Share
Shko poshtë
avatar
i panjohur
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 19172
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne krahet e saj
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/02/2012

default Hyjnesha Robiko

prej Fri 25 Jan 2013 - 13:07
Hyjnesha Robiko

Hyjnesha Robiko 1346919359-qq
Mijëra vjet më parë, në trevën e Rubikut thonë se ndryshku i kuq
shfaroste njerëzit, mbyste bagëtitë dhe dëmtonte të mbjellat. Ishte
hyjnesha Robiko, ajo që i shpëtoi banorët nga kjo murtajë e kuqe.

Tash,
ritualisht, çdo pranverë, banorët e kësaj zone festojnë ditën e
Shelbuemit. Presin një ka, një dash dhe i nxjerrin njeri-tjetrit verë të
kuqe, për të kujtuar hyjneshën Robiko.

Dhe jo rastësisht, edhe emri Rubik i këtij vendbanimi, e ka origjinën pikërisht nga kjo perëndeshë e lashtë pagane.

Gjendemi
sërish në të njëjtin vend. Majë një shkëmbi të bardhë, prej gati 900
vjetësh, banorët vendas ndërtuan një prej kishave më të mëdha të asaj
kohe.

E pagëzuan me emrin Shelbuem, duke i dhënë emrin e festës,
në përkujtim të hyjneshës. Edhe kisha ka legjendën e saj. “Sipas
gojëdhënave, ndërtimet që ishin bërë në një vend tjetër, prisheshin nga
pëllumbat që merrnin materialet gurët, trarët dhe i sillnin në shkëmbin
ku aktualisht ndodhet kalaja”, tregon Bardhoku, një banor i zonës. Sipas
historianëve, Kisha e Shelbuemit është ndër më të vjetrat në Ballkan.

Ajo
është aty qysh prej vitit 1162. Por, studiuesi Gjon Marku thotë se kjo
godinë qëndron mbi shkëmbin e bardhë, e bukur dhe rrezatuese, qysh prej
kohëve ilire, e pacënuar nga rrebeshet e shekujve. “Rrënjët e Rubikut
duhen kërkuar më tej, kjo do të thotë se duhen kërkuar që në kohën e
Justinianit ndoshta kur kemi edhe kisha të tjera paralele si ajo e
Shirqit në Shkodër dhe kisha e Vikut në Mirëditë”, tregon Gjoni.

Është
e dielë. 900 vjet pas pagëzimit të Kishës së Shelbuemit, banorët vendas
vijnë në meshën e bardhë të së dielës. “Kjo kishë ka një kujtesë të
veçantë sipas breznive të njerëzve. Kjo i kërkon Rubikut kohët e lashta
kur këtu ishin misionet për të krishterët dhe jeta e murgjëve që
mendohet se kanë qenë këtu dhe më pas e fretërve françeskanë që vjet
kanë bërë 800 vjetorin e pranisë së tyre në të gjithë botën, por në këtë
vend datojnë qysh në 1240-n”, tregon Frat Sokoli.

At Shtjefën
Gjeçovi qëndroi dhe shkroi në kolegjin e Kishës së Shelbuemit pjesë nga
vepra e tij e famshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Diku, në një gur të
këmbanores, ai ka gdhendur edhe emrin e bukur Mirditë. Këtu, qëndroi dhe
ndërtoi absidën e kishës edhe Gjergj Fishta, i cili shkroi këtu
fragmente nga tragjedia e tij “Juda Makabe. Shërbeu gjer në fund të
jetës dijetari, etnologu dhe folkloristi i njohur Bernardin Palaj.

Por,
edhe piktori At Leon Kabashi, i cili me art veç afreskëve të kësaj
kishe, kishte pikturuar më parë edhe kapelat e kishave të Shkodrës. Sot,
afresket mahnitëse të piktorit mirditor Kabashi, fatkeqësisht, janë
dëmtuar ose janë lënë në harresë të plotë. Rrënojat e vjetra të kolegjit
të dikurshëm françeskan pranë kësaj kishe, ekspozojnë dhimbshëm
indiferencën tonë ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore.

Bëhet
fjalë për objekte dhe treva, ku historia risjell në kujtesë, pjesë të
identitetit dhe ndërgjegjes sonë kombëtare. “Në këto territore ka
ekzistuar principata e Arbërit dhe në këtë vend nuk ka pasur asnjë lloj
pushtimi.

Këtu është përdorur për herë të parë fjala komb të
cilën e kemi të datuar”, pohon Gjoni. Mesha e së dielës mbaron. “Ju
nimoftë!…” është urimi që i bëjnë njeri tjetrit dhe grupit tonë të
xhirimit banorët vendas. Të cilët, kishën e Shelbuemit e besojnë si një
vend të shenjtë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi