Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Përditshmëria e një vajze lesbike në Tiranë

prej Thu 5 Jun 2014 - 14:31
Përditshmëria e një vajze lesbike në Tiranë 20140531035235_news
Ashtu si revista amerikane “Time”, dhe revista “Klan”, ka zgjedhur të ketë në kopertinë për numrin e fundit një vajzë ndryshe. Xheri Karaj është një nga lezbiket më të famshme në Shqipëri. Këtu ajo nuk ka konkurrencë, pasi shumë pak të tjera e kanë deklaruar hapur prirjen e tyre seksuale.

Përveç historisë së saj, Xheni që drejton qendrën Aleanca kundër Diskriminimit të LGTB, sjellë edhe histori të tjera, ku një vajzë të re me një fëmijë pesë muajsh, e përzënë nga shtëpia kur prindërit e morën vesh se ishte lesbike, dy të tjera me probleme të ngjashme dhe një djalë i rrahur gati për vdekje nga i ati, pasi pranoi se ishte gay.

Ajo nuk flet me statusika, por thotë se, në takimin e çdo dite ka 20 ose më shumë vajza dhe djem që vijnë e ikin.

Shkrimi në revistën “Klan”:

Xheni Karaj tani i ndan edhe me prindërit, kryesisht të ëmën, shqetësimet, trazirat, dashuritë, por edhe rastet me të cilat përballet çdo ditë në qendrën e LGBT. Ajo është një prej vajzave të pakta fatlume që ka qëlluar të ketë dy prindër që e kanë pranuar të bijën ashtu siç është. Ata e kanë marrë vesh rastësisht prirjen homoseksuale të Xhenit, por kurrë as vunë dorë mbi të, as e kërcënuan se do ta përzinin nga shtëpia (siç ka ndodhur me shumë të tjerë), e aq më pak e drejtuan nëpër qendra të specializuara për ta fryrë me hormone me shpresën se një ditë edhe ajo do të preferojë të ketë një mashkull në krah. Anjëra prej këtyre nuk ka ndodhur, ama kjo nuk do të thotë se, ato ditë të para, kur rastësisht panë një figurë femërore të fshehur në hije në ekranin e Vizion Plus, ndërsa fliste për homoseksualitetin e vet, dhe e njohën nga zëri se ishte bija e tyre, nuk u shokuan. E kanë kaluar një dramë të tillë në shtëpi edhe ata, por zgjodhën ta mbrojnë 28 vjeçaren që tani nuk humbet asnjë rast për të dalë, publikisht ose jo, në mbrojtje të një komuniteti që kërkon të trajtohet njësoj si të tjerët. “Unë jam një nga rastet me fat dhe më në fund jam e vërtetë. Nuk kam më nevojë të fshihem dhe ju nuk mund ta kuptoni çfarë ndjenje lehtësimi është kjo. Është si të të jetë dhuruar një jetë e dytë”.

Në një ndërtesë njëkatëshe fare pak metra larg qendrës së Tiranës është ngritur qendra e Aleancës kundër Diskriminimit të LGBT. Është e ndarë në dy hapësira, njëra e bollshme prej nga madhësia, ku Xheni, drejtore e kësaj qendre, por edhe anëtarë të tjerë të saj, presin e përcjellin çdo ditë të rinj, djem e vajza që drejtohen aty për të gjetur, mbi të gjitha, shpresën. Në këtë dhomë që ata e quajnë dhoma e pritjes, janë dy vajza të reja, të cilave Xheni u vë në dispozicion frigoriferin për një pije të ftohtë, ose makinën e kafesë. Disa shkallë të tjera të ndajnë nga një tjetër ambjent, i arreduar si zyrë kësaj here me tavolina e kompjutera, por sidomos me mure të mbushura me postera të fushatave të ndryshme të organizuar nga lëvizja LGBT dhe nga gjurmë duarsh mbi mure, disa syresh të firmosura me emër e mbiemër. Pak më në cep janë, edhe disa thasë të mëdhenj, gjithashtu me postera ose objekte të shumëllojshme që vajza e djem i kanë mbajtur gjatë marshimeve në bulevard. “Ja këtu mblidhemi çdo ditë”, tregon Xheni. “Ndajmë eksperiencat tona, problemet, por në mënyrë të veçantë këtu vijnë të gjitha ata që nuk kanë një mundësi për të folur ose për të gjetur zgjidhje”. Këtë muaj ajo ka marrë në trajtim katër raste, që mund të quhen të rënda: Një vajzë të re me një fëmijë pesë muajsh, e përzënë nga shtëpia kur prindërit e morën vesh se ishte lesbike, dy të tjera me probleme të ngjashme dhe një djalë i rrahur gati për vdekje nga i ati, pasi pranoi se ishte gay. Në qendrën e LGBT nuk ka statistika për të thënë se sa është numri i të rinjve homoseksualë në Shqipëri, ose sesa janë ata që i drejtohen kësaj qendre. Xheni thotë se nuk mbajnë statistika, ama në takimin e çdo dite ka 20 ose më shumë vajza dhe djem që vijnë e ikin. “Vetëm se kemi problemin e trajtimit të çështjeve të tyre. Për rastet e vajzave është diçka më e thjeshtë sepse jemi lidhur me ojf-të e grave që operojnë në këtë drejtim dhe mund t’i çojmë edhe në qendrat e mbrojtjes së ngritura për mbrojtjen e tyre. Por për djemtë është më e vështirë sepse qendra të tilla nuk ekzistojnë. I jemi drejtuar ministrisë së Mirëqënies Sociale për të marrë mbase një ambjent me qera, në të cilën të strehojmë djemtë që kanë probleme të tilla”, thotë ajo. Në tratativa me ministrinë që drejton Erion Veliaj, është edhe për çështjen e bashkëjetesës që djemtë dhe vajzat e komunitetit LGBT kërkojnë të ligjërojnë. Bëhet fjalë për ndryshimin e dy neneve në Kodin e Familjes, i cili e përcakton bashkëjetesën si bashkim i një burri dhe një gruaje, ndaj këtë të fundit ky komunitet kërkon ta ndryshojë si “bashkim mes dy personave” për t’i hapur rrugë kështu bashkëjetesës mes dy homoseksualëve. “Na ka premtuar se do të bëjmë diçka dhe po presim. Jemi përqendruar në këtë drejtim”, shton drejtoresha e qendrës.

Përditshmëria e një vajze lesbike në Tiranë Timthumb
Mund të quhet kjo një betejë e dytë, pas asaj të daljes publikisht në tubime masive për t’i dhënë fund, sipas tyre, homofobisë, paragjykimit e ndonjëherë edhe dhunës që ushtrohet mbi djem e vajza që preferojnë lidhjen brenda të njëjtit seks. Është një betejë që vazhdon edhe kjo, por nëse Kodi i Familjes ndryshon, atëherë ky do të jetë hapi i parë drejt legalizimit të lidhjeve homoseksuale në Shqipëri. Çka për Xhenin do të thotë një tjetër liri, ligjore kësaj here. Vajza me flokët e shkurtër e trup imcak ka një histori dashurie që zgjat prej më shumë se katër vjetësh. Aktualisht jeton me prindërit, por ndoshta një ditë edhe ajo do të ndjejë nevojën për të jetuar me mikeshën e saj, e pse jo, siç thotë, ndoshta pas një ose dy vjetësh edhe të ketë një fëmijë. “Po, e mendoj edhe këtë. Pse jo”, thotë Xheni duke qeshur.

Por sa normale mund të quhet një familje e përbërë nga dy femra ose dy meshkuj që rrisin një fëmijë? Sa ndikon kjo që edhe ky fëmijë kur të rritet të jetë homoseksual? Diskutimi është i nxehtë sot e gjithë ditën dhe vendet që i kanë legalizuar martesat gay dhe birësimin prej tyre të fëmijëve numërohen me gishtat e njërës dorë.

“Jo domosdoshmërisht një fëmijë i rritur nga dy prindër homoseksualë bëhet i tillë”, përgjigjet Xheni. “Janë bërë studime për këtë në vende të zhvilluara të botës dhe përfundimi është se këta fëmijë kanë zhvillim psikofizik normal. Është e njëjta gjë: unë u rrita nga dy prindër heteroseksualë, por kjo nuk ndikoi: unë jam lesbike”. Për Xhenin më shumë problem se familja me dy femra ose dy meshkuj, është sistemi jashtë familjes. “Ky është diskriminues për të gjithë. Ne si shoqëri e kemi diskriminimin në thelbin tonë. Kjo gjë më stimulon akoma më shumë ta bëj një fëmijë, që ta edukoj në mënyrë që ky realitet të mos i duket i ndryshëm, që homoseksualët të mos duken si qenie të jashtëzakonshme, jonormale. Kështu ndryshon edhe realiteti. Ne jemi njerëz normalë dhe lidhja homoseksuale nuk duhet parë si diçka e ndryshme nga normalja, diçka që duhet luftuar si një e keqe”. Është aq e sigurtë në çfarë thotë dhe iu referohet aq shumë studimeve, sa edhe pse flitet për një realitet si ky shqiptar, ku ende prindrit vrasin fëmijët e tyre për çështje nderi, Xheni beson se gjërat shumë shpejt do të ndryshojnë. “Jo nuk jemi larg ditës së martesave gay”, thotë ajo. “Kjo është një e drejtë ligjore e jona dhe familja LGBT tanimë është realitet”.

Në mos martesat, komuniteti LGBT është që ç’ke me të një realitet në Shqipëri. Siç tregon drejtoresha e Qendrës së Aleancës kundër Diskriminimit të LGBT, çdo ditë në këtë qendër hyjnë e dalin me dhjetra të rinj. Pothuaj askush nuk i di prirjet e tyre homoseksuale, as familjet e as një rreth i gjerë të njohurish. E dinë aty, në qendër, dhe në rastin më të mirë, një rreth tepër i ngushtë miqsh. Ndërsa ata që tentojnë të dalin hapur, jo gjithmonë ja dalin me sukses. Ndodh të përjetojnë drama e tragjedi familjare, ndodh të braktisen nga çdokush që kanë njohur deri në atë moment dhe shumë rrallë mund të ndodhë të pranohen, siç ka ndodhur me Xhenin.

“Kjo vlen për të gjithë në përgjithësi, sepse realiteti është shumë i ashpër për njerëz si ne”, thotë Xheni. Dhe këtë nuk e ka me të dëgjuar, por nga eksperienca e vet. “Deri në vitin 2009 kisha një ndjenjë vetmie dhe izolimi total”, shton ajo. “Mendoja se e vetmja lezbike që ekzistonte në këtë vend ishte vetja ime që shihja në pasqyrë”. Asokohe punonte si specialiste e marrëdhënieve me jashtë pranë KKRT-së në Televizionin Publik. E dinin pak ose aspak njerëz dhe t’u tregonte prindërve as që bëhej fjalë. Ishte njësoj sikur ta mbante të fshehur edhe nga vetja. “Një ditë më mori një shoku im gay dhe më foli për dy amerikane lesbike që jetonin në Tiranë. U takova me to dhe folëm për komunitetin. Njihja shumë pak lesbike por filluam të takoheshin dhe në atë kohë grupi ynë nuk ishte më i madh se 4-5 veta”. Krijuan edhe një grup në Facebook me emër Aleanca kundër Diskriminimit të LGBT i cili brenda pak ditësh numëroi rreth 500 anëtarë, homoseksualë ose mbështetës. Më vonë i kërkuan Sevim Arbanës një ambjent në qendrën “Në dobi të gruas shqiptare” që ta përdornin për takimet dhe aktivitetet e tyre. “Por nuk zgjati shumë sepse fqinjët u ankuan”, thotë Xheni. “Ndaj për më shumë se dy vjet takoheshim nëpër shtëpitë e anëtarëve të grupit”. Më vonë, një deklaratë e ish-kryeministrit Berisha, në vitin 2009 për legalizimin e martesave gay shërbeu që grupi të dilte hapur. Deklaratës së kryeministrit ata iu përgjigjën me njoftimin e parë për shtyp çka parlajmëroi ekzistencën, por edhe veprimtaritë e mëvonshme të këtij komuniteti.


Ndërsa një vit më vonë për Xhenin do të ndodhte ngjarja e madhe. Ishte koha kur mediat filluan të shkruanin, kur Xheni e kuptoi se nuk ishte lesbikja e vetme në botë e kur nuk kishte drojë të takonte gazetarë. Shfaqej në shtyp e televizione, me emra të rremë e pa figurë, por fliste të paktën. “Në një nga këto dalje, në Vizion Plus, prindërit më njohën nga zëri. Kur shkova në shtëpi u tregova, nuk e mohova që jam lesbike. Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë, u shokuam të dy palët, por më pranuan”. Ama Xheni do të vazhdonte të ishte e padukshme. Përveç prindërve janë fisi, një rreth më i gjerë miqsh, kolegët e punës që ende nuk e dinë... Në rastin e Xhenit, deri në një nga emisionet “Opinion”, të rreth dy viteve më parë. Atë mbrëmje për të cilën u fol gjatë, kur Xheni ndërsa ndiqte në publik debatin e ndezur për komunitetin gay, mori mikrofonin dhe e irrituar për çfarë kishte dëgjuar, pa dashje, pa paramendim, e pranoi publikisht se ishte lesbike. “Nuk e kisha këtë qëllim, por ndjen atë urrejtjen që e ke provuar gjithë jetën tënde dhe nuk përmbahesh dot. Thashë me vete: nëse nuk flas tani, nuk do të flas dot kurrë më”.

Por tërmeti do të ndodhte më pas. E dinin prindërit, por jo e gjithë bota dhe kjo nënkuptonte një dramë të dytë në familje. U tha madje që i ati kishte telefonuar në studio e kishte thënë që Xheni të mos shkelte kurrë më në shtëpi. “Nuk është kështu e vërteta. Sigurisht që kjo ishte shumë e rëndë për ta. Por pas emisionit, atë natë nuk shkova në shtëpi. Nuk dihej reagimi, jo i prindërve të mi, por i njerëzve në përgjithësi. Nuk ka ndodhur rrallë që një gay ose lesbike edhe të dhunohet në rrugë, ndaj natën e kalova tek tre mikesha të miat. Nuk shkova në shtëpi jo nga frika, por sepse nuk doja të shihja dhimbjen e prindërve të mi”. Vetëm se kjo arrati nuk mund të zgjaste përgjithmonë. U përball me prindërit dhe dhimbjen e tyre. Dëgjoi të ëmën t’i thoshte se “nuk mund të ndryshonte botën”, por pa edhe kolegë, që e dinin me kohë, dhe që i shtrënguan dorën kur u paraqit në zyrë. Xheni ka provuar pak nga të gjitha: Edhe përkrahjen, edhe të sharat kur kalon në rrugë, edhe kërcënimet, sidomos në rrjetet sociale. “Kështu ndodh: në fillim shokohen, pastaj nuk flitet më për këtë gjë. Kjo ka ndodhur edhe fjala vjen me fisin. Askush nuk më përjashtoi apo më gjykoi për çfarë isha. Thjeshtë nuk flitet për këtë gjë, sepse kështu iu duket sikur fenomeni nuk ekziston. Unë e kam kaluar pa drama. Por jo të tjerët dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë realitet”.

Një realitet që për disa është normal e për disa të tjerë është i papranueshëm. Ka nga ata që e pranojnë, siç ka të tjerë që e luftojnë dhe dalin kundra. Asgjë e jashtëzakonshme apo që nuk ka ndodhur në vende të tjera ku lëvizje të tilla bëhen prej dekadash. Për Xhenin një homoseksual nuk është si një jashtëtokësor, thjesht lind i tillë dhe duhet pranuar si i tillë.

“Unë kështu besoj, homoseksual lind. E kupton këtë qysh në adoleshencë kur je brenda një grupi shoqesh dhe të gjitha flasin për një djalë që iu pëlqen ndërsa ti, ndryshe nga ato, ndjen për një femër. Mua personalisht më ka ndodhur akoma më shpejt, ndoshta që në moshën 8-9 vjeçare. E dini kur ndjen ato fluturat në bark? Unë i ndjeja, por jo për një mashkull. Tërhiqesha nga femrat, edhe pse nuk e kuptoja tamam arsyen. Pastaj kjo tërheqje jo domosdoshmërisht është tërheqje seksuale”.

Por çfarë do të thotë dhe si është kur e ndjen se je ndryshe nga të tjerët? “Fillon dhe ndihesh ndryshe kur e kupton sesi të perceptojnë ty të tjerët”, thotë Xheni. “Të perceptojnë të ndryshëm, pervers, edhe pse prirja për të qenë homoseksual është po aq e natyrshme sa heteroseksual. Për rrjedhojë, tërhiqesh, nuk e pranon, fshihesh. Dhe kjo është shumë e mundimshme”. Kështu ka qenë edhe për Xhenin, e cila gjatë viteve të gjimnazit tek “Partizani” nuk i shmangu kurrë shoqet e veta, por as ua tregoi se “fluturat në bark” i ndjente për dikë të seksit të njëjtë. Në të kundërt të kësaj sajonte histori sikur edhe ajo pëlqente një djalë. “Ashtu kot, sa për të qenë njësoj si të tjerat”.

Pastaj gjatë viteve të universitetit, si studente e Psikologjisë, dashurive platonike u erdhi fundi. Asokohe ka pasur lidhjen e parë të dashurisë me një vajzë tjetër për pothuaj një vit. “Thjesht mbaroi dhe nuk e di çfarë ka ndodhur me të dashurën time të parë”, thotë Xheni. Nuk e ka ndeshur më për të mësuar nëse edhe ajo është lesbike apo me kalimin e viteve kuptoi të kundërtën. Sepse mund të ndodhë edhe kështu. Xheni ka pasur lidhje edhe me vajza që nuk janë lesbike. “Ky është problemi: kur përmendet fjala homoseksual njerëzit nënkuptojnë vetëm marrëdhënien seksuale mes seksit të njëjtë. Por nuk është kështu. Kam jetuar histori edhe me vajza që nuk janë lesbike. Jemi dashuruar me njëra-tjetrën për atë që jemi, për personalitetin, kemi pasur të njëjtin botëkupim, të njëjta dëshira, shije. Është një marrëdhënie e plotë, normale që kur ka përfunduar, secila ka parë jetën e vet. Unë nuk e kuptoj se pse duhen thjeshtëzuar gjërat vetëm tek seksi”?

E meqë ndodh edhe kështu, sa gjasa ka që djem e vajza të rinj, adoleshentë, ndoshta ende jo aq të pjekur sa ta dinë çfarë e si duan të jenë në jetën e tyre ta provojnë një marrëdhënie mes të njëjtës gjini edhe thjeshtë për provë, për hobi, ose thjesht për trend meqë flitet kaq shumë për të? “Jo nuk ndodh”, të siguron Xheni. “Unë të paktën nuk kam dëgjuar ndonjëherë që ndokush të ketë pasur një marrëdhënie të tillë thjesht për ta provuar. Ka kaq shumë paragjykime për ne sa do të ishte një guxim i tepruar”. Për këtë arsye, sipas saj, shumica nuk e tregojnë prirjen e tyre homoseksuale. Shpesh madje kryejnë martesa heteroseksuale për hir të realitetit, lindin fëmijë dhe në fund, sipas Xheni, “fundosen, shkatërrohen psikologjikisht”. Ose pranojnë verdiktin e prindërve për t’iu nënshtruar procedurave mjekësore me hormone, “sado që është e provuar se nuk japin rezultat”, shton ajo. Ndërsa të tjerët, siç është e dashura e Xhenit, preferojnë ta jetojnë jetën e tyre fshehurazi, edhe pse ka një histori dashurie me një vajzë tjetër prej më shumë se katër vjetësh. Por ajo dhe Xheni, njësoj si ato vajza dhe djem që janë në dhomën e pritjes, shpresojnë se një ditë do të ligjërohen dhe do të pranohen. Jo më kot në planet, jo aq të largëta të Xhenit është edhe një fëmijë! shekulli.


Përditshmëria e një vajze lesbike në Tiranë Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi