- LegjendaAnetar i perjashtuar
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 40
Postime : 5560
Hobi : FUTBOLL
Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
Anetaresuar : 19/02/2012
Si u krijua policia shqiptare, dokumente dhe foto të rralla nga Hilë Lushaku
Thu 25 Oct 2012 - 22:46
Studiuesi i njohur Hilë Lushaku ka sjellë sërisj një libër të
rrallë në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ai ka botuar së fundmi
veprën “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945” që është produkt i një
pune kërkimore shkencore mbi 4-vjeçare, mbështetur kryesisht në burime
arkivore dhe në shtypin e viteve 1912-1945. “Rrugëtimi i Policisë
Shqiptare 1912-1945” mbështetet kryesisht në burime arkivore të vjela me
durim, e dashuri, për t’i ndriçuar shkencërisht problemet e shtruara.
Vërtetë, studiuesi Lushaku me durim dhe saktësi të admiruar ka arritur
të paraqesë dhe të analizojë thelbin e informatave. Thënë simbolikisht:
kjo vepër është si një rrugëtim, që zë fill nga mbledhjet e para të
Qeverisë së Vlorës deri pas fitores së plotë të LANÇ të Shqipërisë kur
Policia e mori për mision të përmbushte përgjegjësitë si pjesë e Forcave
të Armatosura të Shqipërisë. Gazeta “Tirana Observer” nga sot e në ditë
në vijim do të publikojë disa pjesë nga libri i Hilë Lushakut.
99 vjet nga krijimi i strukturave të sigurisë shqiptare
Nga Hilë Lushaku
Deri më 28 nëntor 1912, autoriteti i domosdoshëm për sigurimin
e qetësisë ndihej pak ose aspak në territoret shqiptare. Vetëm nëpër
qytetet me rëndësi, aty ku kishte garnizone me ushtarë dhe fuqi
xhandarmërie të konsiderueshme, siguria e jetës dhe e pasurisë ishte
deri diku e përfillur. Jashtë këtyre qendrave, autoriteti qeveritar nuk
ndihej dhe populli jetonte i udhëhequr prej instinktit të vetëmbrojtjes.
E në qoftë se mospërfillja e autoritetit qeveritar nuk degjeneronte në
anarki të plotë, kjo i detyrohet zakoneve të forta dhe traditave
kalorëse të shqiptarëve, veçanërisht për sa i përket respektimit të
nderit e të pasurisë.
Edhe hierarkia e organizimit shtetëror, që përshkallëzohej në vilajete
(guvernatorata), në mutesariflleqe (prefektura), në kajmekamlleqe
(nënprefektura) dhe në mydyrrijete (krahinari), nuk garantonte sigurinë e
qetësinë në vend. Mydyrrijetet ishin të organizuara vetëm ndër qarqe ku
pushteti i sunduesve kishte mundur të rrënjosej në mbështetje të fuqisë
së armatosur, por duke mos pasur një organizim të përsosur, veprimi i
tyre ishte i paralizuar. Duhet theksuar se kujdesia e drejtuesve të
administratës para vitit 1912 përmblidhej në mbajtjen nën fre të
aspiratave të popullit shqiptar dhe jo garantimi i rregullit e qetësisë.
Që në momentin solemn të shpalljes së mëvetësisë, Ismail bej Qemali,
bëri thirrje për qetësi dhe shënoi në dokumentin e parë të saj: “…Tani
shqiptarët do të mbajnë qetësinë, ta ruajnë bashkimin me njëri-tjetrin,
do të rrojnë si vëllezër me të gjithë…, pas kësaj shpallje do të jepen
dënimet më të rrepta kundër guximtarëve”. Duke vlerësuar domosdoshmëri
jetike qetësinë që në mbledhjen e parë, më 4 dhjetor 1912, qeveria nxori
urdhër dite për masat që duhen marrë ndaj njerëzve që nuk duan ta
njohin qeverinë e re (pika 5) dhe për organizimin e një shërbimi të
fshehtë në viset e pushtuara të Shqipërisë (pika 6). Qeveria ngarkoi me
detyra Mit’hat Frashërin, që të dërgonte një njeri në Mirditë për t’u
lidhur me Bajram Currin, dhe Lef Nosin që të hynte në lidhje me Dibrën,
duke synuar të vendosej autoriteti i sigurisë i qeverisë në Shqipërinë
verilindore dhe lindore. Në strukturat e sigurisë, referuar dokumenteve
arkivore, qeveria përmend fillimisht vetëm xhandarmërinë. Në dokumentin e
datës 8 dhjetor 1912, pika tretë (pika e parë bënte fjalë që Shqipëria
të jetë monarki konstitucionale, kurse e dyta përcaktonte se duhet një
mbret nga Evropa për të qeverisur shtetin e ri shqiptar), qeveria
vendosi: “Për të vënë në udhë punët e shtetit dhe për të themeluar një
sundim të vërtetë të qytetëruar do të merren këshilltarë prej Evrope për
çdo ministri dhe më shumë, mjaft oficerë të Xhandarmërisë që të
forcohet sigurimi”. Dokumenti i sipërcituar nuk përmend termin “Polici”,
por “Xhandarmëri”. Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e
forcave të rendit, pra jo vetëm të Policisë, i takon datës 13 janar
1913, vendim i cili evidentohet të ketë hyrë në fuqi më 14 shkurt 1913.
Ndonëse u mor një vendim i tillë, dokumentet arkivore, të cilat duhen
konsideruar fakte provuese, flasin për një shthurje të formacioneve
ekzistuese të rendit në atë kohë. Dokumentet arkivore, kryesisht
njoftime telegrafike urgjente, drejtuar kryeministrit, Ismail Qemali,
njoftojnë se për shkak të kushteve të këqija janë arratisur nga detyra
të gjithë xhandarët (edhe këtu nuk përmenden policë), dhe “nuk ka ngelë
ndonjë fuqi për të siguruar rendin e qetësinë e vendit”. Në përgjigje të
këtyre telegrameve Ismail Qemali dërgonte porosi: “…përpiquni për
mbajtjen e rendit dhe qetësisë së vendit”; “…të përpiqeni të siguroni sa
më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”; “përpiquni për
organizimin e fuqive të qetësisë” (pa përmendur xhandarë apo policë) dhe
aktivizimin e tyre për kapjen e kriminelëve të rrezikshëm. Nga
korrespondenca arkivuar evidentohet se strukturë e sigurisë në këto ditë
përmendet Xhandarmëria, madje me efektiva rezervë, e organizuar
vullnetarisht sipas modelit turk dhe sipas ligjeve të atij shteti. Duhet
theksuar se Qeveria e përkohshme e Vlorës u bazua në ligjet e
rregulloret që u trashëguan nga sundimi osman. Kjo pasqyrohet qartë edhe
më vonë, në qarkoren e Ministrisë së Brendshme, të datës 12.05.1913, ku
njoftohej: “Deri në vënien në zbatim të ligjeve të reja, lihen në fuqi
ligjet e rregulloret e qetësisë osmane”. Shqetësimi parësor i qeverisë
sapokrijuar rezulton se ka qenë problemi i sigurimit të lëvizjes së lirë
të njerëzve e mallrave, detyrë të cilën qeveria ua ngarkoi xhandarëve,
ndonëse përdoret për herë të parë në shqip termi policor “për të
siguruar me çdo mënyrë qetësinë e qarkullimin”.
Policia duket se u krijua nën ombrellën e Xhandarmërisë, paralelisht me
këtë strukturë dhe me Milicinë ushtarake. Lidhur me krijimin e Policisë,
ka dokumente që provojnë se Ismail Qemali i shkroi Ministrisë së
Brendshme: “Tue marrë parasysh rëndësinë e Vlorës, veçanërisht në këtë
kohë që është qendra e qeverisë sonë kombëtare, është parë si një nevojë
e domosdoshme organizimi i një trupi policor nën drejtimin e një
Drejtorie për t’u riforcue rregulli i përgjithshëm, gjë kjo që është e
pakontestueshme dhe nuk çfaqet më nevoja për shpjegim”. Kjo fakton se u
krijua Policia, madje duke pasur në krye të strukturës edhe drejtorinë
përkatëse. Në listën e trupit të parë të Policisë, organizuar nga
qeveria e Ismail Qemalit janë shënuar: Hamza Isai-kryekomisar, pagë 1000
grosh, Omer Radhima-komisar, pagë 900 grosh; Toli Stavri
(Arapi)-ndihmëskomisar, pagë 700 grosh; Avdurahman
Vermiku-ndihmëskomisar, pagë 700 grosh; Ali Dauti-agjent policie, pagë
500 grosh; Halim Tërbaçi (Xhelo)-agjent policie, pagë 500 grosh, Muhamet
Besho Kanina-agjent policie, pagë 500 grosh; Sadik Sinan
Vranishti-agjent policie, pagë 500 grosh; Gani Kudhësi-agjent policie,
pagë 500 grosh; Rait Efendi-agjent policie, pagë 500 grosh. Personeli
policor që ishte caktuar për të shërbyer provizorisht pranë Kryesisë së
Qeverisë së Përkohshme pati në përbërje: Yzeir Efendi, me rrogën e
komisarit të mëparshëm (duhet kuptuar të Turqisë); Hamdi Efendi, me
rrogën e komisarit të mëparshëm; Refat Dibra-agjent policie; Zyhdi
Përmeti-agjent policie dhe Xhevat Borshi-agjent policie. Personat e
sipërshënuar si drejtues të Policisë (Hamza Isai dhe Omer Radhima) nuk
kishin qenë ndonjëherë punonjës të qetësisë por mësues. Ata qenë besnikë
të Ismail Qemalit. Sipas dokumenteve arkivore, (korrespondenca e
drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me qeverinë e Vlorës), kuptohet se
Halim bej Jakova (Gostivari) ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë
në periudhën janar-prill 1913. Funksionimi i Policisë në qytetin e
Vlorës, aty ku ishte edhe qeveria, evidentohet e dokumentuar që në
fillimin e muajit shkurt 1913, ende pa hyrë në fuqi vendimi për krijimin
e forcave të rendit. Në një raport të atyre ditëve, komisari i Policisë
në Vlorë, Omer Radhima, i shkruante kryetarit të Guvernës Shqiptare, më
3 shkurt 1913: “Na dje në qytetin t’onë s’kemi gjësendi. Ai që ardhi na
Janina si tregtar, Myhedini, sot iku për Janinë. Pas urdhrit Zotërisë
s’uaj hoteleve dhe hanxhivet dhe atyre që japin shtëpira zyrtarisht,
lajmërimi i Policisë si kujdesje ju dha. Po këtë urdhër përveçmë dy
hanxhive, të tjerëve as se-kush ardhi o iku as defterë nuk na dhan.
Ç’urdhër na jepni që të bëjmë?”. Ky raport pasqyron përmbajtjen e disa
përgjegjësive të policisë së asaj kohe. Domethënia e këtij komunikimi
lidhet me detyrën e dhënë nga qeveria e Vlorës për kontrollin e lëvizjes
së personave të dyshimtë, detyrimin e pronarëve të haneve e hoteleve që
të regjistronin bujtësit dhe të njoftonin Policinë për çdonjërin prej
tyre, zbatimin e ligjshmërisë, zbulimin e shtypjen e njerëzve që kryenin
vjedhje, grabitje apo vrasje, etj. Raportet në këtë stil të shkruari,
janë të përditshme deri në fund të korrikut 1913 dhe dëshmojnë se në
Policinë e sapokrijuar po zbatohej rregulli bazë i komunikimit operativ
të përditshëm me eprorin, gjë që më vonë u bë normë. Po kështu, sipas
këtyre raporteve, evidentohet se Policia, krahas detyrave të tjera, po
kryente detyra për kontrollin e gjendjes së personave që vinin apo iknin
nga Vlora, përkujdesjen në hotele, si dhe kontrollin e gjendjes së
qytetit. Detyra kryesore e Policisë, në këtë periudhë të vështirë, qe
përqendruar për vëzhgimin e personave të dyshimtë, duke pasur si
përgjegjësi: grumbullimi i informatave për persona të dyshimtë me
qëllime të këqija kundër pavarësisë së vendit (filoturq), mbajtja e tyre
në vërejtje (vëzhgim), hetimi i vazhdueshëm, kapja në flagrancë dhe
dërgimi në gjyqin ushtarak (Vlorë). Kjo detyrë evidentohet edhe në
urdhrin që lëshoi ministri i Brendshëm, Mufid Libohova, më datë 29 maj
1913, i cili, duke bërë të qartë se kanë ardhur në Shqipëri, nga Turqia e
vende të tjera, disa shqiptarë me qëllime të këqija dhe për të bërë
propagandë kundër pavarësisë së Shqipërisë, ngarkoi strukturat e rendit
me detyra për të mbajtur në vëzhgim dhe hetuar vazhdimisht dhe për t’i
dërguar në gjyqin ushtarak në Vlorë.
Policia deri në këtë kohë bazonte veprimtarinë e saj mbi bazën e
Rregullores së Policisë Osmane, e njohur prej personelit që u rekrutua
në Policinë e qeverisë së Vlorës dhe e zbatueshme nga shtetasit
shqiptarë (misioni, detyrat, hierarkia e gradave, etj.) Meriton të
evidentohet se Policia e qeverisë së Vlorës vuri gradat që në
organizimin e saj, përkatësisht: kryekomiser, komiser, nënkomiser dhe
agjent. Qeveria e kryesuar nga Ismail bej Vlora, krahas organizimit të
Policisë në strukturat vendore, mori masa edhe për krijimin e Policisë
për sigurimin e personaliteteve shtetërore. Sipas dokumenteve arkivore,
policët që kanë qenë në trupën roje të Ismail Qemalit numërohen tetë
vetë. Në krye të dokumentit janë katër policë me mbiemra të shqipëruar,
shkruar me laps kopjativ përmbi shkrimin në gjuhën osmanishte të
dokumentit origjinal, të cilët janë identifikuar me mbiemrat: Mazhani,
Bolena, Karbunara dhe Xhezo, ndërsa katër të tjerë janë të shënuar në
gjuhën osmanishte.
Në maj 1913 qeveria formoi disa komisione për organizimin e Drejtësisë,
Xhandarmërisë, Policisë e zyrave të tjera, por sipas raporteve dhe
korrespondencës së qeverisë me prefekturat rezulton se vëmendja e
qeverisë për problemin e rendit ishte përqendruar kryesisht te
Xhandarmëria. Qeveria njoftoi prefekturat se: “…rrobat e xhandarmërisë
që u porositën në Evropë, do të vinë së afërmi” dhe nuk theksoi asnjë
fjalë për Policinë. Mbase mund të ketë qenë ideja për të mbajtur një
uniformë të përbashkët, por shtypi i kohës bënte fjalë edhe për uniforma
policore, gjë për të cilën gazeta “Liri e Shqipërisë”, shkroi: “Rrobat
për Xhandarmërinë dhe për Policinë janë porositur në fabrikat e Evropës
dhe për së shpejti po priten”.
Në këtë periudhë situata në vend nuk ka qenë e qetë. Dokumentet arkivore
kanë shkresa telegrafike me përmbajtje “qetësia e vendit tonë është
prishur” dhe rezulton se Policia ishte me aktivitet të zbehtë. Në
Arkivin e Shtetit janë shumë shkresa, në të cilat i raportohet edhe
kryetarit të qeverisë (mbasi ministri i Brendshëm Esad Toptani qe
larguar nga detyra) edhe për situatën e qetësisë në krahinat ku kishte
autoritet Qeveria Përkohshme e Vlorës, sikurse ishin Vlora, Fieri,
Lushnja, Berati, Skrapari, Mallakastra, Peqini, Elbasani, Durrësi,
Tirana, etj. Raportet për gjendjen e qetësisë në vend janë interesante,
ku nuk lihet pas dore informimi për të huajt, duke dëshmuar se kishte
struktura të policisë kufitare. Më 25 qershor 1913, drejtori i Policisë,
Fehmi Mezhgorani, njoftonte se: “mbas anglezit Neverson dje doli nga
Vlora i dyshuari nga Voskopoja, Marko Kostandini”, çfarë shpreh se, edhe
në vijim, një nga detyrat kryesore të Policisë në këtë kohë ishte
gjurmimi i fshehtë i personave të dyshuar si kundërshtarë të qeverisë.
Ky titullar i ka dërguar informacion Kryesisë së Qeverisë së Përkohshme,
më 2 korrik 1913, lidhur edhe me një propagandë të keqe kundër
qeverisë, duke informuar se ajo propagandë e ka cilësuar qeverinë e
Ismail Qemalit “qeveri mashtruese”. Në këtë rast ai paraqet punën që
bëhet nga Policia duke punuar me njerëz të saj, për të gjetur deklaratën
propagandistike antiqeveritare dhe për të filluar hetimet përkatëse.
Krahas masave organizative strukturore në një dokument të datës 13
korrik 1913, evidentohet se nuk kanë reshtur përpjekjet për
perfeksionimin e punës së Policisë, ku shkruhet: “Shihet e nevojshme që
të formohet një komision për të përgatitur projektin mbi organizimin e
Policisë. Ky komision u pa i arsyeshëm që të formohet prej zotërinjve të
sipërshënuar, me gjithë këtë urdhri është i shkëlqesisë s’uaj”. Në
listë janë ish-drejtori i parë i Policisë në Manastir, Halim beu
(Gjakova, Gostivari), Hajdar beu (Kolonja) dhe toger Tahsim beu, që ka
shërbyer në Drejtorinë e Sigurimit Publik në Stamboll. Po sipas
dokumenteve arkivore evidentohet se më 17 korrik, krahas komiserisë së
Vlorës, rezulton të jetë e organizuar edhe komiseria e Policisë në
Berat, e cila në atë kohë ka arrestuar një tregtar, mbi bazën e një
informacioni kriminal, sipas të cilit personi vlerësohej “i rrezikshëm”.
Po kështu, në këtë kohë, rezulton të jetë organizuar edhe komiseria e
Fierit, në krye të së cilës ishte caktuar komiseri Ali Gjiriti. Në
shtator 1913 rezulton të jetë organizuar edhe komiseria e Policisë në
Durrës dhe evidentohet si komisar Policie “një muhaxhir i quajtur
Dilaver”, (bëhej fjalë për Dilaver Dervishin, i cili shërbeu në Durrës
në periudhën 1912, nga koha e Turqisë deri më 1915), liruar nga detyra
për keqsjellje ndaj shtetasve, i cilësuar me vese jo të mira dhe me
moral të dobët. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, përmendi faktin se, krahas
komiser Dilaverit, u shkarkua edhe drejtori i Policisë (nuk jepet emri),
ndonëse ka vlerësime pozitive për aftësitë, cilësitë e sjelljen e tij.
Ndonëse artikullshkruesi nuk përmend emrin e drejtorit, megjithatë ky
fakt ka rëndësi sepse evidenton një tregues për organizimin e Policisë
së qeverisë së Vlorës, në bazë drejtorie, edhe në Durrës, ku vepronte
fshehurazi karrieristi Esad Toptani. Në dokumentet arkivore pasqyrohet
dukshëm prezantimi i pastërtisë morale të policëve të Qeverisë së
Vlorës, të cilët kurrë nuk u tunduan para ryshfeteve që ju ofronin
personat e evidentuar me probleme për qetësinë.
Ndonëse në kushte tepër të vështira qeveria e Vlorës i dha rëndësinë
parësore problemeve të qetësisë e të sigurisë në vend. Këtë fakt e ka
evidentuar edhe publicisti Mihal Grameno, teksa shkroi: “Nuku mundim të
mohojmë shërbimet e qeverisë gjer më sot, duke menduar e kujtuar nër sa
rrezike shkojti, se gjer tani, dy muaj, vetëm Vlora me qarkun e saj
ishin të lira e të pashkelura po të rrethuara nga ushtërti Turke, serbe
dhe greke të cilët nuku n’a linin të marrim frymë! Me të zënë të hiqen
ushtëritë Serbe dhe Greke, qeveria mori masa me nxitim për paqen dhe
administratën e kështu habitet bota kur sheh që pa patur akoma fuqi të
plotë qetësia mbretëron në këto vende”.
Krahas informacioneve për organizimin e Policisë gjejmë korrespondencë
të mjaftueshme edhe për organizimin e Xhandarmërisë. Përmenden si
drejtues të parë të këtyre strukturave: Alem Tragjasi, Hysni Toska, Sali
Vranishti (qeveria e Ismail Qemalit i besoi detyrën e kryembrojtësit të
rendit të kazasë së Vlorës dhe e gradoi kapiten, duke mos qenë oficer
por vullnetar, shtypi i asaj kohe e cilësi “emnijeti umumi…je mydyr”,
shqipëruar komandant i Përgjithshëm i Sigurimit Publik) dhe Hajredin
Hekali. Këtij grupi iu bashkuan edhe 70 oficerë që kishin shërbyer në
ushtrinë perandorake, ku nuk mund të anashkalohet Ali Fehmi Kosturi,
babai i Drita Kosturit, ish-oficer i perandorisë turke që komandoi
forcat turke në përballjen me malësorët e bregut të Matit, në verën e
vitit 1912 dhe më pas iu kthye çështjes kombëtare, duke mbajtur mbi vete
shumë poste, deri komandant i Përgjithshëm i Xhandarmëiris më 1922.
Fillimisht u organizua Xhandarmëria e qeverisë së Vlorës, aty rreth
qershorit 1913, e drejtuar prej majorit Hysen Prishtina me një batalion
në Vlorë, kapitenit Ali Tetova në Berat dhe majorit Ismail Haki Tatzati
në Elbasan. Më 29 gusht 1913 Ismail Qemali njoftoi Ministrinë e
Brendshme se Fuqia e Xhandarmërisë së Vlorës është organizuar në Tiranë
dhe po vijon organizimi edhe në Durrës. Ndërkohë ai porositi të bëhet
organizimi i Xhandarmërisë edhe në prefekturat e tjera, mbasi të
caktohet sasia e xhandarëve për të siguruar mbarëvajtjen e punëve të
përditshme dhe të sigurimit publik të vendit. Ai orientoi që në çdo
qendër të prefekturave “duhet të ndodhet edhe një detashment rezervë për
çdo eventualitet, prandaj kini mirësinë e vendosni dhe na njoftoni si
sasinë e kompanive të xhandarëve që duhet të ndodhen në qendër të
prefekturës, ashtu edhe ato të fuqisë rezervë”. Në vijim ai kërkoi
informacion për sasinë e uniformave dhe nevojat për oficerë
xhandarmërie, pa harruar edhe gradat që ata duhet të kenë. Më 18
shtator, prefekti i Elbasanit, patrioti Aqif pashë Elbasani, njoftoi
Ismail Qemalin për regjistrimin e 50 xhandarëve me armët e tyre, për të
plotësuar organikën e dy batalioneve, duke kërkuar emërimin e
komandantëve dhe oficerëve.
Më 3 qershor 1913 u miratua rregullorja e Milicisë Ushtarake.
Rregullorja “Milicia Shqiptare”, i përcaktonte asaj misionin “për
mbrojtjen e vendit deri sa të formohet ushtria e rregullt”. E
rëndësishme është përcaktimi në rregullore për “Detashmentet shëtitës të
Milicisë”, ku theksohej se: “Art. 25, Deri sa t’arrijë në shkallën e
mjaftueshme organizimi i ushtrisë së rregullt, i Policisë dhe i
Xhandarmërisë, për të zënë vendin provizorisht të fuqisë s’armatosur
brenda në kufi të sotshëm dhe në vende ku do të shihet nevoja, do të
formohen detashmente shëtitës të Milicisë Ushtarake. Këto detashmente
veç se do të jenë nën urdhrin e komandantit të batalionit të atyre
zonave ku ato janë shënuar të shërbejnë, ato do të jenë kurdoherë
përkrahësit e Policisë dhe të Xhandarmërisë për të siguruar qetësinë”.
Kjo rregullore detyron punonjësit e Policisë të ndihmojnë në rast nevoje
oficerët e Milicisë. Rregullorja përcaktonte detyrime për Policinë,
teksa thekson se ajo angazhohet me detyra “për të mbledhur milicët për
qëllime stërvitje ose lufte, apo shoqërimin e tyre në gjendje arresti,
kur thirrja ishte për nevoja lufte”. Sipas këtij detyrimi ligjor
kuptohet se qeveria, Policinë, ashtu sikurse edhe Xhandarmërinë e
konsideronte në këtë kohë strukturë të besueshme e të sigurt për
zbatimin e detyrave të qetësisë e rregullit dhe për më tepër për
forcimin e zbatimin me imponim të akteve administrative të saj, çka do
të ndikonte dukshëm në publik.
Krahas organizimit të strukturave të sigurisë, e në veçanti të Policisë
në qytete, qeveria e Ismail Qemalit, punoi edhe për hartimin e akteve
normative në të mirë të punëve të rendit e të sigurisë. Në mbledhjen e
saj të datës 13 qershor 1913, ajo, miratoi dokumentin “Kanuni i Dëmeve”,
vendim të cilin e zbardhi më datë 17 qershor. Në nenin nr. 8, të tij,
shkruhej: “Çdo qytet dhe katund asht nevojë të kenë nga një a dy a më
shumë ruajtës, pas nevojës për të ruajtur arat…(numërohen emërtimet e
pronës private-H. L.) e për të mos shkelë kurrkush në kufi të tjetrit pa
leje nga i zoti”. Dokument tjetër i rëndësishëm qe “Kanuni i Përtashëm i
Administratës Civile të Shqipërisë”, që u shpall më 22 nëntor 1913, i
cili pati disa norma për Policinë e Xhandarmërinë lidhur me statusin
juridik të tyre. Sipas këtij dokumenti, Policia pati një organizim me
strukturë në qendër (Zyra e Sigurimit Publik, ose, Drejtoria e Policisë)
dhe zyrat (ose komiseritë) e policisë në varësi të prefekturave e
nënprefekturave e komunave. Sipas Kanunit, duke u përcaktuar detyrat e
përgjegjësitë e prefektit, (si autoritet vendor), tërthorazi jepej edhe
misioni i Policisë, (si autoritet i qetësisë publike): “të mbajturit e
qetësisë dhe të sigurisë publike në qarkun e prefekturës”. Komisari i
Policisë ishte pjesëtar i administratës vendore, sikurse edhe komandanti
i Xhandarmërisë. Është me interes të përmendet se në këtë periudhë,
Policia verifikonte edhe sjelljet e personave që luteshin për pasaporta,
leje arme apo për ndonjë aktivitet tjetër, dhënia e të cilave ishte në
kompetencë të autoritetit administrativ. Policia varej nga autoriteti
administrativ, dhe detyrohej t’i jepte njoftime e të zbatonte urdhrat e
këtij autoriteti. Madje duhet evidentuar se polici zgjidhej prej
këshillit të krahinës.
Ndër masat e tjera të sigurisë rezulton edhe ai i datës 3 dhjetor 1913,
kur Qeveria e Përkohshme e Vlorës dekretoi “Formimin e një Gjindarmërie
Shqiptare në krahinat e Jugut”, me mision marrjen në zotërim të
territoreve në juridiksionin e saj dhe mbajtjen e rendit e të qetësisë
në ato krahina.
Në kushtet që po punonte qeveria e Ismail Qemalit vështirësitë për
organizimin e fuqizimin e strukturave të sigurisë ishin të panumërta.
Administrata lokale ishte pothuajse ajo e kohës së Turqisë, mjetet e
komunikimit ishin të mjeruara, elementë të shumtë dëshironin kthimin e
sundimit osman, kundërshtitë midis krerëve të parisë shqiptare ishin të
zjarrta, ndryshimet e drejtuesve të prefekturave e nënprefekturave në
shumë raste u shoqëruan me konflikte të dhunshme, madje me armë, duke
përfshirë edhe grupe fisnore, rreziku serbo-malazez në Veri dhe ai grek
në Jug, shtoheshin nga dita në ditë, gjendja ekonomike qe katastrofike.
Nga ana tjetër duhet pranuar se nuk mungonin kuadrot dhe personeli i
arsimuar për shërbimin ushtarak dhe atë të sigurisë. Sundimi osman pati
shkolluar shumë shqiptarë për Policinë, kryesisht në Stamboll dhe në
Selanik, por ata ishin në pjesën më të madhe besnikë të Turqisë.
Ndonëse qeveria vijonte të merrte masa të shumta për sigurinë, vjeshta e
vitit 1912 ndërlikoi shumë veprimtarinë normale të qeverisë së Vlorës,
duke i sjellë kritika të forta për punën e sigurisë në vend. Një grup
atdhetarësh, nën kryesinë e Mit’hat Frashërit, i dërgojnë një memorandum
kryeministrit, Ismail Qemali, ku ndër të tjera i shkruajnë: “Që 10 muaj
që filloi independenca jonë, as një çap s’është bërë për formimin e
ndreqjes së Xhandarmërisë dhe të Policisë, po për kundra, duke pasur në
vendin tonë kaq oficerë të mirë dhe të ndershëm. Oficerët e rinj janë
bërë prej njerëzve që nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie me ushtrinë.
Duhet pra të qërohen të tillë oficerë dhe të mbësohet (besohet-H. L.)
puna e Xhandarmërisë dhe e Policisë në duar të ndershme dhe të
stërvitura dhe të zgjidhni xhandarë e policë me kujdes të madh me një
rregull të shtrënguar”. Më herët përkrahës të Esad Toptanit, në një
letër dërguar Ismail Qemalit, kërkonin transferimin e kryeqytetit nga
Vlora në mesin e Shqipërisë, dhe kërkonin llogari, duke u shprehur se:
“duam nga kabineja se ç’ka bërë për të lëshuarit (çlirimin-H.L.) e
Korçës, Gjirokastrës, Kolonjës dhe viset e tjera t’ja dëftejë e t’ja
botojë gjatë e gjerë popullit me një zadhanje të përgjithshme”. Nga ana
tjetër nuk ndikoi pozitivisht largimi nga qeveria e Vlorës e shumë miqve
të Ismail bej Qemalit dhe në veçanti largimi i Mehmet Pashë Dërrallës
nga detyra (dorëhequr). Lidhur me këtë ngjarje, “Përlindje e Shqipniës”
shkroi: “Ministri i Luftës hoqi dorë. Zoti Mehmet pashë Dërralla, i cili
që ditën kur u çpall liria gjendet si ministër i luftës, e gjet me
nevojë të apë lënien nga nëpunësia që kish”. Gazeta jep si shkak, të
paraqitur prej ministrit, se: “Qeveria e Përtashme ka zanë një rrugë
dhespotike, krejt kundër ndjenjave liberale”. Edhe largimi misterioz i
ministrit të Brendshëm të mëparshëm, Hasan Prishtinës, dhe bashkimi i
tij me Esad Toptanin ishte disi çorientues për strukturat e qetësisë dhe
vështirësoi kryerjen e detyrave të sigurisë. Por kjo nuk influencoi te
forcat ndërkombëtare që gradualisht po shtrinin asistencën e tyre edhe
në viset e tjera të Shqipërisë gati të copëtuar. Në kohën e qeverisjes
së kabinetit të I. Qemalit, në Shqipëri ka qenë i ndjeshëm aktiviteti i
ndërkombëtarëve. Koloneli Filips, me rezidencë në Shkodër, hartoi
dokumentin “Rregulla që duhen respektuar nga ana e Trupave Ndërkombëtare
dhe nga Policia Civile gjatë zbatimit të shërbimeve të Policisë”. Ky
dokument solli një mendim të ri dhe kuadër më të përparuar ligjor e
profesional në zbatimin e detyrave nga Policia, për çështje të tilla si:
përdorimi i forcës në mbledhje të paautorizuara, përdorimi i armëve të
zjarrit, hyrja në banesa për kontroll, kapja e arrestimi në flagrancë,
thirrja e personave në gjykatë, ekzekutimi i gjobave për kundërvajtje,
etj. Filips nxori më 6 dhjetor 1913 edhe dokumentin “Urdhëresat e
Policisë”, me 20 nene, ku përcaktoheshin të drejtat e Policisë dhe
detyrimet e shtetasve e të subjekteve të ndryshme ndaj ligjit (për
mbledhjet publike, armë mbajtje pa leje, dhënien e lejeve për aktivitete
të ndryshme, etj.) Urdhëresa qe një shkurtim i akteve të Policisë
franceze, pa konsideruar realitetin shqiptar. Sipas saj, parashikohej që
në Shqipëri të zhvilloheshin grumbullime, të cilat duhej të bëheshin
vetëm me leje të autoritetit të qetësisë. Urdhëresa rregullonte
veprimtarinë e subjekteve private të licencuara, detyrimin e tyre për të
bashkëpunuar me Policinë për zbulimin dhe kapjen e personave si të
dyshuar apo të kërkuar. Për herë të parë, në këtë dokument, bëhet fjalë
për shtëpitë publike, të cilat “duhet të jenë të kontrolluara” dhe po
kështu “detyrohen pronarët e haneve e hoteleve që të mbajnë regjistër
për personat që flenë në këto vende”. Ndonëse qe i dukshëm roli i
ndërkombëtarëve në punët e sigurisë, më 7 dhjetor 1913, qeveria e I.
Qemalit, duke e ndjerë veten ta pazonja për menaxhimin e situatës në
vend, në marrëveshje me Këshillin Ndërkombëtar të Kontrollit shpalli
shtetrrethimin (idare-yrfije) “e për këtë qëllim i jep fuqi të plotë
misiës holandeze të Gjendarmërisë që të marrë të gjitha masatë që do të
gjykojë të nevojshme për shiguriën e vendit”,-deklaroi kryetari i
Governës, I. Qemali më 24 shëndre 1913. Më 30 dhjetor 1913, struktura të
Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit (guvernatori civil i Shkodrës,
koloneli Filips), organizojnë në Shkodër Policinë Civile, ndërsa
xhandarmëri holandeze mori në duar mbajtjen e rendit në Shqipëri.

- CalypsoPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 36630
Hobi : shkrimi
Vendndodhja : ne hapat e jetes
Anetaresuar : 21/05/2011
Re: Si u krijua policia shqiptare, dokumente dhe foto të rralla nga Hilë Lushaku
Fri 26 Oct 2012 - 11:39
tema kalon tek Letersia Shqiptare
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|