Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Monarkitë e (pa)shpallura shqiptare Empty Monarkitë e (pa)shpallura shqiptare

Sun 2 Sep 2012 - 15:25
Monarkitë e (pa)shpallura shqiptare Afrim-KrasniqiMë 1 shtator 1928 Ahmet Zogu u betua si Mbret i Shqiptarëve. Zakonisht mbretët zgjidhen nga qytetarët ose për shkak të trashëgimisë familjare. Zogu bën përjashtim; ai u zgjodh nga parlamenti i kontrolluar prej tij dhe nuk vinte nga gjak mbretëror.

Nga AFRIM KRASNIQI

Ai ishte zgjedhur President më 1925 me mandate 7 vjeçar dhe të drejtë rizgjedhjeje. Ai ishte Presidenti i vetëm në një republikë parlamentare që ishte njëherësh edhe kryeministër, dhe kishte kompetencë emërimin e një të tretës së senatit, përfshirë kryetarin e tij.

Pushteti i tij ishte absolut, pa shqetësim të opozitës (me ligj u ndaluan të gjitha partitë politike), pa ndonjë rival personal dhe me mbështetje maksimale italiane (marrëveshjet e vitit 1926-1927). Dy mandatet e tij presidenciale do të shkonin 14 vjet, pra deri më 1939. Ai refuzoi këtë llogari dhe tre vjet më vonë imponoi ndryshimin e forcës së regjimit, kalimin në monarki dhe zgjedhjen e tij mbret. Monarkia shqiptare funksionoi deri më 1939, pra në limitet e dy mandateve të mundshme presidenciale.

Një bilanc i monarkisë shqiptare të Zog hap përherë diskutime. Meritë e tij është stabiliteti i brendshëm, krijimi i institucioneve shtetërore, jetësimi i një modeli shtetëror me ligje e sjellje të përafërta me vende perëndimore, krijimi i institucioneve fetare kombëtare, forcimi i prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë, investimet publike, etj. Nga ana tjetër monarkia u tregua e ashpër me kritikët politikë (ngjarjet në Fier, Delvinë, Shkodër), dhe u drejtua pa transparencë nga një dorë e fortë dhe besnike. Ngjarjet e prillit 1939 treguan se asnjë fuqi perëndimore nuk besoi tek integriteti dhe rëndësia shtetërore e pavarur e Shqipërisë.
Monarkitë e (pa)shpallura shqiptare Zogu1
Pas 84 vitesh, 1 shtatori merr një simbolikë historike, sepse përbën ditëlindjen e një monarkie, sado të diskutueshme, legjitime dhe me rol të ndjeshëm në kujtesën tonë shtetërore e kombëtare. Kongresi i Përmetit vendosi anulimin e njëanshëm të saj, duke kaluar në modelin republikan që kemi ende sot. Në vend të mbretit fuqiplotë, Shqipëria ndërtoi një sistem Stalinist republikan me një diktator shumë herë më të fortë, dhe një model qeverisjeje shumë më agresiv dhe abuzues. Bilanci negativ i Hoxhës nuk ka të krahasuar me një periudhë tjetër të 100 viteve shtet.

Në sistemin republikan demokratik (1991) u vijua me kryetar shteti me kompetenca të gjëra dhe më pas, me kryeministër me kompetenca të gjëra. U vendos pluralizmi politik, por pushteti i partisë në fuqi, i liderit të saj të radhës dhe klanit besnik të tij mbeti ende i fuqishëm dhe përcaktues për fatet e vendit. Nga një monarki e fortë dhe një mbret fuqiplotë kaluam në republika abuzuese me udhëheqës abuzues dhe të pushtetshëm, me regjime autoritare dhe projekte individësh politikë për të privatizuar politikën, ekonominë, shtetin dhe median, – diçka e papajtueshme me principet e republikave demokratike. Vendin e partisë – shtet e zunë partitë e radhës në pushtet, të pangopura për kontrollin e institucioneve dhe mungesën e përgjegjësisë ndaj interesave qytetare e publike.Monarkitë e (pa)shpallura shqiptare ImagesKjo është një arsye e fortë që, thellë – thellë, 1 shtatori nuk është thjesht ditëlindja e një monarkie dhe një monarku shqiptar. Ahmet Zogu me gjërat e tij pozitive e negative mbetet unikal, siç ndodh me çdo burrë shteti në kohë e rrethana të caktuara historike. Sot pakkush e kujton dhe nderon ditën e tij mbretërore, por shumëkush e lakmon dhe tenton të imitojë modele kritike të karrierës dhe stilit të tij mbretëror.

Hoxha e urreu por edhe tentoi ta imitojë Zogun, Nano, Berisha, Rama, Meta, etj., bënë e bëjnë të njëjtën gjë me dallimin se këta të fundit bëhen imituesit e Zogut përmes trashëgimisë dhe mentaliteteve të kohës së Hoxhës.

Edit Durham, Princ Wied, Idro Montanelli, deri tek Bernd Fischer kanë diçka të përbashkët: secili ka thënë direkt apo indirekt se shqiptarët kanë një problem: të gjithë duan të jenë mbretër. Kjo vlen për atë kryeplakun e fshatit që vendos për çdo gjë, policin që abuzon përditë me ligjet e shtetit, gjykatën që mund ta dënojë me arrest shtëpie edhe të vdekurin, drejtorin që ndjehet faraon kur i kërkohet të firmosë një licencë biznesi, deputetin që kur del para kamerave shpërfytyrohet nga poza komike, ministrin që me një laps hap e mbyll universitete e miniera, qeveritarin e lartë që mburret se është kalorës ngaqë dikur e kanë hipur mbi një kalë, kryetarin e partisë që do t’i takojë qytetarët vetëm në miting, kryebashkiakun që u flet zgjedhësve vetëm përmes TV, etj. etj.

Ndaj edhe 1 shtatori meriton të jetë ditë kujtese dhe reflektimi, sepse sot ajo është dita simbol e frymëzuese e disa dhjetëra monarkive dhe monarkëve të pashpallur shqiptarë, të cilët, aty ku janë, në politikë, në vendimmarrje, në shtet, në ekonomi, në jetën publike, etj., shfaqin të njëjtat simptoma të monarkisë abuzuese: ata flasin në emër të popullit pa e pyetur atë; rrinë në pushtet në emër të popullit pa respektuar votat dhe zgjedhjet e tij; identifikojnë veten me shtetin e kombin pa e pasur këtë të drejtë; çdo dështim ia faturojnë kundërshtarëve e kritikëve politikë, të cilët i urrejnë aq shumë sa janë gati t’i dërgojnë në botën tjetër; përdorin armët për marrjen ose mbrojtjen e pushtetit edhe kur përballë kanë njerëz të pafajshëm, lejojnë mediat me kusht që ato të kritikojnë këdo me përjashtim të udhëheqësit, imponojnë mendimin e tyre për ekonominë, historinë, kulturën, zgjedhjet diplomatike, etj., pa përfillur institucionet përgjegjëse; marrin vendime favorizuese ekonomike e financiare për veten, miqtë, familjen, besnikët; caktojnë deputetë në parlament shërbëtorët dhe njerëz pa identitet politik e pavarësi qytetare; caktojnë në poste kyçe bodigardë e njerëz pa forcim profesional dhe përvojë shtetërore; i shpërfillin aq shumë qytetarë sa i nënshtrojnë, i denigrojnë dhe i shndërrojnë në një turmë populiste e brohoritëse; dhe në çdo rast, kur flitet për interesa personalë, janë të gatshëm të bëjnë marrëveshje të fshehta me shtete fqinje dhe problematike, pa marrë parasysh interesa publikë e kombëtarë.

Ngushëllimi ynë sot është se mund të analizojmë në retrospektivë trashëgiminë e monarkisë dhe forcave të tjera 100 vjeçare, e kemi republikën dhe mund ta gjykojmë, mund të kritikojnë këdo, mund ta detyrojmë edhe princin të punojë për të, mund ta krahasojmë me modele të tjera perëndimore, e dimë se liderit nuk janë të përjetshëm, se pavarësisht pengesave, zhgënjimeve dhe rënieve, gjithnjë një grup elitar ka imponuar ndryshimin, dhe kështu, duke punuar me ndershmëri dhe duke mos u pajtuar me të keqen, ne mund të shpresojmë se një ditë do të kemi një republikë vërtet demokratike, me një model qeverisës të popullit, nga populli dhe për popullin.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi