Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Princo
Princo
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Ilirida
<b>Postime</b> Postime : 3887
<b>Hobi</b> Hobi : Leximin
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 26/03/2012

GOMARI QË BART LIBRA Empty GOMARI QË BART LIBRA

Tue 27 Nov 2012 - 16:44
Fjala erdhi nga E Vërteta dhe pastaj e vërteta u tha me fjalë. Duke qenë pjesë e botës dhe prapë i huaj në botë, njeriu ndjeu boshllëkun në ekzistencë dhe këtë boshllëk e plotësoi me artin e fjalës së tij, me poezitë, me meloditë, me pikturat dhe me librat e tij, e që të gjitha këto së bashku, shfaqin realitetet e shpirtrave njerëzor që frymuan dhe frymojnë në këtë nënqiell. Çdo shpirt që i kushton rëndësi pjesëmarrjes së tij në botë, nuk mund të jetojë pa e përjetuar dhimbjen që vjen nga mungesa e diçkaje që duhet të jetë, por në fakt, mungon. Çdonjëri që i kushton rëndësi zbulimit të vetvetes, nuk mund të mos e gjejë veten duke menduar në ishullin e tij të vetmisë për botën e cila, sado e madhe që është në raport me trupin, mbetet e vogël në raport me shpirtin e tij. Mendjes, mbase e ndodhur midis trupit dhe shpirtit, s’i mbetet tjetër veç pyetjeve: Nëse bota nuk i mjafton njeriut, a i mjafton njeriu botës? Nëse çdo gjallesë do të ishte njeri, a do të kishte bota nevojë për shtazët dhe nëse çdo gjallesë do të ishte shtazë, a do të flitej në botë për Të Vërtetën?!
Përceptimi dhe imagjinata, këto dy veçori, e para për botën njerëzore dhe shtazore dhe e dyta ekskluzivisht për njeriun, përcaktojnë edhe vizionin ndaj ekzistencës dhe njëmendësisë së saj. Derisa shtazët mendojnë për realitetin e shfaqur vetëm gjatë kohës kur e përceptojnë atë, njeriu me anë të procesit të kujtesës, mund të sjell në mendjen e tij relitetin e përceptuar edhe kur të jetë shkëputur nga plani i perceptimit shqisor. Nëpërmjet imagjinatës, ai mund të udhëtojë në të kaluarën dhe ta paramendojë të ardhmen. Çdo gjë që ka kaluar nëpërmjet shqisava, bluhet në “mullirin” e mendjes dhe e “ushqen” qenien e tij. Me pak fjalë, imagjinata i mundëson atij të shquhet me konceptin e kohës: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, gjë kjo e cila e ngarkon vetvetiu me përgjegjësi, për ta dalluar nga çdo gjallesë tjetër mbi faqen e dheut. Po ashtu, me anë të kësaj veçorie, ai edhe mund ta gjykojë një veprim të gabuar të të shkuarës që e nesërmja e tij të mos jetë vazhdimsi e gabimit. Imagjinata krijuese, me të cilën dallohen disa nga disa të tjerë, është edhe një përgjegjësi më shumë, për secilin që e posedon, sepse ajo në një mënyrë, prodhon ushqimin e mendjeve dhe shpirtrave që gjallojnë në botë. Nëpërmjet saj, njerëzit formojnë botëvështrimet e tyre, duke i dhënë emër botës, kohës, historisë dhe përgjithësisht jetës. Prandaj, jeta e një njeriu mund të shembëllehet me jetën e një gomari por kurrë nuk do të jetë e barasvlefshme me të, edhe pse gomari mund të çojë pesha më të rënda se njeriu. Po pse pikërisht një gomari? Jo rrallëherë, njerëzit kur duan ta qortojnë budallallëkun, e krahasojnë atë me gomarllëkun, por në fakt, gomari nëse nuk njihet si shtazë intelegjente, të paktën nuk është e rrezikshme siç mund të jetë njeriu budalla, që bën keq edhe atëherë kur mendon se vepron mirë dhe kjo ndodh gjithmonë, atëherë kur njeriu ngarkohet përtej mundësisë personale që posedon. Nëse takimi me një gjallesë që fati e ka determinuar te jetë gomar, të ngjall dhembshuri për faktin se është ngarkuar nga njeriu më shumë se sa mund të bartë (përtej fuqisë së tij prej gomari), atëherë, sa mund të jetë i dhembshëm takimi me mediokrin që ka ngarkuar veten me diçka që nuk e ka ngarkuar askush. Çfarë mund të përbëjë rrezik më të madh se sa guximi i mediokrit i cili shfaq trimërisht idetë e tij mediokre, dhe me këtë akt grumbullon shumë shpejt një numër marramendës njerëzish, të cilët e pasojnë atë për faktin se nuk e kanë të vështirë të arrijnë në shkallën e diturisë së tij, ose më qartësisht, për faktin se i bashkon e njëjta gjë: mediokriteti.
Me vënien e epitetit gomar një njeriu, a duhet të jetë i ofenduar njeriu apo gomari? Në njërën nga Fjalët e Të Vërtetës, njeriu që posedon Librin dhe nuk e jetëson atë praktikisht, është shembëllyer me gomarin që bartë libra. Gomari mund t’i bartë mbi shpinën e tij të gjitha botëkuptimet dhe ideologjitë e kohëve, por nuk do të jetojë me asnjërën prej tyre. Fundja, ai as që ka ardhur në ekzistencë për një gjë të tillë. Ai mund t’i përceptojë librat pa e ditur se çfarë në fakt po përcepton. Ai, me gjithë librat e ngarkuara, ecën pa e ditur destinacionin. Madje, nëse një dykëmbësh mund ta ketë ngarkuar me libra një gomar (në kohën kur transoprti është bërë me gomerë) dhe mund t’i ketë bërtitur atij që ta shpejtojë të ecurit, sigurisht ka harruar se kjo qenie katërkëmbëshe mund të bërtas më shumë se çdo njeri. Atëherë, cili ka të drejtë të bërtasë më shumë: ai që është ngarkuar nga tjetri apo ai që ka ngarkuar veten? I pari mund të bërtasë duke i ngjarë vetes, ndërkaq i dyti duke i ngjarë të parit. Ky është fati tragjik i mediokrit që ka ngarkuar veten dhe bërtet çmendurisht për t’i kumtuar idetë e veta, e që nga fuqia zhurmuese e zërit edhe mund të mos kuptohet ajo çfarë në fakt dëshiron ta transmetojë te tjetri. Ai, sado që e përcepton zërin e tij të ngjirur, saqë duket se jehona e tij arrinë nga e shkuara në të tashmen, prapë se prapë, me të njëjtin vazhdon të flasë edhe në të ardhmen, akt ky që fakton se kujtesa dhe imagjinata e tij nuk janë funksionale në nivelin e duhur, përndryshe, asnjëri nuk do ta ngarkonte veten përtej mundësive që ka. Derisa dijetarët, (artistët, poetët, shkencëtarët, etj.) boshllëkun e ekzistencës e plotësojnë me dijen që manifestohet në mendjet dhe shpirtrat e tyre, disa nga mediokrit, këtë boshllëk e plotësojnë me britmat e tyre. Dijetarët, duke mundur veten, bëhen vetvetja dhe duke qenë vetvetja, bëhen pasqyrë për të gjithë ata që e duan diturinë, bëhen vetë Libër që të lexohen nga kërkuesit e dijes. Mediokrit, duke dashur t’i japin Të Vërtetës dhe jo të marrin nga E Vërteta, citojnë me zë tmerrësisht të lartë fjalë nga Libri, bile edhe atëherë kur libri u thotë: “Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (31/19)
Në librat e atyre që përpiqen të marrin nga E Vërteta, mund të takosh vargje me të cilat është plotësuar zbrazëtia e kësaj bote, mund të lexosh fjalët me të cilat është stolisur jeta, njëlloj siç e ka stolisur E Vërteta qiellin me yje:

Sado nga toka qiellin ta shikoje
Po t’mos kishte dritë, s’do ta dije se ka yll
Më shumë bën zhurmë një degë që bie nga druri
Se sa mijëra drurë që rriten në pyll.

E Vërteta thuhet edhe në heshtje, edhe pa fjalë, madje edhe atëherë kur nuk mund të flasim, ajo manifestohet duke dëshmuar Praninë e Saj. Nëse shkruesin e këtyre rreshtave do ta gjeni ndonjëherë duke bërtitur (apo duke folur me zë të lartë), për hir të Së Vërtetës, kujtojani gomarin që bartë libra, me qëllim që ta përdorë thellësisht kujtesën dhe imagjinatën e tij, dhe duke e mundur veten, t’u falënderoj edhe të gjithë juve që nuk e lejoni të mbetet mediokër. Faleminderit pafundësisht!

Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi