Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Në Tropojë, atje ku Berisha bën sikur... Empty Në Tropojë, atje ku Berisha bën sikur...

Fri 10 Aug 2012 - 23:22
Në Tropojë, atje ku Berisha bën sikur... 57137TROPOJE - Kisha kohë që dëgjoja shpesh të flitej për zhvillimin e turizmit në Luginën e Valbonës. Ca miqtë e mi më nxitnin shpesh të kalonim atje një fundjavë. Qe bërë si një punë mode, madje ndonjë agjenci turistike në Tiranë e ka futur prej kohësh në hartën e destinacioneve për turistët, sidomos ata të huaj të apasonuar pas turizmit malor, klimës së shëndetshme dhe hiker-it, d.m.th. ecjes në natyrë, kryesisht nëpër male e lartësi të këtij lloji. Herën e fundit në Tropojë (në qytetin e Bajram Currit më saktë) kam qenë që para 15 vjetëve, në përurimin e librit të parë të shkrimtares Brunilda Zllami (atëhere vetëm 15-vjeçare dhe me një pasion të paparë për letërsinë) dhe në kujtesën time qyteti më kishte ngelur ashtu siç kishte dalë nga komunizmi: me pallatet e palyera e të rrjepura vende–vende nga suvaja, me rrugët gjithë gropa e asfaltin e dëmtuar, me kioska llamarine e të improvizuara çfarëdo, shenjë e varfërisë ekstreme, dhe me njerëzit të gjithë në rrugë, ngaqë nuk kishin se ç’të bënin tjetër. Kisha mbërritur në Bajram Curri me tragetin lumor nëpërmjet Fierzës, ndërsa Valbonën nuk e kisha parë, ndërkohë që në përfytyrimin tim ajo vinte idilike, e virgjër natyralisht, e pastër dhe e rrëmbyer, si dhe vetë banorët e zonës.
Mjaftuan të gjitha këto, si dhe një reklamë e vazhdueshme që bëhej në media nga një prej hoteleve të ngritura së fundmi në Valbonë për të vendosur për udhëtimin tonë drejt kësaj krahine që ishte bërë pioniere e turizmit malor në një vend si Shqipëria ku as turizmi detar nuk është vënë akoma në shina dhe, për mungesë të infrastrukturës dhe kulturës së shërbimit do të mbetet edhe për shumë kohë jashtë hartës së destinacioneve turistike ndërkombëtare.
Për të shkuar në Tropojë duhet të kalosh dy herë kufirin
Detyrohemi të kalojmë nga Kosova për të shkuar në Bajram Curri, e më pas në Valbonë. Duhet të kalojmë kufirin shtetëror dy herë, një herë në Morinë, para Prizrenit dhe më pas në Qafë Morinë pasi kalojmë Gjakovën dhe marrim rrugën drejt qytetit të Bajram Currit. Është si ta kapësh veshin me dorën e krahut tjetër. Do të donim të kalonim nga rruga tradicionale, por banorët e zonës na thanë se do të ishte sikur të kaloje nëpër ferr; madje për veturat as që bëhej fjalë. M’u kujtuan fjalët e ministrit të Transporteve në një prej seancave të fundit parlamentare, për të cilin (dhe vetëm për atë) rruga është e shtruar dhe me standarde të larta. Duket që nuk i kujtohet mirë nëse i ka prerë apo jo shiritat, bashkë me shefin e tij.
Qyteti i Bajram Currit si në kohën e monizmit
Për çudinë time qytetin e Bajram Currit e gjeta siç e kisha lënë që para 15 vjetëve, si në kohën e komunizmit, madje më të rrënuar e të braktisur. Gjëja që të binte menjëherë në sy ishte papunësia dhe rrallimi i popullsisë në mënyrë të ndjeshme. Pastaj rrugët gjithë gropa, asnjë shenjë investimi real (edhe pse thonë se ka pasur shumë financime për investime), pothuaj asnjë ndërtim i ri i dukshëm, përveç një pallati sporti, të cilin Tropoja e ka merituar prej kohësh për shkak të zhvillimit të ndjeshëm të sporteve të rënda dhe lojërave me dorë. Në Bibliotekën e qytetit jo vetëm nuk kishte lexues, por as edhe libra të rinj që prej më shumë së 10 vjetësh apo 15 vjetësh. Edhe librat e vjetër ekzistues, pjesa më e madhe ishin të mykur dhe gjithë lagështirë, ashtu si vetë godina, e cila ishte gati e rrënuar dhe me një sallë totalisht jashtë funksionit. Dënim i rëndë për kulturën në Tropojë dhe tropojanët. Nëpër skaje pallatesh apo kioska të sajuara funksiononin disa dyqane pothuaj të boshatisur, me artikujt ushqimorë bazë të domosdoshëm, ku në vend të arkëtimeve shtoheshin listat e debitorëve, banorë të tjeshtë të Tropojës, dikur krenarë dhe të paepur edhe pse përballë një jete të vështirë, sot kokulur dhe në luftë më fatin e keq për mbijetesë. E megjithatë, kudo njerëz miqësorë, të pritur, të gatshëm për të hyrë në bisedë, të dëshiruar për njerëz.
Mungesa e vëmendjes dhe përdorimi politik i njerëzve
Shpesh dëgjojmë dhe duket se është krijuar një aureolë mitike për Berishën, si njeriu që ka bërë shumë për vendin e tij të lindjes. Ndoshta dhe për shkak të investimeve të mëdha që janë hedhur në Veri të vendit, në raport me Jugun. Dhe brenda meje, instiktivisht e shihja këtë si një veti pozitive, përpos të gjitha të zezave të tjera që ka. Mund të duket primitive, por shpesh mendoj se njeriu që nuk bën për shtëpinë e tij nuk ka se çfarë t’i duhet lagjes. Por ajo që pashë në Tropojën e 20 viteve pas ndryshimeve demokratike ishte një zhgënjim i madh. Demagog i lindur, si në politikë dhe në drejtrimin e shtetit, Berisha bën sikur dhe me vendin e tij të lindjes... Pakënaqësia e banorëve të Tropojës shprehet pothuaj hapur në pjesën më të madhe të banorëve për mosvëmendjen e birit të tyre për ta. Nuk është e rastit që edhe ato pak herë që ka shkuar në vendin e tij, kur ja ka dashur politika, si drejtues shteti apo opozitar, ka qenë gjithmonë i shoqëruar dhe i rrethuar nga një ushtri e tërë me eskorta dhe trupa speciale. Më shumë karshillëk ndaj njerëzve të vendit të tij sesa dashuri e vëmendje. Nga ana tjetër ka një shpërdorim të dinjitetit të njerëzve në nevojë për qëllime elekorale në të gjithë zonën. Në një komunë me rreth 5000 banorë, për shembull, mbi 600 familje trajtohen prej vitesh me asistencë sociale. Dhe një pjesë jo e vogël e emrave që figurojnë në këto lista janë të larguar prej kohësh nga fshatrat e kësaj komune, madje, një pjesë e tyre marrin asistencë edhe pse kanë ndërruar jetë prej kohësh. Kjo praktikë ekziston edhe në komuna të tjera dhe në prag të fushatave elektorale ky ështe kali i betejës për partinë–shtet të Sali Berishës. Duket sikur ka një tendencë të dukshme në politikën demografike të partisë në pushtet për këtë zonë për t’i nxitur njerëzit të rendnin drejt kryeqytetit, vendeve të ulëta e bregdetare. Po përse vallë? Kujtojmë se në të njëjtën mënyrë u soll edhe Ahmet Zogu me matjanët para dhe pasi e shpalli vehten mbret të shqiptarëve.
Plaku Dragobisë dhe “historiani” Berisha
Një nga gjërat që nuk kishte ndryshuar në qendër të qytetit ishte ishte monumenti i heroit kombëtar Bajram Curri, emrin e të cilit e mban akoma qendra e rrethit të Tropojës. U thashë fëmijëve që kisha me vete: “eja të dalim një foto para monumentit të burrit të madh. Ku i dihet, kur të vimë herë tjetër nuk do ta gjejmë më këtu plakun e Dragobisë: Berishës mund t’i duhet edhe vendi, edhe bronxi për të vendosur monumentin e tij në këtë qytet zëmadh, edhe pse po shuhet ngadalë edhe për faj të tij. Nuk është vendi për t’u marrë me rastin e pashembullt ku një drejtues i ekzekutivit orienton historianët se si duhet të shkruhet historia dhe të vendosë për vlerësimin e dhe zhvlerësimin e figurave të së kaluarës. Por vihet re qartë se halucinacionet e kryeministrit për historinë duket se e kanë lënë jashtë vëmendjes së tij figurën e kontributin e plakut të Dragobisë. Dhe jo rastësisht: Idhulli i tij dhe shembulli udhërrëfyes për mbajtjen e pushtetit dhe kthimin e vendit në mbretëri, Ahmet Zogu, është ekzekutori i Bajram Currit me armët e Serbisë. Berisha po ndjek sot të njëjtën politikë me sytë nga Serbia dhe në bashkëpunim të ngushtë me të.
Lapidari i Bajram Currit në fshatin Dragobi, buzë lumit të Valbonës dhe pranë rrugës automobilistike është tërësisht i rrënuar, i përçudnuar, i përdhosur, i harruar - një turp që tropojanët nuk do të mund ta mbajnë gjatë mbi supe, sado që të jenë të kërcënuar nga politika e ditës dhe ata që i shërbejnë. Do të dalë një ditë një burrë që do ta ribëjë Lapidarin, në afërsi të të cilit u vra simboli i qëndresës për një shtet demokratik dhe kundër synimeve shovene serbe. Historia nuk mund të harrohet, as me tendencën për ta rishkruar e as nga përpjekjet për të zhdukur simbolet e kombit.
Jam ngjitur deri te Shpella e Dragobisë, pothuaj 1500 metra e lartë mbi nivelin e detit, atje ku Bajram Curri, Plaku i Dragobisë, pati strehën e fundit. Pak njerëz, përfshi edhe pjesën më të madhe të banorëve të zonës, janë ngjitur deri atje. Madje pak e dinë se ku bie saktësisht. Jemi ndjerë të lehtësuar kur e pamë, pas një udhëtimi me këmbë në ngjitje të malit mbi 5 orë. Ka më shumë të huaj se shqiptarë që kërkojnë shoqërues për t’i çuar të shpella që flet për historinë. Për atë histori që kërkon të shuaj z. Berisha.
Në Valbonë, magjia natyrë dhe njerëzit që po i përkushtohen turizmit
Para disa viteve, një drejtues i lartë i turizmit në administratën shtetërore, kur debatonim për zhvillimin e turizmit malor në Shqipëri mbronte me fanatizëm e bindje tezën se zhvillimi i këtij lloji turizmi në vendin tonë i përkiste brezit të ardhshëm, apo dhe më tutje. Dhe kishte të drejtë, i ziu, duke parë se administrata ku ai bënte pjesë nuk qe e zonja dhe nuk pati vizionin për të shfrytëzuar resurset e pashembullta të vendit edhe për zhvillimin e turizmit bregdetar. Unë, entuziast për zhvillimin e turizmit në zonën e Lumit të Vlorës shprehesha i bindur se kjo do të ishte e ardhmja e afërt e banorëve të kësaj zone. Po kjo ide, padyshim që nuk mund të merrte jetë nën drejtimin e një qeverie që jo vetëm nuk e do Jugun, madje e urren aq sa e ka edhe frikë.
Po rasti i Valbonës, kushdo që e ka parë, besoj se ua ka kthyer mendjen edhe skeptikëve më të thekur. Për ata që nuk e kanë parë akoma Luginën e Valbonës kjo është akoma më e pabesueshme; siç ishte edhe për mua, pa e vizituar akoma. Edhe pse rruga është e pashtruar e të mbyt nga pluhuri, gjë që tregon se çfarë ka bërë pushteti i sotëm dhe Berisha për zhvillimin e zonës, kjo nuk i ka penguar aspak turistët e shumtë, veçanërisht të huajt, që të mësyjnë zonën si rrallë vend tjetër në zonat larg bregdetit. Një hartë e thjeshtë turistike dhe informative, e përpiluar dhe e botuar falë përkujdesjes së amerikanes së dashuruar më Valbonën, Katerinës, e cila është prej kohësh banore e zonës, ishte befasia e parë kur ndaluam në pikën e parë turistike të luginës, që e kanë quajtur me emrin kuptimplotë “Rilindja”. Më lart një dyzinë me lokale e hotele karakteristike deri te burimet e Valbonës.
Befasia tjetër ishte numri i madh i turistëve, shqiptarë e të huaj, që kishin vërshuar atë fundjavë në Luginën e Lumit, duke i dhënë jetë më shumë se kurrë asaj zone, por edhe punë dhe të ardhura banorëve aty.
Së treti, ndryshimi thelbësor që po ndodh në jetën e njerëzve të kësaj zone: zhvillimi i turizmit u ka dhënë punë, po u ndryshon mentalitetin për jetën dhe mënyrën e jetesës, i ka bërë më miqësorë dhe më të komunikueshëm, ua ka shtuar miqtë dhe adhuruesist, i ka bërë ta duan më shumë dhe të mos e braktisin vendin e tyre.
Të mësosh nga “Fenomeni Valbona”
Kam mësuar shumë nga metamorfoza në Luginën e Valbonës. Do ta quaja pa hezitim “fenomeni Valbona”. Valbona ishte një shembull i madh për mua për të ndjekur të njëjtën rrugë në zonën time të Lumit të Vlorës, Zona të ngjashme për nga natyra, lartësia dhe klima, por edhe nga natyra miqësore e banorëve të të dyja trevave dhe dashuria e tyre e pamatë për punën dhe vendin e tyre. Por Lumi i Vlorës ka një favor në krahasim me Luginën e Valbonës: është pranë detit dhe me një aks rrugor që po përfundon me forcat e vetë komunitetit dhe pa ndihmën e shtetit (rruga Kuç – Pilur, 11 km dhe pastaj zbret në Himarë) mund të dalë për vetëm 30 minuta në det, duke e rreshtuar veten edhe në listën e vendeve bregdetare. Dhe sa vende të tilla në Veri dhe në Jug ka Shqipëria për zhvillimin e turizmit malor. Thethi, Kelmendi, Vermoshi, Lura, Tomorri, Voskopoja, Dardha, Kanionet e Osumit apo të Bënçës, Kurveleshi i tëri, etj., etj. janë vetëm disa prej tyre, ndoshta më të njohurit. Po sa vende kemi që nuk njihen akoma, apo mungesa e infrastrukturës dhe e zhvillimit i ka lënë në anonimat.
Largohemi nga Tropoja dhe Valbona të dyzyar në përshtypjet tona – atje ku njerëzit po përpiqen dhe po bëjnë shumë për veten dhe vendin e tyre dhe ku shteti pothuaj nuk ekziston fare.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi