Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Shqiperi Veli Bej Këlcyra, firmëtari i panjohur i pavarësisë

Tue 26 Jun 2012 - 15:35
Përgatiti: M.Baze


Në Këlcyrë ka pak gjurmë të tyre. Rrënojat e sarajeve madhështore dhe një gurore që u është afruar përfund themeleve duke kërcënuar ekzistencën e tyre, janë dëshmia e vetme e Familjes Këlcyra. Familja më e madhe feudale e Jugut të Shqipërisë, është sot një histori e pashkruar. Shumë banorë të Këlcyrës janë të rinj dhe më shumë se sa të vërteta, dinë vetëm legjenda për familjen që i ka dhënë emër qytezës së tyre, ndërsa dy monumentet e kulturës, kështjella ilire dhe sarajet, janë thuajse të paeksploruara.
E vetmja shenjë e Familjes gjendet në varrezat e qytetit, ku e fundmja e Familjes Këlcyra, Hëna Këlcyra ka vendosur një gur të madh ku ka shkruar gjithë emrat e Familjes prej kohës që ajo u vendos në Sarajet e Këlcyrës, pas kthimit nga internimi që Ali Pashë Tepelena u bëri në Konjë të Turqisë.

Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, Veli Bej Këlcyra ishte rreth 40 vjeç. Familja Këlcyra, e cila në atë kohë ishte në kulmin e fuqisë së saj në Jug të Shqipërisë, e kishte Veli Këlcyrën si përfaqësues politik të saj.
Veli Bej Këlcyra, firmëtari i panjohur i pavarësisë Veli-Bej-Kelcyra
Përfshirja e tij në Kuvendin e Vlorës është një histori ende e pashkruar nga studiuesit e historisë. Ajo që nuk thuhet për Kuvendin e shpalljes së pavarësisë, është rivaliteti që ka ekzistuar për zgjedhjen e njeriut që do të firmoste shpalljen e pavarësisë. Ky rivalitet në të vërtetë ka qenë një vlerë e madhe e atij Kuvendi, pasi jo vetëm që ka përfunduar me konsensus, por ka dëshmuar realisht se Akti i Pavarësisë ishte një zhvillim i brendshëm natyral i jetës politike në vend.

Në këtë rivalitet ka pasur dy figura kryesore, Ismail bej Vlora dhe Syrja bej Vlora. Ismail bej Vlora, ose Ismail Qemali siç i ka ngelur emri nga problemet që kishte me familjen Vlora, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, vinte nga një karrierë suksesi politike në Perandorinë Osmane, dhe ishte një figurë e njohur ndërkombëtare. Syrja Bej Vlora ishte një figurë shumë e njohur në Shqipëri. Ai ishte i pari i Oxhakut të Vlorës, babai i Eqrem Bej Vlorës dhe kushëriri i Ismail bej Vlorës. Së bashku me të birin e tij, Eqrem bej Vlorën, ata kishin negociuar në Vjenë për pavarësinë e Shqipërisë me austro-hungarezët, ku më pas Syrja Bej Vlora shkoi si ambasador i Shqipërisë.

Për të siguruar mbështetje popullore për Aktin e Pavarësisë, Ismail bej Vlora vendosi kontakte me udhëheqësit popullorë të kryengritjeve në Veri të vendit dhe me klasën e mesme të Shqipërisë, dhe kryesisht çifligarët e vendit. Syrja Bej Vlora kishte mbështetjen e bejlerëve të vendit. Një nga njerëzit e tij më të afërt në këtë fushatë, ishte Veli Bej Këlcyra, i cili kishte raporte shumë të mira me familjen Libohova, ishte dhëndër i familjes Vrioni, kishte lidhje krushqie me Familjen Delvina, dhe bejlerët e Frashrit, Familjen Biçaku në Elbasan, dhe po ashtu kishte krushqi me familjen Toptani. Këto lidhje i jepnin atij fuqinë e duhur për të qenë mbështetës i Syrja bej Vlorës në garën e heshtur për postin e babit të shpalljes së Pavarësisë.

Kur Ismail Bej Vlora arriti në Vlorë dhe delegatët në shumicë ishin mbledhur, rivaliteti ishte i qartë. Ismail bej Vlora gëzonte mbështetjen e krahinave të largëta të Shqipërisë dhe kryengritësve, ndërsa Syrja Bje Vlora gëzonte mbështetjen e familjeve të bejlerëve të Shqipërisë së mesme dhe të Jugut. Shumica anon qartazi nga Ismail Bej Vlora. Duke matur raportin e forcave dhe duke mos dashur të cenohej solemniteti i Aktit të Pavarësisë, Syrja Bej Vlora pranoi një ditë më parë Ismail bej Vlorën si babain e Shpalljes së Pavarësisë dhe mbështeti aktin e tij për të shpallur pavarësinë.

Aq shumë duket se ka qenë i angazhuar Veli Bej Këlcyra në mbështetjen e Syrja Bej Vlorës, saqë në listën e firmëtarëve të pavarësisë, Syrja Bej Vlora figuron së bashku me Veli Bej Këlcyrën si firmëtarë të Përmetit dhe Këlcyrës. Kjo me sa duket ka qenë zgjedhje e vetë Syrja bej Vlorës për të shmangur rivalitetin me Ismail bej Vlorën në Vlorë.

Pas shpalljes së pavarësisë, Veli Bej Këlcyra ka qenë më pak aktiv në politikë. Ai ka kundërshtuar ndërhyrjen greke në vitin 1914 në jug të Shqipërisë dhe së bashku me vëllain e tij, Muhamet Bej Këlcyra, nuk kanë pranuar që Këlcyra të përfshihet brenda territorit të pushtuar nga qeveria e Vorio-epirit drejtuar nga Zografi. Kjo i kushtoi rëndë familjes Këlcyra pasi grekët qëlluan me topa të rëndë dhe dogjën sarajet e tyre, pasurinë më të madhe kulturore në jug të vendit. Brenda sarajeve ka pasur një bibliotekë të pasur me dokumente themelore që flisnin për kadastrat e jugut, kthimin e të krishterëve në myslimanë sipas fshatrave dhe shumë dëshmi me vlerë për historinë e Shqipërisë. Familja pas sulmit u largua për në Zvicër pas një qëndrimi të shkurtër në Itali dhe u rikthye në vitin 1918.

Në atë kohë në skenë po dilte një emër tjetër i njohur i familjes, i cili u mor me politikë, Ali Bej Këlcyra, nipi i Veli Bej Këlcyrës, djali i Xhelal Këlcyrës. Ky i fundit përballoi sulmet e grekëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mori pjesë në luftën e Vlorës. Pas Kongresit të Lushnjës me krijimin e Asamblesë Kushtetuese ai u zgjodh deputet i Këlcyrës dhe Përmetit në Asamble deri në vitin 1924. Ai ishte i vetmi pinjoll i majtë i Familjes Këlcyra, qe ndryshe nga tradita konservatore e saj, përqafoi ide liberale, hoqi titullin Bej dhe mbeti një socialdemokrat idealist. Pas pjesëmarrjes në Revolucionin e Qershorit u dënua me vdekje nga Ahmet Zogu dhe u largua në Perëndim.

Vetë Veli Bej Këlcyra mbeti në Zvicër për shkak të një sëmundje të tij dhe vdiq aty në vitin 1924. Ai është varrosur në Lozanë.

Bashkia e Këlcyrës me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë i ka kërkuar Presidenti të Republikës dekorimin e Veli bej Këlcyrës si firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë, duke rinxjerr nga pluhuri i historisë një figurë thuajse të panjohur të luftës së shqiptarëve për pavarësi.



Ja delegatët që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë:


-Berati: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara;

-Skrapar: Xhelal bej Koprencka; Hajredin bej Cakrani;

-Lushnja: Qemal bej Mullai, Ferit bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa;

-Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu;

-Mati: Ahmet bej Zogolli (King Zog), Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu;

-Ohri dhe Struga: Zyhdi bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish bej Hima;

-Durrësi: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri;

-Tirana: Abdi bej Toptani, Murat bej Toptani; Ymer Sollaku

-Shijak: Xhelal Deliallisi, Ymer bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu;

-Kruja: Mustafa Merlika-Kruja;

-Elbasani: Lef Nosi, Shefqet bej Daiu, Qemal bej Karaosmani, Dervish bej Biçaku;

-Peqin: Mahmud Efendi Kaziu;

-Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi;

-Gjirokastra: Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli;

-Përmet: Veli bej Këlcyra, Syrja bej Vlora;

-Tepelenë: Feim bej Mezhgorani;

-Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci;

-Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati;

-Delvina: Avni bej Delvina;

-Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo,

-Pogradeci: Hajdar Blloshmi;

-Kosova, Gjakova, Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri bej Ipeku, Salih Gjuka, Mit’hat Bey Frashëri, Mehmet Pashë Derralla, Isa Boletini, Riza bej Gjakova, Hajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku, Zenel bej Begolli, Qerim Begolli;

-Shkodra: Luigj Gurakuqi;

-Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Zyhdi Efendi Vlora, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqerem bej Vlora;

-Shqiptarët e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.
Burimi: Tema
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi