Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Vuajtjet e dyrrotakut Empty Vuajtjet e dyrrotakut

Wed 9 May 2012 - 15:46
Entela Resuli Eh, e dimë… Kjo Tiranë nuk ka më vend për makinat e jo më për biçikletat. Po ja që këtë herë duam të flasim për pasionin dhe po shtrojmë pyetjen: Në Tiranë po bëhet më e lehtë apo më e vështirë të ecësh me biçikletë?Ç’thonë dy “veteranë” të biçikletës në TiranëNaim Ramën e takojmë në Urën e madhe të Lanës, duke kaluar trotuarin. Për një moment gjendet në vështirësi, dhe detyrohet që për disa metra ta ngrejë mjetin e tij në krahë, megjithëse biçikleta është bërë për të mbajtur të zotin e jo i zoti biçikletën.Marrëdhënia e Naimit me biçikletën ka filluar 35 vjet më parë. Çdo mëngjes, i heq kavon e sigurisë dhe nisët me të për në punë, shkon viziton familjarët, por edhe për të shëtitur. “Nëse nuk e përdorë qoftë edhe një ditë, fillon e më dhëmb pulpa e këmbës” – thotë. Ka edhe një rekord të vetin që nuk ka me kë ta krahasojë. Në gjithë këta vite, nuk ka patur kurrë një aksident. Kurrë. Asnjë gërvitshje. Në këto 35 vite ka ndërruar 3 biçikleta. Të fundit që ka në dorë u bë 12 vjet që e përdor. Aksident? Tund kokën me krenari: “As që bëhet fjalë”



Po bëhet më e lehtë apo më e vështirë?

Po bëhet më e lehtë apo më e vështirë të ecësh me biçikletë në Tiranë? Naimi nuk ka dyshime: “Makinat janë shtuar shumë, kjo nuk na favorizon ne të biçikletave. Nuk ka korsi për të ecur mbi këtë mjet. Edhe ato hapësira që janë vendosur, janë minimale. Në to ca ecin në këmbë e ca me biçikletë. Shpesh përplasemi dhe nervozohemi…”

Enver Balliu, një tjetër “veteran” i përdorimit të biçikletës në Tiranë (mbi tri dekada që e përdor) ka ndaluar me dyrrotakun e tij në semaforin pranë urës së Drejtorisë së Policisë. Po bëhet më e lehtë a më e vështirë? Ka të njëjtin mendim si Naimi: “Nëse e vendos këmbën në pedalin e biçikletës, e të shohësh drejt rrugën nuk i ke punët mirë. Duhet t’i hedhësh sytë mbrapa, majtas e djathtas gjatë gjithë kohës që je duke i dhënë asaj, se mund të të vijë ndonjë katërfenerësh dhe e sheh veten…”



Biçikleta e famshme dhe e fortë kineze

Përdorimi i biçikletës para viteve ’90 në Shqipëri ishte masiv. Biçikletat vinin kryesisht nga Kina, të cilat ishin më të përhapurat, shumë cilësore dhe solide. Nga Kina vinin edhe pjesët e biçikletave dhe montoheshin në Shkodër, për t’u shpërndarë më pas në dyqane të qytetit dhe fshatit.

Megjithëse çmimi ishte i shtrenjtë, pothuajse një pagë mujore, sërish kërkesat ishin të shumta. Mjafton të rikujtojmë parkimin e biçikletave rrotull stadiumit “Qemal Stafa” në ditët e një ndeshjeje futbolli, për të kuptuar se ç’peshë mbante ajo në transport. Madje, kishte nga ata që, në raste të veçanta, e përdornin biçikletën dhe për të ardhur nga Durrësi apo dhe nga Shkodra.”



Tani ja hodhëm! Policia bashkiake e Tiranës, patrullim me biçikleta

Policia Bashkiake e Tiranës thotë se do të fillojë së shpejti patrullimin me biçikleta në Tiranë. “Kemi një plan që të krijojmë një strukturë për disa shërbime me biçikleta në zonën e liqenit artificial dhe me motoçikleta në territorin më të gjerë në gjithë qarkun”, - ka thënë në fillim të këtij viti drejtori i policisë bashkiake Florenc Hoxha. Deri më sot, ende nuk kemi parë ndonjë polic më këtë mjet…



Të “qeras” me një xhiro me biçikletë këtë të dielë nga Liqeni ?

Në Tiranë dhënia e biçikletave me qera ka nisur të vihet re prej kohësh. Zona e liqenit fundjavave është super e mbi populluar nga ata që e përdorin atë vetëm për xhiro. Aq sa shprehja; Të “qeras” me një xhiro me biçikletë, është kthyer në modë.

Por nismëtarët e këtij biznesi, kanë një problem: Biçikletat po vidhen të gjitha. Duke folur për Shekulli, Ened Mato i këtij projekti thotë se biçikletat janë zëvendësuar të gjitha, plot 70, pasi janë vjedhur. Mesatarisht 10 biçikleta në muaj janë vjedhur. Por organizatorët thonë se nuk do stepen. Synojnë ta çojnë në 19 numrin e stacioneve të biçikletave në Tiranë.



Biçikleta që kushton 14 mijë euro dhe fushata mediatike në Britani

Kur të pasionuarit pas dy rrotave janë tipa me lekë, mund të dëgjosh çudira. Janë të gatshëm të paguajnë edhe deri në 12 mijë Euro. Ka raste pastaj – siç është i S-Works McLaren Venge, lindur nga bashkëpunimi mes ekipit britanik të Formula 1 dhe amerikanes Spcialized – kur çmimi arrin edhe në mbi 14 mijë Euro. Sipas një studimi, gjysma e anglezëve mes moshës 35 dhe 45 vjeç me të ardhura të larta janë më të gatshëm të lëshojnë timonin e makinave sportive për t’u ngjitur mbi shalën e sofistikuar të një “premium bike” sesa bashkëmoshatarët që fitojnë më pak.

Ajo që shtyn pasanikët drejt dy rrotave nuk është shumë dëshira për të qëndruar në formë sesa rëndësia e një imazhi prej ekologjisti, që kohët e fundit është shumë në modë. Për të mos folur më pas për fushatën e nisur në media “Cities fit for cycling”, duke listuar 8 pikat më të rëndësishme për të rritur sigurinë e çiklistëve në qytet. “Harrojeni Ferrarin, tani vetëm një biçikletë është ajo që ju nevojitet për të rënë në sy”, ishte titulli i një artikulli në Daily Mail disa ditë më parë. Normale që në kushte të tilla industria e pedalimit në Britaninë e Madhe të kap vlerën e 1.5 miliardë sterlinave në vit.



Londra

Ku shkon pa biçikletë në Londër? Dy rrotat në kryeqytetin britanik tashmë janë kthyer në një status simbol të vërtetë për pasanikët e qytetit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një kryebashkiak si Boris Johnson (foto) që pedalon kudo, biles qorton edhe kolegët e qyteteve të tjera evropiane që nuk përdorin aq sa duhet biçikletën siç bëri gjatë një udhëtimi në Romë nëntorin e vitit 2010.



Parisi

Të dhënat nga 100 programe ekzistuese në Europë tregojnë se biçikletat publike janë të suksesshme dhe përdoren në mënyrë masive nga qytetarët. Për shembull, rasti Velib’ në Paris jep me qira 75,000 biçikleta në ditë. Aktualisht, numri i biçikletave publike në Paris është rritur në rreth 25,000 biçikleta dhe rreth 1800 stacione, ku në çdo 300 metra të qendrës së qytetit mund të gjeni një stacion.



INTERVISTË

Anisa, nga Tirana në Amsterdam, pa ju ndarë kurrë dyrrotakut

Anisa Xhitoni është larguar përpara disa muajsh nga Shqipëria për në Holandë. Ndjek studimet në Amsterdam. Ishte një përdoruese e rregullt e biçikletës në Tiranë. E kemi pyetur se cila është lidhja e saj me të tani që jeton jashtë, por duket se është forcuar më shumë. Ka shkuar në vendin e duhur…



Anisa, ecën me biçikletë edhe aty?

Gjithmonë. Edhe në Tiranë nuk i ndahesha, por ndryshimi është i madh



Çfarë ndryshimi ka?

Eh.. Ndryshimi është që, këtu në Amsterdam këto rrugët e dedikuara për biçikletat të çojnë gjithandej, madje lidhin edhe qytetet me njëra-tjetrën.



Si ndihet një vajzë me biçikletë në Tiranë?

Një vajzë me biçikletë ka shumë arsye për tu ndjerë mirë.. Nga liqeni ose në ndonjë zonë të veçuar edhe mund ta shijosh. Por brenda në Tiranë të ecësh me biçikletë është stres i madh. Gjëja e parë që të shqetëson është se mos aksidentohesh, kështu që e vështirë ta shijosh deri në fund.

Kur u bënë ato korsitë e dedikuara u gëzova, por më pas u zhgënjeva. Se janë edhe për autobusë, edhe për taksi, edhe për biçikleta… Janë shumë të papërshtatshme. E para, sepse nëse kalon autobusi apo taksia, nuk ka më vend për biçikletën. E dyta, ato shumë shpesh zihen nga makinat normale që duan t’i bien shkurt, apo t’i ikin trafikut. Kështu që çiklisti s’është asnjëherë i sigurt.







Konsulli që solli biçikletën e parë në 1907 në Shqipëri

Nga Shkodra / Anila Dushi

Mjafton të kujtosh rrethet çiklistike (që e kanë zanafillën në këtë qytet), traditën në çiklizëm, garat e ndryshme të fëmijëve me biçikleta, të apasionarit pas këtij mjeti që përshkojnë distanca të gjata.. Dhe të vjen në mendje Shkodra. E kanë quajtur qyteti i biçikletave. Vazhdon të jetë edhe pse numri i automjeteve në metropolin e veriut i ka kaluar 3000.

Po të shkosh në Shkodër, e vëren menjëherë: në çdo rrugë e rrugicë ka njerëz që pedalojnë biçikletën. Vështirë të gjesh familje në këtë qytet që nuk e ka së paku një biçikletë. Dhe arsyet janë disa. Ky qytet ka lidhje të hershme me këtë mjet lëvizjeje.



Ai lloj “hallati”…

Studiuesi Agim Paruca për biçikletën e parë në Shkodër thotë: “Në vitin 1907 konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër, solli nga jashtë një biçikletë, por e pati mjaft të vështirë ta fuste në Shkodër, sepse edhe vetë doganierët nuk e njihnin atë “lloj hallati”, siç e quajtën ato vetë. Kjo biçikletë tërhoqi vëmendjen e të gjithë banorëve të qytetit, të cilët e shikonin me habi, sepse ishte i pari dhe i vetmi mjet në tokë, në atë kohë në Shkodër, që ecte pa u tërhequr nga kuajt apo nga qetë. Ndonjë fanatik e quajti edhe “karroca e djallit”.



Gruaja e parë

Pas disa vitesh një biçikletë tjetër tërhoqi përsëri vëmendjen e qytetarëve të Shkodrës, sa që kur morën vesh se po kalonte para kafenesë, burrat lanë tavolinat bosh dhe vrapuan te dera e te dritaret për ta parë: biçikleta ishte e zakonshme si të tjerat, por e “jashtëzakonshmja” ishte se atë po e ngiste një grua e konsullatës austriake. Ishte hera e parë që shikohej një grua të ngiste biçikletën.



Shkodra sot

Aktualisht, në qytet ka mjaft pika tregtimi biçikletash të llojeve e madhësive të ndryshme, përfshirë dhe ato për fëmijë. Janë mbi 30 pika që merren me riparime biçikletash, një zanat ky i hershëm në Shkodër. Në disa prej rrugëve të rikonstruktura kohët e fundit, bashkia ka lënë një vend të veçantë për lëvizjen e biçikletave.

Në pjesën më të madhe, aty ku është e mundur, lokalet, dyqanet e ambientet e ndryshme private, përfshirë dhe hotelet e mëdhenj, kanë vend parkimi për biçikletat, ose vend qëndrimi për to, diku përpara e diku anash sipas vendit. Po kështu, përpara institucioneve publike si poliklinika qendrore, spitali, prefektura, gjykata, tregu tek stadiumi etj ka persona që i ruajnë parkimet kundrejt një pagese prej 10 lekësh të reja.shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi