Udhëtim në Shqipërinë e pasur
Fri 9 Nov 2012 - 13:57
Një “eksplorim” i nëntokës shqiptare, shifrat e kromit, bakrit, naftës,hekur-nikelit. Zonat më të lakmueshme dhe shfrytëzimi i tyre. Specialistë e inxhinierë tregojnë, për burimet minerale
Shqipëria: 28 mijë km2. Çfarë ka sipër sipërfaqes së vendit e dimë... politikanë, trafikantë, tallava, por edhe njerëz të thjeshtë apo të sukseshëm që e çajnë jetën me djersë e punë. Por për çfarë fshihet poshtë sipërfaqes së atdheut, nuk jemi shumë të vetëdijshëm. Sikur ta dinin të gjithë se çfarë përmban toka poshtë këmbëve të tyre, ndoshta nuk do e “shkelnin” kaq pa mëshirë. Toka jonë po boshatiset pak nga pak. Një vend si Bulqiza është kthyer si një kullojëse makaronash po ta shohësh me syrin e një gjeologu, pasi ajo është shpuar gjithandej për të marrë nga zemra e tokës së saj mineralin. Ajo është një nga zonat më të lakmuara, për ndërtimin e galerive e për të nxjerrë nga nëntoka, “thesarin” e kromit. Krejt zona është kthyer në hapësirë, ku vetëm gërmohet dhe ajo që nxirret nga poshtë shitjen e ka të garantuar. Bilal Koçi, specialist pranë Drejtorisë së Burimeve Minerale na kthen pas në kohë duke na treguar se: “Shqipëria, në krahasim më sipërfaqen që ka është një territor shumë i pasur, me minerale metalore e jo metalore, me naftë e gaz natyror dhe me ujëra nëntokësore.
Kromi
Dikur kemi zënë vendin e tretë në botë, për prodhimin e kromit pas Afrikës së Jugut dhe Rusisë. Para viteve 90’ detyra kryesore ka qenë, për mineralet metalore, qymyrin. Ndërsa tani tendenca ka ndryshuar duke shkuar drejt mineraleve jo metalore, drejt gurëve dekorativë, argjile, gipse, zhavorr, inerte etj”. Po të bëjmë ca llogari, një ton krom shpërblehet me 200 dollarë. Është llogaritur se nën sipërfaqen e tokës në territorin tonë ka 57 milionë tonë. Duke hequr ato që janë shfrytëzuar, tashmë mund të nxjerrim një shifër të përafërt se gjenden akoma rreth 30 milionë tonë rezervë, prej nga mund të përfitohen rreth 60 miliardë dollarë. Bulqiza është një zonë relativisht e shfrytëzuar, ndërsa nga gjeologet janë konstatuar disa krahina të tjera që nuk janë prekur. Më me interes shihet Tropoja, Kukësi dhe Krasta që mbartin tonelata të tëra kromi. Vlerën e vërtetë nëntokës duket se ia diti vetëm sistemi komunist, që nga eksporti i kromit siguronte shumë të ardhura duke "çarë bllokadën". Nga përllogaritjet e kryera mendohet, se i janë hequr nëntokës rreth 33.6 milionë tonë krom. Kjo i përket periudhës komuniste deri në vitet 90'.
Bakri
Bakri është mineral i kohëve të sotme, pasi siç duket, të mirat po ja shohin vitet e fundit. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar nga kërkimet e realizuara ka arritur në përfundimin se me shumicë gjendet në zonat Pukë-Mirditë, në Munellë, Tuç, Rubikë, Derven. Rezerva e Bakrit ka qenë tek 65 milionë tonë, e ndërsa mbeten për tu shfrytëzuar edhe 20 milionë të tjera. Më shumë se gjysma është shfrytëzuar në vitet 1960-1996, diçka e përafërt me një sasi prej 20.2 milionë tonësh. Me xeheroret e bakrit janë të lidhur edhe ari e argjendi. Çdo e mirë e ka edhe një të keqe nga pas. Gjatë sistemit komunist janë shfrytëzuar zona që nuk kishin nevojë për teknologji të lartë. Shtresat ku gërmohej ishin deri në 800 metër nën tokë. Tashmë zonat e pasura vërtet kanë bakër, por kompanitë që do të interesohen duhet të marrin në konsideratë edhe thellësinë që duhet të përballojnë dhe hapjen e fronteve të reja.
Hekur-Nikeli
Tendenca ka ndryshuar tani, dhe ashtu siç na pohon edhe specialist Kuçi vëmendja është përqendruar tek materialet e ndërtimit, një nga ato është edhe hekurnikeli. Zona e Librazhdit, Pogradecit, Korçës, Përrenjasit, në nëntokën e saj është e pasur Hekur-Nikel që aktualisht është futur në listën e së ardhmes. Specialisti tregon se rezerva ka qenë te 300 milionë tonë, ndërkohë pas shfrytëzimeve që janë bërë aktualisht mund të kenë mbetur afërsisht 215 milionë tonë hekur nikel dhe 103 milionë tonë nikel silikat. Të dy përbërësit e mineralit janë të së njëjtës familje xeheroresh dhe përdoren në industrinë e rënde si lëndë e parë për hekur dhe nikel.
Guri Gëlqeror e dekorativ
Listës së gjatë të pasurive me vlerë, i shtohen edhe shkëmbinjtë gëlqerorë që "fshehin" lëndë kryesore të ndërtimit si gëlqerja dhe çimentoja. Zona ku ato gjenden: Kruja. Guri gëlqeror, ka pasur një rezervë prej 900 milionë tonësh ndërsa tani ka arritur në shifrat 500 milionë tonë përbërës gëlqerorë që presin t'u vihet kazma e të përfundojnë në makineritë e përpunimit. E nëse gëlqeren e çimenton e sigurojmë në vend, ndërtesave tona mund t'u shtojmë edhe luksin me pllaka e gurë dekorative. Sepse gjenden në shumë vende të Shqipërisë. Madje janë konstatuar edhe gurë të rrallë fosforeshente që nëse përpunohen, përftojnë pllaka dekorative të një cilësie tepër të lartë. Guri dekorativ gjenden në: Marrë-Peshkopi, Derçan- Gjirokastër, Skrapar. Sasia e tij është në vlerën e 400 milionë tonëve ndërsa tani ka mbetur për tu shfrytëzuar më shumë se gjysma, pasi shfrytëzimi i tij ka ardhur shumë vonë.
Burimet Qymyri
Edhe pse në shumë zona konsiderohet si i cilësisë së ulët, qymyri i Krrabës apo i Memaliajt, për specialistët është brenda standardeve. Aktualisht janë rreth 712 milionë tonë rezerva që nuk janë shfrytëzuar ndër vite. Nëse do të vijë koha që "qymyri të na zbardhe faqen", atë e kemi këtu.
Të lëngshmet
Shqipëria noton në ujë dhe vitet e ardhshme ka për të qenë furnizuese e shumë vendeve të botës, të paktën sipas fjalëve të specialistëve të hidrogjeologjisë. Nuk ngelet pas edhe nafta, e cila momentalisht vazhdon të nxirret në Kuçovë e Patos-Marinzë, ndërsa po kërkohet intensivisht në disa pjesë të tjera të vendit.
HISTORIA
Zbulimi i “arit të zi” në Shqipëri
Në Selenicë bitumi nxirrej së paku që prej vitit 1806. Një udhëtim me historianët
Shqipëria në pikëpamje tektonike dhe paleogjeografike paraqet një nyje interesante që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në trevën alpine për larminë e zonave strukturore faciale dhe për mundësinë mineral-mbajtëse të tyre e në radhë të parë, për hidrokarbure (naftë e gaz). Studimet për naftëmbajtjen në Shqipëri kanë filluar me minierën e bitumit në Selenicë. Duke qenë se bitumi ashtu si nafta ka të njëjtën origjinë prej dekompozimit të mbeturinave organike dhe kryesisht vegjetale, atëherë ekyitenca e njërës krijon premisa për ekzistencën e tjetrës. Mendohet nga studiues modernë se vendi i quajtur "Nympaheum" nga eksploruesit e lashtë të jetë Selenica e sotme. Këtu sipas Strabonit shkëmbi lëshon flakë të përjetshme. Ndoshta ky duhet të jetë një përshkrim për daljet natyrore të gazit pranë Selenicës. Në fillim të shekullit të XIX-të, kemi njoftimet e para të rëndësishme për daljet sipërfaqësore hidrokarbure në zonën e Selenicës. Francezët, L. Pouqeville, në vitet 1806-1817 e më pas H. Coquand, (1868), përshkruajnë minierën e bitumit, dhe bënë të ditur se aty shfaqen edhe gjurmë gazi vajguri tepër të rëndë. Më seriozisht në zonën përreth Selenicës u krye një studim të hollësishëm, në vitin 1905, nga italiani A. Martelli. Më vonë, në vitet 1910-1912, italianët G. Del Piaz dhe A. De Toni kryen një studim stratigrafik dhe tektonik në grykën detare të vjetër të Shqipërisë, midis Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës, ku për herë të parë tërhiqet vëmendja e ekzistencës së fushave vajgurore në Shqipëri. Gjatë Luftës së Parë Botërore oficerë të Marinës Italiane vunë re se ndërmjet Urës së Penkovës dhe të Drashovicës, ujerat përmbanin njolla nafte. Këtu vitin 1917 nisi shpimi i parë i cili kapi një vit më vonë, në thellësi 100 metra, burimin e parë të rëndësishëm të naftës në historinë e Shqipërisë. Megjithatë kjo zonë u braktis në Luftën e Vlorës kur, ushtria dhe gjeologët italianë u tërhoqën nga vendi ynë. Ernst Noëack i cili e eksploroi zonën 2-3 vjet më vonë njofton se tashmë burimi është, i shterur dhe se e gjithë zona pavarësisht ekzistencës së bitumit, nuk ka perspektivë naftëmbajtëse si rezultat i tektonikës së fuqishme të ndodhur në këtë rajon, e cila e ka kthyer naftën në bitum. Ai udhëzon rajone të tjera për kërkime të naftës, siç ishte Kuçova, e sipas mendimit të tij zona e Patos-Marinzës. Fakti se në Shqipëri mund të kishte premisa të naftëmbajtjes, thuhet se zgjoi interes të madh, por në përfundim, një shoqëri pa përvojë në drejtim të nxjerrjes së naftës Ferrovie dello Stato del Regno d'Italia (Hekurudhat shtetërore të Mbretërisë së Italisë), morën konçensionin për naftën Shqiptare. Për këtë qëllim ato krijuan AIPA-n (Azienda Italiana Petroli d'Albania), AIPA e hapi veprimtarinë në vitin 1925, dhe deri në vitin 1930 arrit të shtinte në dorë gjithë veprimtarinë e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Ajo vazhdoi punën deri në 1944, nën drejtimin shkencor të polakut Stanisllav Zuber. Gjatë kësaj kohe u vunë në shfrytëzim vendburimet e zbuluara të Kuçovës dhe të Patosit, ku në fundin e vitit 1943, fusha e naftës Kuçovë numëronte mbi 915 puse, dhe ajo Patosit, mbi 60, me prodhim ditor rreth 650 ton nafte. Puna për zbulimin e naftës rifilloi ne vitin 1950 me Ekspeditën Gjeologjike Komplekse Sovjetike, Kjo zbuloi në vitin 1957 vendburimin e naftës Marinëz. Me largimin e sovjetikëve pas vitit 1960, punimet u drejtuan tërësisht nga specialistë shqiptarë. Në vitin 1963 u zbulua vendburimi i naftës Visokë.
Sokol Marku\ Inxhiner
Zoti na deshi, na dha pak toka buke, por malet na i mbushi me “flori”
Shtimi i rezervave të naftës vazhdon të mbetet përparësi e gjeogoleve. Akoma nuk mund të deklarohet se rezervat kanë arritur limitin. Për momentin janë të sigurta edhe rreth 400 milion tonë, në formën e rezervave të njohura që ende “flenë”, por struktura të përshtatshme për naftëmbajtje janë vërejtur sidomos, në zonën mes Beratit, Kepit të Rodonit e Gjirit te Drinit. Drejtori marketingut dhe publikimeve pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Sokol Marku pohon se: Në jugun e Shqipërisë, në Delvinë, u zbulua pusi i fundit nga Shërbimi Gjeologjik nga fillimi i viteve 90-të, dhe specialistet e kërkimit të naftës e shohin hapësirën jonike si mjaft shpresëdhënëse. Studimet kanë nisur të përqendrohen, edhe pse për momentin akoma teorike, bazuar në fakte indirekte, në hapësirën detare, ku faktikisht në vitet 80-të u bënë disa kërkime paraprake oqeanografike nga një anije e Institutit të Naftës së Fierit, me pas nga firma të huaja, por që zhvillimi i Gjeologjisë Detare në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, mund të sjellë fakte të reja. përveç kësaj, ndoshta vërtetimi i disa teorive, të lindura në Europë, por edhe mes specialisteve shqiptare, se shkëmbinjtë ofiolitike të pasur me krom, bakër e hekur, prej Tropojë e deri ne Korçë, nuk janë rrënjësorë, por kanë udhëtuar nga lindja gjatë mbylljes së oqeanit Tetis, mund të çojë në mundësinë e zbulimit, të një deti të tërë nafte nën minierat e kromit, por kjo e fundit duhet marrë ende me rezerva. Mbase mund të themi, vetëm se në të vërtetë zoti na deshi, na dha pak toka buke, por malet na i mbushi me flori.
Entela Resuli
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|