Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Greku më ndërroi emrin, por ndihem emigrant edhe në vendin tim

prej Tue 23 Dec 2014 - 21:30
  • Flasin shqiptarët e rikthyer në atdhe. Qamil Harapi i kthyer nga emigracioni pas 23 vjetësh dhe Bashkim Hysa, i riu që iku në Greqi që 16 vjeç flasin për jetën e tyre në dhe të huaj dhe rikthimin e tyre në atdhe

Luela Myftari
Greku më ndërroi emrin, por ndihem emigrant edhe në vendin tim D567
Të huaj në dhé të tyre. Kështu janë emigrantët shqiptarë. Të paktën ata që kanë marrë rrugët e emigrimit në fillim të viteve ’90 e kanë shumë herë edhe më të vështirë përshtatjen në një vend të huaj. Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve gjatë javës që shkoi thuajse askush nuk foli për ta. Askush nuk foli për historitë e tyre, për vështirësitë që kaluan në ato vite të para, kur u nisën thuajse të zhveshur për të kaluar malet dhe detin drejt kufijve të tjerë, që ndodheshin afër me vendin tonë, në atë kohë shumë të trazuar. Dhe ja ku janë dy histori emigrimi, dy histori të atyre që janë përpjekur për të ndërtuar një jetë të re, që pas shumë vitesh do të duhet ta rinisin nga e para në vendin tënd. Historia e Qamilit dhe Bashkimit kanë diçka të përbashkët. Ata janë nisur të dy shumë të rinj për të kaluar malet dhe për të arritur në Greqi. Aty kanë punuar në ndërtim, njëri 16 vjeç e tjetri pak më i madh. Kanë krijuar familjet e tyre aty dhe janë kthyer sërish në atdhe përpara një viti. Ende nuk e kanë gjetur veten këtu, por shpresojnë se gjendja e tyre do të stabilizohet.

Qamil Harapi: Unë ndryshova emrin për një të ardhme më të mirë në vend të huaj

Qamil Harapi i njohur ndryshe në shtetin grek si Vasil Stillo ka qenë një nga ata emigrantët e shumtë që janë detyruar të ndryshojnë emrin dhe mbiemrin e tyre. Ka lindur në Berat, ndërkohë që në Greqi është arratisur në vitin 1991. “Ashtu sikurse për të gjithë shqiptarët, rruga ishte e vështirë pasi atë kohë përveçse në mënyrë të fshehtë nuk mund të largoheshim. U detyrova të kaloja malet që të mbërrija në destinacionin që doja. Deri në momentin që gjeta një punë u strehova në fshatrat e qytetit të Selanikut, te disa shtëpi të pabanueshme”, thotë Qamili, kur kujton ikjen nga Shqipëria. Sigurisht që vështirësitë kanë qenë të mëdha. “Për ditë të tëra rrinim pa ngrënë. Shteti grek në vitin 1996 dha urdhrin për emigrantët që të fillonin procesin e dokumentacionit edhe bashkimin familjar. Në këtë mënyrë tërhoqa në mënyrë të ligjshme bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël. Përgatitja e dokumenteve na detyroi që të ndryshonim emrat dhe mbiemrat, pasi qeveria greke e asaj kohe nuk donte emra shqiptarësh. Me aq shumë probleme edhe sakrifica që kalonim çdo ditë na duhej të përballeshim edhe me racizmin”, rrëfen ai për gazetën “Shekulli”.

Ai vazhdon: “Nga viti 2000-2013, me familjen time krijova jetën në Selanik, kishim punë, por edhe shkollimin e fëmijëve e kishim rregulluar. Në vitin 2013 për fat të keq në Greqi u dha urdhri që çdo shtetas i huaj që është emigrant në Greqi duhet të punësohej në ato punë që kishin taksa dhe siguracione, pra t’i paguaje shtetit 300 euro në muaj për qëndrimin në Greqi. Kjo nuk ishte me leverdi për mua dhe bashkëshorten pasi unë kam pasur si profesion ndërtimin dhe kjo fushë nuk të siguronte siguracione dhe nuk ishte punë e përditshme. Me dëshirën më të vogël u detyruam të hiqnim vajzën nga shkolla, e cila studionte për “Laborante”, edhe djalin nga “fama” që kishte krijuar në Greqi, pasi ai këndon dhe i bie pianos. Vendosëm të ktheheshim në Shqipëri. Ky është vendi im, por unë ende ndihem si emigrant këtu, edhe pse kam shtëpinë time, gjuhën time, njerëzit e mi. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Vajza ende nuk është stabilizuar me shkollën, ndërsa djalin edhe gruan e tij greke e ka sjellë në Berat. Mua më kanë skaduar dokumentet greke dhe ndiej se ende nuk jam stabilizuar këtu në vendin tim”, dëshiron ta mbyllë ai rrëfimin e tij, thuajse me gjysmë shprese.

Bashkim Hysa: U kthyem, por ende nuk e kemi gjetur veten

“Jam nisur në Greqi kur isha 16 vjeç. Kam qenë shumë i vogël, por gjendja e keqe ekonomike në familje dhe shumë ëndrra që kisha më kanë bërë që të nisem maleve për të shkuar në Greqi. Aty fillimisht kam punuar në ndërtim, pastaj si kamerier dhe lloj-lloj punësh që më ofroheshin. Mendoja për të ardhmen, jo vetëm për familjen që kisha, por edhe për kohën që kalonte dhe unë duhet që do të krijoja edhe vetë familje. Punova pafund. Meqenëse shkollën e braktisa në Shqipëri për të ikur në emigrim, vendosa që të bëja një kurs për modë, për stilim në Athinë. Aty nisa punë edhe në dyqanet më me emër. Para se të vija këtu punoja si shitës dhe si këshillues te ‘Zara’ në Greqi, por tani jam kthyer në Shqipëri”, thotë Bashkim Hysa për gazetën “Shekulli”. Ne e pyesim se si ndihet tani në Shqipëri dhe përse u kthye. Ai na tregon se është ende pa punë dhe po jeton me rezervat që ka mbledhur me punën e tij në Greqi. “U ktheva për shkak të krizës në Greqi. Aty nuk po blihej për shkak së çdo gjë ishte shumë e shtrenjtë. Puna ra, bashkëshorten që kisha marrë me vete në Greqi, e kisha shtatzënën. Doja që vajza të lindte në Shqipëri. U kthyem, por ende nuk e kemi gjetur veten. Unë dua të punoj në ndonjë dyqan me emër, apo që ka lidhje me modën, por këtu dyqanet preferojnë të kenë vajza të bukura, jo djem që këshillojnë mirë. Shpresoj që të bëhet më mirë. Bashkëshortja që lindi vajzën Helgën, gjatë kësaj periudhe është kujdesur për të se Helga është vetëm 18 muajsh. Është ajo vajza që përqafoi Papën gjatë vizitës së tij në Tiranë. Shpresoj që ajo të na sjellë fat, ashtu si na bekoi duke na bërë prindër”, thotë ai, duke shpresuar për më mirë, edhe pse vitet e tij të para në emigracion për të kanë qenë shumë të vështira edhe pa mbështetje.

U kthyen 100 mijë emigrantë në Shqipëri

Strategjia e re e Punësimit dhe Aftësive 2014-2020, vlerëson se migracioni i punës ka qenë një tipar i rëndësishëm i tregut të punës në Shqipëri në dekadën e fundit. Por, pas një periudhe disavjeçare në emigracion, një pjesë e forcës shqiptare të punës po kthehet. Gjatë periudhës 2009-2013, një total prej 133.545 individësh të grupmoshës 18-64 vjeç u kthyen në Shqipëri siç konfirmohet nga INSTAT & IOM në vrojtimin e fundit kombëtar, gjetjet e të cilit u bënë publike në Tetor 2014. Shumica e të kthyerve që janë në moshë pune, domethënë 98,413 individë. Kthimet, ku dominojnë kthimet vullnetare (94 %) kanë ndodhur nga Greqia, 70.8 %, të ndjekura nga Italia me 23.7 % dhe vende të tjera si Anglia, Gjermania etj. Arsyet kryesore të kthimit përfshijnë humbjen e punës në vendin e emigracionit, mallin për familjen dhe vendin, si edhe probleme që hasen nga familja në Shqipëri. Arsye të tjera për kthimin përfshijnë mundësi më të mira punësimi në Shqipëri, plane për investim ose probleme shëndetësore. Edhe punëtorët e huaj janë të pranishëm në Shqipëri dhe përfaqësojnë një kategori tjetër të punëtorëve që marrin pjesë në tregun e punës në vendin tonë. Për vitin 2013: Janë pajisur me leje pune 2189 shtetas të huaj dhe janë përjashtuar nga detyrimi për pajisjen me Leje Pune 199 shtetas të huaj. Vlen të theksohet se numri i të huajve që emigrojnë drejt Shqipërisë për motive punësimi vjen në rritje çdo vit. Drejtoria e Punësimit që ka pasur fluksin më të madh të shtetasve të huaj për t’u pajisur me leje pune. Nëse krahasohet fluksi i të huajve sipas shtetësisë, vendin e parë e zënë shtetasit nga vendet jo anëtare të BE-se, si shtetasit Turq të cilët në vitin 2013 përbëjnë 39.5% të tij, pasuar nga ata Kinezë, Italianë dhe Grekë. Për shkak se Shqipëria po bëhet nga viti në vit edhe më tërheqëse për të huajt, si dhe mbizotërimit të klimës pozitive ndaj biznesit në përgjithësi dhe sidomos atij të huaj, në vitet në vijim pritet një rritje e numrit të shtetasve të huaj që paraqiten për t'u pajisur me leje pune

Një shqiptar në politikën italiane

Edmond Godo, i pari dhe i vetmi emigrant shqiptar në Itali pas viteve 1990, që mundi të zgjidhet dhe të ngjiste shkallët e politikës italiane, derisa arriti në një institucion ekzekutiv dhe administrativ të rëndësishëm, siç është kryeqyteti italian, Bashkia e Romës. Në vitin 2004 ai u zgjodh si këshilltar i një prej komunave të saj, edhe sot është Përfaqësuesi i Komunitetit shqiptar në Këshillin Bashkiak të këtij qytetit, ku pulson më shumë se kudo jeta politike e ekonomike e këtij shteti fqinj. Kur e pyet zotin Godo për suksesin e punës së tij, përgjigjet pa u menduar gjatë se:"Suksesi im janë dy fëmijët. Era 10 vjeç, Daniel 3 vjeç dhe bashkëshortja e ime Rovena. Pa mbështetjen e tyre nuk do të kisha arritur asgjë". Edmond Godo i përket emigrantëve shqiptarë që kanë shkuar në Itali me eksodin e madh të vitit '91. Ishte vetëm 23 vjeç kur mbërriti me anije nga Durrësi drejt Brindisit, me ëndrrat e çdo shqiptari që ka kaluar fëmijërinë, adoleshencën, rininë e tij në një sistem diktatorial komunist. Pas Brindisit në Kalabri dhe zemërgjerësia e një familje italiane e ndihmoi për të shkuar në Romë. Ëndrra e tij ka qenë që të bëhej mjek, por rruga shumëvjeçare e detyruar për marrjen e këtij titulli nga shteti italian, e limitoi të zgjedh dhe të diplomohet në “Sociologji”. Për shumë vite u aktivizua si vullnetar, edhe për të mbijetuar ekonomikisht kreu punë të ndryshme. U përfshi në politikë si simpatizant dhe përkrahës i Partisë Demokratike Italiane, derisa në vitin 2004 mundi të zgjidhet këshilltar përfaqësues në një nga komunat e kryeqytetit italian. Sot, Edmond Godo është pika e referimit për komunitetin shqiptar në Romë, ai mundi të jetë përfaqësues i tyre në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti, edhe të koordinojë lidhjet me shqiptarët në qytete, komuna e rajone të ndryshme të Italisë. Është një nga sukseset politike, shembull për 514 mijë emigrantët tanë, të cilët janë mësuar të informohen çdo ditë mbi "bëmat e kronikës së zezë të bashkëkombësve të tyre", edhe harresës së punës, sakrificës dhe kontributit të kryer në këtë shtet që për ta është atdheu i dytë. Një aktivitet, konferencë, forum, debat i organizuar mes shqiptarëve për hallet, problemet dhe kujtesën e tyre historike, ka gjithmonë "firmën" e zotit Godo, i cili është i palodhur në koordinimet burokratike mes institucioneve, ministrive e ambasadave për të përcjellë zërin e qindra mijëra bashkëkombësve të tij. Alba Kepi


Greku më ndërroi emrin, por ndihem emigrant edhe në vendin tim Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi