Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Muaji i sakrificës, çfarë (nuk) duhet bërë

prej Thu 25 Jul 2013 - 15:24
Nis sot muaji i madhërishëm i Ramazanit. Kuzhina, festimet dhe mënyra e jetesës së myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit
Muaji i sakrificës, çfarë (nuk) duhet bërë Agjerimi
Luela Myftari

-Nisi sot një muaj i madhërueshëm për të gjithë myslimanët në mbarë botën. Në përpjekje për të njoftuar ardhjen e një muaji, i cili pretendon të sjellë më shumë qetësi dhe marrëdhënie të shëndetshme shoqërore, “Shekulli” nuk kish si të mos e uronte çdo mysliman shqiptar që të kalojë një muaj të begatë. Muaji i Ramazanit mund të quhet ndryshe edhe muaji i agjërimit. Ky i fundit konsiston në ndërprerjen e ngrënies, të pijes, të marrëdhënieve intime, të marrjes së ndonjë lënde ushqyese a shëruese nëpërmjet gojës, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të plotë. Krahas kufizimit të ngrënies, ai që agjëron duhet të largohet nga vendet ku fliten fjalë të këqija, të mos flasë atë që nuk duhet, të mos shikojë objekte që të joshin për nga e keqja dhe të mos veprojë në kundërshtim me ligjet e normat morale e fetare. Ferit Lika, gazetar dhe pjesë e komunitetit mysliman e njeh shumë mirë historikun e muajit të Ramazanit në trojet shqiptare. Në këtë intervistë për “Shekullin”, ai përpiqet të na sjellë historikun e këtij muaji në Shqipërinë komuniste dhe në atë të sotmen, Ramazanin në epokën e teknologjisë dhe materializmit të skajshëm.

Çerek shekulli e ndaluar, 22 vite traditë…Mund të na tregoni ri-fillesat e besimit islam në Shqipëri?

Për afro çerek shekulli feja tek ne u ndalua nga ligjet e kota dhe të pabaza të atij absurdi mbi tokë, që ngrinte krye mbi shpirtra të pafajshëm duke potencuar forcën e tij të “pamatë”. Por ky përbindësh nuk e pati forcën e pretenduar për të shuar dritën e besimit në Zot në zemrat e myslimanëve shqiptarë, nuk pati forcën të ndalonte as ritet edhe pse praktikoheshin fshehurazi. Rënia e regjimit komunist dhe fillimi i lindjes dhe zhvillimit të demokracisë, solli menjëherë edhe ripërtëritjen e besimit dhe të ringritjes së institucioneve fetare. E tashmë, që prej 22 vjetësh shqiptarët praktikojnë fenë e tyre si qytetarë të lirë të një vendi demokratik.

Si ishin vitet e para të agjërimit?

Qysh në vitin e parë të lejimit të praktikimit të besimit fetar dhe me afrimin e Ramazanit në vitin 1990, u konstatua ringjallja e traditës së hershme myslimane. Tashmë, myslimanët kishin mundësi të dilnin lirisht e të “bërtisnin” gjer në kupë të qiellit: Unë agjëroj…! Askush nuk mund t’i ndalte, askush nuk mund t’i gjykonte apo t’i shihte me përçmim. Ata kishin lirinë e shumëpritur prej vitesh. Disa shpreheshin për këtë muaj “na çeli sytë e zemrës së errësuar për gjysmë shekulli”, disa të tjerë thoshin “na përtërin imanin e zbehur prej vitesh”.

Ekzistonte e njëjta frymë kolektivi si sot, apo kjo frymë ishte më e zbehur?

Kurrë nuk mendohej që iftari të kalohej vetëm me familjen, sepse ishte nderim i veçantë që për Ramazan, kryefamiljari, ose pjesëtarë të tjerë të familjes, të ishin të ftuar për iftar tek komshinjtë, tek miqtë e farefisi. Madje, kaq rëndësi i jepej këtij zakoni, saqë burrat e rezervonin ditën që do të ishin të ftuar tek njëri-tjetri. Edhe dora e ndihmës shtrihej shumë në këtë muaj duke i ndihmuar me furnizim të ngratët, jetimët, të varfrit, skamnorët dhe ata pa përkrahje, duke mbretëruar ndjenja e mëshirës, mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin dhe për Krijuesin.

Po mënyra e të ushqyerit ndryshon nga pjesa tjetër e vitit?

Tradita e Ramazanit manifestohet në forma të ndryshme nga qyteti në qytet. Përjetimi i këtyre ndryshimeve kanë bërë që kultura e Ramazanit të ndikojë në shumë fusha të jetës. Kuzhina e këtij muaji është e veçantë. Bukët speciale që gatuhen gjatë këtij muaji, gjellët e iftare dhe zijafete është ndryshme, sofrat e stolisura të iftarit nga hurmat, ëmbëlsirat dhe sallatat e ndryshme.

Ç’nënkuptoni kur thoni se kultura e Ramazanit ka ndikuar edhe në forma të tjera të jetës?

Kandilat në këtë muaj vazhdojnë të vezullojnë nëpër minaret e xhamive nga akshami e deri në agim (sabah). Në të kaluarën, në trojet shqiptare kërciste topi dhe binin daullet për t’i përkujtuar njerëzit se është koha e iftarit, ndërsa në kohën e syfyrit gjithashtu u bihej daulleve nëpër rrugët e qytetit dhe fshatrave. Të moshuarit, ata të cilët kanë jetuar në tre sisteme të ndryshme qeverisëse, tregojnë se përgatitja e shtëpisë fillonte madje një muaj më herët. Laheshin rrobat, hekurosej deri në gjënë më të vogël, fërkoheshin dërrasat e shtëpive dhe pastroheshin me përpikëri shtëpitë. Qilarët kontrolloheshin edhe një herë në detaje, hapeshin raftet që ekzistonin në to për t’u radhitur ushqimet që përgatiteshin për iftar dhe syfyr. Pazari kryhej herët, blihej me shumicë për gjithë muajin. Madje, edhe gjërat e shqepura dhe gjithçka që kishte nevojë të qepej, qepej dhe rregullohej qysh më parë. Sofra po ashtu do të lahej veçanërisht për këtë muaj. Në muajin Ramazan fytyrat e njerëzve shndërroheshin në fytyra që vazhdimisht përuleshin në sexhde, ndërsa zemrat drejtoheshin me përmallim tek Allahu, duke larguar edhe grimcën më të vogël të urrejtjes, shpërfilljes, të së keqes. Edhe sot e kësaj dite, tradita e Ramazanit ruhet me fanatizëm si në qytete ashtu edhe në fshatra.

Shtatë të mirat që sjell agjërimi

Genti Kruja, drejtori i Kulturës në KMSH na rrëfen edhe për dobitë shëndetësore që vijnë nga mbajtja e agjërimit. - Agjërimi mbron nga sëmundjet mendore dhe psikike. Është vërtetuar ndikimi i tij në sëmundjen e skizofrenisë. Dr. Bedaëi Nikolajev i Institutit Psikik të Moskës thotë se sëmundjet mendore mund të kontrollohen dhe të përmirësohen me anë të agjërimit dhe dietave. Kjo metodë është aplikuar në 1000 të sëmurë psikikë dhe pasi agjëruan rezultoi se 65 % e tyre ishin përmirësuar. - Agjërimi mbron nga dhjamosja dhe rreziqet që vijnë prej saj, si sëmundjet e brendshme dhe të zemrës, arterioskleroza e përgjithshme, dhimbjet e kyçeve, asimilimi i vertebrave etj. - Agjërimi forcon sistemin imunitar. Ai e mbron trupin nga një numër i madh sëmundjesh, duke e përmirësuar dhjetëfish treguesin fiziologjik të qelizave limfatike (lymphatic cells) dhe duke e shtuar sasinë e qelizave përgjegjëse për imunitetin specifik. - Agjërimi aktivizon palcën kockore, detyra e së cilës është formimi i rruazave të kuqe në trup. Gjithashtu aktivizon lëvizjen e zorrëve, duke i forcuar ato dhe duke shtuar në aftësinë e tyre të nxjerrjes së lëngjeve tretëse, gjë e cila e rendit agjërimin si ilaçin më të mirë kundër shqetësimeve të zorrëve, madje edhe sëmundjeve kronike të tyre të shoqëruara me probleme në tretjen e lëndëve ushqimore. - Agjërimi e mbron trupin nga formimi i gurëve në veshka. Duke e shtuar mesataren e natriumit në gjak, ai ndalon formimin e kristaleve të kripërave të kalciumit. - Agjërimi aktivizon gjëndrat “e shurdhëta” (endocrine glands) që gjenden në trup, si gjëndrat e pankreasit, etj. - Agjërimi e mbron trupin nga rreziqet e helmeve të grumbulluar në qelizat dhe indet e tij si rrjedhojë e ngrënies së ushqimeve dhe e përdorimit të barnave që përmbajnë helme, ose e thithjes së ajrit të ndotur me helme dhe gazra të dëmshëm.

Vlera shoqërore e agjërimit

Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi, siç përshkruhet në Kuran, ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë më efektive se ajo që realizohet me anë të namazit. Në këtë të fundit, i pasuri e i varfri, i madhi e i vogli (në gradë), të gjithë mblidhen në faltore, pesë herë në ditë, me kondita plotësisht të barabarta, e kështu themelohen marrëdhënie të shëndetshme shoqërore. Mirëpo me t’u parë hëna e Ramazanit, është shenjë e një lëvizjeje të përgjithshme drejt barazimit, e cila nuk është e kufizuar vetëm në një pjesë ose krahinë, por përmbledh krejt botën myslimane. Pasaniku e i vobekti mund të rrinë gju më gju në një rresht brenda në xhami, por në shtëpitë e tyre jetojnë në kondita të ndryshme. I pasuri ulet në sofër ose mbi tryezë të mbushur me plot të mira dhe ngop barkun nga 4-5 herë në ditë, ndërsa i varfri nuk mund të gjejë ushqim as sa për të shuar tamam urinë qoftë edhe dy herë në ditë. Ky i fundit ndjen gërryrjen e urisë, gjë që i pari nuk e njeh fare, atëherë si mundet i pasuri të ndjejë e të simpatizojë të papasurin? Kësisoj ekziston një pengesë e madhe në mes të dy klasave në shtëpitë e tyre, dhe se kjo pengesë zhduket vetëm kur i pasuri detyrohet të ndjejë dhimbjen e urisë sikur vëllai i tij më i varfër e të kalojë pa ngrënë gjatë ditës, e se kjo provë do të përshkojë jo vetëm një ditë ose dy, por një muaj.

Gëzuar për shumë vjet muajin e Ramazanit!

Nga Haxhi Selim Muça Kryetari i komunitetit mysliman

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë, ju përshëndes me paqen dhe sigurinë, që vjen prej Allahut Mëshirues dhe ju uroj gëzuar e për shumë vjet muajin e begatë të Ramazanit. Ramazani, është një kohë kur besimtarët së bashku me agjërimin që i jep kuptimin esencial këtij muaji, rinovojnë devotshmërinë ndaj Zotit, rizgjojnë edhe një herë fuqishëm mëshirën, dashurinë dhe përkrahjen ndaj njerëzve. Ramazani është një kohë e bekuar, ku besimtarët reflektojnë edhe një herë mbi mendimet dhe sjelljet e tyre. Devotshmëria ndaj Zotit është qëllimi i vërtetë i agjërimit dhe objektivi final i tij është lumturia e njeriut në të dy botët. Ne nuk duhet të harrojmë se njerëzit sot kanë nevojë për mëshirë, duke agjëruar ne bëhemi më të mëshirshëm. Shoqëria jonë sot ka nevojë për drejtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të drejtë. Të afërmit dhe fqinjët tanë sot kanë nevojë për përkrahje, duke agjëruar ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj halleve dhe nevojave të tyre. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti më i volitshëm t’i kërkojmë Zotit falje. Allahu thotë në Kur’an: “O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten tuaj me mëkate, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që falë shumë dhe i Mëshirshëm”. Edhe për ne shqiptarët, Ramazani është i mirëseardhur. Ai na ofron durim në këtë stinë të nxehtë, prehje shpirtërore, qëndrueshmëri, drejtësi, barazi e marrëdhënie të mira të mbështetura në parime hyjnore. Së fundi i lutem Zotit, që ky muaj të sjellë në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni. Zoti Fuqiplotë e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë. Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet e juaja. Amin!shekulli.


Muaji i sakrificës, çfarë (nuk) duhet bërë Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi