Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

57 kryeministra, kush ka qeverisur Shqiperine Empty 57 kryeministra, kush ka qeverisur Shqiperine

Wed 29 May 2013 - 14:21

Postuar më: 8 orë më parë
57 kryeministra, kush ka qeverisur Shqiperine
57 kryeministra, kush ka qeverisur Shqiperine
ARTIKUJ TE TJERE

Premtimet me te cuditshme te fushates zgjedhore shqiptare »
Premtimet me te cuditshme te fushates zgjedhore shqiptare Politikanet shqiptare njihen per premtimet e tyre te fryra...
20 kokteilet me te mira te veres »
Vera po afron. Plazhi, deti, rera e ngrohte dhe dielli...
Kjo KQZ eshte ilegjitime pa 7 anetare »
Interviste per ?JAVA? me ish-nenkryetaren e KQZ-se,...

Kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, janë dashuruar dhe urryer politikisht, janë përqafuar me një dorë dhe kanë shtrënguar thikën në dorën tjetër, kanë mbijetuar në lavdi mbi karriget e tyre dhe janë zhytur në anonimat mbas largimit; gjithë historitë politike të kryeministrave shqiptarë në periudhën e pluralizmit. Që nga shpallja e pavarësisë kanë qene 56 të tillë, kush do të jetë i 57-i?

Ka mjaftuar një fjalim elektoral dhe menjëherë u ngrit një stuhi politike e mediatike: kush do të jetë kryeministri i 57-të i Republikës së Shqipërisë. Nasip Naço, ish-ministër i LSI dhe një nga kandidatët e kësaj partie për deputet në qarkun e Beratit, në prani të kamerave televizive dhe për më shumë, edhe në prani të Ilir Metës, e shpalli atë si “kryeministrin e ardhshëm dhe të provuar në të shkuarën”. E kishte thënë dhe më parë në takime elektorale, por publiciteti që ju dha kësaj deklarate, provokoi shumë reaksion në të majtë dhe natyrisht, edhe një shtyrje urësh zjarri nga e djathta që kërkon me çdo kusht të ketë vatra tensioni tek kundërshtarët e saj. Në të vërtetë, emri i ri i kryeministrit është një temë delikate dhe me një rëndësi të posaçme për të nesërmen e vendit dhe e meriton çdo lloj diskutimi.

Aq më tepër në rrethanat e sotme kushtetuese të vendit, kur neni 1 i Kushtetutës: “Shqipëria është Republikë Parlamentare”, përgënjeshtrohet fort 94 nene me pas e në vijim, në kapitullin “Këshilli i Ministrave”, kur atributet e kryetarit të Këshillit të Ministrave, e shndërrojnë pa dyshim Shqipërinë në një Republikë tipike Kryeministrore. Mënyra e emërimit dhe shkarkimit, kompetencat e tij dhe gjithashtu, edhe sistemi zgjedhor që i jep fuqi të plotë kryetarit të partisë në përpilimin e emrave të deputetëve të ardhshëm, e bëjnë kryeministrin njeriun më të fuqishëm në vend. Edhe pse në protokollin e shtetit, emri i tij renditet i treti në rradhë mbas atij të Presidentit të Republikës dhe kryetarit të Kuvendit.

Në fakt, me fare pak përjashtime, posti i kryeministrit në Shqipëri, në një shekull ekzistencë të shtetit të pavarur si rregull dhe jo përjashtim, nuk ka afruar fat të mbarë personal për ata që e kamë ushtruar këtë funksion. Duke nisur me kryeministrin e parë Ismail Qemali dhe duke e mbyllur listën me Sali Berishën si kryeministri i 56-të i vendit, shumë nga ta kanë pasur fat tragjik. Ismail Qemali vdiq në vetmi në Itali, gjashtë kryeministra të tjerë nuk kanë patur vdekje natyrale, por janë ekzekutuar, katër nga ta kanë përfunduar në burg dhe një pjesë tjetër kanë vdekur në mjerim dhe të tjerë akoma, kanë provuar bukën e hidhur të emigracionit dhe të anonimatit.

Në vitet 90’, Fatos Nano dhe Vilson Ahmeti kanë përfunduar gjithashtu në burg, kurse Adil Çarçani, kryeministri i fundit komunist, vdiq në arrest shtëpie në pritje të procesit të tij nën akuzën e genocidit.
Me shpalljen e pluralizmit, në Shqipëri kanë qeverisur 9 kryeministra. I pari ndër ta, Adil Çarçani, ishte një kryeministër i dobët. Roli udhëheqës i Partisë së Punës, i përcaktuar dhe në kushtetutën komuniste të vitit 1976, e vinte atë direkt nën kontrollin e partisë. Dha dorëheqjen mbas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës dhe që nga ai moment, ndonëse në mënyrë shpesh arkaike, politika shqiptare nisi të marrë tiparet e një lloj politike artizane, shpesh edhe qesharake, shpesh edhe tragjike.

Revista Java bën një udhëtim në biografitë e kryeministrave që kanë drejtuar vendin në pluralizëm. Të përbashkëtat dhe diferencat mes tyre, miqësitë dhe armiqësitë të kushtëzuara sa nga koha, po aq edhe nga karakteret individuale të këtyre personazheve, janë edhe një tregues që dëshmon se nga është ardhur dhe ku shpresohet të shkohet.

Fatos Nano, 61 vjeç

Që përpara viteve 90’, karriera e tij dukej e shënjuar për mbarë. Punonjës në Institutin e Studimeve Marksiste – Leniniste, Nano ishte i njohur në ambientet intelektuale të kohës nga një profil liberal, që në zhargonin e kohës barabitej me termin “çun garip”. I kulturuar, njohës i disa gjuhëve të huaja, i ardhur nga një familje e lidhur me regjimin komunist, por dhe i përkrahur nga Ramiz Alia, Nano dukej se plotësonte kushtet për të qenë emri vijues i qëndrimit në pushtet të komunistëve me emër të ndryshuar. Ai bëhet kryeministër mbas Adil Çarçanit, por emërimi i tij ndeshi në kundërshtinë e opozitës dhe protestat e forta të sindikatave e detyruan të japë dorëheqje vetëm mbas dy muajsh. Fati i tij ishte që u zgjodh kryetar i partisë socialiste dhe të bëhej kryetari i kësaj partie, e cila për herë të parë që nga 1944-a, doli në opozitë. Çfarë do të ishte fatalitet në jetën e tij personale – burgosja me akuza politike në korrik 1993 – do të kthehej në shansin e tij të madh politik.

Me ardhjen e PS-së në pushtet në 1997, do të bëhej sërish kryeministër. Zgjati pak më shumë se një vit në këtë detyrë. Në tetor 1998 dha dorëheqjen sepse nuk mundi të menaxhojë as grushtin e shtetit të Berishës në shtator 1998 mbas vrasjes së Azem Hajdarit dhe as ekuilibret e brendshëm dhe plot dinamika në partinë e tij. U rikthye sërish në krye të qeverisë në 2002-shin, kur kuptoi se ambicja e tij presidenciale nuk mund të realizohej në atë mandat. Qeverisi me plot dritëhijë deri në zgjedhjet e 2005-ës, kur dorëzoi pushtetin përballë opozitës fituese të Sali Berishës. Eshtë ndoshta politikani që ka humbur më shumë se kushdo tjetër elektorat gjatë qeverisjes së partisë së tij në dy mandate.

Epilogu që i dha asaj qeverisjeje – dorëzimi i shtetit me dosje tek fituesi, siç është bërë e udhës të thuhet - mund t’i mjaftonte që të mbetej gjatë në kujtesë si një simbol i të majtës, por dhe si politikan modern. Por zigzaget që e shoqëruan rrugëtimin e tij më pas, i humbën mundësinë e të parës dhe e nxorrën në dritën e zakonshme të politikanëve shqiptarë: inatçorë e egoistë, që për hir të pleshtit që i shqetëson, janë të gatshëm të djegin edhe jorganin vetjak dhe atë të të tjerëve. Afrimi me ish-armikun e tij të hershëm dhe kundërvënia e fortë ndaj partisë së tij, e kanë lënë atë në periferi të politikës shqiptare. Dështoi edhe në vitin 2007 dhe 2012 për të marrë postin e presidentit të republikës, ndërkohë që ka shpallur sërish publikisht ambicjen për të garuar për këtë post në zgjedhjet e ardhshme të kreut të shtetit në vitin 2017.

Aktualisht jeton mes Tiranës dhe Vjenës, me një premtim të pambajtur ndërkohë, që do të qëndrojë në Vlorë për të bërë fushatë për ish-ministrin e tij Arben Malaj që konkurron si i pavarur në qarkun e Vlorës në këto zgjedhje.

Ylli Bufi, 65 vjeç

Pasoi Nanon në krye të një qeverie emergjente që u krijua në qershor 1991. Ajo u quajt qeveria e stabilitetit. Kishte shumë pak hapësirë për të punuar sepse vendi ndodhej në krizë të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike. Misioni i kësaj qeverie ishte thjesht garantimi i mbijetesës së qytetarëve, por dhe qetësimi i politikës. Qeveria e konfiguruar mes pozitës dhe opozitës së kohës, megjithatë, pjesën e dytë të këtij misioni mundi ta realizojë. Në mënyrë paradoksale, suksesi i saj u bë dhe shkak i dështimit. PD, opozita kryesore e kohës u tërhoq në dhjetor 91’ nga qeveria edhe pse me një qeveri të tillë, ajo hynte në dizavantazh në zgjedhjet që priteshin disa muaj më pas. Bufi e vazhdoi karrierën e tij politike si antar i Kuvendit dhe me rikthimin e socialistëve në pushtet, ka qenë deri në zëvendëskryeministër dhe disa herë ministër. Nga viti 2009 kur nuk u propozua më në listat e deputetëve të Partisë Socialiste, Bufi është tërhequr në jetën e tij private. Për momentin, ka ndërtuar një forum të hapur dhe elitar të quajtur ShtetiWeb, që “survejon” mirëqeverisjen e vendit dhe kontrollin publik të saj.

Vilson Ahmeti, 63 vjeç

Me profesion inxhinier mekanik, Ahmeti ishte pak i njohur në Tiranën e trazuar të fillimviteve 90’. Pretendohet se emri i tij është përmendur për herë të parë nga Ramiz Alia, atëherë President i vendit dhe gjeti menjëherë konsensusin e të gjitha forcave politike të vendit.

Frut i këtij konsensusi ishte programi i qeverisë së quajtur teknike, formuar në dhjetor 1991, e cila do të siguronte kushtet për zgjedhjet që priteshin të mbaheshin në marsin e një viti më pas. Fataliteti e ndoqi Ahmetin sepse në janar 1993 ai u arrestua nën akuza që kishin të bënin me skandalin Arsidi, në të cilin shteti shqiptar humbi së paku 1.6 milionë dollarë. Sipas akuzës, Ahmeti kishte tejkaluar programin e qeverisë së tij. Eshtë shumë pranë të vërtetës pretendimi se ai u bë kokë turku për të fshehur përfshirjen në këtë skandal të presidentit autoritar të kohës Sali Berisha, i cili i kishte dhënë “kredenciale” publike mashtruesit francez. Ahmeti do të rifitonte më pas pafajësinë e plotë, por që atëherë ai është kthyer në jetën e tij private.

Aleksandër Meksi, 74 vjeç

Një nga themeluesit kryesorë të opozitës kryesore të vendit, një nga profesorët më të njohur të kohës, me mësimdhënie dhe në katedra jashtë Shqipërisë, Meksi ishte nga intelektualët më të njohur të Tiranës së viteve 90’. I padënuar nën komunizëm, por i ndjekur brutalisht nga sigurimi i shtetit si armik i sistemit që në vitet 70’, antikomformist dhe kontravers, Meksi është një nga kasafortat ende të mbyllura të mistereve shqiptare të viteve 90’. Kryetar për pak orë i partisë demokratike përballë Sali Berishës, Meksi u “tradhëtua” në atë proces pikërisht nga njerëzit që shumë shpejt do të bëheshin kundërshtarët më të rreptë të Berishës, Ceka, Imami, Zogaj e të tjerë. Për ironi të fatit, të gjithë ata sot janë rikthyer sërish tek Berisha, kurse Meksi është i vetmi që ka ruajtur që nga viti 1997 një distancë politike, morale dhe intelektuale me të.

Ai u zgjodh kryeministër i vendit në prill 1992 dhe u dorëhoq në mars 1997. Të paktën pjesa e parë e mandatit të tij ishte e suksesshme. Garantimi i furnizimit të popullatës, rendi publik, reformat e para në të gjitha fushat për dekomunistizimin e vendit, privatizimet dhe krijimi i një korpusi të konsiderueshëm ligjor, ishin disa nga arritjet e shënjuara dhe të njohura nga miqtë dhe kundërshtarët e tij. Qeverisja e Meksit kishte zgjedhur një profil të ulët publik dhe të paktën në dukje, dukej se kishte mbi vete hijen e ish-presidentit Berisha, që kontrollonte Forcat e Armatosura, Shërbimet sekrete dhe mjetet e propagandës. Në shpërthimin e krizës së piramidave financiare, qeveria e tij është akuzuar se të paktën kishte toleruar dhe më së shumti, se kishte ndihmuar në krijimin e lulëzimin e tyre.

Meksi është tërhequr nga politika aktive në vitin 2009, kur ishte ftuar të drejtonte të djathtën alternative të PD-së në zgjedhjet e atij viti. Ka pretendime të shumta se votat e koalicionit që ai drejtonte u masakruan në numërim në të gjithë Shqipërinë. Tani Meksi vazhdon të merret me botimin e korpusit të librave të tij shkencorë dhe politikë,

Bashkim Fino, 52 vjeç

Eshtë përmendur shpesh se kur i thanë në Gjirokastër se do të bëhej kryeministër i qeverisë së pajtimit kombëtar, as ai vetë nuk e ka besuar. Ish-kryetari i bashkisë së Gjirokastrës ishte emri i fundit që Berisha kishte pranuar në tryezën e partive, në pikun e krizës së marsit 1997. Berishës i kishte bërë përshtypje bashkiaku i ri socialist në një nga vizitat e tij në Gjirokastër sepse ndryshe nga të tjerët, kishte dalë ta priste në mënyrë protokollare. Dhe me dalldinë që të jep fati në politikën e zakonshme shqiptare, Fino brenda 24 orëve u ngrys i papunë dhe u gdhi kryeministër i Shqipërisë. Edhe pse kriza shumëplanëshe që kalonte vendi rëndua shumë më shumë gjatë muajve të parë të qeverisjes Fino dhe vetë qeveria nuk kontrollonte më shumë se unazën e vogël të Tiranës, kryeministri fitoi admirimin e një publiku të lodhur. Me një stil populist dhe direkt në komunikim, Fino është bërë disa herë ministër i qeverive socialiste mbas viteve 90’. Aktualisht është numri një i listës së propozuar nga partia socialiste në qarkun e Korçës.

Pandeli Majko, 46 vjeç

Në fillim të viteve 90’, kur opozitarizmi me partinë e punës ishte në modë, Pandeli Majko zgjodhi të shkojë pikërisht në këtë parti. Bashkë me një grup të rinjsh të tjerë entuziastë bëhet një nga themeluesit dhe kryetari i parë i FRESSH-it, organizatë rinore e socialistëve. Në kulmin e ndarjes dhe të llogorizimit të politikës shqiptare, Majko ishte i vetmi që nga pozicioni i opozitës me PD-në, hidhte vështrime kritike edhe në partinë e tij. Ai konsiderohej si opozitari ndryshe edhe nga Berisha, i cili i dha dekoratën Pishtar i Demokracisë. U bë antar i Kuvendit dhe forcoi pozitat në parti, kur morri pamëdyshje anën e Fatos Nanos në sherret e brendshme në PS në mesin e viteve 90’. Vetë Nano ishte ai që e propozoi Majkon në vitin 1998, atëherë vetëm 31 vjeç, si pasuesin e tij në qeverinë socialiste.

Dhe ky ishte fati që e shënoi fort atë. Të paktën dy momente ishin më të rëndësishmit gjatë qeverisjes së tij: i pari, çtensionimi i marrëdhënieve me opozitën agresive të kohës duke e ulur së paku dy herë në takime publike Berishën. Kritikët e tij pretendojnë se kjo ishte lëvizja që e ricikloi ish-presidentin e vetmuar në politikë, në kohën kur ai ishte në vdekje klinike politike. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, kriza e luftës së Kosovës. Majko u bë, edhe për shkak të rrethanave të pazakonta, pika e referimit të politikës shqiptare nga faktori ndërkombëtar dhe mundi të marrë vendime jashtëzakonisht të rëndësishme për ecurinë e konfliktit për shkak të rolit dhe peshës që kishte Shqipëria në atë kohë. Por nëse fitoi admirim ndërkombëtar, në rrafsh lokal ai fitoi mërinë e thellë të ish-mentorit të tij Nano. Konkuron me të për drejtimin e partisë socialiste në tetor 1999 dhe humb vetëm për 33 vota. Humbja e garës solli dhe dorëheqjen e tij nga qeveria. Rikthehet vetëm dy vjet më pas në drejtimin e Këshillit të Ministrave, si për të vërtetuar se në politikën shqiptare as dashuria dhe as urrejtja nuk janë të përhershme. Sërish Nano që e rrëzoi në 99-ën për ta zëvendësuar me Metën, rrëzoi Metën dy vjet më pas. Në 99-ën Meta ishte i afërt me Majkon, por u bashkua me Nanon, ndërsa në vitin 2002, u bë me Majkon sërish kundër Nanos.

Majko ka shërbyer dhe dy herë të tjera si ministër i mbrojtjes. Në PS-në në opozitë ka qenë kryetar i grupit të saj parlamentar, sekretar i përgjithshëm dhe aktualisht, kryeson listën e deputetëve socialistë për Tiranën.

Ilir Meta, 44 vjeç

Në fillimet e tij ai pati një trajektore të ngjashme me mik/armikun e tij Majko. Drejtues i FRESSH-it, deputet në opozitë. Por ndryshe nga shumë të tjerë, Meta spikati që në krye të herës për një opozitarizëm agresiv. Eshtë ndjekur penalisht, me akuzë politike që në vitin 1992, si organizator protestash në Poliçan, por nuk mundën t’ja provojnë akuzën. Në mes të viteve 90’, si një nga katër nënkryetarët e PS-së me kryetarin në burg, Meta tenton të marrë kryesimin e PS-së. Ekuilibret e atëhershme në atë parti e nxorrën në krahun e humbësve dhe kjo “njollë”, do ta detyronte që me kthimin e socialistëve në pushtet në 1997-ën, të kishte një profil të ulët në qeverisjen e vendit.

Largimi i Nanos në 1998 nga qeveria do të ishte fati i tij i madh. Ai bëhet numri dy i qeverisë Majko dhe gjatë asaj periudhe u konsiderua si një punëtor i madh terreni e partiak. Kontrollonte gjithmonë e më shumë struktura të PS-së dhe sidomos në grupin e saj parlamentar deri në pikën që me dorëheqjen e Majkos, nuk kishte asnjë alternativë tjetër veç emrit të tij për të drejtuar qeverinë. Në dy vjet të shpërndarë në dy mandate – me zgjedhjet e vitit 2001 në mes – Meta konsolidoi figurën e tij si kryeministër i fortë. U angazhua sidomos me probleme të infrastrukturës.

Me rikthimin e Nanos si kryeministër në gusht 2002, ai shërbeu si zëvendëskryeministër e ministër i jashtëm. Nga vera në verë, në qershor 2003, marrëdhëniet e tij me Nanon prishen dhe ai largohet nga qeveria. Në dhjetor të të njëjtit vit, Nano e përze me “votë” nga strukturat drejtuese të PS-së të dala nga kongresi dhe një vit më pas, Meta krijon partinë e tij, LSI. LSI ishte skizma e parë në PS që dëshmoi veç të tjerash, se raportet apolitike të krijuara mes figurave kryesore të saj, do të ishin një nga kushtet kryesore të nxjerrjes së kësaj partie në opozitë. Në zgjedhjet e 2005-ës, përkundër gjithë parashikimeve LSI mbijetoi në fushatë duke paralajmëruar se do të ishte aktor afatgjatë në politikën shqiptare. Kryesisht për shkak të karizmës së kryetarit të saj dhe mënyrës së hekurt të organizimit partiak. Në zgjedhjet e vitit 2009, katër mandatet e saj në Kuvend ishin garancia e vetme që ju dha Berishës për të drejtuar vendin edhe për një mandat tjetër.

Meta bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, më pas ministër ekonomie, prej nga u dorëhoq mbas publikimit të videos me Dritan Priftin. U çlirua nga akuzat penale nga Gjykata e Lartë me një vendim të shumëdiskutuar dhe vijoi aleancën politike me PD-në. Në prill të këtij viti shpalli përfundimin e marrëveshjes së qeverisjes me PD-në dhe firmosi aleancë paraelektorale me PS-në.

Sali Berisha, 69 vjeç

Eshtë figura më kontraverse e politikës shqiptare dhe dominues i saj që nga viti i largët 1990. Dy herë president i republikës, i dorëhequr nga mandati i dytë që e konsumoi vetëm për një vit dhe dy herë me mandate të plota si kryeminstër. Në këtë fushatë elektorale ju afrohet shqiptarëve për një mandat të tretë qeverisës. Prej tetë vjetësh në derën e zyrës së tij qëndron hija e Edi Ramës, kundërshtarit të tij kryesor, që kërkon ta largojë nga karrigia. Berisha ka premtuar që do të qëndrojë në politikë aktive edhe për 35 vjet të tjerë. Kësaj here, kaq për të.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi