Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Pse nuk duhet të përdorni makijazh gjatë verës së nxehtë?

prej Sun 18 Aug 2013 - 15:28
  • Çelësi për të patur një lëkurë të shëndetshme në verë. Mjekja dermatologe, Albana Lufi: Sa më pak makijazh, më mirë për fytyrën tuaj

Pse nuk duhet të përdorni makijazh gjatë verës së nxehtë? Fund%20botox
Besarta Basha

-Shumë gra mbajnë në çantat e tyre një shumëllojshmëri sendesh dhe produktesh të lidhura me kozmetikën. Ndër këto produkte është pothuajse përherë i pranishëm edhe një çantë e vogël për të bërë makijazh. Por, studimet e fundit kanë treguar se aplikimi i përditshëm i makijazhit, sidomos në ditët e nxehta të verës, është i dëmshëm për lëkurën dhe shëndetin. Mjekja dermatologe, Albana Lufi arrin deri aty sa shprehet se përdorimi i produkteve kozmetike mund të shoqërohet edhe me efekte anësore të cilat mund të sjellin probleme të lëkurës, plakje të parakohshme. Makijazhi është parashikuar për të përmirësuar look-un dhe paraqitjen e femrës, por ato që përdorin këto produkte harrojnë të mendojnë se po lejojnë që në lëkurën e fytyrës së tyre të hyjnë çdo ditë e më tepër kimikate nga më të ndryshmet. Dhe rezultati dihet. Për më tepër na shpjegon mjekja dermatologe Albana Lufi.

Çfarë efektesh anësore mund të sjellë përdorimi i makijazhit, sidomos në stinën e verës? Përdorimi i makijazhit mund të ndryshojë pamjen tonë duke fshehur ato që ne nuk duam të duken. Por, përdorimi për një kohë të gjatë i makijazhi sjell efekte anësore kozmetike ose edhe reaksione alergjike në lëkurat e ndjeshme ose kur produktet e përdorura nuk janë cilësore. Disa nga efektet anësore të përdorimit të makijazhitjanë këto: aknet dhe komedonet ose pikat e zeza të cilat shfaqen më shumë tek lëkurat e yndyrshme. Disa produkte të lëngshme ose të buta kozmetike bllokojnë poret dhe këto produkte nuk mund të largohen lehtë nga lëkura. Bllokimi i preve do të ndikonte në krijimin e pikave të zeza dhe mbi to mund të shfaqen akne (puçrra të kuqe me ose pa qelb). Përpara përdorimit ose zgjedhjes së produktit duhet të sigurohemi që makijazhi nuk përmban përbërës komedonogjenetike) produkte që ndikojnë në krijimin e pikave të zeza). Po ashtu, ndikim tjetër janë edhe reaksionet alergjike të cilat janë mjaft të zakonshme tek personat të cilët përdorin makijazh dhe manifestohen me puçrra të vogla, kruarje të lëkurës dhe tharje të saj. Për të shmangur efektet irrituese duhet të jeni të vëmendshëm gjatë përdorimit të produktit duke përdorur vetëm një produkt të ri në një kohë. Edhe acarimi më i vogël mund të ketë efekte te dukshme negative me kalimin e kohës dhe lëkura lufton për të eliminuar substancat e padëshirueshme. Në rastet e reaksioneve alergjike rekomandohet ndërprerja e përdorimit të makijazh dhe konsulta me mjekun dermatolog për të marrë mjekimin e duhur për të qetësuar fenomenet alergjike.

Kjo do të thotë se në verë nuk duhet përdorur aspak makijazh? Çfarë këshilloni për ato femra që nuk dalin dot pa bërë makijazh?

Sa më pak makijazh në lëkurën tuaj, aq më mirë. Nëse jeni mësuar dhe nuk mund të rrini pa makijazh, këshilloj ta pastroni fytyrën menjëherë sa të vini në shtëpi duke i dhënë mundësi lëkurës për të marrë frymë lirisht, duke parandaluar kështu dëmtimet dhe plakjen e parakohshme të lëkurës. Është shumë e rëndësishme të hiqni makijazhin përpara se të flini gjumë. Nëse flini me makijazh, jo vetëm që poret e lëkurës do të vijojnë të bllokohen, por edhe do të formohen pikat e zeza. Gjithashtu, të fjeturit me makijazh i jep mundësinë lëkurës të jetë nën efektin e veprimit të radikaleve të lira, të cilat kanë ngelur nën lëkurë duke ndikuar negativisht në dëmtimin e kolagjenit me pasojë plakjen para kohe të lëkurës. Radikalet e lira janë molekula të paqëndrueshme që dëmtojnë qelizat e lëkurës.

Na flisni pak për kontaktin e tij me djersën në lëkurë, çfarë efektesh mund të shkaktojë?

Gjatë periudhës së verës djersitemi më shumë, jo vetëm në trup, por edhe në fytyrë. Nëpërmjet djersitjes organizmi çliron toksina e brendshme. Makijazhi, duke bllokuar poret krijon një pengesë të vështirë për daljen e djersës dhe të toksinave duke favorizuar krijimin e një shtrese të tepërt të yndyrës në sipërfaqe të lëkurës me pasoja negative në lëkurë si dhe tharje, dëmtim apo plakje përpara kohe të lëkurës. Gjatë periudhës së verës për femrat që nuk mund të dalin pa makijazh rekomandojmë përdorimin e makijazhit me filtër mbrojtës të lartë për të shmangur efektet negative të diellit në lëkurë si plakjen e lëkurës dhe për parandalimin e formimit të njollave kafe.

Përmendni disa faktorë të tjerë që mund të ndihmojnë në plakjen e fytyrës?

Përveç faktorëve konstitucionale ose gjenetike, faktorët e tjerë që ndikojnë në plakjen e lëkurës janë: rrezatimi diellor, stresi, stili i jetesës, konsumimi i alkoolit dhe duhanit dhe i produkteve ushqimore jo të shëndetshme, mungesa e marrjes së ujit dhe hidratimi i lëkurës. Të gjitha tipet e lëkurave kanë nevojë për përdorimin e kremit hidratues. Hidratimi i lëkurës është çelësi për të patur një lëkurë të shëndetshme. Sa më e hidratuar të jetë lëkura, aq më ngadalë do të plaket ajo.

Këshilla

Për të patur një lëkurë të shëndetshme me të gjitha tipet e lëkurës, duhet të mbrohen nga ndryshimet e temperaturave, nga dielli dhe era. Kufizoni në maksimum përdorimin e alkoolit dhe duhanit. Pini të paktën tetë gota më ujë çdo ditë dhe hidratoni vazhdimisht lëkurën. Gjatë verës nuk duhet të neglizhoni përdorimin e kremrave me faktor mbrojtës të lartë, 30 ose 50 SPF, 30 minutat e para të ekspozimit në diell dhe të përsëritet përdorimi i kremit çdo dy ose tre orë. Në kohën e plazhit përdorni medikamentet kundra diellit sa herë që dilni nga deti, duke shpërlarë më parë fytyrën me ujë, pasi uji i kripur lejon që rrezet e diellit të depërtojnë më lehtë në lëkurë duke bërë të mundshme shfaqjen e njollave kafe. Mos harroni të përdorni syze, pse jo dhe në periudhën e dimrit duke parandaluar shfaqjen e rrudhave të diellit. Lëkurat e yndyrshme e tolerojnë më mirë diellin, por edhe këto tipe lëkurash është e rekomandueshme përdorimi i kremrave me filtër mesatar.

Dieta

Ushqimet që duhet të hamë për një fytyrë të bukur

Lëkura është pasqyrë e shëndetit tonë ushqimi i mirë, fjetja e mjaftueshme, reduktimi i stresit dhe hidratimi i lëkurës janë faktorë të rëndësishëm për të patur një lëkurë të bukur dhe të shëndetshme. Sipas dermatologes Lufi, është e nevojshme që të ndiqet një dietë e pasur dhe e rregullt që të kemi një lëkurë sa më të shëndetshme fytyre. Dhe, për ta arritur këtë, gjatë verës këshillohet konsumimi i zarzavateve, frutave dhe konsumit të vazhdueshëm të ujit për të siguruar një hidratim sa më të mirë të lëkurës. Disa nga vitaminat që nuk duhet t’i mungojnë ushqimit tonë janë vitaminat A, C, E si dhe vitaminat e grupit B. Vitaminat e lartpërmendura janë antioksidues të fuqishëm dhe mjaft të dobishme për të pasur një lëkurë të shëndetshme. Vitamina A gjendet kryesisht tek karota, kungulli, patatet e ëmbla, mangot, spinaqi, pjepri, bimët e gjelbra, lakra jeshile, rrepa e kuqe dhe domatet. Vitaminën C e gjejmë tek portokalli, shalqiri, kivi, specat e kuq dhe të gjelbër, pjepri, domatet, brokoli, mangot, portokalli, luleshtrydhet, lulelakra dhe lakra jeshile. Burimet ushqimore me vitaminë E janë: vajrat bimorë, farat, arrat, ullinjtë, spinaqi. Por jo gjithmonë është e lehtë të marrim vitaminën E në dozë të mjaftueshme nga ushqimet dhe shpeshherë e marrim suplement. Acidet yndyrorë Omega -3 janë të mirë për lëkurën. OMEGA-3 nga peshku ndihmon në mbrojtjen e lëkurës kundër dëmtimeve nga dielli. Produktet ushqimore Omega-3 janë peshku, fara liri, arrat dhe vezët. Konsumoni sa më shumë produkte yndyrave. Studime të ndryshme tregojnë se personat që përdorin dietë të pasur me ushqime biologjike, perime, fruta, bimë barishtore, vezë, kishin më pak rrudha dhe plakje më të vonshme të lëkurës se ata, dieta e të cilëve është e pasur me qumësht, mish të kuq, gjalpë, patate dhe sheqer. Studiuesit tregojnë se kjo ka të bëjë me antioksiduesit dhe yndyrat e pangopura që këto produkte ushqimore ofrojnë.

Domatja kundër plakjes

Veç të mirave tjera shëndetësore, domatja mund të ndihmojë edhe në ruajtjen e pamjes rinore duke penguar plakjen e lëkurës. Kjo perime në të vërtetë është e pasur me një substancë të quajtur likopen, ajo e cila ia jep edhe ngjyrën e kuqe asaj. Efekti më i vlefshëm i likopenit është se bllokon veprimin e radikaleve të lira, të cilat janë substanca që trupi ynë i prodhon si mbetje.

Radikalet e lira, në mesin e efekteve negative, nxitin plakjen e lëkurës duke dëmtuar qelizat.

Fund botox

Botoksit i erdhi fundi, arrin frotoks, shokimi i rrudhave të fytyrës nëpërmes ftohjes. Për dallim nga botoksi, frotox nuk përmban toksina dhe bakterie, por vetëm përdoret azoti i lëngshëm. Me atë, nervat dhe muskujt shokohen me ftohje dhe pastaj bllokohen për disa muaj, kurse si rezultat, keni më pak rrudha që shihen.

Kumbull kundër stresit

Kur përmendet kumbulla, mund t'ju shkojë mendja tek alkooli që kultivohet prej saj. Zakonisht harrojmë se sa e dobishme mund të jetë kumbulla me gjithë përmbajtjen shëruese që ka në veten e saj. Kumbulla prejardhjen e ka nga 'Prunus', që këtij lloji i takojnë edhe pjeshka, kajsia, nektarina, vishnjat dhe qershitë. 'Prunus' është një emër latin, dhe besohet se prejardhjen e ka tej detit Kaspik. Kumbulla kultivohet në mbarë botën, ndërsa prodhuesit më të mëdhenj janë: Amerika, Kina, Rusia dhe Rumania.

Trendet e thonjve

Ngjyrat pop dhe të ndezura janë trendi i kësaj vere: blu, e gjelbër, e verdhë, mente etj. Çmenduria e ngjyrave për thonj është në kulmin e saj. Përfitoni nga vera për të kombinuar ngjyrën e bluzës ose fustanit me ngjyrën e thonjve. Mund t’i ndërroni siç bëni me bikinit, luani me kombinime të guximshme dhe madje edhe duke përdorur efektin e dritëhijes. Të jesh sa më verore dhe “in” këtë verë do të thotë që të biesh në sy edhe nga forma dhe ngjyra e gjonjëve. Thonj të gjatë në formë ovale ose me majë të gjatë janë tepër në modë këtë verë, ngjyrat që dominojnë këtu janë e verdha, jeshilja, fosfori, mentja, portokallia e ndezura etj.shekulli.


Pse nuk duhet të përdorni makijazh gjatë verës së nxehtë? Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi