Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

 Komision per standartizimin e gjuhes shqipe Empty Komision per standartizimin e gjuhes shqipe

Sat 16 Apr 2011 - 4:41
Orientime të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për çështje të shqipes standarde

Prishtinë, 26 qershor - Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka ngritur një Komision për çështje të shqipes standarde dhe ka lëshuar në diskutim një dokument të quajtur "Orientime," i cili, siç thuhet, "do të përcaktojë ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit dhe begatimit në drejtim të kahjeve të sotme të shqipes standarde." Ky komision do të shprehë sugjerimet e veta për ndryshimet e nevojshme dhe ato do t'ia paraqesë Komisionit të përbashkët. Në vazhdim po e japim të plotë tekstin e këtij dokumenti të ASHK-ut.


- Në Konferencën Shkencore "Shqipja standarde dhe bota shqiptare sot," mbajtur në Tiranë në tridhjetëvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, është vendosur që të ngrihet një komision i përbashkët përfaqësues, i cili do të përcaktojë ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit e të begatimit në drejtim të kahjeve të sotme zhvillimore të shqipes standarde. Seksioni i Gjuhës e i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e ka konsideruar për detyrë që të japë ndihmesën e vet në këtë punë të rëndësishme dhe ka ngritur Komisionin për çështje të shqipes standarde, i cili do të shprehë mendimet e sugjerimet e veta për ndryshimet e nevojshme e do t'ia paraqesë Komisionit të përbashkët. Komisioni për çështje të shqipes standarde i ASHAK-ut do të organizojë edhe tryeza shkencore për këtë qëllim, në të cilat do të kenë rast të shprehin mendimet e tyre edhe studiues të tjerë. Komisioni për çështje të shqipes standarde në mbledhjen e datës 7 qershor 2004 përcaktoi këto:


ORIENTIME

Për punën e Komisionit për çështje të shqipes standarde.

Krijimi i shqipes standarde në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 është arritje e madhe e gjuhësisë dhe e kulturës shqiptare. Ky akt u bë i mundur pas përpjekjeve të pareshtura të gjuhëtarëve dhe të intelektualëve që nga Rilindja Kombëtare, pas punës së K. Kristoforidhit, të Komisisë Letrare të Shkodrës, të Kongresit të Lushnjës dhe të konferencave e mbledhjeve gjuhësore në Shqipëri e në Kosovë. Krijimi i gjuhës së njësuar të gegërishtes, siç ishte edhe ajo që u përdor në Kosovë, përballë toskërishtes së formuar më herët si e tillë, përshpejtoi proceset e normëzimit të gjuhës së përbashkët shqipe. Konsulta gjuhësore e Prishtinës më 1968 u dha mbështetje të rëndësishme vendimeve që do të merrte më vonë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Kjo gjuhë e njësuar shkrimore u përdor në të gjitha trevat e shqiptarëve dhe gjatë kësaj periudhe më se tridhjetëvjeçare kreu funksionin e saj shoqëror e kulturor me efekte integruese gjithëkombëtare dhe ngriti shkallën e trajtimit të kulturës shqiptare si tërësi të pandarë. Ajo pati efekte të rëndësishme në afrimin e varieteteve të folura në drejtim të normave të saj. "Gjuha e përbashkët përcaktohet gjithmonë nga rrethanat jashtëgjuhësore. Ajo i detyrohet shtrirjes së forcës së organizuar politike, ndikimit të një klase mbizotëruese apo epërsisë së një literature; cilado që të jetë origjina që i njihet, gjithmonë ka arsye politike, sociale a ekonomike që ndikojnë për ta krijuar e për ta mbajtur - Rrethanat historike shprehin mbizotërimin e gjuhës që është marrë si bazë" (J.Vendryes). Ky përcaktim i përgjithshëm i arsyeve dhe i rrethanave të krijimit të gjuhëve të standardizuara vlen edhe për krijimin e gjuhës së njësuar shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Rrethanat politike e shoqërore të kohës në Shqipëri nuk kishin si të mos ndikonin në përcaktimin e gjuhës së përbashkët dhe që toskërishtja e unifikuar të bëhej bazë zotëruese e gjuhës standarde shqipe. Rrethanat shoqërore e politike të Kosovës më 1968 mundësuan që Konsulta Gjuhësore e Prishtinës të dilte me moton: "Një popull - një gjuhë" e ta pranonte të zbatueshëm pa asnjë ndryshim Projektin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe të publikuar në Tiranë më 1967. Kështu, arsyet e pranimit të gjuhës së përbashkët me kodifikim të tillë ishin të ndryshme; në Tiranë - edhe nën ndikimin e mekanizmave shtetërorë, në Prishtinë - nga kërkesa e përgjithshme për integrim kombëtar, që në ato rrethana shoqërore e politike pushteti i atëhershëm jugosllav nuk mund ta ndalonte, së paku jo në fushë të njësimit të gjuhës, edhe pse këtë nuk e dëshironte.

Por, siç është thënë nga studiuesit, krijimi i një forme të përbashkët të gjuhës, sado e përsosur që të jetë ajo, nuk është veçse një moment në histori të një gjuhe. Ajo shënon një kohë të ndalur në zhvillimin e gjuhës, kështu që format e saj, duke qenë të qëndrueshme, vijnë e ngurtësohen dhe e humbin zhdërvjelltësinë natyrore të jetës. Gjuha e përbashkët nuk mund të qëndrojë e flksuar po u desh që ajo të jetë vijmisht e përdorshme si e tillë. Le që ajo edhe spontanisht, duke e zgjeruar përdorimin, huazon elemente të varieteteve të folura. Eshtë vlerësuar se gjuha standarde "është gjuhë që ka një lloj baraspeshe vijimisht të ndryshueshme midis fiksimit dhe evoluimit," por që "është fatale nëse ajo u nënshtrohet goditjeve të rënda dhe transformohet në të njëjtën mënyrë si varietetet e folura." Edhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ka porositur që "duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr politika gjuhësore, Rregullave të drejtshkrimit t'u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura." Kjo u tha edhe në Konferencën gjuhësore që u mbajt në Tiranë në tridhjetëvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.

Ndryshimet politike e shoqërore që ndodhën në Shqipëri, në Kosovë e në trevat e tjera shqiptare bënë të mundur lidhjet e gjithanshme të subjektit shqiptar në të gjitha nivelet dhe sollën në kontakt më intensiv varietetet e folura, të cilat në gërshetim do të mund të krijojnë hapësira të reja gjuhësore. Në dinamizmin e ri shoqëror e hapësinor të botës shqiptare standardi empirik nuk do të mund të mbetet i pandryshuar.

Gjuha e përbashkët shkrimore është në relacion të ndikimit reciprok me varietetet e folura të saj, të cilat, duke synuar respektimin e strukturës së gjuhës së shkrimit, sjellin elemente të ndryshme shqiptimore e, lidhur me to, edhe ndonjë njësi morfosintaksore, e cila me spontanitetin e zhdërvjelltësinë e saj mund të kalojë në përdorim të përgjithshëm. Toskërishtja, me prestigjin e bazës së gjuhës së përbashkët, ushtron trysni efektive që disa elemente të saj të shqiptimit, të morfologjisë, të sintaksës, të leksikut etj, të trajtohen me vlerë të normës së gjuhës së standardizuar. Kjo lë përshtypjen për një kthim te toskërishtja në realizimin e standardit dhe krijon efekte psikologjike për motivimin e refuzimeve më të gjera. Synimi i tillë mund të ngrejë ndjenjën "e pabarazisë subjektive gjuhësore" që pasqyrohet si pabarazi shoqërore. Nga ana tjetër, është vërejtur se varieteti i toskërishtes së folur nuk është refuzues ndaj ndonjë elementi gjerësisht të përdorshëm në komunikimet e niveleve të ndryshme të gegërishtes. Varieteti gegë i shqiptimit të gjuhës së normuar del me variante prozodike, të cilat bëjnë trysni për të qëndruar a për të hyrë në normë. Krahas këtyre, varieteti i gegërishtes ka tendenca të ndikojë që të hyjë në përdorim të përgjithshëm ndonjë element morfologjik, me funksione të atilla sintaksore që do t'i begatonte mundësitë shprehëse e nuk do të për bënte shmangie të painkuadrueshme në normë. Në procesin e evoluimit të gjuhës standarde është reale të pritet që ndonjë element i tillë i varietetit gegë do të sillet gradualisht në nivel të normës nëpërmjet përdorimit në funksion të një varianti të lirë. Ndryshimet e tilla kanë mbështetje edhe në kompromisin që ekziston në gjuhën standarde me praninë e disa elementeve të gegërishtes së njësuar edhe pse në përmasa të reduktuara. Parimi i kompromisit dhe i kombinimit të elementeve të ndryshme strukturore me burim nga dy varietetet e mëparme letrare në shqipen standarde, jo vetëm që nuk kanë shkaktuar vështirësi, por e kanë tegatuar standardin.

Rrethanat e reja kërkojnë nga gjuhëtarët përgjigje të shpejtë përmes një politike gjuhësore, e clla do të synonte zgjerimin e aftësive komunikuese, rritjen e fleksibilitetit të normave të standardit, ngritjen e shkallës së pranueshmërisë së standardit, gjithë duke përpunuar më tej të arriturat e tri dekadave të fundit e duke mos lejuar alternativa të skajshme të varieteteve të folura. Rezultatet e kësaj politike gjuhësore do të ndikonin që të shmangen për një kohë të gjatë zhvillimet e ndara në të gjitha kodet e gjuhës. Studiuesit e shqipes standarde do të kenë për detyrë që të përcaktojnë prirjet e zhvillimit në ndërthurje të varieteteve të gjuhës së folur mbi bazën e gjuhës së shkruar unike dhe të mundësisë së saj që të përfshihen në normë ato elemente që ndihmojnë që gjuha standarde të fitojë gjithnjë në spontanitet e t'i pasurojë mundësitë e saj shprehëse.

Planifikimet gjuhësore janë pjesë e planiflkimeve më të gjera, të modernizimit, të integrimeve kombëtare, politike, kulturore, ekonomike etj. Komisioni për çështje të shqipes standarde, i ngritur nga ASHAK-u, do të planifikojë trajtimin e çështjeve konkrete të normës në drejtim të ngritjes së aftësive të funksionimit të shqipes standarde si gjuhë e përbashkët. Përfundimet e veta ky komision do t'ia paraqesë Komisionit të përbashkët e do t'i publikojë.

Anëtarët e Komisionit:
Besim Bokshi (kryetar) Idriz Ajeti, Fadil Raka, Shefkije Islamaj, Isa Bajçinca, Flutur Çitaku, Nebi Caka.

Prishtinë, 22. VI. 2004
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi