Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Miikaaa
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Australia
 <b>Mosha</b> Mosha : 34
<b>Postime</b> Postime : 3712
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2013

Rajonalizim për globalizim Empty Rajonalizim për globalizim

Tue 2 Apr 2013 - 18:07
Rajonalizim për globalizim Valbona-zeneli

VALBONA ZENELI
Ekonomia botërore po vuan një nga krizat më të rënda që prej Luftës së Dytë Botërore, e shoqëruar me një rënie të tregtisë dhe investimeve gjatë viteve 2009-2010, por me shenja shpresëdhënëse rimëkëmbjeje gjatë dy viteve të fundit dhe parashikime rritjeje ekonomike botërore prej 3.2 për qind për vitin 2013.
Disa nga faktorët kryesorë për këtë rritje të ngadaltë janë të mirënjohur, si: papunësia, kriza e borxhit sovran në eurozonë, problemet dhe shtrëngesat fiskale, që kane afektuar si vendet e zhvilluara, edhe ato në zhvillim.
Ajo që tërheq vëmendjen, me gjithë pasigurinë e vazhdueshme ekonomike, trazirat në tregjet financiare dhe rritjen e ngadaltë, vendet në mbarë botën vazhdojnë të liberalizojnë dhe promovojnë investimet e huaja direkte (IHD) si mjet për të suportuar zhvillimin ekonomik.
Si përgjigje ndaj krizës, një gjeneratë e re reformash dhe partneritetesh po shfaqen kudo. Mobilizimi i investimeve për rritje të qëndrueshme po kthehet në prioritet për të gjitha vendet.
Masat e ndërmarra në dy vitet e fundit në kuadër të këtyre politikave janë përgjithësisht të favorshme për investitorët e huaj, me forma dhe incentive të ndryshme sipas vendeve; duke targetuar industri specifike, politika të reja privatizimesh apo masa për lehtësim procedurash administrative.
Si rrjedhojë pozitive e këtyre masave, fluksi global i investimeve të huaja direkte (IHD) u rrit me 16 për qind në vitin 2011, krahasuar me një vit me parë, duke arritur 1.5 trilionë dollarë amerikanë, madje duke tejkaluar edhe vitet 2005-2007 të para krizës. Por përsëri duke mbetur mbrapa nivelit më të lartë të IHD-ve të arritur në 2007-n, që arrinte 2 trilionë dollarë.
Së bashku me sfidat e mëdha, kriza ekonomike tregoi edhe disa mësime të rëndësishme për ekonominë globale, me efekt në formimin e politikat e reja.
Ka një pranim universal, p.sh. fakti se kriza aktuale ka theksuar një zhvendosje afatgjatë të peshës ekonomike nga vendet e zhvilluara në ato në zhvillim; kriza financiare në veçanti ka rritur rolin e qeverisjes në ekonomi, duke i udhëhequr politikëbërësit të reflektojnë drejt një paradigme të re zhvillimi, që vendos zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në të njëjtën baraspeshë me rritjen ekonomike. Kjo krizë ka nxjerrë gjithashtu në pah se bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik është imperativ, sepse asnjë vend nuk mund t’i adresojë në izolim sfidat e këtij shekulli.
Si përgjigje, politikat në lidhje me investimet ndërkombëtare janë rritur në mënyrë domethënëse, me intensifikim të traktateve rajonale. Ka një rritje të shpejtë të rajonalizimit. Marrëveshjet botërore midis vendesh të ndryshme kapën shifrën prej 3164 në vitin 2011 dhe përfshinë 2833 traktate investimesh bilaterale dhe 331 marrëveshje tregtie të lirë rajonale.
Rritja e peshës dhe impaktit të marrëveshjeve rajonale evidencohet edhe nga dy nga marrëveshjet e mëdha që janë në fazë negocimesh, të cilat ishin edhe fokusi i konferencës së fundit për Tregtinë Ndërkombëtare të organizuar në Washington, e cila mblodhi bashkë politikëbërës, akademikë dhe biznese nga e gjithë bota.
Marrëveshja e Partneritetit Transpaqësor sapo përfundoi raundin e gjashtëmbëdhjetë të negociatave. Qëllimi është përshpejtimi dhe përfundimi i negociatave, për të krijuar mundësi më të mira investimesh dhe tregtie që do të lidhnin Amerikën e Veriut dhe të Jugut me tregjet dinamike të rajonit të Azisë Pacifike. Nënsekretari i Tregtisë së SHBA, Sanchez, shpjegoi qartë në këtë konferencë benefitet dhe dimensionet pozitive që kjo marrëveshje do të sillte për ekonominë botërore, veçanërisht në sigurimin e standardeve të reja të larta për ekonominë globale dhe një platformë ndërkombëtare për konkurrencë të ndershme.
Një tjetër marrëveshje shumë premtuese është Partneriteti Transaltlantik për Tregti dhe Investime midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që do të ishte marrëveshja më e madhe bilaterale e negociuar ndonjëherë, megjithëse SHBA dhe BE edhe aktualisht gëzojnë marrëdhënien më të madhe tregtare bilaterale dhe integrimin ekonomik më të fortë.
Presidenti Obama e deklaroi angazhimin e tij të fortë ndaj këtij partneriteti, gjatë fjalimit të tij vjetor para kongresit dhe kjo u riforcua edhe më shumë gjatë takimeve të sekretarit Kerry, të mbajtura gjatë vizitës së tij në Europë javën e fundit. Edhe liderët europianë kanë shprehur inkurajimin e tyre të fortë, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, të cilët bëjnë thirrje për një përshpejtim të hapjes së negociatave në qershor, dhe Francën e cila është pak më hezituese në lidhje me përshpejtimin e këtij procesi.
Duke pasur parasysh mesataren e ulët të taksave ekzistuese midis SHBA dhe BE, rreth 3 për qind, çelësi për zhbllokimin e mundësive është lufta ndaj barrierave jo-tarifore, që më shumë konsistojnë në procedura doganore dhe kufizime të tjera rregullatore, si edhe masa jo-tarifore, të lidhura me aspekte të sigurisë apo të mbrojtjes konsumatore.
Krijimi i një zone tregu krejtësisht të lirë do të sillte një konvergjencë të qasjeve rregullatore dhe do të forconte dhe riformatonte ekonominë globale si të tërë. SHBA dhe EU janë motorët e ekonomisë botërorë, me ekonomitë më të mëdha të saj, të cilat përbëjnë më shumë sesa gjysmën e GDP-së botërore dhe rreth 40 për qind të flukseve totale të tregtisë.
Kjo marrëveshje do të ishte frytdhënëse për rimëkëmbjen e BE-së, për shkak të interesit të lartë të saj për tregun amerikan. Investimet europiane në SHBA janë sa tetë herë këto investime në Indi e Kinë të marra së bashku. Parashikohet që nga ky partneritet do të kishte një rritje të menjëhershme ekonomike prej 0.5 për qind për vendet e BE-së.
Kjo qasje e re ndaj marrëveshjeve të gjera i përgjigjet më mirë realitetit te sotëm ekonomik, në të cilin investimet dhe tregtia ndërkombëtare janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhura e mund të sjellin konsolidim dhe harmonizim te rregullave të investimeve kudo në botë, duke krijuar kështu konkurrencë të ndershme.
Por si përkthehet kjo politikë globale në mësime dhe reforma për vendet e Europës Juglindore? Rajoni u prek në mënyrë indirekte nga kriza ekonomike përmes efekteve përhapëse negative, si: rënia e investimeve të huaja, më e forta e ndonjë tregu në zhvillim në vitin 2009, me një kontraksion mesatar të IHD-ve prej 30 për qind, të krahasuara me 8 për qind të mesatares globale; rënia e eksporteve dhe tregtisë, ulja e remitancave dhe impakti i krizës greke.
Sipas Bankës Botërore, asnjë rajon tjetër në Europë nuk po përjeton rimëkëmbje më të ngadaltë sesa Ballkani Perëndimor, me ulje të vazhdueshme të prodhimit ekonomik, rritje te papunësisë (në disa raste më e lartë se 25 për qind), apo borxhe publike të rrezikshme, duke hyrë kështu pothuajse në një recesion të dytë, me GDP që llogaritet që është ulur me 1.2 për qind në vitin 2012.
Niveli i ulët i IHD-ve në vitet e fundit nuk varet thjesht nga mungesa e burimeve financiare globale, por ka një krizë besimi. Megjithëse Europa Juglindore ofron mundësi unike për shkak të pozicionit strategjik, afërsisë me tregjet perëndimore, burimeve natyrore, kostos relativisht të ulët të punës, përsëri thith më pak se 3 për qind të investimeve globale, me Malin e Zi që ka nivelin më të lartë të stokut të IHD-ve, 9178 dollarë për banorë në vitin 2011 dhe Shqipërisë dhe Kosovës respektivisht me nivelet më të ulëta, 1462 dhe 1200 dollarë për banore (statistikat për Kosovën nuk janë shumë të qarta). Investimet në rajon janë kryesisht në kërkim tregu, të lidhura me procesin e privatizimit dhe rrallë të orientuara drejt eksporteve.
Ngurrimi i investitorëve të huaj për t’u angazhuar seriozisht në këtë rajon është i lidhur me rritjen e vakët ekonomike, problemet strukturore të ekonomive, nivelet e larta të korrupsionit, problematikat qeverisëse, cilësinë e edukimit profesional, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Përgjigjja ndaj këtij rrethi vicioz do të ishte bashkëpunimi më i mirë rajonal, i rëndësishëm për të rritur impaktin e rajonit në tregjet globale. Vendet në veçanti janë tepër të vogla dhe të dobëta për të gjeneruar ekonomi shkalle dhe kapacitet të mjaftueshëm për të tërhequr investime prodhuese; ato nuk kanë numrin e nevojshëm të krahut të punës të kualifikuar, kapacitet financiar lokal apo mundësi për të mbështetur grupime ekonomike (clusters).
Një zonë e re ekonomike duhet të krijohet në rajon, me një treg të lirë dhe ekonomi ndërvepruese. Nivelet e tregtisë ndërrajonale janë shumë të ulëta, shumë poshtë potencialeve. Ekziston në letër një kuadër i mirë bashkëpunimi, marrëveshja rajonale CEFTA 2006, e cila ka ulur në mënyrë të ndjeshme tarifat midis vendeve dhe ka lehtësuar procedurat administrative, por ka ende implementim të dobët. Problemet kryesore mbeten barrierat jo-tarifore, duke përfshirë këtu procedurat e gjata apo korrupsionin e gjerë. Një shembull i mire i këtyre vështirësive është tregtia problematike midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin rajonal duke synuar një liberalizim të plotë të tregtisë dhe eliminimin përfundimtar të tarifave dhe kuotave, duke harmonizuar dhe adaptuar sipas standardeve të EU-së praktikat tregtare dhe doganore. Ky integrim më i thellë duhet bazuar mbi një kuadër të përbashkët projektesh, reformash institucionale dhe infrastrukturore, me një qellim strategjik: për të projektuar stabilitet financiar kolektiv, rritje dhe prosperitet dhe tërheqje të kapitalit të huaj cilësor.
Në kushtet e krizës dhe boshllëkut financiar në rajon, vendet duhet të fokusohen në politika dhe reforma që krijojnë një ambient miqësor jo vetëm për tërheqjen e investimeve të dëshirueshme, por edhe drejtimin e tyre drejt sektorëve që nxisin investimet lokale, duke bërë të mundur rritjen e kapaciteteve produktive vendëse, nxitjen e konkurrencës dhe zhvillimin e kapaciteteve absorbuese, që përfshijnë burimet njerëzore, teknologjinë, know how etj.
Por për rajonin tonë, siguria dhe bashkëpunimi ekonomik janë të rëndësishëm edhe për t’i dhënë fund historisë së gjatë të linjave ndarëse midis shteteve, problematikave rajonale, mosmarrëveshjeve dhe mungesës së bashkëpunimit.
Rajonalizimi shpesh keqkuptohet duke ngritur një debat fals të zgjedhjes midis rajonalizimit dhe integrimit global. Integrimi rajonal nuk është për të krijuar ishuj, por për të ndihmuar vendet e vogla dhe të dobëta të rrisin kapacitetet prodhuese, për akses më të lehtë në tregjet globale. Është më shumë sesa thjesht akses tregtar preferencial midis fqinjëve, është liberalizim i tregjeve të punës, infrastrukturë rajonale dhe ndërveprim institucional.
Kjo ide është shtyrë dhe mbështetur nga BE si një hap përgatitor për këto vende para hyrjes në Tregun e Përbashkët Europian. Por si çdo ide e mirë dhe sfiduese, një vullnet i fortë politik i të gjitha palëve është i nevojshëm. Por koha e duhur është tani. Krizat ekonomike zakonisht sjellin pas edhe reforma të vërteta dhe partneritete, të cilat në kohë normale do të ishin shumë të ngadalta. Ashtu siç thoshte edhe Churchill “Tani që kemi mbetur pa para, duhet të fillojmë të mendojmë”.
*Autorja është profesoreshë në George C. Marshall, Qendra Europiane e Studimeve të Sigurisë.
Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të qendrës “Marshall”, Departamentit të Mbrojtjes apo të qeverisë së SHBA./panorama
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi