Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Arkiva e rrallë 1919: Dokumentat e Dërgatës Shqiptare në Paris Empty Arkiva e rrallë 1919: Dokumentat e Dërgatës Shqiptare në Paris

Wed 30 May 2012 - 20:05
Message reputation : 100% (1 vote)
Arkiva e rrallë 1919: Dokumentat e Dërgatës Shqiptare në Paris Fsd-224x300Histori: Cilat ishin 3 kërkesat e Dërgatës Shqiptare në Paris, Harta e Shqipërisë sipas Kadastrave Osmane dhe lutja për hyrjen e ushtrisë amerikane në Shqipëri

Sami Starova

Ndër kontributet e mëdha kombëtare në këtë shekull të Pavarësisë shkëlqen diplomacia e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit. Kjo qeveri doli nga Mbledhja Kombëtare e 25 dhjetorit 1918. Shpalli si qëllim “të rrëfente e t’i provonte botës ekzistencën e një kombi në trojet e tij etnike”. Kjo Mbledhje Kombëtare e dhjetorit ‘18 nxorri një dërgatë shqiptare që do të përfaqësonte vendin në Konferencën e Paqes në Paris.

“Kjo dërgatë është krejt e kthjelltë dhe e kuptueshme për këdo – Shqipëria e shqiptarëve me kufijtë që i ka falur zoti deri kur flitet gjuha e ambël e Zogut të shqipes”, – shkruhet në dokumentat e kohës.



Tri kërkesat e Dërgatës Shqiptare në Paris

Dërgata shqiptare i paraqiti Konferencës së Paqes së Parisit dokumenta zyrtare prej datës 12 shkurt deri më 5 qershor 1919. Duket një korespondencë elitare në aspektin diplomatik. Konferenca e Parisit e mbledhur më 18 janar 1919 (vazhdoi deri më 21 janar 1920) për riformatimin e botës pas Luftës së Parë Botërore u gjend përballë kërkesave, protestave, memorandumeve, dokumentave të shumtë arkivorë ku dëshmohej për kufijtë realë të kombit shqiptar. Kërkesat e Dërgatës Shqiptare dërguar kësaj Konference përqëndroheshin në tre çështje kryesore:

Së pari: Të riktheheshin viset shqiptare që i janë dhënë Malit të Zi nëpërmjet vendimeve të Kongresit të Berlinit 1878 dhe atyre të Konferencës së Londrës 1913. Së dyti: Të riktheheshin viset shqiptare që i janë dhënë Serbisë me vendimet e Konferencës së Londrës 1913. Së treti: Të riktheheshin viset shqiptare që i janë dhënë Greqisë me vendimet e Konferencës së Londrës 1913.



Harta e Shqipërisë sipas Kadastrave Osmane

Në kërkesat e Dërgatës Shqiptare u prezantuan kufijtë realë shqiptarë në bazë të dokumentacionit të Perandorisë Osmane (një kadastër tepër e saktë) “Shqipëria përbëhej nga tre vilajete të plota: 1- Kosovë; 2- Shkodër; 3- Janinë, si dhe një pjesë e vilajetit të Manastirit. Për të siguruar territoret shqiptare ju paraqit një hartë (që sigurisht nuk e kishin bërë shqiptarët), e për atë i shkruhej Konferencës:

“Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngiitun këtu, kufini ethnik i Shqipnisë fillon prej gjinit të Spicës (neverit të Tivarit), kthehet drejt nord-estit tyke marrë mbrenda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën dhe tyke ndjekun kufinin e Malit te Zi qi ka pasun perpara motit 1912, permbledh Pejën, Gjakoven, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjillanin, Ferizovikun, Kaçanikun, një pjesë të kazas së Shkupit, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te Mali i Thatë, ndërmjet liqejvet t’Ohriës e të Prespës. Qy nga këjo pikëkufini ndjek vijën 2 1913-s ngjer te maja e malit Gramos e vazhdon drejt sudit për me dale afër gjinit të Prevezës. Të gjtha viset qi gjinden në Perendimt të këtij kufini përbajnë Shqypniën ethnike e historike. Mbrenda ndër këta kufij qi caktuem na sipër, jetojnë afër 2.ooo.ooo Shqyptarë, nga të cilët ma pak se gjymsa ndër kufijt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lanë, po n’atë Konferencë, Malit të Zi, Serbies e Greqiës”. Paris, 12 shkurt 1919 / (Nënsh.) TURHAN



Shqiptarët kërkuan në Paris ushtrinë amerikane

Përshkrimi i territoreve shqiptare në bazë të hartës u shoqërua me tabela statistikore, ku jepeshin qytetet shqiptare me popullsitë përkatëse. Në të tre tabelat, në atë të statistikës turke (1908-1909), në statistikën Austro-Hungareze (1914-1918) dhe statistikën bullgare del qartazi se qytetet shqiptare të mara padrejtësisht me vendime anormale janë tërësisht me popullsi shqiptare. Në disa prej tyre ka pakica jo shqiptare të ardhur.

Dokumentacioni zyrtar i Dërgatës shqiptare është sa i madh ashtu dhe tepër i saktë. Por në këtë shkrim do të ishte me shumë interes të theksonim e të vlerësonim kahjen e diplomacisë së Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit në lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo qeveri i kërkoi Konferencës së Parisit që shpëtimin e Shqipërisë, mbrojtjen e dhenave (trojeve) dhe të popullsisë shqiptare nga masakrat sërbo-greke ta bënte SHBA. Shikojmë dokumentin zyrtar që mban datën Paris, 7 mars 1919. Titullohet “Nota të shtueme me kërkesat shqiptare – Kërkesa plebishiti”

Në këtë kërkesë shkruhet: “… i lutemi Konferencës që të ketë mirësinë me i dhënë një mëkamësie qeverries së Shtetevet të Bashkuem të Amerikës për me shkelun e me administrue motmot ose dyë vjet, me qëllim të një plebishiti, dhenat që kemi kërkuem, do me thanë Çamërinë, të pushtueme prej Grekëve e viset që gjenden në Veri dhe në lindje të Shtetit Shqiptar, të pushtueme prej Malazezëve e Sërbëve, dhena të cilat i kemi dëftyem në Memorandumin t’ënë më 12 të Shkurtit të kaluem.”







11 mars 1919 – Lutja për hyrjen e trupave të SHBA në Shqipëri



Del e qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ushtritë e saj kërkoheshin dhe priteshin për shpëtimin e trojeve etnike shqiptare. Shikojmë edhe një letër zyrtare që titullohet: “Protestë kundër masakrave serbe”, e cila mban datën: Paris 11 Mars 1919. Në këtë dokument veçojmë një lutje:

“Lutja e jonë më 7 Mars ( e cituam më sipër), me të shkelunit e dhenave shqiptare prej ushtrive amerikane sot po bëhej një nevojë e domosdoshme, mbasi këto ushtritë do të mund të ndalojshin me një herë masakrat e tmerrëshme që po bëhen qysh prej pushtimit të ri të Kosovës prej ushtrive serbe”

Po e japim të plotë dhe në shqipen origjinale të kohës këtë dokument të 11 marsit 1919:

Protestë kundra masakravet serbe

Shkëlqesë,

Në këtë orë kurë Konferenca e Paqes po kërkon me hudhun themelat e një paqe të drejtë e të qëndrueshme ndërmiet popujvet, në Shqipnië janë tue ndodhun punë mi të cilat po e shohim për detyrë me i hekun vërejtjen Këshillit të Naltë të Besatarvet.

Lufta zyrtarisht ka mbaruem, por megjithëkëtë përpjekjet po vazhdojnë me rreptësië në shumë vise të Shqipniës. Qyshë se ushtriët serbekanë hymun përsëri në krahinat e Kosovës, shqiptarët po ujisin me gjakun e vet këto krahina ku kanë lane eshtnat sa prindënt e tyne për të pruejtunit e tokës dhe të liriës së vet.

Bota mbarë asht çu e midhnueshëm kundra masakravët të mënishmet’ Armenvet qi kishin për qëllim të sterfarunit (shfarosjes) e racës së tyne; mizorina po me atë qëllim po bahen sod në Shqipnië, pa u çuem nje za protestimi kurrkah.

Për të vetmen krimë qi duen me i ndejun besnikë mamës­atdhe, popullsi të Pejës dhe të Gjakovës kanë mbetun tash nj’a dyë javë, nën zjarmin e rreptë t’ushtrivet serbe. Sod janë qytetet e Plavës dhe Gucinjës qi u ka ardhun rendi me psuem shortin e atyne. Gra, pleq, kalamaj lane vatrat e veta te rrenueme e hikin. Një varg i pare të hikunish, i përbamun prej dyemijë vetësh, ka mundun t’arrijë në Shkodër, e një tjetër varg prej njëmijë Shqiptarësh tjerë asht kapun në Zadrimë.

Lutja e jone me 7 Mars mi të shkelunit e dhenavet shqiptare prej ushtrive amerikane sod po bahet një nevojë e domosdoshme, mbassi këto ushtrië do të mund i ndalojshin me-një-herë masakrat e tmerrueshme qi po bahen qyshë prej pushtimit të ri të Kosovës prej ushtrivet serbe.

Merret vesht, nga tjetra anë, prej lajmevet qi Dërgata e jonë po merr prej Durrsi, se disa çeta komitaxhish greke janë tuke u mbledhun përgjatë kufinit të Shqipniës së Poshtme nën komandën e kapidanit të nëzashëm Vasil Kolovosi, të Vasil Stilarëse dhe të Stefit. Këto çeta jane tuke u bamun gatime i hy mum mbrenda Shqipniës së Poshtme për me shtrënguem popullsiën qi të kërkojë Greqiën e për me ba mun këso mënyre qi të duken të drejta lakmiët panhelenike mi këtë krahinë.

Populli Shqiptar beson nëndiesiët njerzore të Delegatvet të Konferencës për me i dhanë fund sar na shpejt gjëndsiës së mjerueshme qi Ju paraqitëm këtu n’emën të tij.

Paris, II Mars1919.

Kryetar i Dërgatës Shqiptare

(nënsh.) TURHAN.





3 qershor 1919 – Dokumenti mbi masakrat në Shqipërinë veriore



Shumë me vlera dokumentative është edhe dokumenti shqiptar që mban datën Paris, 3 Qershor 1919 dhe titullohet: “Mbi masakrat e Jugo-Slavvet në Shqipnien e Sipërme”. Nga ky dokument që do ta japim në origjinal duket qartë një mëndje e ndritur diplomatike dhe një brengë për trojet e popullsinë e masakruar. Në ato kushte Dërgata Shqiptare sërish këmëngulte për mbrojtje nga ushtria amerikane: “Dërgata e jonë, për me pritun këto masakra e për me u bamum një plebishit, ka pas lypë që ato vise të shkileshin prej ushtrive amerikane”. Po i japim lexuesit të Shekullit dokumentin e plotë:

Mi masakrat e Jugo-Slavvet në Shqipniën e Sipërme

Shkëlqesë,

Ditën më 11 Mars 1919, Dërgata Shqiptare pati paraqitun Konferencës një protestë kundra masakravet të bame nga ana eJugo-Slavvet mi popullsiët shqiptare të kazavet të Pejës, Gjakovës, Plavës e Guciës; Mierisht këto masakra s’kanë pushuem edhe, e po vazhdojne reptas. I drejtuem Shkëlqesës s’Uej, këtu bashkë, listen e pare të të masakruemvet në krahinën e Rugovës, në kaza të Pejës.

Dërgata e jonë, për me pritun këto masakra e për me u bamum një plebishit, ka pasë lypun qi ato vise të shkileshin prej ushtrive amerikane; ajo po vjen tashti’ me e per trimun edhe një here atë lutje,tue shfaqun se në qoftë qi s’do të merret parasyesh për nji mend e në qoftë se viset e Shqipniës së Sipërme qi kemi kërkuem do të mbeten nën zotnimin serb, e tanë popullsia shqiptare e asaj ane ka me qënë për pak kohë e stërfarun kreit.

Dërgata shqiptare merr lejën me ia paraqitun edhe një here Shkëlqesës s’Uej me ma te madhen randësië këtë çashtje të tristueshme e u sillet ndiesivet njerzore të Fuqivet të Mëdhaja Beslidhuna e të Shoqnueme për me u dhanë fund këtyne masakrave systematike nga të cilat populli i ynë ka vuejtun tepër.

Pritni, Shkëlqesë, sigurimet e nderimit t’em shumë të naltë.

Paris, 3 Qershor 1919

Kryetari i Dërgatës Shqiptare

(nënsh.) TURHAN.

Shkëlqesës së Tij, Z.G. Clemenceau,

Kryetar i Konferencës së Paqës







20 mars 1919 – Letra për ambasadorin amerikan: “Hyni me ushtri në viset shqiptare, na merrni në mbrojtje”



Lexuesve po ju japim pak rreshta edhe nga një telegram i dërguar Kryetarit të Shteteve të Bashkuara në Paris. Ky telegram mban datën 20 Mars 1919. Midis të tjerash shkruhet:

“…Po Ju sillemi Juve Z. Kryetar, apostullit të politikës morale e pruejtësit të popujve të vegjël të ndrydhun. Juve po Ju sillemi që të mos na shkelet e drejta. Po ju lutemi që t’i zanë ushtriët amerikane të gjitha nj’ato vise shqiptare ku sod gjinden ushtritë jugosllave e greke, e qi t’u kqyret lirisht e pa mbajtun pajë karakteri kombëtar qi kundërshtarët t’anë mundohen me mohuem. Nuk do të kishim as një kundërshtim për një plebishit qi kishte me u zbatuem në të gjitha ato vende që kërkojmë….”.

Me shumë interes në materialin e këtij telegrami është interesimi për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë telegram shkruhet: “Në Amerikë jetojnë një qind mijë shqiptarë në lirië të plotë e vendi i madh i Uashingtonit ka qënë për ta gjithmonë një shkollë atdhetarie e përparimi”.

Edhe në këtë telegram fatet e kombit shqiptar ja besojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës: “Shkurt, Z. Kryetar, na e lamë çështjen t’onë në duert e Jueja e Ju lutemi të na pranoni kundra godive e traktateve rrëmbyese e pushtimi”







*****





OPINION



Dërgata që meriton një Monument



Sami Starova



Mënçuria atdhetare e Dërgatës Shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit nuk është vënë shpesh në dukje. Por dokumentat zyrtare të dërgatës së shqiptarëve, drejtuar Konferencës së Paqes së Parisit, janë të shumta e të argumentuara saktësisht në bazë të materialeve arkivore. Disa prej tyre I sollëm sot në këtë botim në “Shekulli”. Ato dallohen dhe për nivelin e lartë diplomatik e kulturor. Të trajtuar me elegancë, çdo dokument i shkruar fillon me fjalën – Shkëlqesi – e në fund edhe në mbyllje të saj – Ju lutemi Shkëlqesës s’Uej me pritun sigurimet e nderimit t’ëm fort të naltë”. Më poshtë shkruhej “Kryetari i Dërgatës Shqiptare”- TURHAN -

Veprimtaria diplomatike e Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit ishte kulmore në planin e ruajtjes së trupit të kombit tonë. Nëse qeveritë e tjera pasardhëse do të vazhdonin kërkesat e ligjshme të Qeverisë së Përkohëshme të Durrësit, unë gjykoj se çështja e trojeve kombëtare, bashkimi i kombit nën flamurin e Skënderbeut do të ishte bërë më shpejt dhe tërësisht. Qeveria e Përkohëshme e Durrësit, në vlerësimin tim, meriton një monument që do ta nderonte gjerdanin e artë të Shekullit të Pavarësisë.

Dërgata Shqiptare kishte besimin dhe konsideratën më të lartë për ushtritë amerikane, të cilat çliruan Evropën gjatë Luftës së Parë Botërore. Duket një dërgatë e mënçme dhe largpamëse sepse kërkesa e tyre u bë realitet pas 80 vjetësh në Kosovë, në fund të shekullit të kaluar.Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi