Share
Shko poshtë
avatar
Miikaaa
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Australia
 <b>Mosha</b> Mosha : 29
<b>Postime</b> Postime : 3712
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2013

default Partishmëri

prej Sun 24 Mar 2013 - 12:23
EDMOND TUPJA Partishmëri Edmond-Tupja

Fjalët janë si njerëzit: fillimisht lindin, pastaj jetojnë e përdoren, së fundi plaken e harrohen. Sot, njëzet e ca vjet që nga shembja e regjimit hoxhist, jo pak fjalë e terma kanë dalë nga fjalori politik i atëhershëm, pjesë e gargarës ideologjike kombëtare, dhe nuk përdoren më, ose përdoren rrallë e më rrallë; kështu, për shembull, në ato kohëra të zymta, fjala “partishmëri” kishte një frekuencë shumë të lartë përdorimi siç e dëshmon, me shembujt e tij, edhe “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980): “…Partishmëria proletare. Partishmëria borgjeze… Partishmëria në filozofi (në shkencë)… Parimi i partishmërisë. Forcimi i partishmërisë. Fryma e partishmërisë. Vepër me partishmëri. Njerëz me partishmëri të lartë. Qëndrim me partishmëri”. Po kështu edhe fjala “i partishëm”: “Art i partishëm. Letërsi (kulturë, shkencë) e partishme. Vepër e partishme. Shkrimtar i partishëm. Njerëz të partishëm. Qëndrim i partishëm”. Në ditët tona, fjala “partishmëri” dhe rrënja e saj “i partishëm”, ndonëse figurojnë në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) krejt të depolitizuara (“të qenët i partishëm; qëndrim i partishëm” dhe “që shpreh e mbron parimet e interesat e një partie”) dhe janë shumë më të shkurtra se te fjalori i vitit 1980, nuk përdoren fare as në mediat e shkruara, as në ato elektronike. Po ta vrasë mendjen më thellë, më gjatë e më gjerë, lexuesi im i durueshëm dhe largpamës mund të arsyetojë si vijon: Dikur, te ne kishte vetëm një parti, PPSH-ja, dhe termat “partishmëri” dhe “i partishëm” paskan pasur një frekuencë të lartë përdorimi në tërë mediat e asaj kohe, kurse sot kemi disa dhjetëra parti parlamentare e jashtëparlamentare, veçse – ndryshim themelor – përdorimi i dy termave të lartpërmendura është thuajse në nivelin zero. Si shpjegohet kjo dukuri? Mos vallë partitë shqiptare nuk kanë parime e interesa për të shprehur e mbrojtur? Apo kanë vetëm një interes e vetëm një? Në rast se është kështu, për ç’interes bëhet fjalë? Të sotëm apo të ardhshëm? Kombëtar, shoqëror apo individual? Idealist apo materialist, ose, e thënë më shkoqur, të shpirtit apo të xhepit? Nga ana tjetër, fjalët “udhëheqës” e “udhëheqje” janë zhdukur praktikisht nga qarkullimi mediatik ose thjesht bisedor, për t’u zëvendësuar me ato “lider” e “lidership” (nipi i vogël i Francesk Armadhit ende i shqipton “liderr” dhe “liderrdhip”, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara titaneske të të gjyshit që ai t’i drejtshqiptojë për të mos u lënë shteg interpretimeve subjektive me nëntekst erotik, prandaj edhe e ka vënë t’i përsërisë këto dy fjalë duke i ndarë në rrokje: “li-der” dhe “li-dership” si etapë e parë e korrigjimit të shqiptimit të tyre; mirëpo nipçja, që, me sa duket, vuan nga disleksia, nganjëherë e shtrembëron edhe më keqas fjalën “lidership”, sidomos duke e shqiptuar (u kërkoj ndjesë veshëve tejet të moralshëm hetero, homo apo bi, femërorë apo mashkullorë, shkencorë, kulturorë apo sportivë etj., etj.), pra, duke e shqiptuar dhe transformuar si mos më keq nga “liderrdhip” në “liderrpi…” (këtu, fatkeqmirësisht mungon shkronja “dh”). Sidoqoftë, fëmija nuk ka faj, sepse, me gjasë, sëmundjen e tij e ka trashëguar nga vetë i gjyshi, shkronja e fundit e emrit të të cilit, duke u lidhur me dy shkronjat e para të mbiemrit të tij, jep një shartim tmerrësisht erotik!) Për fat të mirë, këtë shtrembërim në gojën e nipçes nuk e kanë pësuar fjalët “i partishëm” dhe “partishmëri”, ku disleksiku ynë i padjallëzuar mund të bënte hatanë. Po, po, hatanë, i dashur lexues i përjavshëm i kësaj rubrike, për shembull, duke e zëvendësuar, bash te këto dy fjalë, shkronjën “t” me shkronjën “dh”, por edhe më keq akoma (mos e dhëntë Perëndia!) me shkronjën “q”.


Burimi: http://www.panorama.com.al
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi