Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Cili është brezi që do edukojmë, ai "hesht dhe kalo", apo ai që guxon të përballet me realitetin?!

prej Fri 21 Nov 2014 - 23:22
  • Poetja Rita Petro një intervistë për “Shekulli”-n, rrëfen të pathënat e librit të saj më të fundit, “Vrima”. Sipas saj, ne sapo dalim në dritë jeta jonë fillon e rrotullohet rreth kufijve që na mbysin, por kujtesa është përbërja materiale dhe mendore e trupit dhe e trurit tonë

Cili është brezi që do edukojmë, ai "hesht dhe kalo", apo ai që guxon të përballet me realitetin?! 10805360_10203458166320913_1388685402_n
Valeria Dedaj

Rita Petro rikthehet pas 7 vjetësh me librin “Vrima”. Ajo guxon që t’i prezantojë lexuesit përjetimet e saj për jetën, vdekjen dhe amshimin për rilindjen, madje duke patur shumë besim te kjo e fundit. Në dy poemat; “Poema e fundit për dashurinë” dhe “Legjenda e motrës dhe e vëllait”, në njërën e lë shpirtin në paqe, pa zemërim, pa urrejtje, në harresë të pastër deri në mëshirim. Në tjetrën shpirti i saj rilind i lirë... Asaj i pëlqen që të rrezikojë dhe t’i pranojë të vërtetat ashtu sikurse janë, madje, madje dëshira e saj më e madhe është që, edhe brezi i ri të rritet me këtë frymë, jo me justifikime pavlerë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ndër të tjera poetja shprehet se: “T'u nxitësh fëmijëve fantazinë me përralla është tjetër gjë, dhe t’i ushqesh ata me përralla në jetë, duke i ikur së vërtetës është dëmi më i madh që mund t'i bësh një brezi”. Sipas saj, shoqëria na vesh me rroba për të mbuluar të vërtetën, ndërsa natyra na zhvesh për të qenë të vërtetë.

Ndihet pena guximtare e Ritës qysh në titull, “Vrima”. Riktheheni pas 7 vjetësh me dy poemat, “Poema e fundit për dashurinë” dhe “Legjenda e motrës dhe e vëllait”. Duket sikur në njërën e vini shpirtin në paqe, pa zemërim, pa urrejtje, harresë e pastër në mëshirim. Në tjetrën shpirti juaj rilind i lirë...

Po është e vërtetë, thënë ndryshe kam derdhur në këto vargje përjetimet e mia për jetën, vdekjen dhe amshimin si dhe për rilindjen, besoj shumë te kjo e fundit. Duke qenë se mendja njerëzore është e kufizuar, që të arrijmë ta besojmë këtë kemi nevojë për të arritur shkallë të larta ndjeshmërie, madje ekstreme, ku s'kemi nevojë për trupin dhe trurin, por për shkrirjen me Krijuesin, me ndërgjegjen universale.

"Tani je në dorën time... Nëse ta mban luaj me zjarrin ujin ligjin... E nëse jo hesht dhe kalo". A duhet të zgjedhësh që të rrezikosh apo t'i pranosh gjërat ashtu sikurse janë?

Dikur para shumë vitesh kam shkruar: "Sa për rrezikun atë e kam veshur drejt e në trup si një jelek antiplumb!". E thënë troç njerëzit ndahen në dy lloje: në ata që ua mban dhe në ata që s'ua mban për të hyrë në zonën e rrezikut, të cilën unë e kam identifikuar në poemë si një zonë që ndodhet pas telave me gjemba, por njëkohësisht dhe si zonë e lumturisë. Zjarri, uji dhe ligji janë tabu të krijuara për të nxitur frikën brenda nesh, për të na bërë të bindur dhe të nënshtruar ndaj pushtetit të të fortit. Ndaj këtij trinomi poetikisht unë i kam bashkëngjitur duke iu kundërvënë: uji – liri, zjarri – dashuri, ligji - sfidë. Refreni që përsëritet në poemën e parë lidhet me atë se sapo dalim në dritë jeta jonë fillon e rrotullohet rreth kufijve që na mbysin: "Tani je në dorën time!... Vini re si sillen ata që marrin pushtetin, vini re se si sillen baballarët apo të rriturit me fëmijët, vini re si sillet një profesor me notën e tij, apo një polic kur të kap në gabim, dhe kjo shprehje përjashtuese mbijeton në të gjitha shoqëritë në përgjithësi dhe është aq e dukshme në çdo ind të shoqërisë shqiptare, dhe më pas vjen dilema: Cili është brezi që do të rritim ne, ai "hesht e kalo"...apo ai që guxon e përballet me këtë ?!

"Kujdes film me pullë". Edukimi seksual që duhet t'u bëhet fëmijëve. Emërtimet si “lulja”, “ajo gjëja” a janë të nevojshme gënjeshtrat si fëmijët i sjell lejleku?

T'u nxitësh fëmijëve fantazinë me përralla është tjetër gjë, dhe t’i ushqesh me përralla në jetë duke i ikur së vërtetës, është dëmi më i madh që mund t'i bësh një brezi. Mungesa e lirisë seksuale për mendimin tim është një nga të këqijat më të mëdha prej nga burojnë shumë dëme që i vijnë një shoqërie. Madje edhe njerëzit me prirje natyrale më të fuqishme ndaj kënaqësisë seksuale nuk do të thotë se janë të lirë. "Ne e bëjmë seksin me duar e këmbë të lidhura"..., por edhe kur i kemi të lira duart e këmbët e kemi trurin të mbyllur..., nuk kënaqemi plotësisht, brenda vetes grumbullojmë helme dhe të gjitha i vjellim në këtë tepsinë tonë të përbashkët, që na shtrohet nga politika në sheshet e bulevardeve tona.

"Ushunjëza-fëmijë". Pse si nënë ke një këndvështrim kaq të ndryshim nga ai që na serviret përditë për amësinë? "Dhe një mëngjes të tha: Tani është radha ime!" Kjo frazë ju ngjallë frikë, krenari, pritshmëri ?

Po ta kisha parë lindjen vetëm në kontekstin tim familjar dhe social s'do kisha thënë asgjë, por kam dashur të nxjerr në pah dhe pjesën e frikshme të së vërtetës, së riciklimit. Në thelb njeriu është qenie egoiste, lindim fëmijë për të siguruar vazhdimësinë e racës sonë,dhe harrojmë se kemi lindur një njeri të cilin fillojmë e mbysim pak nga pak, që kur i japim qumështin e vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë edhe kur fëmija rritet. Ndërsa shpërblimi për këtë është që fëmija mësohet të na thithë gjithçka, që nga qumështin, gjakun dhe lëngun e trupit tonë. Na pushton trurin tonë dhe kështu shndërrohemi në qenie të varura sa nuk e merr dot vesh se, ku fillojnë dashuria apo varësia dhe ku mbarojnë ato.

Frika se ndryshimi mund të sjellë diçka më të keqe a është një mënyrë për t'u bërë rob i vetvetes dhe t'u nënshtrohesh vullnetit të njerëzve përreth? Dhe edhe pse me vështirësi dhe pengesa, a është kjo ikje drejt lirisë individuale?

Gjithnjë na pëlqen t'i shohim gjërat si duken realisht dhe pasqyrat t’i zgjedhim madje me cilësinë më të mirë, që fytyra jonë të dalë sa më e bukur në mëngjes, pasi kemi bërë make up-in. Se përtej asaj që dukemi nuk duam, ose më mirë kemi frikë të shohim reflektimin e asaj, që fshehim në brendësi. Jam e bindur se atë zë që kam dëgjuar unë brenda vetes e dëgjon secili:"Shko dhe gjeje atë liqen...". Shoqëria na vë përpara pasqyrën për të parë vetëm ato që duhet; natyra ka krijuar ujin, liqenin për t'u parë në thellësi. Shoqëria na vesh me rroba për të mbuluar të vërtetën, ndërsa natyra na zhvesh për të qenë të vërtetë. A ka gjë më të bukur se njeriu lakuriq që ia dorëzon trupin e tij ujërave, ajrit, tokës. Vetëm një trup me një tru të lirë mund të arrijë kënaqësinë e plotë, prandaj dhe mesazhi im poetik është: shkoni e gjejeni atë liqen magjik o njerëz! Unë e kam gjetur. Secili duhet të bëjë punën e vet me trupin e vet.

Çfarë duhet të bëjë njeriu më pas, me kujtimet, përvojat, njerëzit që jetojnë brenda nesh? A shkohet para duke fshirë të shkuarën?

Kujtesa është përbërja materiale dhe mendore e trupit tonë dhe e trurit tonë. Nuk flas këtu nëse ne mbajmë apo jo varëse, apo unaza për të kujtuar ata që na kanë dashur, këto kujtime s'janë asgjë përpara çibanëve, që na kanë lindur në trup dhe pasi kanë plasur kanë lënë shenja, të cilat mund të jenë të dukshme dhe të padukshme, përsëri aty janë. Kur kemi fituar një betejë e tregojmë me zili dhe e fshehim kur kemi dështuar, por harrojmë se s'duhet të kemi turp t'i tregojmë shenjat tona. Ato tregojnë se ne kemi guxuar, ato tregojnë se ne respektojmë partnerin apo kundërshtarin, që jeton bashkë me ne. Kjo vlen aq shumë për shoqërinë tonë shqiptare. Gjithnjë jemi udhëhequr nga liderë që mundohen të na shpëlajnë kujtesën tonë dhe që vazhdimisht na thonë: "Harroni ç’është bërë deri më sot, por në radhë të parë ata ia fshehin dhe vetes plagët e humbjes me kundërshtarin, i mbulojnë ato me kostumet e shtrenjta dhe na plasin para syve vetëm dorashkën e sfidave. Unë të sfidoj se jam fitimtari. Dhe kështu liderët fitimtarë na vënë përpara si kope me dele, veçse ne kemi një prioritet, shohim atë që ata nuk mund ta shohin prapa shpinës së tyre, se si u ngërdheshet humbja e afërt”.

Legjenda e motrës me vëllanë...

Vini te lexuesi me një realitet, që e sillni nëpërmjet një legjende, atë të motrës me vëllanë... dëshira juaj për të provokuar duke guxuar të shembni para syve të lexuesit të gjitha mendësitë, për të nxjerrë në sipërfaqe ndjesitë e cunguara...

E çfarë ishte tjetër Eva dhe Adami në fillesën e njerëzimit përveçse vëlla e motër?! Dhe në lidhje me mallkimin e parë, femra ishte ajo që guxoi e para dhe kundërshtoi vullnetin e Atit, jo mashkulli. Në kontekstin e gjenezës e kam krijuar këtë çift motër e vëlla dhe aspak në atë të incestit. Nxitjet e para sensuale na lindin te mikrokozmosi ynë, te shtëpia e fëmijërisë... Aty është mashkulli, aty është femra; aty ngjizet fara, aty ngjizet dëshira për seks, që kur thithim dhe luajmë me gjirin e nënës pavetëdijshëm në ekstazë kemi kryer mëkatin e parë në këtë jetë.

Rrëzoni hap pas hapi mentalitetet, dogmat fetare, barrierat. Ligjet e pashkruara të së mirës, i detyron të përulen para asaj që të bën të ndihesh mirë dhe nëse kjo bëhet e dënueshme, e papranueshme, e keqja vetë. Ju përsëri e lejoni të rrjedhë, pavarësisht mundimeve, sepse ndoshta kjo është e vetmja mënyrë e të jetuarit të vërtetë.

Jemi mësuar që vendin e parë ta zërë vëllai, mashkulli dhe unë doja ta ktheja përmbys këtë gjë. Çdo grua po të rrënojë brenda vetes do të gjejë një fuqi të paparë dhe sa më tepër do ta kuptojë këtë, aq më tepër do zbulojë dobësitë e një mashkulli. Dhuna e mashkullit e ka origjinën te dobësitë e tij gjenetike. Është perandoria mashkullore ajo që krijoi mitin e seksit të dobët, pikërisht meshkujt cinikë, dhunues, arrogantë dhe perversë. Vetëm meshkujt që e kuptojnë këtë dhe kanë patur guximin ta pranojnë dobësinë e tyre ndaj forcës së femrës janë meshkuj të suksesshëm, të dalluar për burrërinë e tyre në të gjitha drejtimet.

Dhe ju i thurni himn me vargjet tuaja këtij mashkulli apo jo?

Po, në të gjithë poezinë time ndihet kjo. Poezitë "Simfoni në errësirë" apo "Aty poshtë" etj., janë himn për kënaqësinë e pakufishme që merr një femër nga mashkulli, të cilin ajo e dashuron. Dhe aq e fortë është kjo ndjesi, sa së bashku me orgazmën gruaja lëshon jashtë dhe trurin e saj, ky është në vetvete procesi madhështor i dashurisë, procesi madhështor i krijimit.


Cili është brezi që do edukojmë, ai "hesht dhe kalo", apo ai që guxon të përballet me realitetin?! Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi