Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Armët kimike, vendimi rrit dinjitetin e qeverisë "Rama" Empty Armët kimike, vendimi rrit dinjitetin e qeverisë "Rama"

Mon 18 Nov 2013 - 20:29
Message reputation : 100% (1 vote)
  • Deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila shpreh qëndrimin e administratës amerikane, nuk lë vend për hamendësime se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tiranës janë dëmtuar

Armët kimike, vendimi rrit dinjitetin e qeverisë "Rama" 99217
Suela Topi

Vendimi i Kryeministrit Edi Rama për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë nuk ka cenuar kurrsesi marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu shprehet në një intervistë për “Shekullin”, diplomati dhe sociologu i njohur, Fatos Tarifa. Sipas tij deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila shpreh qëndrimin e administratës amerikane, nuk lë vend për hamendësime, se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tiranës janë dëmtuar. Tarifa e quan pa dinjitet qëndrimin opozitar lidhur me armët kimike dhe deri në hipokrite deklaratat e Genc Pollos që vendimin e Ramës e konsideron një fitore të opozitës. Ndërkohë që shton se vendimi i marrë e rrit dinjitetin e qeverisë shqiptare në marrëdhëniet e saj me komunitetin ndërkombëtar dhe, po kështu, rrit autoritetin dhe legjitimitetin e kësaj qeverie dhe të vetë kryeministrit Rama në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Tarifa shpreh bindjen se SHBA do të vijojë të mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian

Zoti Tarifa, pas konsultimeve disa javore, por dhe pasi pa protestën disa ditore të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, kryeministri Rama vendosi t’i thotë jo SHBA-së për të sjellë armët kimike të Sirisë, në Shqipëri. Si e konsideroni këtë vendim?

Ishte i vetmi vendim i drejtë që mund të merrte Kryeministri i një vendi në rrethanat dhe me mundësitë tepër të kufizuara të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e një ndërmarrjeje të tillë. Kjo ishte, në fund të fundit, ajo çka në mënyrë të përsëritur dhe të vendosur kërkonte publiku shqiptar, dhe Kryeministri nuk mund të vendoste në kundërshtim me kërkesat dhe interesat e qytetarëve të tij. Arsyetimet se sjellja dhe shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë brenda kufijve të Shqipërisë nuk do të përbënte një rrezik më të madh për qytetarët shqiptarë sesa shkatërrimi i tyre jashtë kufijve tanë shtetërorë, fjala vjen, në Prizren apo në Janinë, është krejt pa vend. Ato armë do të duhej të shkatërroheshin në stepat e pafund e ta papopulluara të Siberisë, ose në shkretëtirat e Kinës, vende të cilat ndoshta edhe ia kanë shitur Sirisë ato armë. Unë e vlerësoj të gabuar edhe gjykimin se duke refuzuar sjelljen dhe shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri, qeveria shqiptare humbi rastin për t’u bërë “pjesë e një zinxhiri humanitar veprimi” dhe, me këtë, “Shqipëria ka mbetur edhe një herë jashtë botës”!!



40 minuta pas përfundimit të deklaratës së Kryeministrit reagoi ambasada amerikane, duke thënë se SHBA e respektonte këtë vendim, ndërkohë një ditë më parë, ambasadori Arvizu kishte paralajmëruar zhgënjimin e Administratës së vendit të tij në rast të një qëndrimi negativ të Shqipërisë. Ishte reagimi zyrtar i ambasadës, një qëndrim diplomatik apo një përgjigje për argumentin mohues të Ramës që zgjati përtej 20 minutave?

Uashingtoni, natyrisht, do të kishte pëlqyer një përgjigje tjetër nga qeveria shqiptare, ndaj edhe kishte kërkuar prej saj që ta vlerësonte angazhimin e vendit tonë në këtë mision të rëndësishëm, por edhe shumë të vështirë e të rrezikshëm. Por administrata amerikane nuk do të mund ta detyronte dot qeverinë e një vendi sovran, edhe pse i vogël e i varfër, që të vendoste në kundërshtim me frymën dhe interesat e publikut të gjerë të këtij vendi. Deklarata e ambasadës amerikane është politike dhe diplomatike njëherësh. Ajo nuk lë vend për gjykime ekuivoke, si ato që kemi dëgjuar në ndonjë rast nga disa analistë të mediave tona, se gjoja pas kësaj, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ose mes Shqipërisë dhe NATO-s, nuk do të jenë më si më parë. Unë e përjashtoj mundësinë që vendimi i qeverisë shqiptare për të mos lejuar sjelljen dhe shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë ne territorin e vendit tonë do të ketë reperkursione në marrëdhëniet e saj me NATO-n, ose me Shtetet e Bashkuara. NATO nuk është palë në marrëveshjen e arritur për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë dhe, prandaj, qëndrimi i Shqipërisë nuk ka pse shihet si mospërmbushje nga ana e saj e detyrimeve që ka ndaj kësaj organizate si një vend anëtar i saj. Po kështu, as marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit nuk ka përse cenohen, pasi çështja në fjalë nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara. E përsëris, vetë deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila shpreh qëndrimin e administratës amerikane, nuk lë vend për hamendësime se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tiranës janë dëmtuar, ose se këto marrëdhënie nuk do të jenë më po aq të mira sa kanë qenë deri më sot. Për mua, gjykojnë gabim të gjithë ata që e konsiderojnë vendimin e qeverisë shqiptare për t’i thënë JO kërkesës së Uashingtonit si mungesë mirënjohjeje dhe reciprociteti ndaj Shteteve të Bashkuara për gjithçka që ky vend i madh dhe mik i Shqipërisë ka bërë për vendin tonë dhe për shqiptarët në këto 100 vitet e fundit. Do të ishte e tepërt të theksoja se qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast nuk është aspak antiamerikan. Proamerikanizmi i popullit tonë dhe i çdo qeverie shqiptare është botërisht i njohur dhe nuk ka nevojë të provohet.

Zëri i fortë qytetar e konsideroi qëndrimin e Ramës si një fitore. Por sipas jush, çfarë humbi realisht Shqipëria pas këtij vendimi?

Unë nuk besoj se me këtë qëndrim të qeverisë së saj Shqipëria dhe populli shqiptar humbën gjë. Përkundrazi, i motivuar dhe i argumentuar me rrethanat dhe mundësitë reale të Shqipërisë, vendimi i marrë e rrit dinjitetin e qeverisë shqiptare në marrëdhëniet e saj me komunitetin ndërkombëtar dhe, po kështu, i rrit autoritetin dhe legjitimitetin e kësaj qeverie dhe të vetë kryeministrit Rama në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Integrimi i Shqipërisë në BE, SHBA nuk do jetë kurrë pengesë

Diplomati amerikan në vendin tonë deklaroi se SHBA do të ndikonte tek Bashkimi Evropian lidhur me integrimin e Shqipërisë. Si mund të bëhet kjo gjë? Mendoni se kjo ‘mungesë ndikimi’ mund të ketë vonesa në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?

Edhe pse Amerika nuk është pjesë e Bashkimit Europian, ajo, duke qenë fuqia hegjemone e globit, është, në një kuptim figurativ por edhe real, një fuqi e madhe “europiane” dhe, si e tillë, ka lobuar dhe mund të lobojë fuqishëm për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Ajo që mund të them me siguri të plotë është se Uashingtoni kurrë nuk të bëhet pengesë për realizimin e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie shumë të mira me qeverinë shqiptare. Që të jem i qartë deri në fund, dua të them se vendimi i fundit i Qeverisë shqiptare nuk do të ketë asnjë ndikim në vendimin që do të merret në Bruksel në dhjetor të këtij viti për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme, ose, nëse përdor fjalët e ambasadorit Arvizu, njëra është një shportë me mollë, tjetra një shportë me portokalle.

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, deklaroi se dalja e Bashës në protestë ‘u prit nga Uashingtoni me një trazim të vërtetë’. Çfarë nënkupton kjo për opozitën?

Unë e kuptoj qëndrimin e Uashingtonit, të shprehur përmes ambasadorit të saj në Tiranë, z. Arvizu. Fatkeqësisht, opozita shqiptare deri më sot ka qenë nën dinjitetin e një opozite politike serioze dhe po kaq pa dinjitet u soll edhe me pjesëmarrjen e disa prej eksponentëve të saj në protestat e fundit. Pa dinjitet dhe vërtet hipokrite më duken edhe deklaratat e z. Genc Pollo, i cili vendimin e Kryeministrit Rama e konsideron një fitore të opozitës dhe “fitoren e parë politike të z. Basha ndaj Edi Ramës”. Se kush janë humbësit dhe cilët janë triumfuesit e vërtetë në situatën e krijuar, këtë nuk është e vështirë ta kuptosh. Në sytë e aleatëve tanë amerikanë humbës nuk është Kryeministri Rama; për Uashingtonin, ai mbetet kryetari i një vendi mik dhe, në radhë të parë, kryetari i Qeverisë së një populli që e zgjodhi në rrugë demokratike dhe i besoi atij drejtimin e jetës politike të vendit. Vendimi i Kryeministrit Rama duhet vlerësuar në raport me interesat kombëtare të Shqipërisë dhe me interesat e publikut shqiptar, i cili në një masë dërrmuese e përshëndeti dhe e mbështet atë.







Mungesa e informacionit për armët kimike, Qeveria e detyruar të ruante konficialitetin



Qeverisë shqiptare i është kërkuar nga organizata e OKB-së për parandalimin e armëve kimike, e cila udhëheq procesin e çarmatimit nga këto armë të Asadit, një konfidencialitet i plotë për gjithçka që diskutohej për këtë proces.

Pikërisht rreth këtij aspekti kryeministri Edi Rama në deklaratën e tij të premten tha se “na u kërkua

konfidencialitet i plotë sepse procesi i organizimit të operacionit ishte vetëm në fazën e vet më fillestare, atë të

vendosjes së kontakteve në parim”. Në faqen e saj në internet të kësaj organizate është një aneks i veçantë ku

shpjegohen principet e përgjithshme në mbajtjen e informacionit konfidencial. Shqipëria, si një vend anëtar i

OKB-së, njëkohësisht firmosëse e Konventës kundër armëve kimike, ishte automatikisht e detyruar të zbatonte

regjimin e konfidencialitetit për gjithçka që lidhej me këtë çështje. Në pikën e parë të aneksit thuhet: “Lind obligimi

për mbrojtjen e informacionit konfidencial që lidhet bashkë me aktivitete civile, ushtarake, përfshi objektet. Bazuar në obligimet e shteteve, Organizata kërkon minimumin e dhënies së informacionit, e të dhënave të mundshme në

mënyrë eficente në bazë të kësaj konvente. Informacioni i klasifikuar si konfidencial jepet nga Organizata përmes

procedurave të paracaktuara në bazë të nevojës së lindur, por vetëm me aprovimin e Organizatës. Çdo shtet i

përfshirë në këto çështje duhet ta trajtojë informacionin që i jepet nga Organizata në përputhshmëri me

konfidencialitetin e informacionit”. Bazuar në të tilla kërkesa të kësaj organizate, komenton TCH, ndoshta asnjëherë nuk do të mësohen aspektet teknike të biseduara në parim mes qeverisë shqiptare, kësaj organizate dhe SHBA-së, paçka shumë aludimeve për vendndodhjen e bazës se ku do të kryhej demontimi i lëndëve kimike apo teknikat që do të përdoreshin. Mesa duket ka qenë ky ngërçi që nuk lejoi qeverinë shqiptare të thoshte më shumë për një operacion, që siç e theksoi edhe kryeministri në fjalën e tij, kërkonte konfidencialitet të plotë.

Megjithatë, një deklaratë e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për nisjen e të tilla bisedimeve parimisht, pa dhënë detaje të hollësishme, do të shërbenin për uljen e panikut të krijuar nga informacioni i dhënë në mediat ndërkombëtare.

Shehi kritika opozitës: “Populizmi politik i dëmshëm”

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar i dalë deputet nga listat e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi kritikon tentativën e opozitës për të politizuar protestën qytetare kundër armëve kimike. “Piazën do ia lëmë qytetarëve dhe jo politikës, por në Shqipëri populizmi politik është i dëmshëm, sepse ne po shohim për herë të parë që opinioni publik është jashtë mobilizimit partiak, kjo sipas meje është gjë e mirë”, - pohon Shehi për AS. Ndërsa shton se vendimi i Ramës ishte i drejtë, madje Shqipëria nuk duhet të ishte përfshirë fare. “Rama mori një vendim që duhej marrë, dhe pse e mira ishte të mos i hynim fare kësaj valleje. Mendoj që ka menduar gabim që këtë ta mbyllte i vetëm por këto janë rrethanat e politikës. Kemi dalë fitimtarë nga kjo situatë"- u shpreh Shehi.shekulli.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi