Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

O moj Shqypni Empty O moj Shqypni

Sat 19 Oct 2013 - 19:46
O moj Shqypni



O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush të ka qitë me krye n'hi?

Ti ke pas qenë një zojë e randë,

Burrat e dheut të thirrshin nanë.



Ke pasë shumë t'mira e begati,

Me varza t'bukura e me djelm t'ri,

Gja e vend shumë, ara e bashtina,

Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;

Ti ndër gjith shoqet ke qenë ma e mira!



Kur kriste pushka si me shkrep moti,

Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti

Ke qenë për luftë e n'luftë ka dekun

E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.

Kur ka lidhe besen burri i Shqypnisë,

I ka shti dridhen gjithë Rumelisë;

Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra,

Me faqe t'bardhë gjithmonë asht nda!



Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.

Si mal me borë, si fushë me lule

Ke pas qenë veshun, sot je me crule,

E s'të ka mbetun as em'n as besë;

Vet e ke prishun për faqe t'zezë!



Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra,

Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;

Ca thonë kam fe ca thonë kam din;

Njeni: jam turk, tjetri: latin

Do thonë: Jam grek, shkje - disa tjerë,

Por jemi vllazen t'gjith more t'mjerë!

Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,

Për me ju damun me ju vorfnue!



Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,

Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t'fitoni,

Besën e t'parëve t'gjith e harroni,

Baheni robt e njerit t'huej,

Qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej!



Qani ju shpata e ju dyfeqe,

Shqiptari u zu si zog ndër leqe!

Qani ju trima bashkë me ne,

Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!

E s'i ka mbetun as bukë as mish,

As zjarm në votër, as dritë, as pishë;

As gjak në faqe, as nder ndër shokë,

Por asht rrëzue e bamun trokë!



Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,

M'ata sy t'bukur q'dini me qa,

Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,

Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder;

Ka mbet e vejë si grue pa burrë,

Ka mbet si nanë, qi s'pat djalë kurrë!



Kujt i ban zemra m'e e lan' me dekë

Ket fare trimneshë, qi sot asht mekë?

Ketë nanë të dashtun a do ta lamë,

Qi njeri i huej ta shklasë me kam?



Nuk, nuk! Këtë marre askush s'e do

Këtë faqe t'zezë gjithkush e dro!

Para se t'hupet kështu Shqypnia,

Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!



Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:

Feja e shqyptarit asht Shqyptaria!



Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,

Gjithkund l'shon dielli vapë dhe rreze,

Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë

Kush mos na e preki, se desim t'tanë

Të desim si burrat që vdiqnë motit

Edhe mos marrohna përpara Zotit.



Vaso Pasha, 1878
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi