Share
Shko poshtë
Anonymous
Vizitor
Vizitor

default Dyqind vjetët e dy klasikëve

prej Sun 28 Apr 2013 - 14:29
Dyqind vjetët e dy klasikëve 936755_492227650842626_2053258005_n

Ambasadori italian mund të mos jetë shumë i infiltruar në jetën kulturore dhe atë politike në Kosovë, por kur duhet ta kujtojë një prej përfaqësuesve më të denjë të kulturës së shtetit të tij nëpër botë ai nuk përton që për dy orë të kapë me sy katër solistë që kanë vendosur t'ia sjellin edhe gjuhën e tij, në mes të Prishtinës. Besa Llugiqi, Lekë Salihu, Armaldo Kllogjeri dhe Riad Ymeri i kanë sjellë Michael Louis Giffoni një natë sikur të ishte në shtëpinë e tij. Katërshja për 90 minuta ka “bërë luftë” me notat e larta që repertori i Verdit e Wagnerit ofrojnë për këngëtarët e muzikës klasike.
Xhuzepe Verdi dhe Richard Wagner, përfaqësuesit më të mëdhenj të formës më komplekse muzikore dhe jo vetëm asaj romantike, një italian e tjetri gjerman, këtë vit i kujtojnë klasikës botërore 200-vjetorin e lindjes. Një natë plot glamur Verdit e Wagnerit ia kanë kushtuar edhe katërshja që ka performuar në kuadër të edicionit të sivjetmë të “Chopin Piano Festival”, të enjten mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, kjo me një sallë të mbushur me adhurues të muzikës klasike.Kllogjeri, tenor shqiptar dhe mysafir në këtë mbrëmje, tregon se me gjithë tendencën dhe klishenë se në Kosovë ka një favorizim ndaj folklorit, ai nuk e ka përkrahur dhe nuk është mbështetur asnjëherë mbi këtë ide.
“Unë megjithatë e kam ditur se nëse publikut në Kosovë i ofrohet një material i bukur, diçka e bukur dhe e pëlqyeshme për vesh, atëherë ai do ta pranojë këtë. Plus ne e kemi në gjen që të pëlqejmë muzikën klasike”, pohon Kllogjeri, derisa të enjten mbrëma në Sallën e Kuqe midis veprash tjera atij i ka takuar të performojë pjesën e famshme nga Rigoletto “La Donna e Mobile”. Rolin e Dukës së Mantovës Kllogjeri nuk e ka për herë të parë, ndërsa të njëjtën performancë e ka thënë edhe në Teatrin Carlo Felice në Genua.
“Në Kosovë kam kënduar edhe më parë, dhe e di që publiku është i zjarrtë, këtë e vërtetoi edhe në mbrëmjen e sotme”, thotë Kllogjeri. I pyetur për dallimin mes publikut nga Kosova dhe atij nga Shqipëria në raportin me muzikën klasike, ai thotë se është i njëjti karakter reagues.
“Jemi praktikisht një popull, dhe kështu tradita të njëjta, kemi të njëjtin karakter dhe çdo gjë është pothuajse e përafërt. Me Riadin kam performuar edhe më herët në Teatrin e Operës dhe Baletit kjo tek Opera e Skënderbeut, prandaj kombinimi i katërshes mendoj se ka dalë ashtu siç kemi planifikuar dhe ushtruar”, pohon Kllogjeri. Në vitin 2006 në Shqipëri ai zgjidhet edhe si tenori më i ri dhe si tenori më i mirë i vitit.
12 vepra në total janë performuar të enjten, midis tyre aria e Lekë Dukagjinit “Kjo zemra ime, vlon si ujë i valë”, “O figli, figli miei!”-pjesë nga Makbethi ndërsa ajka e mbrëmjes është sjellë në formacion katërsh me “Libiamo ne lieti calici” nga La Traviata.
Sopranoja Besa Llugiqi, pas koncertit ka treguar se niveli i gjuhës italiane që ajo posedon i ka ndihmuar tej mase në performimin e veprave.“Unë e kam mësuar italishten në fakultet, por më duhet edhe për shkak se unë mbaj leksione private tek një profesoreshë në Sofie dhe ajo flet vetëm italisht. Plus, gjuha italiane njihet si gjuha e këngëtarëve, është e domosdoshme”, tregon Llugiqi. Të enjten ajo ka sjellë në frëngjisht “Les chemins de l'amour” nga Poulenc, e në italisht “Un di felice etera” nga Alfredo, kjo bashkë me tenorin Riad Ymeri.
“Nuk është hera e parë që kemi bashkëpunime të tre bashkë, prandaj kjo na ka ndihmuar të jemi më komod. Për mua normal që ka qenë privilegj bashkëpunimi dhe sidomos shkaku pse sot kemi mbajtur një koncert të tillë”, pohon Llugiqi. Ajo tregon se rreth 1 muaj kanë zgjatur përgatitjet për koncert.
Riad Ymeri, tenor tjetër pjesëmarrës në koncert tregon se me shumë përgjegjësi këndon diçka nga Verdi. “Për mua Verdi mbetet favorit, ndoshta sepse edhe jam duke e punuar një program të tillë. Verdi ka pasur shkollën më të mirë të këndimit dhe ai këngëtar që merr pjesë nga Verdi, ai do të këndojë për shumë gjatë”, tregon Ymeri. Dikur profesoresha e tij, mexosopranoja Merita Juniku ka çmuar lart këndimin e këtij të fundit.
“Riadi është një nga pasuritë më të mëdha dhe tenorët më të mirë që kemi. Ai po ec hapave të sigurt, të mëdhenj dhe është resurs i madh për ne. Besa është soprano e shkëlqyeshme, Leka gjithashtu është i suksesshëm dhe jemi me fat që e kemi. Programi ishte i përzgjedhur në mënyrën më të mirë dhe mua më ngjalli emocion”, pohon Juniku. Opera, forma më e madhe muzikore skenike është trajtuar me shumë mjeshtëri nga të dy kompozitorët, ato të Verdit një lloj vazhdimësie e “bel cantos” italiane e cila evidentohet lehtë në krijimet e tij të para.
Mbrëmja e fundit në kuadër të edicionit të “Chopin Piano Fest” mbahet me datë 28 prill, kur vijnë në bashkëpunim Gotlieb Wallisch, Lejla Haxhiu Pula dhe Rene Gulikers, bashkë me solistët dhe trupën e Filarmonisë së Kosovës. /Zeri Info /
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi