Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Kombësia, detyrim moral Empty Kombësia, detyrim moral

Sun 14 Aug 2011 - 12:58
Message reputation : 100% (1 vote)
Hamit TAKA
Ka njerëz, dmth shqiptarë, që, me një të rënë të lapsit, fshijnë identitetin dhe trashëgiminë e tyre historike. Ky është motivi qendror i debatit dhe polemikave të ashpra që ka ndezur regjistrimi i popullsisë dhe vetë ligji i miratuar për të nga ligjvënësit. Këto debate dhe polemika, të cilat në disa forume on line, shkojnë deri në vulgaritete e banalitete të panevojshme, konvergojnë te vetëdeklarimi i fesë dhe etnisë, por nën shtresën e hollë patriotike, rrjedhin ujëra të nëndheshme ideologjike të natyrave fetare, raciste, politike etj. Nëse debati apo polemika do të zhvilloheshin të civilizuara, brenda realitetit bashkëkohor, në perimetrin gjeografik ballkanik dhe kontekstin evropian, do të ishte mjaft i shëndetshëm dhe dobiprurës në rindërtimin e një stature bashkëkohore të identitetit tonë kombëtar. Ne, përderisa aspirojmë anëtarësimin në BE, duhet të pranojmë pa ngurim realitetin e një identiteti të dyfishtë: identitetit kombëtar dhe atij europian, realitet, i cili ka ekzistur dhe ekziston më ndritshëm se kurrë në ndërgjegjen e çdo shqiptari si një matricë qytetërimi dhe si pikë referimi shpirtërore. Shija e mirë që lë ky debat dhe kjo polemikë te shqiptarët është sensibilizimi i opinionit shoqëror për këto realitete dhe shëndoshja sadopak e ndjenjës nacionaliste, e cila, gjatë regjimit totalitarist, ishte ftilluar, nëpërkëmbur e mekur. Ideologjikisht po se po, por edhe ligjërisht ishte zëvendësuar me internacionalizmin proletar. Por, shpesh këto debate e polemika kthehen në fjalëkryqe ideologjike e politike me konture të pacaktuara, një tryezë tensionesh e disonancash. Natyrisht, unë nuk mund të flas për këtë problem me terma juridike, por jam i lirë të shpreh mendimin tim si qytetar, që do të plotësoj formularin tim.
Do ta nis nga ajo që thuhet rëndom në shumë komente, inferioriteti ynë qytetar ndaj vendeve fqinje për interesa "të vogla", por që më tepër u faturohet qeverive dhe sidomos qeverisë aktuale. Sindromës së "vendit të vogël" nuk i shpëtojmë dot ne as në aspektin politik dhe as në atë ekonomik. Këtë e ka provuar historia dhe s'i kanë shpëtuar akoma edhe vende të anëtarësuara në BE prej vitesh, siç janë Irlanda, Greqia apo Portugalia. Enver Hoxha u përpoq të bënte një eksperiment aventuror, për të mos përfillur vendet e zhvilluara, formacionet e mëdha dhe të fuqishme politike, ekonomike dhe ushtarake, qofshin të Perëndimit, qofshin të Lindjes. Rezultati ishte ai që dihet, katastrofa e gjithanshme. Duke kaluar mbi urën tepër të ngushtë të kësaj përvoje, politikanët dhe qeveritarët tanë, janë përpjekur të kombinojnë politika afatgjata dhe ato pragmatiste afatshkurtëra, sidomos me vendet fqinje, të cilat kanë fuqi vendimmarrëse në organizmat e strukturat ndërkombëtare. Murit me kokë nuk i bihet. Një fenomen i tillë ka shoqëruar evenimente të tilla, që për nga rëndësia historike mund të konsiderohen epokale, si anëtarësimi në NATO, aplikimi për të marrë statusin e kandidatit për në BE, heqja e vizave për zonën Shengen etj. Sindroma e lartpërmendur ka ekzistuar, ekziston e do të ekzistojë edhe për disa kohë. Problemi është se nuk është kthyer në bumerang politik.
Eshtë dhe një faktor tjetër, sa i përligjur aq edhe emocional. Shqipëria, sa prej fatit, sa prej inatit, ka humbur shumë kohë dhe nxiton të fitojë kohën e humbur. Sado e pjekur të jetë klasa politike dhe qeveritë, në nxitim e sipër për realizimin e reformave dhe integrimin në të gjitha strukturat euroatlantike, mund të hedhin hapa jo të mirëmenduar. Kjo është ana e përligjur. Ana pasionante dhe emocionale qëndron në faktin se në demokracitë reale, siç pretendojmë të jemi dhe ne, qeveritë janë afatshkurtëra, një ose dy mandate. Qoftë për të ardhmen e vendit, qoftë për lavdinë e liderëve kryesorë (dhe këtë s'duhet ta përbuzim), por edhe për kapital politik përpara votuesve, që të rifitojnë ndonjë mandat tjetër qeverisës, nguten të realizojnë synime të mëdha në kohë sa më të shkurtër. E natyrisht ndodh që këto synime nuk janë në rezonancë me konjukturat e jashtme dhe të brendshme.
Por, le të nisemi nga traditat tona kombëtare (duhet ta pranojmë se janë bjerrur shumë). T'i referohemi së pari besës. Nga ky këndvështrim përgjegjësia më e madhe morale dhe atdhetare bie mbi qytetarët. Kur thua "për besën ther djalën", atëherë mos "ther" besën për ca interesa të vogla, punë vize, punë pensioni, punësim të përkohshëm etj. Të mos e vulgarizoj dhe të mos i thjeshtoj kaq shumë gjërat, por ndryshimi i emrit, ndryshimi i fesë, ndryshimi i kombësisë, dmth prerja në besë e të parëve të t'u, zhvleftësimi i kombit, përdhosja e krenarisë sonë mitike, shkurt, shfytyrimi i identitetit tënd, për mua është vetëvrasje. Kjo punë i ngjan asaj gotës me ujë të ftohtë, që ta afrojnë kur je i përvëluar nga etja, por atje brenda të kanë hedhur helm me veprim të largët, që do ta vuash t'i dhe pasardhësit e t'u.
Në momente të vështira, njeriu mund të sakrifikojë pak nga integriteti i vet. Sipas traditës e psikologjisë sonë, kryesisht për interesa madhore kombëtare, atdhetare apo për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të vet. Mirëpo, këto lëshime bëhen në konjuktura të veçanta, duke mirëllogaritur të ardhmen. Ndërrimi i kombësisë, mbi të gjitha, ta lëmë fenë apo emrin, nuk është si puna e një pije apo gjelle, që mund ta shijosh në çast dhe kur velej e hedh poshtë. Një vendim i tillë i gabuar do të rëndojë si gurë në qafë tërë jetën tënde dhe, pas shumë vjetësh, mund të bëhet gurë Sizifi mbi shpatullat e pasardhësve të t'u. Para 15-20 vjetësh, Shqipëria ishte në hall dhe shqiptarët, të ftohur me vendin e tyre për shkak të izolimit, të një propagande false dhe mashtruese me pasoja vdekjeprurëse, të joshur prej imazhit të shndritshëm që u afronin vendet demokratike përtej telave me gjëmba, bënë veprime të detyruara, të nxituara dhe të pamatura, të cilat dihen dhe s'është nevoja t'i përmendim e t'i pësërisim herë pas here, pasi do të mirrnin kuptimin e fyerjeve. Por, sido që kanë bërë, në vend të huaj kanë qenë, janë ndjerë e do të ndihen të diskriminuar. Ata janë përditë në dyluftim me veten dhe heqin zvarrë kufomën e pendesës, pasi fshehin identitetin e vet. Këtë peshë psikologjike dhe morale ua transmetojnë edhe fëmijëve të vet, plus që ata e ndjejnë vetiu në çdo hap: në rrugë, në shkollë e kudo. Kjo i angazhon fëmijët në një luftë me veten për t'u sjellë në shoqërinë e huaj për ta, ndryshe nga çfarë ndjejnë, dmth ndodh ndrydhja e ndjenjave. Dhe nga psikanaliza dihet se, nën trysninë e ushtruar prej konflikteve të brendshme, formohen simptoma të çekuilibrimit shpirtëror dhe devijime të pashëndetshme… Një shkak më tepër për të ashtuquajturën "konflikt i brezave".
Në vijim të arsyetimit, nesër rrethanat mund të ndryshojnë kryekëput. Shqipëria, atdheu e mëmëdheu i atyre që kanë ndryshuar kombësinë, me sistemin demokratik të konsoliduar dhe me resurset reale të saj, mund të bëhet më mirë se shumë vende të tjera. Atëherë, këtyre shqiptarëve me kombësi të ndërruar nga subkoshienca do t'u ngrihet si krater me llavë të shndritshme instikti i krenarisë dhe do të shpallet hapur konflikti i nacionaliteteve, gjë që do të jetë rënduese për vetë shtetin që ka pranuar ose imponuar ndërrimin e kombësisë. Mund të ndodhë, që fëmijët të mallkojnë prindërit (konflikti etër-bij), kur të huajt t'u thonë se ju jeni pa nder, pasi keni ndërruar kombësinë për një cope bukë. Duke ndërruar struktura e shoqërisë në të dy vendet, në atdheun amë e në atë të falsifikuar, do të lindin ndjenja dhe konflikte nacionaliste, që mund të jenë me pasoja katastrofike. Këtë duhet ta bëjë prezente para publikut nëpërmjet mediave, konferencave, tubimeve, raca intelektuale shqiptare, pa dallim bindjeje, e shpërndarë nëpër partira, OJQ-ra, institucione dhe administratën shtetërore.
Unë mendoj se i gjithë debati dhe në disa raste polemikat mediatike, problematike nënkuptojnë vetëm marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor, ku ekzistojnë akoma qarqe, brenda e jashtë vendit, të cilat kanë pretendime të vjetra shumëllojëshe, deri tek ato territoriale. Këtë e tregojnë jo vetëm deklarimet e thirrjet, në dukje sporadike, por edhe retorika e ashpër dhe fodulle e disa përfaqësuesve të minoritetit në Shqipëri. Në ligjërimet e disa prej tyre duket sikur bie erë kufomë e një politike dhe morali të vjetër. Ata kërkojnë me këmbëngulje vetëdeklarimin e qytetarëve për kombësinë dhe fenë, duke pretenduar se në monizëm një pjese të tyre u është mohuar, gjë që s'është aspak e vërtetë. Unë mendoj se minoriteti grek në Shqipëri, i cili asnjëherë nuk është ndjerë i diskriminuar në Shqipëri, mos të bjerë pre e ca qarqeve ekstremiste greke. Sot që shqiptarët janë në nevojë, se nesër, pasnesër, kur gjendja e tyre ekonomike do të jetë përmirësur akoma më shumë, mund të shpërthejë marazi i tyre dhe pasojat do të jenë të pakëndshme. Krejt ndryshe ndodh me shtetasit shqiptarë, që kanë kombësi të tjera. Ata nuk kanë prapavija të interesuara për këtë problem dhe janë të vetëdijshëm se kombësinë reale mund ta shpallin lirshëm, po aq sa janë të vetëdijshëm se kombësia nuk u jep as avantazhe diku jashtë Shqipërisë dhe as ndonjë viktimizim brenda saj. Edhe shqiptarët janë të bindur se, në asnjë vend tjetër ndërrimi i kombësisë nuk u sjell asnjë avantazh. E kundërta do t'u sjellë pasoja të largëta në shëndetin mendor dhe fizik të tyre. Po të ishte se ndryshimi i kombësisë me dëshirë do t'u sillte përfitime madhore, shumë shqiptarë do të preferonin të vetëdeklaroheshin amerikanë. Mjaft prej tyre kanë në SHBA varret e gjyshërve, të prindërve, xhaxhallarëve apo dajallarëve, ish-emigrantë ekonomikë apo azilantë politikë në kohën e regjimit komunist.
Në kuadrin e politikave globale, në botë po konsolidohet një moral i ri politik, që kërkon edhe zgjidhje të reja politike. Mjaft njerëz vizionarë sot ulen rreth tryezave të rrumbullakta për të diskutuar pa paragjykime zhvillimet e reja brenda vendit tonë dhe në mbarë kontinentin. Nesër mund të jemi të lirë e të barabartë nga poli në pol dhe kombësia do të jetë vetëm një akses shpirtëror, nostalgji apo shenjëz gjeografike. Në këto situata, nëse Shqipëria do të ishte një vend anëtar me të drejta të barabarta në BE, ku respektohen mirëfilli me ligje dhe shprehitë e kulturës demokratike, të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut, feja dhe etnija do të ishin thjesht ca shenjëza identiteti personal. Një historian portugez, Hoze Matoso thotë (në kontekstin e integrimit europian të Portugalisë): "Çdo komb përpiqet të jetë diçka më tepër se ç'është". Nënteksti i përshtatet fort edhe stadit ku kemi mbërritur ne si komb. Vetëdeklarimi është vlerë morale dhe qytetare e individit. Por në një demokraci të brishtë dhe një kulturë demokratike në zhvillim, pa u mbyllur ende tranzicioni, pa u mbyllur ende plagët e sistemit të kaluar, brenda konjukturave të sotme ballkanike, ku ende nuk janë sheshuar paragjykimet e kaluara, vetëdeklarimi i kombësisë reale, pa deformime (për fenë nuk kam ndonjë ekzigjencë munduese) bëhet jo vetëm vlerë patriotike, por edhe detyrim moral. Shqiptarët nuk mund të fshijnë me një të rënë të lapsit tërë trashëgiminë e tyre. Pa dyshimin më të vogël racës shqiptare, kur të plotësojë formularin, do t'i kumbojë koka nga jehona e thirrjeve të të parëve, nga egoja, kapriçoja dhe krenaria. Kjo do të jetë në të mirën e të gjithëve.
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Kombësia, detyrim moral Empty Re: Kombësia, detyrim moral

Wed 28 Sep 2011 - 18:47
Po.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi