Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

 Shteti duhet te investoje per kulturen Empty Shteti duhet te investoje per kulturen

Sat 16 Apr 2011 - 3:58
Si duhet të funksionojë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, pse shteti shqiptar është kaq kurnac me investimin në fushën e kulturës. Pas Dritëro Agollit prononcohet Fadil Paçrami


Shteti duhet të investojë për kulturën

Të bindemi, se shtimi i financimeve e mjeteve materiale të tjera për kulturën, janë invesitme me rëndësi e të domosdoshme, tejet rezultative në të gjitha fushat e jetës. Të bindemi, se sa më të kulturuar të jenë njerëzit, aq më i madh e më rezultativ do të jetë angazhimi e kontributi i tyre në zhvillimet e gjithanshme të vendit


Nga Fadil PAÇRAMI

I nxitur nga mendimet e shprehura në artikullin e Dritëro Agollit "Kështu duhet të jetë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve", botuar disa ditë më parë në "Gazeta Shqiptare", më lejoni ju drejtues e redaktorë, ju lexues të saj dhe ju kolegë shkrimtarë e artistë, të shpreh me këtë rast edhe unë disa mendime për sa bëhet fjalë atje, edhe pak më gjerë- kulturën në tërësi. Që në fillim them se çmoj dhe pajtohem me idetë e mendimet e paraqitura prej tij, do shtoj edhe të tjera në plotësim të tyre.


Jam i një mendje dhe me vlerësimet për punën e bërë, ato në proces dhe projektet për të ardhmen të ndërmarra nga drejtuesi i saj Limoz Dizdari kohëve të fundit.

Për vetë Lidhjen

Më së pari, jam për vazhdimësinë dhe shpreh bindjen se ajo - Lidhja e sotme, e krijuar tashmë prej një gjysmë shekulli më parë, mundet e duhet të luaj një rol edhe më të madh për zhvillimet e krijimtarisë letraro-artistike dhe kutlurën kombëtare në tërësi. Duhen mënjanuar këtu disa prirje të kohëve të fundit të shfaqura për ndarje e krijim organizmash (lidhjesh ose shoqatash të veçanta e paralele) sipas kahjeve partiake ose disidentëve dhe atyre të realsocializmit. Madje theksoj se, partitë nuk duhet të ndërhyjnë në këto çështje, duke shtuar edhe këtë: se krijuesit në letrat e artet është mirë të qëndrojnë jashtë partive, të jenë të lirë në idetë, mendimet e veprimtaritë e tyre, pra të pavarur, jo ushtarë të komanduar. E them nga eksperiencat botërore, edhe si një i "zhgënjyer tragjik" që hëngra mbi 15 vjet burg, veç internimit dhe kthimit në punëtor miniere. Mundet, edhe kjo është të jenë me ide e prirje të majta, të djathta ose të qendrës, si edhe t'i ndryshojnë ato në proces gjatë jetës së tyre, por kjo është tjetër. Të mos e kapë edhe Lidhjen ajo sëmundje e kohës që shpërthen konflikte, krijon sherre dhe provokon kriza si ato ndërpartiake e në shkallë vendi, të cilave po ua shohim të keqen në të gjitha sferat e jetës, nga ato politike, ekonomike, sociale, morale etj., e që kanë gjetur shprehje e nxitje edhe në shtypin e mediat pamore të kohës.
Njëheri të bëjmë që të bien muret ndarëse "të vjetër e të rinj" në gjirin e radhët e Lidhjes dhe në masën e krijuesve të letrave e arteve. Ndodh shumë herë që në mbledhjet e ndryshme me raste seminaresh, përvjetorësh dhe diskutimin e botimeve, ekspozitave e koncerteve, shfaqjeve skenike etj., të bien në sy kryesisht, për të mos thënë tërësisht, krijues të moshave të kaluara dhe pak ose aspak të reja. Pse kështu? Teori e brezave kjo? Dallime prirjesh e rrymash? Egoizmash e mosbesim ndaj njëri-tjetrit? Të gjitha nga pak mbase. Por që kjo duhet të ndreqet dhe të marrë fund, as që diskutohet. Për këtë fajet dhe detyrat them se kryesisht bien mbi vetë Lidhjen, ata që drejtojnë, i administrojnë dhe organizojnë aktivitetet e rastit ngase nuk njoftohen e ftohem edhe ato. Po edhe të rinjtë fillestarë në krijimtari, ndodh që tregohen indiferent e mospërfillës dhe kjo s'është e mirë. Shpesh është folur e ngritur ky problem, por vazhdon po njëlloj. Këtu del edhe çështja e anëtarësimit në Lidhje që në këto vitet e fundit nuk ka ecur si duhet, ka edhe nga ata që janë larguar nga krijimtaria e merren me punë partiake, biznesi etj. Janë edhe simpatitë, anësitë e ndarjet partiake që ndikojnë. Sidoqoftë them se kjo mund e duhet të ndreqet sa më parë medoemos si diçka jo normale dhe e pakuptimtë që vazhdon pa të drejtë.

Çështje të organizimit

E dyta, vij tani te disa çështje të organizimit më të mirë, në kushtet e reja, të strukturave dhe ndryshimeve statutore të vetë Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Mendohet, kështu edhe të ndodh, që në vitet e ardhshme nga favoret e krijuara me demokratizimin e vendit - lirisë, të drejtave e barazisë, të kemi një zgjerim të veprimtarive letraro-artistike, një shtim edhe në numër të krijuesve në të gjitha sferat, si dhe një profilizim më të dukshëm të tyre sipas gjinive. Pra, përveç problemeve e shqetësimeve të përbashkëta, rriten edhe ato specifike: shkrimtarët kanë të tyren, piktorët të vetat, të muzikës gjithashtu, kritikët nga ana tjetër, ato të skenës, të filmit e ekraneve televizive, arkitekturës e të tjerë. Prandaj më duket e drejtë që anëtarët e secilit nga këto grupime të mblidhen e organizohen, edhe të diskotojnë më vete për problemet e veçanta që u dalin. Kështu të ngrihen e funksionojnë veçmas si Minishoqata që aderojnë në Lidhjen e përbashkët të tyre si krijues. Kurse përsa i përket stafit (komitetit) drejtues të Lidhjes mund të gjendet forma, bie fjala, duke njohur si anëtarë permanentë kryetarët e secilës nga minishoqatat krahas të tjerëve të zgjedhur në kongreset periodike të përbashkëta të shkrimtarëve e artistëve ose ndonjë formë tjetër, mbase edhe me rotacion.

Një problem tjetër: Lidhja ka nevojë edhe për një bashkëpunim e bashkëveprim efektiv me organizma të tjera të kulturës si janë ato shtetërore: Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave dhe Akademia e Arteve, me organizmat që ato kanë në varësi. Të katër këto institucione janë të pavarura njëra nga tjetra, por objekt i punës së tyre është kultura në tërësinë e saj, pra: krijimtaria letraro-artistike, studimet shkencore, qendrat kulturore si Shtëpitë e Kulturës, bibliotekat e me radhë, edhe përgatitja e aftësimi i specialistëve në fusha të ndryshme. Kështu që një koordinim e mirëkuptim në mes të tyre për një strategji të përbashkët mbarëkombëtare do të qe me dobi dhe me efektivitet për kulturën në tërësi dhe të gjithë vendin. Prandaj, duke ruajtur gjithmonë profilet e funksionet e veta dhe pa zëvendësuar e penguar njëra-tjetrën, bashkëkëshillimi e bashkëpunimi me ndërtimin e realizimin e projekteve afatgjata e atyre afatmesme, në mes tyre del si një kërkesë e nevojë e kohës dhe do të qe rezultative. Si mund të arrihet kjo duhet studiuar e diskutuar, por dikush, mbase ndonjë ndërhyrje e legjislativit ose ekzekutivit në këtë rast do të qe e domosdoshme dhe do luante rolin e duhur përmes ndonjë mbledhje vjetore për diskutimin e çështjeve që u dalin, ashtu edhe për ngritjen në nivele më të larta të problemeve e detyrave që kanë secila prej tyre dhe të gjitha së bashku. Ky është thjesht një mendim që e hedh me këtë rast, prandaj të shqyrtohet e çmohet për aq sa mund të vlejë.

Kultura si investim

Së treti, them se duhen bërë disa ndreqje në mendësitë e trashëguara nga e shkuara për funksionet, rolin e zhvillimet e kulturës në tërësinë e saj. Dhe kjo fillon që nga kuptimi i vlerave që ka ajo për identitetin si komb, ruajtjen e trashëgimive historive gjatë shekujve, si dhe zhvillimet politike, shoqërore, morale, ekonomike etj. Mjetet financiare e ato materiale që derdhen e përdoren për kulturën janë investime kapitalesh që i rikthehen vendit të shumëfishuara me zhvillimet që marrin të gjithë sektorët e jetës, ato joprodhuese dhe prodhuese njëheri. Të gjithë flasim: jemi një vend i prapambetur nga ana sociale dhe ekonomike, na mungon edhe kultura për demokracinë, lirinë, të drejtat, barazinë që i siguron ajo, shtetin ligjor, respektimin e normave morale dhe atyre etike njerëzore. Po si arrihen të gjitha këto? Me fjalë në erë, duke u qarë e ankuar, me sherre e grindje konfliktuale ndërpartiake e atyre klanore apo personale? Jo! Na duhet një angazhim i gjithanshëm me ligje, tregues buxhetor dhe përkujdesje për zhvillimet kulturore në të gjithë spektrin e tyre nga letërsia e artet, shkenca, veprimtaritë intensive të institucioneve dhe organizmave që merren me to.

Duhet ta pranojmë se, me gjithë ndryshimet demokratike të filluara pas përmbysjes së diktaturës dhe objektivave që i kemi vënë vetes për t'u integruar dhe bërë si Evropa, ruajmë pikëpamje të vjetra e të ngushta duke mbetur në ato nivele ku kemi qenë para kthesës që kemi ndërmarrë pas viteve '90 - të lidhur me investimet e fondet buxhetore për zhvillimet e kulturës në tërësi, pra edhe rezultatet e deritanishme janë të ngadalshme. Të bindemi, se shtimi i financimeve e mjeteve materiale të tjera për kulturën, janë invesitme me rëndësi e të domosdoshme, tejet rezultative në të gjitha fushat e jetës. Të bindemi, se sa më të kulturuar të jenë njerëzit, aq më i madh e më rezultativ do të jetë angazhimi e kontributi i tyre në zhvillimet e gjithanshme të vendit. Ngarkesat në fondet buxhetore për kulturën nuk janë pra, barrë që e rëndojnë shtetin dhe jetën e vendit, përkundrazi janë mjete e faktorë zhvillimi në të gjitha drejtimet, sado që rezultatet janë disi të vonuara.

Por e rëndësishme është që invesitmet për kulturën të bëhen me vend dhe jo për shou, llustër, reklama e punë kote, plot zhurma vetlavdëruese, si dhe ka ndodhur e bien në sy sot në mjaft raste me festivalet brenda e jashtë vendit, sjelljen e ndonjë këngëtari ose figurave allasoj dhe bredhjet nëpër botë që tërheqin fonde të mëdha, ku veç shtetit janë angazhuar me derdhje fondesh jo të vogla edhe firma biznesesh, të cilat mund të përdoreshin me efektivitet për kulturën kombëtare. Shikoni ç'ndodh edhe me botimet: janë mbushur vitrinat e librarive me tekste jo radhë të pavlera të huaja, kurse autorët vendas heqin qametin për një libër me poezi, romane, tregime e drama të tyre. Po kështu edhe çfarë ndodh me skenat teatrore, koncertet e ekranet televizive, ku vendet parësore i zënë pjesët e huaja ose veprat kopiace nga forma e dukuritë e tjera, duke mënjanuar e lënë në hije ato kombëtare.

Duhen gjetur e të funksionojnë edhe forma e mjete më rezultative për të nxitur krijimtarinë letrare e artistike vendase dhe ndihmuar autorët tanë të gjitha sferave e gjinive, të cilët ndodhen në vështirësira për të vazhduar punën e tyre krijuese që nga ato për botimet letrare, mungesa e studiove e mjetet e pnës për piktorët e skulptorët etj. dhe kur shumë nga krijuesit janë edhe në gjendje të vështira, jo të përshtatshme e jo normale jetese.

Shkurt fjala, fondet buxhetore të caktuara nga shteti për kulturën sot janë të pakta. Kështu ishte më parë në kohën e diktaturës, kështu edhe vazhdohet. Një rast sa për ilustrim. Në një mbledhje të Pleniumit të K.Q: të Partisë në vitet '60-të kur po diskutohej për direktivat e njërit nga pesëvjeçaret e kohës, duke trajtuar këtë çështje lidhur me moskujdesjet për zhvillimet e kulturës, bëra këtë vërejtje: nëse për moshat nga 7 deri në 23 vjeç që përfshin ato të arsimimit parashikohen kaq investime, për tre brezat mbi ta deri në 75 vjeç për kulturën e tyre, janë shumë herë më të vogla. Në mënyrë figurative mund të thuhet që nëse ato për të parët ecin në bulevard (jo se jam kundër për këtë), për kulturën zvarriten në një trotuar të ngushtë (për këtë po jam kundër). Mirëpo u ndodha para kritikave të ashpra me emërtime anti-kështu dhe anti-ashtu. Ja që kjo gjendje është e vazhdon akoma edhe sot. Pra, këtë kisha parasysh edhe kjo është një nga ato mendësira jo të drejta të mbetura nga e shkuara për kulturën që fola më lart.

Këtu po e mbyll këtë ndërhyrje për problemet që trajtova më lart duke shtuar se, ndërkohë që Partitë politike me krerët e tyre na lodhen me ato tam-tamet e dum-dumet pa bukë apo sherret e grindjet që u hapin rrugë krizave të njëpasnjëshme, për kulturën nuk dëgjojmë një fjalë. I pata drejtë ose jo për këtë le të flasë koha. Këmbanat bien për të dëgjuar, kush ka veshë e don të dëgjojë le t'i hapë ato dhe...
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi