Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

JEZU KRISHTI I NAZARETIT / Ecce Homo! Sa shumë prova historike… Empty JEZU KRISHTI I NAZARETIT / Ecce Homo! Sa shumë prova historike…

Sun 21 Dec 2014 - 22:16
JEZU KRISHTI I NAZARETIT / Ecce Homo! Sa shumë prova historike… Ecce-homoPër një periudhë të gjatë kohe, historia e Krishtit ka qenë objekt i një debati të gjerë. Zyrtarisht, motivi i debatit ka patur gjithmonë në qendër personin e Jezusit të Nazaretit. Megjithatë, prapa shumë kontestimeve të pandarë që lidheshin me praninë e tij në Palestinë në shekullin I, shfaqeshin dhe shtytje të lidhura me doktrina të ndryshme mendimi (filozofik), prurjesh të rrymave gnostike, pozicionesh të feve jo të krishtera, orientimesh politikë që i kundërviheshin autoritetit eklesiastik katolik (në shprehjet e ndryshme të tij), fyerje dhe zënka të lidhura me luftëra për pushtet, personalizma që nxisnin polemika të zjarrta…
Duhen shtuar pastaj shumë shkatërrime të trashëgimisë së krishterë në shumë vende, duke nisur nga shekulli I. Ky kontekst historik nuk e ka lehtësuar kuptimin e arsyeve reciproke dhe ka mbyllur mundësinë për të kryer kërkime në zona me interes të lartë arkeologjik, si dhe në disa vende të caktuar të ruajtjes së gjetjeve me vlerë shumë të madhe historike. Me ndryshimin e shumë konteksteve ndërkombëtarë, dhe me zhvillimin e investigimeve modernë ndërdisiplinarë, është bërë e mundur që të rifitohet shumë kohë e humbur si dhe i është bërë e njohur komunitetit ndërkombëtar rezultati i kërkimeve shumë të gjatë e të lodhshëm. Ky artikull, pa dashur të jetë shterues, përpiqet të fokalizojë pikën në të cilën ndodhemi sot, si dhe i kushton një vëmendje të veçantë disa burimeve jo të krishtera si dhe kontributit të studiuesve edhe jo katolikë.
Gjetje arkeologjike me rëndësi të madhe

Në vitin 1941, në luginën e Cedron në Jeruzalem, doli në dritë një urnë e shekullit I pas Krishtit. Përmbante eshtrat e një familje me origjinë nga Cirene. Përmendet veçanërisht emri i “Aleksandrit të Cierene, bir i Simonit”. Duke marrë parasysh që Cirene është një vend shumë larg nga Jeruzalemi dhe që Aleksandri është një emër relativisht pak i përhapur në komunitetin hebraik të kohës, studiuesit thonë se është e mundur që ato të jenë eshtrat e familjes së Simone Cireneut, që Ungjilli sipas Markut e identifikon si “babai i Aleksandrit dhe Rufos”.

Do të kalonin nja pesëmbëdhjetë vite dhe në periudhën nga 1955 deri në 1962, në Nazaret, franceskani Bellarmino Bagatti zbuloi tre grafitë të ndryshëm ku lexohen qartësisht në gjuhën greke përmendjet e Virgjëreshës Mari, nëna e Jezusit. Në vitin 1961 u gjet një gur varri (82 x 65 centimetra) me një mbishkrim ku përmendet Ponc Pilati, pikërisht njeriu që dënoi me vdekje Jezusin. Zbulimi u gjet në një ndërtesë që i ishte dedikuar perandorit Tiberius. Një mision arkeologjik i Institutit Lombardo të Shkencave dhe Letrave në Milano zbuloi mbishkrimin, duke ngritur pakëz një shkallëz që i ishte shtuar pak më vonë amfiteatrit të Cesarea Marittima. Guri i varrit i përket vitit 31 pas Krishtit. Sërish: në vitin 1990, në afërsi të Jeruzalemit u gjend një varr familjar, në brendësi të të cilit u gjet një urnë me mbishkrimin “Jehosef, bir i Caifa”. Në qefin ndodhen eshtrat e Caifas. Me këtë rast duhet kujtuar që Jozefi i biri i Caifas (Yosef Bar Kayafa) njohur më mirë si Caifa, ishte peshkopi më i lartë i këshillit hebraik nga viti 18 deri në 36 pas Krishtit. Pati kaq shumë fuqi në kohën e Jezusit, saqë sipas ungjijve ishte ai që kërkoi arrestimin dhe më pas vdekjen e tij.
Gjurmë të martirit të parë

Në vitin 2004, në Bet Gemal, Atë Emile Puech, ekspert i epigrafisë antike në Ecole Biblique në Jeruzalem deshifroi mbi një gur të lashtë një mbishkrim: “Diakonikon (= vend për të ruajtur relike) Stephanou Protomartyros”. Eshtë prova definitive që tek ky vend (Kfargamla antike), martiri i parë i krishterë Stefani, u varros për herë të parë. Tre vjet më vonë, arkeologë të universitetit hebraik të Jeruzalemit gjetën varrin e Herodit të madh, mbret i Judesë nën protektoratin romak. Ungjilli i Mateut e paraqet si personin që u përpoq të vrasë Jezusin. Gërmime të tjerë konfirmojnë të dhënat e ungjijve, që i referohen madje edhe pishinës së Siloes. Sipas Ronny Reich i Universitetit të Haifas, prania e Jezusit në afërsi të pishinës mund të lidhet me ritet që i paraprinin hyrjes në tempullin e Jeruzalemit.

Mund të vazhdohet me prova të tjera: zbulimet e bërë pranë bazilikës së Varrit të Shenjtë në zonën e Golgotës (arkeologët grekë George Lavas dhe Saki Mitropoulos), apo pranë fshatravë të lashtë të Nazaretit (2009) dhe Cafarnaos (2009); konfirmimi i përdorimit te torturës në kryq nga romaket, por do të ndalemi këtu. Për një arsye: të gjithë të dhënat tregojnë gjurmë të orientuara – në mënyrë direkte apo indirekte – tek personi i Jezusit të Nazaretit. Fokalizimi më i mirë i referimeve historikë eksplicitë shndërrohet kështu në një pasojë logjike.
Neroni kundër të Krishterëve

Cornelio Tacito vinte nga një familje kalorësish. Ishte kuestor, pretorian këshilltar i Azisë. Studiuesit e konsiderojnë një historian skrupuloz. Për shkak të pozicionit të tij politik, kishte akses në “Acta senatus” (regjistrat e seancave të senatit romak) dhe “Acta diurna populi romani” (aktet qeverisës dhe lajmet për atë që ndodhte cdo ditë). Duke folur për vendimin e perandorit Neron për t’ua hedhur të krishterëve fajin për zjarrin që do të shkatërronte Romën në një javë në 64 pas Krishtit, Tacito shkruan: “Neroni shpiku fajtorë dhe dha dënime shumë të rafinuar për ata që plebejtë, që i urrenin për shkak të mizorive të tyre, i quanin kristianë. Origjinë e këtij emri ishte Christus, i cili nën perandorinë e Tiberiusit ishte dënuar me dënimin ekstrem, nga prokuratori Ponc Pilati”.

Autori vë në dukje faktin që titulli i kristianëve buron nga një person që ka ekzistuar realisht, i quajtur Chiristus, emri në latinisht për Krisht. Për të thuhet se ka “pësuar dënimin ekstrem” duke aluduar për “iudium in cruce” një dënim që e jepnin romakët. Këto ngjarje kanë ndodhur gjatë perandorisë së Tiberiusit dhe me vendim të Ponc Pilatit. Janë të gjithë konfirmime të asaj që rrëfejnë evangjelistët mbi rrethanat e vdekjes së Jezusit.
Taciti shkruan edhe këta lajme mbi persekutimin ndaj të krishterëve: “Dënimit i shtohet edhe përbuzja: disa prej tyre, të mbuluar me lëkurë kafshësh u lanë të shqyheshin nga qentë, të tjerë u kryqëzuan, të tjerëve u vunë flakën e i përdorën për të bërë dritë gjate natës. Neroni kishte ofruar kopshtet e tij për këtë spektakël dhe zhvillonte lojëra në Cirk, ku ai i veshur thjeshtë përzihej me plebejtë, apo merrte pjesë në gara me karrocën e tij… Të krishterët u asgjësuan jo për shkak të një të mire publike, por për të kënaqur mizorinë e një individi”.
Krishti, shkak për trazira

Gaio Svetonio Tranquillo ishte një arkivist, sekretar dhe bibliotekar i perandorit Adrian. Ai përmend Jezusin dhe ndjekësit e tij tek “Epistole”. Veç kësaj, në veprën e tij “Jeta e dymbëdhjetë Cezarëve” përfshin dy të dhëna që na interesojnë në mënyrë të veçantë. E para gjendet në jetën e Klaudios. Ja teksti: “Iudaeos impulsore Chresto assidue tumultuantes Roma expulit” (Dëboi nga Roma judejtë, që të nxitur nga Krishti ishin shkak trazirash). Nuk të habit fakti që Svetonio shkruan Chrestus në vend të Christus; mjafton të vëresh që fjalët greke Chrestos (i mirë, i përsosur) dhe Christos (Mesia) shqiptoheshin njësoj dhe mund të ngatërroheshin kollaj, sidomos nga ata që nuk ishin shumë të informuar për faktet; si provë e kësaj, duket sikur Svetonio flet për judejtë në mënyrë gjenerike. Shkrimtari nuk arrin të kuptojë, siç ndodhte edhe për të tjerë bashkëkombas të tij, ndryshimin që ekzistonte mes komunitetit hebraik dhe atij të formuar më së fundmi nga të krishterët. Svetonio kufizohet të kujtojë vetëm atë që është një masë e perandorisë që synon të zgjidhë tensionet. Në të vërtetë konteksti është më i artikuluar: predikimi i Krishtit tek judejtë romakë nga ana e judejve të tjerë, nuk mund të mos prodhonte reagime të fuqishëm.

Një konfirmim të mëtejshëm e japin “Aktet e Apostujve”. Në një kontekst të tillë, kronika e Svetonios përkon me atë që është përmendur tek Aktet sa i përket mbërritjes së Palit në Korinth. “Pas kësaj, i nisur nga Athina, Pali shkoi në Korinth. Dhe një jude me emrin Aquila, mbërritur prej pak kohësh në Itali se bashku me bashkëshorten e tij Prischilla, duke qene se Klaudio kishte urdhëruar që të gjithë judejtë të niseshin nga Roma, shkoi tek ata”.
Herën e dytë, Svetonio i përmend të krishterët në jetën e Neronit; ai përshkruan shfaqjen e akuzave të supersticionit: “Afflicti supliciis Christiani, genus hominum superstitionis novae ac maleficae” (të nënshtruar në tortura të krishterët, një racë njerëzish me një supersticion të ri dhe ogurzi”.
Jezusi i emigruar në Egjipt

Kufizohem me një shembull: Celsi ka qenë një filozof grek i shekullit II. Prej tij ruhet pjesërisht një vepër e vetme “Alethes logos” kundër fesë së krishterë. Në pjesën e parë të tij flitet për “nënën e Jezusit, e dëbuar nga artizani me të cilin ishte martuar, e akuzuar për tradhëti bashkëshortore, e mbetur shtatzënë nga një ushtar me emrin Panthera” (Conthra Celsum I, 32). Akuza e paligjshmërisë dhe figura e ushtarit Panthera janë sjellë edhe në ambientin judaik: në këtë kuptim, origjina e emrit Jezusi bir i Pantheras (Jesua ben Panthera), i dëshmuar me ndryshime të vegjël grafikë, duhet të jetë një korruptim i fjalës në greqisht parthenos (virgjëreshë). Ja një tekst i dytë: “I detyruar nga varfëria shkoi në Egjipt për të punuar me pagesë, dhe duke qenë se kishte përvetësuar disa prej disiplinave okulte për të cilat egjiptianët janë të famshëm, u kthye tek të tijtë, krenar për artet që kishte përvetësuar dhe u vetëshpall Zot”. Një tjetër referim: “Jezusi mblodhi përreth vetes dhjetë apo njëmbëdhjetë burra fatkeqë, më të këqinjtë mes tagrambledhësve dhe marinarëve, dhe bashkë me ta shfaqej aty e këtu, duke mbledhur turpshëm furnizime”.

Si mblidheshin të krishterët

Plini i Riu kish qenë nxënës i Quintilianit dhe kishte rolin e guvernatorit romak të Provincës së Bitinias dhe Pontos (Azia e Vogël). Eshtë ruajtur një përmbledhje e “Epistole”-ve të tij në dhjetë libra, i fundit prej të cilëve përmban letërkëmbimin zyrtar mes tij dhe perandorit Traian. Këto letra i përkasin kryesisht periudhës kur ishte guvernator i Bitinias. Në një prej letrave ai i kërkon këshillë Traianit se si të kryejë procedurat ligjore kundër personave të akuzuar si kristianë. Duhet të konsultohet me perandorin, sepse një numër i madh personash, të çdo moshe, gjinie dhe shtrese shoqërore ishin akuzuar se përhapnin fenë e krishterë. Ja se si procedonte Plini: merrte në pyetje të supozuarit si kristianë. Nëse ata rezultonin të tillë, dhe nuk tërhiqeshin deri në marrjen e tretë në pyetje, i dënonte me vdekje. Për ata që mohonin të ishin të krishterë, apo që thoshin se kishin qenë në të kaluarën, qoftë edhe 20 vjet më parë, ai kërkonte demonstrimin e asaj që pretendonin, duke u kërkuar të flijojnë perënditë, të nderojnë portretin e perandorit dhe të mallkojnë Jezu Krishtin.

Në një pikë të letrës, Plini jep të dhëna për kristianët: “Ata kishin zakonin që takoheshin në një ditë të caktuar para se të agonte, dhe këndonin këngë për Krishtin, sikur i këndonin një perëndie, dhe premtonin solemnisht se nuk do të kryenin asnjë krim, asnjë mashtrim, asnjë vjedhje apo tradhëti, se do ta mbanin fjalën e dhënë; pas kësaj, shpërndanin ansamblenë dhe më pas mblidheshin sërish për vaktin – një ushqim i zakonshëm e i parrezikshëm”.
Ky paragraf informon se kristianët e parë takoheshin rregullisht në një ditë të caktuar për të nderuar Krishtin: kjo gjë demonstron se besonin vendosmërisht në natyrën hyjnore të tij. Fraza që thekson se si të krishterët i këndonin himne Krishtit sikur “një Perëndie” interpretohet si përforcim i faktit që “në dallim nga perënditë e adhuruar prej romakëve, Krishti ishte një person që kishte jetuar mbi Tokë”.
Nëse ky lexim është i saktë, atëherë Plini kuptonte që të krishterët ishin duke nderuar një person që kishte ekzistuar realisht i cili, megjithatë, kishte edhe një natyrë hyjnore. Një konkluzion i tillë është në një valë me pohimin e Gjonit: “Et Verbum caro factum est”. Letra e Plinit zbulon edhe veçantinë e kujdesit që bënin kristianët e hershëm për të vënë në zbatim fjalët e Jezusit. Ata betoheshin solemnisht se nuk do të shkelnin rregullat morale, gjë që e ka origjinën në mësimet e Krishtit.
Dënimi me gurë i vëllait të Jezusit

Giuseppe Flavio është një historian judeo-romak i shekullit I. I deleguar i këshillit dhe guvernator i Galilesë, ai do të bëhej këshilltar i perandorit Vespasian dhe birit të tij, Titit. Tek vepra e tij “Antichita giudaiche” përmend edhe Jezusin dhe të krishterët. Në një moment ai përshkruan dënimin me goditje me gurë të Giacomos, që ishte në krye të komunitetit kristian të Jeruzalemit, që ndodhi në vitin 62 dhe që paraqitet si një akt i pakujdesshëm i kryepeshkopit kundër një njeriu virtuoz: “Anano… mblodhi këshillin gjykues dhe u vuri para vëllanë e Jezusit të quajtur Krisht, Giacomo dhe disa të tjerë, duke i akuzuar për shkelje të ligjit dhe duke i dënuar me vrasje me gurë”. Ky përshkrim është në një valë me atë të apostullit Pal në letrën dërguar Galatëve, 1,19, ku ai flet për “Giacomon, vëllanë e Jezusit”. Në një tjetër moment, historiani përmend figurën e Gjon Pagëzorit.

Pastaj është një kapitull i po kësaj vepre, i njohur si “Testimonium Flavianum”. Në vitin 1971, Profesor Shlomo Pines i universitetit hebraik të Jeruzalemit do të botonte përkthimin e një versioni të ndryshëm të “Testimonium”, siç përmendet në një dorëshkrim arab të shekullit X. Dëshmia shfaqet tek “Libri i Titullit” i historianit arabo kristian të Hierapolis (në Azinë e Vogël), Agapio, që vdiq në 941. Agapio jep vetëm me përafërsi titullin e veprës së Jozefit dhe pohon se puna e tij është e bazuar në një kronikë më të vjetër në gjuhën siriane të Teofilit të Edesës. Përmbledhja është kjo: “Në atë kohë ishte një njeri i ditur që quhej Jezus, që kryente një jetë të mirë dhe konsiderohej virtuoz, dhe kishte si pasues shumë njerëz ndër judejtë dhe ndër popujt e tjerë. Pilati e dënoi me kryqëzim dhe me vdekje, por ata që ishin dishepujt e tij nuk hoqën dorë nga doktrina e tij dhe rrëfyen që ai ishte shfaqur tre ditë pas kryqëzimit dhe ishte gjallë, dhe ndoshta ai ishte Krishti për të cilin profetët thonë se ka bërë mrekullira”.
Një njeri që përfundoi në kryq

Siriani Luciano i Samosatas, një dijetar që ka jetuar në kohën e perandorëve Antoninë është autor i një vepre me titull “Vdekja e pelegrinit”. Mes të tjerash, aty thuhet: “Të krishterët… sot adhurojnë një njeri – pikërisht personazhin që u solli atyre rite të reja, dhe që për këtë u kryqëzua… Zotëria i tyre fillestar u mësoi se janë të gjithë vëllezër, që nga momenti i konvertimit, dhe mohojnë perënditë e Greqisë, dhe adhurojne njeriun qe vdiq ne kryq, duke jetuar sipas ligjeve te tij”. Luciani na sjell disa të dhëna interesante. Thotë se të krishterët i shërbejnë “një njeriu” që “u paraqiti atyre rite të reja”. Dhe ndonëse ndjekësit e këtij “njeriu” ishte e qartë se kishin një vlerësim të lartë për të, shumë prej bashkëkohësve të tij e urrenin për mësimet e tij, deri në pikën që “për këtë arsye e dënuan edhe me vdekje në kryq”. Ndonëse nuk përmend emrin, është e qartë që Luciani i referohet Jezusit. Po çfarë kishte bërë Krishti që ta urrenin deri në këtë pikë? Sipas autorit romak, kishte mësuar që të gjithë njerëzit janë vëllezër nga momenti i konvertimit. Dhe deri këtu, asnjë nuk vihet në dyshim. Por çfarë nëkuptohej me “konvertim”? Do të thonte braktisje e perëndive të Greqisë, adhurim i Jezusit dhe një jetesë sipas mësimeve të tij? Nuk është e vështirë të imagjinohet në atë epokë eleminimi i dikujt që mësonte kësi gjërash. Veç kësaj, edhe pse Luciani nuk e thotë në mënyrë të qartë, fakti që kristianët mohonin perënditë e tjerë dhe adhuronin Jezusin, dhe e bënin këtë edhe pse të vetëdijshëm për pasojat e mundshme, tregon se Krishti ishte për ta padyshim më shumë se sa një qenie njerëzore. Ishte një perëndi më i lartë se të gjithë perënditë e Greqisë së lashtë.

Thënie për ndjekësit e Krishtit

Pagani Cecilio gjatë një shëtitje me miqtë e tij Oktavio dhe Minucio flet për disa gjëra që thuhen për kristianët: “Ata, duke mbledhur nga llumi më injorantët dhe gratë e këqia, të lehta për t’u gënjyer për shkak të dobësisë së seksit të tyre, përbëjnë një bandë komplotuesish jobesimtarë, që mblidhen në ritualë gjatë natës për të festuar vigjiljet e shenjta apo për bankete jonjerëzorë, jo me qëllimin të kryejnë një rit, por për të kryer poshtërsi; një racë njerëzish që pëlqen të fshihet dhe që urren dritën, që hesht publikisht dhe që flet në fshehtësi. Përçmojnë njësoj altarët dhe varret, vënë në lojë perënditë, përqeshin ritet e shenjtë. Ata përçmojnë dinjitetin e priftërinjve, ata që janë pothuajse lakuriq! Mes tyre mbretëron liria e shfrenuar dhe quhen pa dallim vëllezër dhe motra, dhe kështu çdo gjë shndërrohet në incest… Thonë se nderojnë dhe adhurojnë pjesët gjenitale të atij që kryen meshën…

Një përmbledhje e “investigimeve”

Në fillimet e epokës kristiane çështja e Jezusit të Nazaretit nuk i interesonte askujt. Përveç ndjekësve të tij. Arsyet janë të qarta. Palestina nuk kishte asnjë rëndësi për romakët. Veç kësaj, pushtuesit e kohës nuk ishin të vëmendshëm ndaj çështjeve të brendshme fetare. Rregulli ishte një i vetëm: pagimi i taksave dhe mos vrasja e ushtarëve romakë. Për këtë arsye, krishtërimi do të konsiderohej në fillim një shprehje e parëndësishme e hebraizmit. Historianët e kohës shohin diku tjetër: shohin të fuqishmit dhe luftërat e tyre, ekspansionin e perandorisë, luftërat, rrymat filozofike.

Historia e birit të një marangozi, i vdekur në kryq si një keqbërës ishte e vështirë të merrej nga kronika e të përhapej kudo. Më pas do të kishte një sërë reagimesh negativë ndaj krishtërimit që nuk do të lehtësonin ruajtjen e zbulimeve të rëndësishëm kristianë. Duke marrë parasysh të dhënat që iu ofruan edhe lexuesit, ia vlen që të nxirren disa reflektime. I pari ka të bëjë me faktin që mbeten shumë pak autorë që hedhin dyshime mbi vërtetësinë historike të Krishtit. Më tepër, duke studiuar letrërsinë ndërkombëtare, vërehet që orientimi është një tjetër: Ndërkohë që më parë diskutohej për personin e tij historik, sot më shumë ka përqëndrim në analizimin e burimeve që i përkasin dhe që gjithësesi mund të ofrojnë prova. Një tendencë e dytë është ajo e ndarjes së fakteve pa interpretime nga ata që janë shtuar më vonë. Për të bërë këtë është përhapur tashmë analiza me krahasim si një veprim ndërdisiplinor, të investigimeve që lidhen me strukturën e teksteve që ekzaminohen, pa përjashtuar metodën e spektrometrisë së masës dhe radiokarbonit.
Një e dhënë tjetër interesante ka të bëjë me faktin që argumenti “Jezus” duket se nuk është më një temë tabu, për t’u shmangur. Tashmë janë të shumtë hebrenjtë dhe myslimanët që marrin pjesë sot në takime mbi Krishtin dhe që nuk kanë vështirësi në njohjen e vërtetësisë historike të ekzistencës së tij.F.Storia
PERGATITI: bota.al
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi