Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Doli nga shtypi romani i një shkrimtari të talentuar shqiptar Empty Doli nga shtypi romani i një shkrimtari të talentuar shqiptar

Sun 8 Apr 2012 - 16:44
Doli nga shtypi romani i një shkrimtari të talentuar shqiptar Ballina-e-romanit-Amaneti-i-Gjyshit-noaBeqë Lokaj, Amaneti i Gjyshit, Amanda Edit, Bukuresht, 2012

Bukuresht, 4 Prill 2012 NOA/ Baki Ymeri - Beqë Lokaj është një shkrimtar i eksperimentuar, autor i dy vëllimeve poetike dhe i romanit të tij të parë “Amaneti i Gjyshit”, kushtuar nipave të tij, Florianit dhe Edonisit. Libri del në kuadrin e Bibliotekës Letërsi e sotme shqiptare, duke patur për këshilltar editorial, poetin dhe eseistin Nexhat Rexha, për ideator poetin Neki Lulaj ndërsa për recensent shkrimtarin e shquar, Skënder Zogaj, sipas të cilit, “Amaneti i gjyshit” më ka pëlqyer, bile-bile, më ka befasuar për të mirë.

Autori me këtë vepër ka arritur të shënojë ngritje të dalluar mbi krijimet me këtë temë që janë shkruar e botuar në dekadën e fundit, raporton noa.al.

Kalova një ditë shumë të këndshme me këtë roman dhe më këtë autor që, e meriton t’i thuhet se, ka bërë një punë të mirë, të vlershme dhe të ndershme. Beqë Lokaj ka shtruar temën e luftës dhe trajtimin e saj nuk bën me rrahagjoksje të patriotizmit të rrejshëm (siç ndodh shpesh), por e bën me një angazhim të përkushtuar për pasqyrimin e realitetit të përmasës autentike.

Ajo që në mënyrë të veçantë vlen të theksohet është dëshira e flaktë e autorit për ruajtjen e vlerave të vërteta kombëtare, brenda kuadratit të shenjave me të shkëlqyeshme të traditës së pasur e të pastër shpirtërore dhe historike shqiptare, të trashëguar nga e kaluara, të cilave vlera u hap udhë që të vazhdojnë të ruhen me shumë kujdes. Këtë porosi e shprehin fuqishëm personazhet e romanit të Beqë Lokajt, ku Amanetin e Gjyshit, luftëtarit Malush Gjini, që flijohet për atdhe me pushkë në dore, do ta lartësojë me dashuri, respekt dhe krenari nipi i tij, Floriani. Ky vlerësim i kristaltë i Skënder Zogajt botohet në formë medalioni në faqet e para të kësaj vepre briliante, e strukturuar në dy kapituj me 32 njësi të shoqëruara me prolog dhe epilog, në një vëllim prej 145 faqesh.

Sipas Neki Lulajt, frymëzimet e Beqë Lokajt janë një rrugëtim i gjatë biblik, me epilogje të dhembshme të vetmisë në dheun e huaj, i larguar nga toka amë detyrimisht, i braktisur për ta siguruar ekzistencën familjare, për ta siguruar kafshatën e bukës me mund, me djersë e nderë dhe ndërgjegje të pastër. Buka e mërgimtarit është dhuratë e bekuar që ngërthen mallin për atdhe, mallin për vendlindje, mallin për prindër, mallin për grua dhe për fëmijë, mallin për miq, farefis e dashamirë, mallin për gjuhë e kulturë, dhe mallin për dasma e vdekje në atdhe. Ky është libri i tij i tretë, ndërsa në dorëshkrim ka edhe disa vepra të tjera për botim. Beqë Lokaj jeton dhe krijon në një cep të Gjermanisë, por edhe në fshatin e tij të lindjes, në Prejlep të Deçanit, Republika e Kosovës.

Një roman që s’të lë të dorëzohesh para furtunës së historisë

Ekziston një mendim i përbashkët se çdokush ka të drejtën të arsyetojë dhe të punojë se si të gjejmë anët tona më pozitive dhe t’i bashkojmë forcat në funksion të harmonisë për të arritur një qëllim që sot është aq i domosdoshëm. Sipas burimeve elektronike, sot flitet me të madhe në të gjithë botën, mbi nevojën për të treguar dashuri dhe respekt për njerëzimin. Ky njerëzim ka nevojën e përkrahjes dhe bashkimit. Sipas Rozafat Berkit, Shqipërinë të gjithë e duam por ka edhe të atillë që nuk dinë të sillen dhe e harrojnë rrugën që kanë filluar dhe rendin pas interesave të ngushta. Me një porosi identike e hap librin e vet më të ri, shkrimtari shqiptar me banim në Gjermani, Beqë Lokaj. Para nesh kemi një roman të ri vlerash të veçanta, që simbolizon shpirtin luftarak të shqiptarit për të afirmuar dhe mbrojtur identitetin kombëtar. Autori është artist, dhe artisti, sipas Picassos, pranon emocione nga të gjitha gjërat që e rrethojnë: nga dielli, nga dheu, nga një cope letre, nga një hije kalimtare.

Thonë se i pasuri kurrë nuk ngopet, dhe se kush s’është për vete, nuk është për askend. Këtë e thotë edhe autori me fjalë të tjera. Vetë titulli i kësaj vepre (Amaneti i Gjyshit), dëshmon se zoti Lokaj din t’ia përcjellë brezit të ri porositë e të parëve tanë, sepse autori posedon një bazë të shëndoshë morale dhe kombëtare, duke i dhënë prioritet familjes së shenjtë, si bazë e ekzistencës së shoqërisë dhe ekzistencës së një kombi. Autori ka fatin të lindë në Kosovë dhe të jetojë në gjirin e Lokomotivës së Europës (Gjermani), duke patur admirim ndaj kulturës shqiptare dhe letërsisë gjermane, duke e kultivuar shpirtin me kujtime të bukura, me mendime të shëndetshme, ndërsa vepra e tij dëshmon se ka prirje për letërsi, se autori, siç shprehet Vullnet Mato në një shkrim të tij, posedon “mjështërinë e ndërtimit të frazës me ngarkesë mendimi dhe me fuqi emocionale që të befason.”

Fakti se që nga fjalitë e para kushtuar meditimeve mbi pasurinë dhe varfërinë, mbi kopracinë dhe zemërgjerësinë, është një argument që tregon se Beqë Lokaj ka talent dhe prirje për të zbukuruar spektrin e kulturës shqiptare me vlera të veçanta letrare. Në lëndën e tij defilon një ndjeshmëri e rrallë, që na bind se autori nuk është vetëm një poet i mirë, por edhe një prozator me dinjitet dhe identitet. Ai është një pendë e frymëzuar që mediton dhe militon për një shoqëri ku gërshetohet tradita me aktualitetin, kultura kombëtare me vlerat universale, respekti ndaj vetvetes dhe solidariteti me të tjerët, njeriu i lindur për liri, dashuri dhe atdhedashuri. Tek-tuk, autori përmend edhe nga ndonjë shprehje gjermane, duke krijuar ura afrimi mes dy popujve që gjithmonë e kanë njëri-tjetrin: “Alban, biri im! Ne jemi një popull i lashtë, besnik, human e bujar. Nuk bën që të hymë ne një thes më të tjerët. Unë kërkoj nga ju që të silleni siç i ka hije një populli të vjetër e shumë të vuajtur! Mos na e qitni faqen e zezë! Sot më shumë se kurrë na duhen miq dhe fjalë të mira!”

Libri i tij nuk është vetëm një roman dashurie mes një shqiptari dhe një gjermanke, por edhe një meditim filozofik sipas të cilit “Nuk po dilka shpirti para kohe dhe pa urdhëruar zoti. Me të vërtetë është me vend ajo fjala e popullit, se njeriu qenka më i fortë se guri. Atë që e bën partia nuk e bën as djalli, kurse atë që po e bëka njeriu, nuk e bën dot as guri.” Në kuadrin e kësaj vepre defilon shpirti shqiptar dhe historia shqiptare e ngarkuar me fisnikëri dhe rezistencë për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Autori na e përkujton Dardaninë e betejave për liri, Tivarin e zi dhe ferrin e mallkuar të Goli Otokut, nga “kam dalë i gjallë, falë fatit që nuk isha i shkolluar dhe intelektual. Shumë burra, intelektualë të kombit, i kanë lënë eshtrat në atë skëterrë të tmerrit. Komunizmi ka qenë gjëja më e keqe e kësaj bote. Ka qenë një dhuratë e mallkuar dhe e pamerituar për njerëzimin. Në laboratoret e çmendurisë u punua shumë, u harxhua shumë energji, për ta gjetur një ilaç të shëmtuar për t’ia shpërlarë trurin njeriut.” Ja edhe një fjali tjetër ku reflektohet një fragment i histories sonë! “Ishte pamje e dhembshme, rrënqethëse, ta shohish trupin e ndarë të një kombi në dy pjesë. Tokë dardane andej, tokë dardane këndej, të ndarë në dy pjesë me vijë të kuqe.” Pas një pamjeje të këtillë, Floriani ia kris vajit. Lotët kanë diçka të shenjtë. Nuk janë gjurma të ligështisë, por të fuqisë.

Albani, sipas autorit, kishte patur një jetë të lumtur, në krahasim më te atin e tij, Malushin, kurse Dora, jo vetëm se ishte një nënë e mrekullueshme, por ajo ishte edhe një bashkëshorte e mirë. Së bashku drejtonin një firmë biznesi që u siguronte të ardhura, për një jetë normale dhe të lumtur. Shqiptarët, sipas Beqë Lokajt, ëndërrojnë për gjermanizimin e ambientit shqiptar, ndërsa gjermanët e admirojnë lashtësinë, besnikërinë dhe mikpritjen shqiptare që shquhet si një vlerë e motshme dhe e lartë e ilirëve të lashtë. Në roman përmendet edhe shënjtorja jonë e madhe, Nënë Tereza që shkonte deri në skaj të botës, duke u përkujdesur për të sëmurë e fëmijë jetimë, duke ditur ta tregojë humanitetin e popullit të vet rrugëve të Kalkutës. “Është kjo një mrekulli e dhënë nga zoti, një dhuratë e bekuar për njerëzimin, se edhe një popull i vogël mund të lindë njerëz me përmasa botërore. Qytetërimi e humanizmi perëndimor, tani i njeh e dhe dy emra të famshëm, të një Paqësori e të një Humanisteje: Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza.”

Në këtë vepër kemi rastin të njihemi me Dorenë, një vajzë e hijshme, e sjellshme, simpatike dhe tërheqëse. “Zoti ia kishte dhuruar të gjitha virtytet që duhej t’i kishte një vajzë e re. Në rradhë të parë sinqeritetin, bukurinë dhe mençurinë. Flokët kaçurrela që i rrinin në ballë, me ato dy mollëza të kuqe si dy molla në degë, me ato dy buzë të kuqe si një trëndafil që shpërthen në pranverë, e bënin të duket si një zanë mali, si një engjëllushë, si një hyjneshë e zbritur nga qielli. Veshja elegante, sipas shijes, që ia bënte të mundur pasuria e prindërve, e bënin edhe më të dukshme bukurinë e saj, më të të këndshme pamjen e saj, dhe më të ëmbël buzëqeshjen e saj. Një vajzë e bukur e simpatike, siç ishte Dora, që rridhte nga një familje e pasur e me prejardhje aristokrate, nuk do të kalojë pa bujë e pa zhurmë, ma thoshte mendja, netëve të gjata pa gjumë. Ishte një dhunti e rrallë, e llojit të vet… Isha plotësisht i zënë rob në pushtetin e saj, pasi Dora për mua ishte si një yll i bekuar që e shndrit gjithësinë.”

Edhe një pushkë i shtohet atdheut

Tensioni dhe dialogu janë prezent gjithandej, së bashku me përshkrimin dhe imagjinatën: Hëna e plotë bënte dritë për mrekulli, herë pas here, kur lirohej nga retë e rralla. Disa nga personazhet e romanit janë të rinj që respektojnë ambientin e natyrshëm të familjes dhe shoqërisë. Njëri nga to thekson se e kisha kuptuar se nuk do ta kishim lehtë. “Isha në dijeni se duhej shumë mund, madje dhe sakrifica. Por e dija se do t’ia vlejë, nëse s’dorëzohemi para furtunës së historisë.” Dhe më tej: “Tmerrohesha nga e ardhmja e paqartë, e cila ndoshta gjatë gjithë jetës do të më mbante peng. Kisha frikë se nganjëherë gjërat mund të marin kahje të padëshiruar. Rrjedhat e dëshirat njerëzore ndonjëherë përfundonin në humnerë.” Gjyshi i tij, Malush Gjini, ta përkujton Isa Boletinin dhe burrat e mençur të kombit. Për te, njeriu i ndershëm jeton me bukë e krypë e faqe të bardhë.

Sipas tij, asgjë në ketë botë nuk ia ul vlerën një burri, se sa interesi i tepruar. Jo vetëm ai, por edhe i biri i tij ishte aty si gjithherë, besnik, i sinqertë dhe i përpiktë. Ashtu si të gjithë të tjerët, edhe oficeri i ri shqiptaro-gjerman, Florian Gjinaj, kishte treguar shkathtësi e aftësi ushtarake dhe trimëri të pa shoqe. Ishte një sokol i patrembur që nuk dinte nga del plumbi. Shpirtin luftarak e kishte trashëguar nga Gjyshi i tij, një burrë i fortë, nacionalist i dëshmuar, të cilin valët e jetës e kishin përplasur pa mëshirë, por asnjë herë nuk ishte përulur, askund dhe para askujt. Ndërsa srategjinë e artin ushtarak e kishte nga Gjyshi i mamit, një gjeneral me nam. Ai ishte kudo ku ishte rreziku. I këshillonte e u jepte kurajo ushtarëve e shokëve, dhe suksesi ishte i dukshëm.

Kulla e Gjyshit, Malush Gjini, Albani, Fatimja, Doreja, Rita, Iliri, oficeri gjermano-shqiptar Floriani, Lugu i Zanave dhe Martirët e Lirisë. Autori ia sjell në memorje lexuesit një fragment të betejave tona të lavdishme për liri dhe pavarësi: “Armiku ishte në tërheqje e sipër. Gjithë vijën e frontit e kishte në fokus. Më sytë e tij prej shqiponje, e pa shokun e tij, Ilirin, që ishte futur pa dije në një zonë të rrezikshme, ku vazhdimisht ishte nën rrezet e artilerisë së armikut, dhe si i dehur shtinte me sa fuqi që kishte, me një mitraloz të grabitur në anën e kundërshtarit, pa e vënë re rrezikun që i kanosej. Humbjen e tij do ta përjetonte thellë e me shumë keqardhje. Pasi ai, jo vetëm se ishte një ushtar i mirë e trim, por sa e kishte marë lajmin e gëzueshëm se bashkëshortja e tij, Shpresa, në ”West Heimet” kishte lindur një fëmijë. Oficeri i ri, pa humbur kohë dhe pa menduar shumë, duhej të merrte një vendim të ngutshëm.

Me shpejtësinë e erës, duke shfrytëzuar aftësitë fizike e ushtarake, dhe prapavijën e frontit, barkas, me shumë mund e rreziqe, kishte arritur që t’i afrohet, e për ta kthyer në pozicionin e mëparshëm. Pasi armiku ishte në tërhjeqje e sipër. Por, lufta si lufta që nuk i dihet se ç´sjell sekonda, pa se nuk kishte shumë kohë. I duhej një veprim i ngutshëm energjik.” I prezantuar ekskluzivisht në aspektin e tij të jashtëm, me objektivitetin e teknikës moderne, në bazë të modalitetit narativ, universi fiktiv i këtij romani, e përvetëson dhe nxit kureshtjen e lexuesit ta lexojë me admirim. Është një virtyt special i këtij krijuesi kosovar, arti për ta njohur lexuesin me një subjekt të rëndësishëm të historisë sonë.

Libri i Beqë Lokajt nuk është një prozë poetike por një roman i mirëfilltë, ngjarjet e të cilit lidhen njëra me tjetrën. Duke parafrazuar mendimet kritike të një autori tjetër (Neki Lulaj), konstatojmë se jo vetëm në poezi, por edhe në prozën e autorit respektiv, ka një gamë të gjerë poetike, patriotike dhe njerëzore, që të fton për ta fisnikëruar dhe prezentuar në mënyrë sublime, nga thellësia e shpirtit briliant të këtij njeriu, i cili me ndjenjat e thella dhe me mjeshtrinë vetanake, provon ta mbrojë dhe ta ruajë qenien fizike e biologjike të etnisë, por edhe shpirtin e kulturën dhe të bukurën e kësaj etnie, si dhe nivelin kulturor, si e vetmja mundësi që ta mbajë më gjatë traditën dhe kulturën kombëtare. Sipas një autori të huaj (P. Dinulescu), romani nuk është tjetër veçse fotografia e një kohe të humbur.

Kush e lexon këtë vepër, konstaton të kundërtën, se romani i Beqë Lokajt nuk është portreti i një kohe të humbur, por një libër i veçantë ku defilojnë disa segmente të jetës, cilësitë më të mira të kombit tonë, shpirti luftarak i shqiptarit për të mbrojtur identitetin kombëtar, gjuha e përbashkët që patën gjetur dy gjyshërit, njëri gjerman e tjetri shqiptar, dhe jeta e përbujshme sentimentale dhe patriotike e dy të rinjve, njëri me origjinë shqiptare, e tjetra me prejardhje gjermane. Amaneti i Gjyshit tim është porosia jonë për ta përkrahur njëri-tjetrin konform mirësisë, solidaritetit dhe dashurisë ndaj një jete të mbrujtur me energji pozitive. Përmes artit të tij letrar, Beqë Lokaj tenton të vejë një tjegull në ndërtimin e një ure letrare ndërmjet Kosovës dhe Europës.

b.y/noa.al
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi