Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Propaganda për trashëgiminë ka shmangur qytetarin Empty Propaganda për trashëgiminë ka shmangur qytetarin

Fri 2 Nov 2012 - 16:10
Propaganda për trashëgiminë ka shmangur qytetarin 14_gjirokastra04
Komisioni Evropian për herë të parë: 320 mijë euro për restaurimin e 200 shtëpive në Berat e Gjirokastër. Projekti kërkon bashkëpunimin e qytetarëve, pronarë të banesave Monument Kulture
Valeria Dedaj

Zoti Petrela, jemi i angazhuar në një projekt shumë të rëndësishëm për banesat e Beratit dhe Gjirokastrës: KE ndihmon restaurimin e 200 shtëpive “monument kulture”. Mund të informoni lexuesin pak më gjerë?

Projekti “Revato” ka nisur në dhjetor të vitit të kaluar pas nënshkrimit të kontratës nga Komisioni Evropian në Bruksel. U deshën 2 muaj punë për të mbledhur të dhëna, për të shkruar projektin dhe disa muaj për të kaluar procedurat e miratimit në Bruksel. Bashkimi Evropian ka procedura strikte që nuk janë aspak të thjeshta për t’u kaluar. Qëllimi është që të ndihmojë në rrjetëzimin e qyteteve historike të Beratit dhe Gjirokastrës, duke demokratizuar procesin e menaxhimit të qyteteve historike përmes nxitjes së aktivizimit të vet qytetarëve pronarë të Monumenteve Kulturore.

Cila është mënyra që keni zgjedhur për ta vënë në zbatim?

Informimi i publikut për problematikën që hasin pronarët e shtëpive-monument përmes një fushate mediatike. Pronarët e shtëpive-monument, që janë edhe “target” i këtij projekti, përbëjnë një pjesë të mirë të popullsisë në qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, por ata përbëjnë një minoritet në shkallë kombëtare. Fillimisht, përmes kontaktit të drejtpërdrejte dhe intervistimit me pronarët e 1000 familjeve pronarë të shtëpive Monument Kulture, por dhe ndërmjet kërkimit nëpër arkiva. Më pas të dhënat pasqyrohen në faqen zyrtare të “Revato”-s.

Është hera e parë që në Shqipëri një firmë ligjore ndihmon në procesin e regjistrimit të monumenteve të kulturës.

Deri më sot nuk ka pasur kurrë një qasje sistematike nga ndonjë organizatë tjetër për këtë qëllim. Tani një firmë ligjore ndihmon procesin e regjistrimit dhe kompletimit të dosjeve për rreth 200 monumente kulture. Pronarët e shtëpive historike u organizuan në një shoqatë. Shoqata për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës “Revato”, e cila hap pas hapi, po bëhet gjithnjë e më aktive dhe partnere e FGJ në zbatimin e projektit, duke u formuar teorikisht dhe praktikisht si OJQ aktive. Projekti parashikon edhe restaurimin e 10 çative të dëmtuara, dhe krijimin e planeve të biznesit për disa shtëpi.

Vlerësimi i shtëpive-monument zhvillohet përmes ndonjë procesi?

Kjo mund të realizohet nëpërmjet një agjencie imobilare “real estate”, por dhe me ndihmën ndofta të ndonjë agjencie ndërkombëtare. Qëllimi është që ndërtimet historike të hyjnë natyrshëm në tregun e pasurive të paluajtshme “real estate”, që është një nga rrugët për financimin e restaurimit dhe rrjetëzimit të tyre Një konferencë donatorësh do të organizohet në përfundim të projektit në Tiranë.

Si mund të aplikojnë qytetarët?

Qytetarët janë ftuar të marrin pjesë në të gjitha proceset “Revato”. Ata mund të aplikojnë për të marrë ndihmë juridike duke u drejtuar në zyrat tona apo edhe tek juristët që japin falas asistencë në procesin e regjistrimit. Do fitojnë në radhë të parë ata pronarë që kanë dokumentacionin të plotë dhe që do jenë më aktivë dhe bashkëpunues. Nga rreth 1000 pronësi që ka në dy qytetet rreth 200 do ndihmohen me përparësi nga Revato për të kryer regjistrimin.

Pra përparësi kanë vetëm 200 shtëpi?

Po por qytetarët mund të aplikojnë edhe për restaurimin e çative pranë zyrave të Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare. Procedura është e hapur. Ne patëm një përvojë të jashtëzakonshme në procesin e përzgjedhjes se çative për restaurim përmes financimit të Revato-s, me qytetarët e Beratit. Fillimisht u përgatit një listë nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat e cila përzgjodhi 25 çatitë që duhen restauruar. P.sh kanë përparësi çatitë që përbëjnë më shumë rrezik për jetën e banorëve apo kalimtarëve, ato që dëmtojnë peizazhin arkitektonik etj. (Dikush tha me të qeshur si në identifikimin e fituesve në Festivali Evropian i Këngës) Me këtë proces ia arritëm të bindim çdo dyshim në Berat. Natyrisht procesi monitorohet nga pikëpamja teknike sipas ligjit për të mos lejuar dëmtimin e vlerave të trashëgimisë në këto ndërtesa. Kjo praktikë ka bërë që shoqata dhe anëtarët të praktikojnë vendimmarrjen. Kontributet financiare të drejtpërdrejta të qytetarëve bën në Berat që fondi i Revato-s për restaurim të rritej, sipas premtimeve të qytetarëve me rreth 40%. Pas disa ditësh do të bëjmë të njëjtën procedurë edhe në Gjirokastër.

A mund të regjistrohen të gjithë?

Patjetër që mund t’i bëjnë regjistrimet të gjithë përmes firmës që merret me këtë punë. Ndërsa për sa i përket restaurimit të çative regjistrimi bëhet përmes Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe arkitektit që përgatit dosjen teknike e kostot për të gjithë. Regjistrimet zgjasin deri në fund të projektit, qershor 2013.

Sa është fondi që financon Këshilli i Europës? Po institucionet shqiptare hyjnë në projekt?

Sipas kontratës që kemi me Komisionin Europian, i gjithë projekti është deri në afro 320 000 euro, nga të cilat rreth 15 për qind është kontribut i organizatës sonë. Pjesa tjetër është shumë nga Bashkimi Evropian që ka synim të nxisë financimet e faktorit lokal, siç është në këtë rast Fondacioni Gjirokastra. Ashtu siç e ka qëllim që të mbështesë organizatat e shoqërisë civile që janë aktive, transparente dhe të administruara sipas ligjit. E thashë deri në 320 000 euro, sepse zbatimi monitorohet në vazhdimësi dhe në rast se për një arsye a tjetër procesi i zbatimit nuk ecën, shuma nuk lëvrohet e gjitha.

Kush i administron fondet dhe sa transparencë ka për përdorimin e tyre?

Zbatimi i këtij projekti është aq transparent sa ç’janë qindra projekte që Bashkimi Evropian financon në shumë vende të botës dhe posaçërisht në vende që aspirojnë të aderojnë siç është Shqipëria. Sipas kontratës ne jemi administrues të fondeve të Revato-s që jepen në disa këste dhe për përdorimin e tyre ne monitorohemi dhe raportojmë rregullisht. Natyrisht, si për kryerjen e shpenzimeve si për stafin e Revatos-s ashtu edhe për bashkëpunëtorët, ndiqen dy palë rregulla. Ato të donatorit, Bashkimit Evropian - në njëfarë mënyre për këtë ndjehemi pararendës të hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe ligjet e procedurat vendimmarrëse të shtetit shqiptar. Kështu pagesat bëhen përmes bankës, pasi bëhen kontrata të rregullta me firma që përzgjidhen me konkurrim etj. Në një farë mënyre monitorimi fillon me shqyrtimin e rreptë dhe të kriterizuar të propozimit dhe vazhdon deri në përfundimin e tij.

Si do ta cilësoni gjendjen e banesave tradicionale të qyteteve?

Të keqe, por paksa në përmirësim. Dy janë problemet kryesore. Rrënimi për shkak të kohës, mosinteresimit dhe mosbesimit të pronarëve dhe mungesës së investimeve. Këtu nuk është vetëm shteti që duhet të përfshihet më shumë por edhe bizneset dhe padyshim vetë qytetarët. Që të sigurohen fondet e nevojshme për restaurim e rrjetëzim, që janë të konsiderueshme duhet që banesat tradicionale të futen në qarkullimin e vlerave të tretët dhe të shërbejnë për zhvillimin e turizmit. Natyrisht pa prishur vlerat e tyre. E rëndësishme është që të çrrënjoset nga mendjet e njerëzve se shteti është përgjegjës kryesor për mirëmbajtjen e tyre. Problem tjetër janë ndërtimet pa leje. Për këtë duhet të krijohet veç të tjerave edhe një bindje e shëndoshë se mirëmbajtja dhe rrjetëzimi i shtëpive të vjetra fillimisht është i shtrenjtë, por shpërblen në kuptimin financiar afatgjatë. Në të dyja këto drejtime në shpresojmë se shoqata “Revato” mund të ndihmojë shumë

Çfarë pretendoni të arrini nëpërmjet këtij sensibilizimi qytetar?

Me ndërrimin e sistemit nuk u bë sa duhet aktivizimi i qytetarit për të marrë ai në radhë të parë përgjegjësitë për pasurinë e tij Monument Kulture. Në një anketim që kemi bërë më parë kemi konstatuar se ka një perceptim të përgjithshëm se çështjet e trashëgimisë kulturore janë “çështje të elitës” dhe jo të njerëzve të thjeshtë. Por ka dhe një perceptim tjetër që punët e trashëgimisë konsiderohen si “të tepërta”, ndërkohë që vendi ka nevojë të përmirësojë infrastrukturën dhe të forcojë demokracinë. I gjithë procesi i zbatimit të projektit kërkon të demonstrojë se vështirësitë kapërcehen përmes aktivizimit të qytetarëve që sjell maksimalizimin e rezultateve, se demokracia e transparenca mund të jenë pjesë e këtij procesi. Pa pjesëmarrjen aktive të qytetarëve as që mund të bëhet fjalë në kushtet e sotme të ekonomisë së tregut dhe regjimit demokratik, të shpëtohet trashëgimia kulturore. Për fat të keq trashëgimia kulturore ka mbetur shpesh pre e sloganeve shterpa politike, apo e shfrytëzimit të paturp e disa pak sharlatanëve që nuk bëjnë asgjë veçse teorizojnë e tjerrin fjalë, duke u hequr si shumë të dhembshur për traditën vetëm me fjalë, apo e kritizerëve profesionistë që e qajnë atë ditën dhe e vjedhin e shkatërrojnë natën.

Një shans për banorët e shtëpive me vlerë

Banorët e Gjirokastrës dhe Beratit të cilët zotërojnë banesa tradicionale, monument kulture, tashmë kanë një mundësi për restaurimin e tyre, sipas një projekti të financuar nga Komisioni Europian. Fondi për këtë projekt është 320 000 euro. Për restaurimin e çative regjistrimi bëhet nëpërmjet Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër dhe Berat. Ndërsa projekti “Revato” ndihmon qytetarët t’i regjistrojnë banesat nëpërmjet agjencive private. Aktivizimi qytetar do duhej që të merrte përgjegjësitë e tij për Monumentet e Kulturës. Sipas, drejtorit të projektit, Sadi Petrela i cili drejton Fondacionin Gjirokastra, ekzistojnë perceptime të përgjithshme se çështjet e trashëgimisë kulturore janë “çështje të elitës” dhe jo të njerëzve të thjeshtë. Prandaj dhe procesi i zbatimit të projektit kërkon të demonstrojë se vështirësitë kapërcehen përmes aktivizimit të qytetarëve që të sjellë rezultate të larta. Kohët e fundit është folur për nevojën emergjente për restaurimin e monumenteve të kësaj kategorie, si kompleksi i Ndre Mjedës, Muzeu Etnografik, shtëpia e Aleksandër Moisiut në Durrës, shtëpia e Hasan Tahsinit etj. Por ashtu siç thotë dhe zoti Petrela për gazetën “Shekulli”, për fat të keq “trashëgimia kulturore ka mbetur shpesh pre e sloganeve shterpa politike apo e shfrytëzimit të paturp e disa pak sharlatanëve që nuk bëjnë asgjë veçse teorizojnë e tjerrin fjalë, duke u hequr të dhembshur për traditën vetëm me fjalë, apo e kritizerëve profesionistë që e qajnë atë ditën dhe e vjedhin e shkatërrojnë natën”.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi