungarez. Në rrethana të tilla të pushtimit çdo nismë, projekt apo vendim duhej të miratohej nga komanda ushtarake austro-hungareze.

Kur komanda ushtarake austro-hungareze lejoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare, në këto moment u kërkua që të lejohen edhe veprimtaritë që do të merreshin me zhvillimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

Me miratimin e komandës ushtarake austro-hungareze filloi punën Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, me 1 shtator 1916, 95 vjet më parë. Siç e kemi theksuar edhe më parë, qenë dy faktorë që do të lejonin të fillojë puna Komisia: e para, duhet të ftoheshin dhe të merrnin pjesë intelektualë më në zë, që kishin dhënë ndihmesa për kulturën shqiptare, por që edhe mund të vinin për të marrë pjesë në kushtet e luftës; e dyta kërkohej miratimi dhe legalizimi i saj nga Komanda ushtarake austro-hungareze në Shqipëri. Komisia Letrare mori përsipër të diskutojë disa probleme që ishin të domosdoshëm për t’u zgjidhur, pasi nga pushtimi i gjatë vendi ynë trashëgonte një prapambetje kulturore, ku pjesa më e madhe e popullsisë ishte analfabete. Kështu Komisia Letrare do të merrej me diskutimin e gjuhës së përbashkët dhe të drejtshkrimit të saj, me përcaktimin e bazës dialektore të gjuhës së shkollës dhe të administratës, me zhvillimin e letërsisë, hartimin e teksteve shkollore e terminologjisë së tyre etj. Sigurisht që problemi më i rëndësishëm dhe më delikat qe diskutimi për njësimin e gjuhës së përbashkët dhe hartimi i një kodi drejtshkrimor. Duke qenë se Komisia vepronte në bazë të një statuti dhe rregulloreje me anëtarë të rregullt dhe korrespondent, me detyra të përcaktuara mirë dhe qartë, për mendimin tonë ajo ka qenë institucioni i parë shkencor në Shqipëri. Në veprimtarinë e saj çdo gjë ishte e organizuar. Duke u mbështetur në procesverbalin e Komisisë që kemi botuar në monografinë “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” (1916-1918), Shkodër, 2004 dhe 2009 anëtarë dhe të ftuar në Komisi kanë qenë 17 vetë. Sigurisht që disa figura ishin qendrore, si L. Gurakuqi, Gj. Fishta, N. Mjeda, S. Peci, M. Logoreci, H. Mosi etj. si dhe fillimisht filologu shqiptar nga Tushemishti i Pogradecit Gjergj Pekmezi, në cilësinë e kryetarit të saj, i emëruar nga komanda ushtarake austro-hungareze. Morën pjesë edhe filologë të huaj, si Maksimilian Lamberci dhe Rajko Nahtigal.

Komisia Letrare kishte një strukturë të përcaktuar në statut ku jepen edhe objektivat e saj, gjithnjë miratuar nga komanda austro-hungareze. Fillimisht u diskutua për çështje të veçanta, por me karakter të përgjithshëm. Në mbledhjet e mëvonshëm filloi ta kristalizojë punën e saj. Komisia po merrej me një nga problemet më të mprehta, atë njësimit të gjuhës së përbashkët. Në mbledhjen e dt. 11 dhjetor 1916 kryetari i Komisisë Gjergj Pekmezi mbajti një ligjëratë ku theksoi, në mes të tjerash, se “Nuk ka dyshim se kushdo prej nesh e di fort mirë se nuk mund të jetë sot për sot qëllimi i ynë i parë orthografia, pa dyshim nji gjuhë e përbashkme, ajo na mungon e na duhet doemos. Asht e ditun se ku s’ka gjuhë, s’ka as orthografi. Gjuha e përbashkme asht sot për sot qëllimi ynë i pari dhe padyshim asnjë në mes tonë nuk gjendet të mos e dishirojë atë. “Me këtë rast ai paraqiti tri alternativa ku mund të diskutohej për këtë problem, si në rrafshin teorik, ashtu edhe praktik. Pekmezi nuk ishte për diskutimin e shpejtë të këtij problemi, por, siç thoshte ai, “ më mirë ngadalë e punë pak, por të mirë se me të shpejtë e punë shumë e plot gabime”. Të merren dy dialekte apo një, kjo solli diskutime në mes anëtarëve të Komisisë. Gurakuqi, Fishta, Paluca, Logoreci ishin që në bazë të gjuhës së shkrimit të mbështetej në një dialekt që për Gurakuqin duhet të zgjidhej “një dialekt që të ishte së urë në mes dialekteve, i cili asht për t’u kërkue në Shqipërinë e mesme, prandaj mund të merrej dialekti i Elbasanit, por gjithnji tue vështrue me gjetë forma të mesme me përmirësime për me i futun në gjuhë të përbashkme”. Diskutimi u ndez dhe Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Peci, Paluca shfaqën mendimet e veta rreth këtij problemi pro dhe kundër, por gjithnjë duke u udhëhequr nga dëshira që kjo çështje të merrte zgjidhje. Së fundi Luigj Gurakuqi autoritar dhe i vendosur paraqiti para misëve të Komisisë versionin për këtë çështje për t’i dhënë fund këtij problemi, duke parapëlqyer të folmen e Elbasanit me disa përmirësime dhe saktësime. Ky propozim u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e konsideruar si një ngjarje solemne. Me këtë zgjidhje Komisia Letrare Shqipe në Shkodër synonte t’i vinte gjuhës së përbashkët një bazë dialektore sa më gjithëpërfshirëse ku të konvergonin edhe të folmet. Komisia kërkonte që këtë problem ta zgjidhte me baza shkencore dhe jo në mënyrë empirike. Për këtë qëllim ajo ftoi edhe filologun slloven, Rajko Nahtigal , profesor në Universitetin e Gracit në Austri për të ndihmuar për këtë çështje, si dhe organizoi një ekspeditë gjuhësore në Shqipërinë e mesme për të kryer studimet e nevojshme. Tre filologë: Pekmezi, Nahtigali dhe Mjeda qendruan në Elbasan për tri javë nga dt.1-21 maj 1917. U caktua Ndre Mjeda, sipas J.Kastratit, “meqenëse ishte i afirmuar si studiues i thellë i shqipes, si njohës i dialekteve tona, si erudit, si shkencëtar”. Pas përfundimit të ekspeditës u hartua edhe një raport me titull “Raport rreth udhëtimit në Shqipërinë e mesme për qëllime gjuhësore”. Këtë promemorje Nahtigali e botoi në gjermanisht, duke titulluar “Mbi çështjen e një gjuhe shkrimi të përbashkme shqipe”, të cilën e përktheu Ndre Mjeda. Promemorja pati edhe kritika, ndonëse vlerat e saj janë evidentuar edhe më vonë. Për Nahtigalin më e pranueshme “ ishte të zgjidhej dialekti i mesëm si mjet ndërlidhjeje në pikëpamje gjuhësore”. Ai e shihte elbasanishten si urë jo vetëm me toskërishten, por edhe me gjuhën e autorëve të vjetër shkodranë. U ftua edhe A.Xhuvani si ekspert gjuhësor dhe njohës i elbasanishtes, i cili do të ndihmonte për të përmirësuar gjuhës letrare të zgjedhur. Kështu u veprua dhe kështu vazhdoi puna, duke i dhënë fund për kohën zgjidhjes së problemit të gjuhës së përbashkët.

Arritjet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër për çështjen e gjuhës së përbashkët patën një rëndësi të vaçantë pasi ajo diskutoi me profesionalizëm dhe kompetencë shkencore, duke i dhënë zgjidhje këtij problemi kaq delikat dhe duke u bërë kështu, siç është theksuar, “ nismëtarja e standardizimit të shqipes së shkruar” (B.Beci).



***

Problem i dytë i rëndësishëm i Komisisë ishte hartimi i një kodi drejtshkrimor, i cili u diskutua që në mbledhjet e para të Komisisë, ku u theksua se ai duhet të ishte i përbashkët për të dy dialektet. Është për t’u theksuar se anëtarët e Komisisë kanë qenë shumë të kujdesshëm që të mos sillnin përçarje, përkundrazi ata ishin përkrahës të afrimit të varianteve letrare, gjë që do të pasqyrohej në të gjitha vendimet e saj. Ashtu si për zgjidhjen e problemit të gjuhës së përbashkët , edhe në hartimin e një kodi drejtshkrimor Komisia u nis nga kritere shkencore, duke përcaktuar fillimisht parimet që do të zbatoheshin për hartimin e rregullave drejtshkrimore. U caktua që merret si bazë parimi fonetik i cili është zbatuar edhe në drejtshkrimet e mëvonshme të shqipes, ndonëse nuk ëshëtë shënuar , por vetëm në atë të vitit 1967 dhe më pas, më 1972. Problemet drejtshkrimore u diskutuan me përgjegjësi shkencore, ndonëse nuk mbuluan të gjitha çështjet që kërkonte drejtshkrimi i shqipes, por qe një hap i rendësishëm që u hapi rrugë zgjidhjeve të mëvonshme. Parimi fonetik u gërshetua edhe me parime të tjera. Si themel i drejtshkrimit u mor e folmja e Elbasanit Në mbledhjen e dt.29 janar 1917 u miratua varianti parë i titulluar “ Rregulla mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme” i cili kishte 9 nene dhe përfshihej edhe një radhua fjalësh me grupin mb 104 fjalë dhe me nd 173 fjalë. Por anëtarët e Komisisë nuk u kënaqën me atë që kishin arritur, prandaj i vazhduan diskutimet edhe më pas , duke arritur që të hartojnë dhe miratojnë një variant të dytë në gusht të po atij viti, me 11 nene. Në parathënien e botimit të dytë (tetuer 1917) shënohej :”Tue u mbështetun mbi këto kërkime , Komisia Letrare dau që me i përmirsuem në disa pika rregullat e ortografisë, sidomos përsa u përket formave të dyzueme, nga të cilat zgjodhi ato, që ma tepër i pëlqejnë fonetikës së dialektit të marrun për themel”. Këto rregulla patën rëndësi të vaçantë, pasi ato u formuluan nga një grup gjuhëtarësh të organizuar dhe për herë të parë në historinë e drejtshkrimit të shqipes do të hartohej dhe botohej një kod i tillë. Mendojmë se ato janë fryt i I L.Gurakuqit, Nd.Mjedës, S.Pecit dhe H.Mosit, ndonëse J.Kastrati mendon se është vepër e Ndre Mjedës.

Vlera e tij qe madhe, fillimisht duke u miratuar vendimet e saj për gjuhën e përbashkët dhe drejtshkrimin e saj nga Kongresi Arsimor i Lushnjes, më 1920 dhe më pas, duke i qendruari kohës për më shumë se një çerek shekulli.

Këtu u hodhën bazat e drejtshkrimit të shqipes dhe, siç shkruante E.Çabej, “mund të thuhet se vuri gurin themeltar në normimin e shqipes dhe në ortografi”.



***

Shqiptari menjëherë u njoh si me variantin e parë, ashtu edhe të dytin pasi ai pati botime të veçanta edhe në shtypin e kohës. Në botimin e organit të Komisisë Letrare me titull “Lajmet e Komisisë Letrare në Shkodër”, nr.1, 1918 u përfshinë këto rregulla (variant i parë). Në nr. 2 të këtij organi u përfshinë kronikat e mbledhjeve të Komisisë, jepet vazhdimi i ekspeditës gjuhësore në Shqipërinë e mesme dhe në Berat, të kryer nga M.Lambertci. Në këtë numër paraqitet edhe puna që është bërë nga Komisia për tekstet shkollore dhe rregullorja e Komisisë. Në këtë numër botohen për herë të parë rreth 100 terma gjuhësorë që ka miratuar Komisia. Terma nga fusha të ndryshme , që me sa bëhet e ditur, mund të jenë hartuar rreth 1500 të tilla, një punë jo e vogël dhe me përgjegjësi. Për hartimin e terminologjisë së re, ajo u nis nga disa kritere, si zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë të burimit shqip. Neologjizmat të mos përdoren pa kriter, pasi komunikimi do të bëhej i vështirë, gjithashtu edhe përdorimi i barbarizmve pa vend do të bëjë që “gjuha të nxjerrë ngjyrën kombëtare”. Termat ndërkombëtarë do të mbeteshin po ato, dhe termat e huaj do të mbeteshin në ato raste kur nuk kishte mundësi për t’i zëvendësuar. Puna qe e mirë dhe qëllimi i lartë , me ato mundësi që kishte , por përsëri ajo ruajti mjaft terma të huaj, disa prej të cilëve edhe mund të zëvendësoheshin. Sidoqoftë ky ishte një hap përpara.

Në diskutimet e ndryshme Komisia një vend të veçantë i dha edhe zhvillimit të letërsisë, kryesisht të botimeve të shkrimtarëve shqiptarë, botimet e të cilëve duhet të ishin “të thjeshta dhe të lira”. Me gjithë pengesat ata arritën t’i kapërcejnë vështirësitë dhe të zhvillonin letërsinë në gjuhën amtare. Komisia Letrare Shqipe në Shkodër për aq kohë që funksionoi, u mor edhe me hartimin e teksteve shkollore dhe organizimin e bibliotekës.



***

Sot pas afro një shekulli e vlerësojmë veprën e kësaj Komisie si një ngjarje me rëndësi të veçantë për kulturën shqiptare, për diskutimin me shumë seriozitet dhe kompetencë shkencore të problemeve të mprehta, kryesisht gjuhësore, larg qëndrimeve të ngushta lokaliste, duke u shquar për tolerancë dhe duke u bërë me këtë rast nxitje dhe shtysë për diskutimet e ardhshme në tubimet shkencore për probleme të ndryshme gjuhësore, letrare etj.

www.shkodra.ws
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi