Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Enigma e pazgjidhur e bishës franceze!

prej Thu 10 Jul 2014 - 21:23
Enigma e pazgjidhur e bishës franceze! Timthumbphp_1402
Para 250 viteve një seri vrasjesh makabre tronditi një provincë franceze. 240 vetë u sulmuan dhe shumica prej tyre u masakruan barbarisht. Deri më sot ajo vërtitet në kufijtë e një legjende: a ishte një ujk ai që e kreu kasaphanën? Një hienë? Apo mos ndoshta, një njeri?
Nga viti 1764 deri në 1767, një qenie e tmerrshme terrorizoi Gévaudan-in, një lokalitet në jug të Francës. Shumica e viktimave ishin fëmijë dhe gra. Bisha mbërriti më 30 qershor 1764 në Gévaudan. Në atë vend të braktisur e të harruar në jug të Francës, diku në Auvergne. Qysh ditë më parë, një bareshë kishte rrëfyer në fshat se kishte hasur një qenie aq të frikshme, saqë disa prej atyre që po e dëgjonin iu duk fare e pabesueshme: një bishë e kishte sulmuar, një lloj ujku, aq i madh sa një gomar, aq i frikshëm e agresiv, saqë qentë që ishin aty rrotull iu shmangën sa mundën me të katra. Dhe nëse s’do kishin qenë qetë me brinjët e tyre të mprehtë mes bishës dhe bareshës, atëherë – ajo s’do dinte më se çfarë mund të kishte ndodhur. Më 30 qershor pastaj ndodhi diçka që i bëri njerëzit në Gévaudan të mos dyshonin më në rrëfimin e bareshës. 14-vjeçarja Jeanne Boulet nga famullia e “Saint-Etienne-de-Lugdarès” u gjend e vdekur në tokë. E masakruar tmerrësisht. E shqyer. A mos kishte vënë dorë mbi të, një bishë mizore? – Rasti në fjalë s‘do të ishte veçse fillimi i një serie krimesh të papara. Në fund dosjet tregonin se ishin regjistruar 240 sulme që kishin marrë me vete 112 viktima deri në vitin 1767. 53 njerëz arritën të shpëtonin, gjithsesi me plagosje të konsiderueshme. Përshkrimi i të vdekurve është i denjë për një roman horror. Veprat përfshinin që nga nxjerrja jashtë e organeve jetësore, deri te koka të shqyera nga trupi. Paraqitjet e ndryshme të “bishës së Gévaudan-it” janë të mbushura plot detaje të tmerrshme. Qysh atëherë, kur para 250 vjetësh ia nisi pra ajo seri vrasjesh makabre, banorët e atij rajoni duhet të kenë menduar atë çka Gabriel-Florent de Choiseul Beaupré, peshkop i Mende-s, ua përmblodhi me pak fjalë tufës së tij të besimtarëve në një letër të hapur: Zemërimi i Zotit ka zbritur mbi njerëzit!

Dënim për mëkatet tuaja!

“Dhëmbin e bishës po ua lë juve”, citonte prifti vargje nga Moisiu në Dhiatën e Vjetër dhe kërcënonte me Levitikus-in, nga libri i tretë i Moisiut, ku atyre që nuk përmirësoheshin, i njoftoheshin “dënime edhe më të rrepta”. Fatkeqësinë që kish zbritur mbi njerëzit, sipas kundërshtarit të iluminizmit, njerëzit e kishin merituar vetë, falë mëkateve të tyre. Ka mundësi që peshkopi i Mende-s me fjalët e tij të ashpra, të mos u referohej vetëm mëkateve të ditës, por edhe njërit ndër mëkatet e vlerësuara si më të rëndat: heretizmit, që për kohën konsiderohej reformacioni. Pasi idetë e hedhura në treg nga Martin Luther dhe Johannes Calvin, që kishin vënë në pikëpyetje autoritetin e pakufizuar të Papës, kishin “helmuar” ndërkohë edhe Gévaudan-in. Pas anulimit të Ediktit të Nantës në vitin 1685, që u kishte siguruar liri fetare hugenotëve protestantë, pati protesta e rezistencë nga mbështetës francezë të reformacionit të stacionuar më së shumti në rajonin e Francës Jugore të malësisë së Cevennen-it, që njihet në histori si kryengritja e kamisardëve. Nocioni “kamisardë” ishte me shumë gjasa një përjetësim i këmishave të bardha, të cilat protestantët i mbanin veshur në luftë kundër trupave mbretërore katolike. Ishin fshatarë dhe zejtarë. Vegjëlia. Në afërsi të tyre gjendej edhe Gévaudan, ku ata gjetën mbështetje. Aq shumë, saqë mbreti atje u detyrua të përdorte të gjithë arsenalin e armëve që kishte në dispozicion për t’i mposhtur. Kur mbërriti “bisha”, tashmë njerëzit në Gévaudan prej kohësh ishin çarmatosur. Por në asnjë moment tjetër të historisë së tyre, banorët e asaj treve nuk ishin ndjerë më të kërcënuar sesa në verën e vitit 1764. Atyre u lejoheshin vetëm thika xhepi, të cilat ata i lidhnin në brez. Por, përkundër asaj se çfarë po i kërcënonte ata në atë kohë, këto mjete ishin veçse një shaka. 15 kufoma u gjendën vetëm deri më 24 dhjetor 1764. Jashtë, matanë fshatit. Viktimat kishin plagë të thella kafshimesh mizore.

Vdekja u vërtit për tre vjet

“Drejtësia e Zotit, thotë Shën Agustini, nuk mund ta pranojë se pafajësia është e pafat”, thuhej në letrën e peshkopit për grigjën e tij të besimtarëve. “Dënimi që ai zbret, përputhet plotësisht me mëkatin që dikush ka kryer”. Në popull, kjo duhet të ketë shkaktuar reagime të frikshme. Pasi, ndër 112 viktimat deri në vitin 1767, me pak përjashtime, bëhej fjalë vetëm për gra e fëmijë. Deri më sot, akoma mbetet e paqartë se çfarë ndodhi në të vërtetë në atë kohë, duke e bërë oborrin e Versajës, të dërgonte në atë provincë në shtator 1764, një dërgatë 57-anëtarëshe dragonierësh, që mbolli tmerr e panik te të gjithë hugenotët. Megjithatë, monstrën që kishte masakruar gra e fëmijë, ata nuk mundën dot ta kapnin. Edhe babë e bir nga familja Denneval, dy gjahtarë të famshëm të kohës nga rajoni i Normandisë që u angazhuan fort në këtë mesele, duke vrarë rreth 1200 ujqër, i ndenjën larg suksesit të pritshëm. Edhe armëtari i mbretit dhe gjahtari i dytë i shpurës së oborrit të Luigjit XV., François Antoine (Fransua Antuan), i pajisur me qindra qen me erë dhe 14 ndihmësgjahtarë, dështoi paq. Ishte e pabesueshme. Kufomat e helmatisura, “bisha” nuk i prekte, dhe gjithashtu nuk binte kurrë pré e hiles së ushtarëve të veshur si gra, për ta joshur bishën të binte në grackë. Kështu, më shumë se 20.000 njerëz morën pjesë në shkurt 1765 në përndjekjen masive më të madhe të organizuar ndonjëherë deri në atë kohë, për t’u dhënë fund atyre tmerreve të papara. Por pa sukses. Në fund, mbreti dhe peshkopi vendosën edhe një çmim për kapjen e bishës, që ishte aq i lartë saqë një gjahtar të thjeshtë, mund ta kthente menjëherë në një njeri të kamur. 9000 lira ari duhej të merrte fatlumi, nëse godiste në shenjë, duke e neutralizuar bishën. Kjo shumë ishte e barabartë me plot 100 kuaj, një pasuri e madhe për kohën. Tashmë shpresohej se diçka do ndodhte.

Para për objektivin e gabuar

Dhe në fakt, në shtator 1765 gjahtarit të oborrit, Antoine, i kaloi një ujk i madh para syve. Kur ai prezantoi kufomën e kafshës të stërmadhe në popull, njerëzit u duk se u bindën se tashmë kjo punë kishte marrë fund. Të paktën kështu shpresohej: kjo duhej të kishte qenë kafsha me përmasa e sjellje prej bishe! Gjahtari u kthye mbrapsht në Paris, duke marrë shpërblimin. Dhe njerëzit në Gévaudan më në fund u duk se po merrnin frymë lirisht. Shtatori kaloi dhe po ashtu edhe tetori e nëntori. Nuk ndodhi asgjë. Por bëmat e bishës u rishfaqën. Më 2 dhjetor 1765, 14-vjeçari Couret Jean rrëfeu mbi një sulm, në të cilin ai kish shpëtuar i paprekur. Por shtatëvjeçari Vidal Tourneix kishte marrë plagë të mëdha. Tri vajzat në moshë 12-15 vjeç, që ishin sulmuar më 21 dhe 23 dhjetor, përkundrazi, nuk kishin arritur dot të mbijetonin. Çfarë kreature kishte qenë ajo, që arrinte të shkaktonte një kasaphanë të tillë dhe që arrinte t’i mbante njerëzit për një kohë kaq të gjatë në ankth e tmerr? A ishte me të vërtetë një ujk? Barinj të vegjël që i kishin mbijetuar sulmit, tregonin se bisha kish kaluar direkt para syve të tyre, dhe dhentë e dhitë që ishin pra një pre shumë e lehtë për të, ajo i kishte injoruar tërësisht. Autorja gjermane, Nina Blazon, ngjarjet e ndodhura në Gévaudan i ka përpunuar në mënyrë letrare në romanin e saj historik me titull “Wolfszeit” (Koha e ujqërve). Në kërkimet të saj, ajo ka folur edhe me eksperten e ujqërve Elli H. Radinger, që e cilëson një sulm të tillë si anormal e jo tipik për këtë kafshë. Ujqërit e uritur, sipas Radinger, në çdo rast do të sulmonin më parë kafshët. Eventualisht, këto raste mund të shpjegoheshin me faktin se kafsha më agresive është ajo e përftuar nga kryqëzimi mes ujkut dhe qenit shtëpiak.

Gjahtari me plumba ari

Njerëzit në Gévaudan besonin diçka tjetër. Një qenie demoniale duhej të kish qenë ajo që u kishte bërë atyre këtë vizitë, duke i masakruar gratë e fëmijët. Netëve, sipas tyre, ai afrohej nëpër shtëpitë e tyre, duke hungërirë, gjëmuar, e u zvarritur për të gjetur rastin e volitshëm. Njerëzit në Gévaudan, sikurse shumë francezë, donin të kishin një shpjegim për këtë fenomen – pasi në historitë me bazë besëtytnish që tregonin për burra e gra që shndërroheshin në ujqër gjakatarë, ata nuk besonin më. Jean Chastel, hanxhi, baba i nëntë fëmijëve dhe i njohur si gjahtar sypatrembur, e dinte se ai kishte vetëm një armë kundër këtyre bishave: fishekë të artë. Chastel, i cili në ato anë njihej me nofkën “maska”, i derdhi vetë ato, i bekoi në një kishë, dhe e mbushi armën e vet me to. U bë gati të nisej të vriste bishën. Në paraditen e 19 qershorit 1767, ai e hasi më në fund atë: tërhoqi këmbëzën – dhe qëlloi. Ishte një kafshë e stërmadhe, që ai tashmë e kishte lënë në tokë të pajetë. Dhe ai vuri re se ajo nuk ngjante me një ujk normal. Noteri mbretëror nga Langeac me emrin Marin, e përshkroi atë si “shumë të ndryshëm nga ujqërit e tjerë në ato rrethina”. Gjahtari dhe ekspertë të tjerë i kishin thënë atij pas këqyrjes së kafshës, se në fakt vetëm bishti dhe pjesa e mbrapme i ngjanin një ujku normal. Qimet e kuqërremta, përzier me ato gri mbi lëkurë, vijat e zeza paralele, njolla e madhe e bardhë në formën e një zemre në gjoks, këmbët e parme të trasha – të gjitha këto, ekspertët nuk i kishin parë kurrë më parë te një ujk. “Putrat janë të pajisura me katër gishta, që dukeshin shumë më të fuqishme sesa ato të ujqërve të tjerë”, sipas tyre. “Koka është e pamasë”. Një përzierje racore? Një hibrid? Biologu i ujqërve nga Kanadaja Ronald D. Lawrence është përpjekur të japë një shpjegim për “ujkun vrastar” të atëhershëm. Ai e mbulon shpjegimin e vet me idenë e Elli H. Radingerit. Jo thjesht fakti se në atë kohë kafsha e vrarë ishte shumë më e rëndë sesa një ujk mesatar, sipas Laurence, flet për atë se në fakt bëhej fjalë për një kryqëzim racor.

Apo mos kafshimi ishte i një njeriu?

Në shekullin e 18-të, fshatarët mbanin qen të mëdhenj për të mbajtur larg bagëtive të tyre, ujqërit grabitqarë. Ngaqë qentë silleshin në ato rrethina fare të lirshëm, ata kryqëzoheshin me ujqër që hasnin herë pas here. Se sa agresivë mund të kenë qenë këta hibridë, këtë e treguan më vonë mbarështrimet që u bënë në SHBA. Dëshira për të sulmuar me agresivitet e këtyre kafshëve, e ka origjinën në këto specie, në faktin se një qen shtëpie e ka humbur frikën nga njeriu – në kombinacion me fuqinë e ujkut, duke sjellë një superfuqi të rrezikshme. Duke u bazuar në ngjyrën e lëkurës dhe qimeve të kafshës së vrarë nga Jean Chastel, u krijua edhe përshtypja se bëhej fjalë për një hienë të llojit të veçantë. Numri i përshkruar i dhëmbëve gjithsesi, nuk u përgjigjej kafshimeve të dëshmuara nga kjo specie në Afrikë. Që në atë kohë, kafshë shumë agresive përmbushnin zellin e tyre vrastar, u çua ndërmend si ide. Por lloji i sulmeve të përzgjedhura dhe largimi nga vendngjarja në mënyrë të rrufeshme, nuk u përgjigjej kafshëve të sëmura. Kafsha e Gévaudan-it vepronte me shumë ligësi e dinakëri. Kafsha? Më pas, pas përfundimit të serisë së tmerreve dhe ndoshta edhe gjatë tyre, kish zënë vend dyshimi se këtu kishte gisht një killer serial. Plagët e kafshimeve ndoshta vetëm më vonë do t’u ngjisheshin viktimave nga kafshët e egra. Apo mos i kafshoi ato ndonjë njeri? Dëshmi nuk kishte, e raportet e të mbijetuarve flisnin kundër tyre. Kështu që ato mbeten vetëm dyshime. Disa bënë fajtor pikërisht Jean Chastel, atë që me plumbat e tij të artë, nuk kishte qëlluar bishën e supozuar se kishte kryer masakrat, por një javë më pas edhe një ujkonjë, veprim i cili në fakt solli përfundimisht qetësinë. Mirëpo Chastel, “Maska”, ishte një kreaturë e dyjëzuar. Ai, thuhet se u rras në burg më vonë për një vrasje. Disa thoshin se ai vetë duhej t’i kishte kryqëzuar ujqërit gjakatarë me qen stani, për të vrarë njerëz. Se tekefundit, “Homo homini lupus est”, njeriu për njeriun, është ujk. A.P.GAZETAEXPRESS


Enigma e pazgjidhur e bishës franceze! Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi