Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Luna
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Kosova
<b>Postime</b> Postime : 11704
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Iη sυηsεт
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 14/10/2010

Hasan Prishtina - ideologu i pavarësisë së Shqipërisë   Empty Hasan Prishtina - ideologu i pavarësisë së Shqipërisë

Sat 1 Sep 2012 - 13:17
Message reputation : 100% (1 vote)
Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare (qershor-gusht 1912) përbën ngjarjen vendimtare që e përcaktoi perspektivën e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë. Ndoshta asnjëherë nuk është thënë dhe nuk është argumentuar në masën e merituar ky fakt.
Hasan Prishtina - ideologu i pavarësisë së Shqipërisë   Hasan_prishtina_ideologu_i_pav_1

Shkruan: Dr. Ibrahim Gashi

Me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare(qershor-gusht 1912)

Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare (qershor-gusht 1912) përbën ngjarjen vendimtare që e përcaktoi perspektivën e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë. Ndoshta asnjëherë nuk është thënë dhe nuk është argumentuar në masën e merituar ky fakt.

Fillimi i Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare (pas Kuvendit të Junikut, 21-25 maj 1912), përbën kthesë të madhe në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë, e cila në frymën e saj konspirative kishte filluar në Stamboll, në Takimin e fshehtë të Taksimit (12 janar 1912), në organizim të Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, e ku asistuan figurat më me influencë të Lëvizjes Kombëtare dhe ku u morën detyrat e para konkrete për organizimin e kryengritjes. Ideologu i lëvizjes së armatosur kundër masave shtypëse të qeverisë xhonturke, deputeti i Prishtinës, shkëlqesia e tij Hasan Prishtina, pas shpërndarjes së Parlamentit osman, siç do të shprehej, kishte vendosur që vetë të kthehej në Kosovë, e cila do të ishte zemra e kryengritjes, ndërsa Ismail Qemali do të shkonte në Evropë, për të krijuar mbështetje, armë dhe para për kryengritjen. Lidhja ndërmjet tyre ishte vendosur të mbahej përmes Konsullatës britanike në Shkup.

Me të mbërritur në Shkup (prill 1912) Hasan Prishtina vuri kontakt me konsullin britanik atje dhe në takimin e parë që pati me të deklaroi: “Na shqiptarët, për me i dhanë fund mizorisë tyrke në Shqypni, si dhe pengimeve që po na bëhen në çështje t’afabetit e kulturës sonë kombëtare, kemi zgjedhë si të vetmin mjet shpëtimi me ba një lëvizje t’armatosun kundra sundimit tyrk”. Pas disa ditësh konsulli e njoftoi Hasan Prishtinën se Anglia “nuk ka interes ndër çashtjet Ballkanike” dhe se “nuk është as kundra as pro një kryengritje të shqiptarëvet”. Për të njëjtin takim flet edhe vicekonsulli britanik në Shkup, Pekemi, i cili e priti Hasan Prishtinën në një vizitë në fund të prillit 1912. Sipas tij, lideri i kryengritjes shqiptare e kishte njoftuar atë se “kryengritja e përgjithshme në Shqipëri ishte e pashmangshme. Shqiptarët po kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në gjithë Turqinë dhe në qoftë se dështojnë në këtë ata do të kërkojnë autonomi të plotë për Shqipërinë”. “Kur i shtrova pytjen për formën e kësaj “autonomie të plotë” ai u përgjigj se aspiron krijimin e një republike shqiptare lidhjet e së cilës do të jenë vetëm nominale me Portën”. Ditët midis 5 dhe 20 maj Hasan Prishtina i kaloi duke kontaktuar të gjithë krerët e krahinave të Kosovës dhe të Malësisë së Madhe dhe duke i njoftuar ata me vendimet e Mbledhjes se Taksimit.

Fillimi i suksesshëm i kryengritjes pas Kuvendit të Junikut 21-25 maj 1912, çlirimi i Pejës dhe i Gjakovës dhe rrethimi i Prishtinës nga kryengritësit, si dhe hyrja pa luftë dhe marrja e qytetit, janë veprimet më të suksesshme ushtarake të drejtuara nga Hasan Prishtina. Luftëtari dhe diplomati më i spikatur i çështjes kombëtare këto veprime arriti t’i materializonte skajshmërisht suksesshëm. “Marrja e Prishtinë, do të shprehej ai në kujtimet e tij, na lëshonte n’dorë krejt Vilajetin e Kosovës. Në Stamboll filloi me mbretnue një frigë aq e madhe sa shkaktoi dorheqjen e Said Pashës kryeminister i kabinetit xhonturk. Në vend të tij e formoi kabinetin e Tyrkis Qemal Pasha i njoftun si ma i madhi anmik i Xhemietit”. (Hasan Prishtina, Dokumente, f. 85). Korrespondenti i “The Times”, nga Selaniku do të shkruajë: “Hasan Prishtina, i cili ishte shpallur si udhëheqësi gjeneral i kryengritjes, kishte hyrë në Prishtinë me një forcë prej 25.000 vetësh dhe përmes linjave telegrafike të komunikimit kishte vendosur kontakte me krerë të tjerë të kryengritjes nga vise të ndryshme. Ai u kishte bërë thirrje Abdyl Beut në Tiranë dhe Aqif Pashës në Elbasan që të zbatonin instruksionet që ai do t’u dërgonte dhe ta informonin atë për gjendjen atje”. (The Times, London, July 23, 1912). Historiani francez Serge Måtais, do të shkruajë më vonë: “Sukseset e kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës e detyruan kabinetin e ri qeveritar në Stamboll që të hynte në bisedime me Hasan Prishtinën” (S. Matais, Histori e Shqiptarëve...,f.269). Më të ardhur në pushtet Kabineti i ri i Gazi Muftar Pashes, me Qemal Pashën kryetar të Këshillit të Ministrave paralajmëroi se do të dërgonte një komision të udhëhequr nga Ibrahim Pasha, ish- guvernator dhe komandant i Tarabuluzit dhe në përbërje Ali Danish Prishtina, ministër i Punëve të Brendshme dhe Sylejman Pashë Kolonjën , senator.

Komisioni, sipas burimeve të huaja konsullore, arriti në Prishtinë më 27 qershor 1912, ndërsa më 1 korrik mësohet se i filloi bisedimet me delegacionin shqiptar të prirë nga Hasan Prishtina. Bisedimet ishin të vështira. Hasan Prishtina arriti që nga pozicioni i fituesit në fushë të luftës të shtrojë kërkesa me frymë të qartë pavarësie, që ishin në përputhje me lartësinë e fitoreve në fushë të betejës. Ato përmblidheshin, siç do të shprehej vetë Hasan Prishtina:

a) Të njihen zyrtarisht kufijtë e Shqipnis
b) Autoritetet civile dhe ushtarake të kenë komsin Shqyptare
c) Ushtrija shqiptare të shërbej në Shqypni e të jet komanda prej oficerve shqyptar
ç) Veprimet zyrtare në Shqipni të behën në gjuhë shqipe.

Ibrahim Pasha këto kërkesa i gjykoi si shumë të rënda. Sipas tij, këto përbënin hapin e parë drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane.

Burimet e huaja diplomatike dhe shtypi i kohës bëjnë të ditur se Hasan Prishtina u detyrua t’i modifikonte kërkesat e lartpërmendura dhe të hartonte një listë tashmë të njohur të 14 pikave të tij, në të cilat me gjysmë zëri u kërkua autonomia e Shqipërisë.

Ato qenë:Vendosja e një sistemi special të administratës dhe të drejtësisë sipas nevojave të vendit; Kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri, me përjashtim në kohë të luftës;

Emërimi i nëpunësve qeveritarë të zotë dhe të ndershëm që dinin gjuhën dhe zakonet e vendit; Krijimi i sulltanijeve (liceve) në sanxhaqe me 30.000 banorë e më lart, me shqipen në program të arsimit; Krijimi i medreseve (shkolla me mësim fetar mysliman); Ruajtja e adeteve e zakoneve të Islamit; Mësimi i shqipes në shkolla të çdo niveli; Liri e plotë për të çelur shkolla private; Ndërtimin e rrugëve dhe organizim të nahijeve (komunave); Ndëshkim përpara gjykatores së lartë të Haki Pashës dhe Said Pashës (kryevezirët e rrëzuar); Amnisti e përgjithshme; Kthimi i armëve të konfiskuara: Pagesa e dëmshpërblimeve për pronat e dëmtuara dhe krijimi i nahijeve shtesë.

Qeveria e re e Gazi Muftar Pashës nuk u tregua e gatshme të plotësonte këto kërkesa. Kryengritësit shqiptarë marshuan në drejtim të Shkupit. Hyrja triumfale e kryengritësve në Shkup, riktheu në tavolinën e bisedimeve delegacionin osman, por negociatat përfundimtare të zhvilluara me Ibrahim Pashën atje nuk shënuan kurorëzimin me sukses të kryengritjes. Bisedimet ndërmjet dy palëve u zhvilluan nga 15 deri më 17 gusht. Në këto bisedime vendimtare për rrjedhën e mëvonshme të ngjarjeve, siç bëjnë të ditur shumë burime të kohës, krerët shqiptarë ishin të ndarë tashmë në tri fraksione: Grupin më të madh numerikisht e përbënin të moderuarit, të prirë nga Mehmet Pasha, Seit Zejnulla beu, Xhemajl Beu, Jahja Efendiu, Sali Pasha dhe të tjerë, të cilët ndiqnin një program për një aleancë liberale me itilifatistët dhe kërkonin zbatimin e kushtetutës; Grupi i dytë, tradicionalistët, të prirë nga Riza bej Kryeziu, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj., prireshin në drejtim të kundërt dhe kërkonin rikthimin e rendit parakonstitucional dhe rifronësimin e Sulltan Abdyl Hamidit; Grupin e tretë e përbënin autonomistët me Hasan bej Prishtinën, Nexhip bej Dragën dhe vëllanë e tij Fuat Beun, krerët e ardhur nga Vilajeti i Shkodrës: Abdi bej Toptani, Fazli Beu, Mustafë Asimi, Marka Gjoni, Riza Dani, si dhe krerë të Shqipërisë së Jugut me Ismail Qemalin (i cili nuk ndodhej në Shkup), të cilët ndiqnin qëllimin e një autonomie të plotë në kuadrin e Perandorisë Osmane, mbase si hap të fundit drejt pavarësisë. Në këtë trializëm prirjesh të aktorëve kryesorë të kryengritjes s’do mend se pranimi i programit të 14 pikave të Hasan Prishtinës, mbase edhe jo i plotë, ishte maksimumi i asaj që mund të dilte nga agjenda e bisedimeve.

Në fund, leximi i vëmendshëm i fakteve të sipërpërmendura s’do mend se nxjerr një përfundim të qartë. Hasan Prishtina ishte dhe mbetet lideri, mbase i vetëm, në mesin e liderëve të kohës, që shpalosi idenë e pavarësisë dhe që me veprimin e tij ushtarak dhe diplomatik kishte vizionin e sendërtimit të këtij projekti. Ai e kishte kuptuar qartë se momentumi për këtë ekzistonte, por vizioni i tij si duket shkonte përtej synimeve dhe interesave të pjesës tjetër të lidershipit të kohës. Përballë një disponimi të tillë të shumicës së krerëve të kohës për të ruajtur edhe më tej lidhjet me Portën, projekti i Hasan Prishtinës për pavarësi nuk u jetësua. Edhe disa zëra të diplomatëve të huaj se shqiptarët mund të shpallnin mëvetësinë e tyre në Shkup dolën të pasakta./Ylli.P/

(Autori është profesor dhe rektor i sapozgjedhur i Universitetit të Prishtinës)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi