Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Bulevardi të njihet si trashëgimi botërore Empty Bulevardi të njihet si trashëgimi botërore

Sat 16 Jun 2012 - 17:09
Bulevardi të njihet si trashëgimi botërore P1000960-300x225Elsa Demo

Kjo deklaratë përsëritet nga një zë kritik i arkitekturës moderne të Tiranës, prof. ark. Claudio D’Amato Guerrieri. Ai është nga të parët që në mesin e viteve dymijë, pas kërkimeve e studimeve mbi arkitekturën moderne italiane në kryeqytetin shqiptar, do ta cilësonte me plot gojën “unikal”, aksin urban ekologjik të Bulevardit të Tiranës: “Nuk ka të dytë në botë. Shpreh gjenialitetin e Bosio-s dhe duhet shpëtuar nga modernizmat.”

Atë vit, më 2008, prof. D’Amato hidhte idenë që strukturat e shtetit shqiptar duhej ta propozojnë aksin monumental për trashëgimi botërore të njerëzimit me qëllim që të ruhet nga UNESCO si vlerë absolute.

Katër vjet më vonë ai është edhe më i sigurt për ta përsëritur këtë kërkesë në Muzeun Historik Kombëtar, përballë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe këshilltarëve të kryeministrit të vendit. Të gjithë këta ishin ftuar për të parë disa rezultate nga studimi i “Arkitektura moderne italiane për qytetet e Shqipërisë. Modele dhe interpretime”, hartuar nga Anna Bruna Menghini, Frida Pashako dhe Marco Stigliano (botim shqip-italisht, Dudaj, 2012). Të njëjtët autorë kanë ndërtuar ekspozitën “Arkitektura moderne italiane në Tiranë”, përuruar edhe ajo dje në Hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Menghini, Pashako, Stigliano, vijojnë në këtë mënyrë projektin shkencor dhe kulturor të prof. D’Amato-s, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës së Barit. Projekti i prof. ark. Claudio D’Amato-s bazohet në njohjen e Tiranës historike, e veprave dhe ansambleve monumentale që krijuan prej vitit 1927 e deri në vitet e pushtimit, arkitektët italianë si Armando Brasini, Florestano Di Fausto dhe Gherardio Bosio.

Kështu kurorëzohet pas gati 7 vite punë shkencore ky projekt i rëndësishëm për trashëgiminë shqiptare, realizuar nga Fakulteti i Arkitekturës së Barit dhe nga Departamenti ICAR (Inxhinieria Civile Arkitektura) të Politeknikut të Barit në bashkëpunim me institucionet politike dhe universitare shqiptare.

Janë marrë në analizë Planet Rregulluese të qyteteve shqiptare të realizuara nga arkitektë italianë dhe studimet e godinave të ndërtuara në vitet 1925-1945 në Tiranë. Është shfrytëzuar dokumentacioni pranë Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimeve në Tiranë.

Vëmendje i është kushtuar aksit monumental të kryeqytetit dhe veçanërisht tri objekteve: Teatri Kombëtar, Hotel Dajti dhe Kryeministria.

Një nga autorët e studimit dhe të ekspozitës është e reja nga Shqipëria, Frida Pashako, e diplomuar me të njëjtën temë në Fakultetin e Arkitekturës në Bari ku prej pak vitesh ka nisur të studiohet arkitektura moderne italiane në Shqipëri, bazuar në një metodologji e cila rivlerëson arkitekturën historike.

Për tre shembujt që janë marrë në analizë, Teatri Kombëtar, Hotel Dajti dhe Kryeministria, projekti në fjalë bazohet në rivlerësimin e arkitekturës ekzistuese. Për rastin e kryeministrisë, Frida thotë se projekti parashikon dhe prishjen e ndërtesave që janë bërë në vitet tetëdhjetë që e kanë mbyllur pamjen fillestare të kësaj godine. “Objekti ishte krijuar nga dy C ose nga një L dhe një F që simbolizon sëpatën e liktorit dhe në vitet ’80, për nevoja të ndryshme kjo është mbyllur dhe janë krijuar dy oborre duke ndryshuar komplet funksionin dhe tipin e arkitekturës. Prandaj kemi menduar ta rivlerësojmë dhe të bëjmë një arkitekturë bashkëkohore që t’i japë akoma më shumë vlerë.” Pashako thotë se ka qenë edhe kërkesë e vetë Kryeministrisë që të bëhet ky rivlerësim, sepse është e nevojshme një shtesë ku të spostohet Ministria e Financave dhe Protokolli i Kryeministrisë të ndjekë rregullat e tij lirshëm. Janë hedhur tri hipoteza, tri ide të ndryshme për një rizhvillim të kësaj godine.

“Të rivlerësosh arkitekturën do të thotë jo vetëm të restaurosh fasadat por edhe interierët”, thotë Pashako. “Më 1939, arkitektët, në këtë moment po flas për Gherardio Bosio-n që ka kryer projektin e kryeministrisë, ka detajuar çdo interier, perdet, divanet, tavolinat, të vizatuara me një dizajn personal të arkitektit. Çdo gjë ne donim ta rivlerësonim. Kurse ndërhyrjet e reja që mbajnë emrin e arkitektëve bashkëkohorë ne i mendojmë ndryshe.” Siç shihet, studimi në fjalë nuk është vetëm analizë shkencore e të dhënave, por ai propozon nëpërmjet ridizenjimeve kritike të objekteve disa hipoteza projektesh për rikualifikimin e tyre.

Nga studimi i Teatrit Kombëtar u arrit në përfundimin që objekti është ndërtuar me një teknologji shumë moderne për kohën. Dhe këtu autorët e studimit sigurisht që janë të informuar edhe për debatet që erdhën në vitet dymijë për shembjen e objektit. Ata jo vetëm që nuk i pranojnë zërat që “ky teatër nuk mban më”, por rastin e tij e shohin si shembull për “arkitektura të reja”. Kjo nënkupton që duke marrë këtë lloj tipologjie ndërtese, këtë lloj prefabrikimi, me teknologji të reja mund të bëhet konservimi i objektit, “Por gjithmonë të frymëzohesh e të marrësh principet konstruktive, ideologjitë e asaj arkitekture duke i përshtatur me nevojat e sotme”, shton Frida.

Hotel Dajti, objekti i tretë në shqyrtim përgjatë aksit monumental, është studiuar si një hotel luksi nga të paktët në një Ballkan që jetonte kohë të vështira, me qëllimin për të dhënë një propozim për të sotmen. Frida i bashkohet zërit të shumë specialistëve që janë shprehur në këto vite për mbrojtjen e Hotel Dajtit, që tekefundit destinacioni i tij të mos ndërrojë. “Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë gjendje ku ndodhen monumentet e aksit monumental. Nëse do donim t’i bënim një propozim tjetër UNESCO-s, ky do të ishte: i gjithë aksi monumental i Tiranës pa ndërhyrjet e reja, të shpallet pasuri botërore e njerëzimit. Do të ishte një vlerë shumë e lartë, sepse ky aks është krijuar në një mënyrë unike, është menduar për të krijuar një qytet modern.”

Po t’i referoheshim mesazheve të prof. D’Amato-s, moderniteti i një qyteti, rinovimi i tij, nuk mund të ekzistojë nëse këputen lidhjet me traditën. Kuptimi në këtë formë i Tiranës moderne kërkon sa përgjegjësinë e politikës aq edhe përgjegjësi sociale. Këtu prof. D’Amato është nga që beson se “përgjegjësia sociale ndoshta nuk i përket më kësaj bote”
Bulevardi të njihet si trashëgimi botërore Arkitekt-Marco-Stigliano-225x300Intervista/ Me arkitektin nga Bari Marco Stigliano

Teatrin Kombëtar ruajeni si një bizhu!

Arkitekti nga Bari Marco Stigliano është një nga autorët e studimit “Arkitektura moderne italiane për qytetet e Shqipërisë. Modele dhe interpretime”. Të kalosh përgjatë aksit monumental të Tiranës e të mos ndjesh aromën e Romës, është një paralele, sipas Stigliano-s, e pashmangshme.

Kur flasim për arkitekturën moderne italiane në Tiranë, çfarë nënkuptojmë?

Klasifikohet si moderne ajo arkitekturë që italianët do të realizonin në Shqipëri në vitet 1920-40. Mua më pëlqen të heq një paralele me Romën. Historian nuk jam por, si arkitekt e vë veten në pozitën e arkitektëve italianë që në vitet njëzetë patën këtë detyrë: ndërtoni një kryeqytet. Atëherë, cila është spuntoja, ideja e parë? Çfarë shoh unë? Shikoj kryeqytetin e vendit nga vij dhe sjell me vete një identitet që po të duam e quajmë “identitet roman”. Supozojmë sikur Brasini, di Fausto dhe Bosio, – edhe pse Bosio është i lindur në Firence, por i edukuar me një kulturë romane për arkitekturën – këta arkitektë romanë, shohin Romën dhe shohin tri imazhe të ndryshme të Romës.

Me çfarë korrespondojnë në Tiranë këto tri imazhe?

Brasini nuk projekton asnjë ndërtesë por krijon idenë e aksit. Ai shikon një ide të Romës kur po ndërtohej si kryeqytet më 1860. Pastaj vjen Fausto më 1929-‘30 dhe “shikon” një Romë tjetër, me karakteristika të tjera. Në fakt, nëse unë kaloj nga Sheshi “Skënderbe” përgjatë ministrive, dhe mbërrij te Korpusi Universitar, më duket sikur jam në Romë. Dhe në fund vjen Bosio, më moderni ndër të tre, ai shikon “Romën e fundit”, Roma e Eur-it, që është Roma e vitit 1942 me ato arkadat e larta. Këtë përshtypja kam kur ndodhem përballë Politeknikut. Vetë Politekniku është një ndërtesë aureolë, një ndërtesë pothuajse e pezullt, diçka jomateriale, pra shikoj një qytetërim italian në një formë tjetër që më krijon të njëjtën gjendje përjetimi. Prandaj më pëlqen të bëj gjithnjë këtë paralele me Romën dhe Tiranën. Kjo ekspozitë nga Tirana, do të prezantohet në Bari që është shtëpia jonë, dhe do të ekspozohet në Romë në Eur.

Studimi i Teatrit Kombëtar që nga objektet funksionale prej viteve ’30 brenda aksit monumental, në çfarë përfundimesh ju çoi?

Ky objekt për ne është me mjaft interes. Për herë të parë ne pamë në masterplanin e “Architecture Studio” idenë për të shkatërruar Teatrin Kombëtar. Ishte një ide që për fat të keq ekzistonte edhe në planin e Bosios, por për ne ishte mbetej një ide e papëlqyeshme. Sepse Teatri Kombëtar është ndërtesë që ruan një identitet, një memorie, një gjurmë nga historia e qytetit që nuk është e drejtë të hidhet poshtë. Ne propozojmë konservimin e objektit për ta lënë atë si një bizhu të paprekur. Është e vërtetë që nuk është ndonjë teatër modern, por me propozojmë konservimin e ndërtesës dhe modernizimin e saj. Në njërin krah mund të ngrihej një muze i qytetit dhe në qendër, mund të ngrihej një teatër më i vogël.

Kur e keni këqyrur për herë të fundit situatën në Hotel Dajti?

E kam kapur rrënimin e Hotel Dajtit prej viteve dymijë. Ndesha megjithatë në objekte, arredime me një cilësi ekstreme projektuar nga Bosio. Arredime mjaft të bukura, të rafinuara, punuar në dru me gdhendje. Për herë të fundit isha aty më 2009-n, kur këto arredime ishin zhdukur dhe gjithçka ishte boshatisur. Pardje e pashë të rrethuar e të mbuluar. Unë di kush po punon aty, është një arkitekt që e vlerësoj, arkitekt Petreschi ai që po punon për Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Me Bankën, për konservimin e ndërtesës, ai ka bërë një punë mjaft të mirë. Kam parë projektin. Por nuk e di se ç’po bëhet me Hotel Dajtin. Ka zëra jo të mirë. Unë mendoj se Hotel Dajti duhet të mbetet Hotel, sepse është projektuar për hotel dhe cilësitë i ka për të mbetur hotel. E vështirë të modifikosh destinacionin e tij.

2000 dosje nga inxhinierë italianë

Në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimeve në Tiranë ruhen rreth 2000 fletë projekte dhe 2000 dosje me projekte dhe dokumentacione kërkimi, realizuar nga inxhinierë italianë. Sermet Bega, Drejtor i Arkivit thotë se “këto kanë një vlerë të jashtëzakonshme për faktin se përcaktojnë atë dekadë kur hyri në Shqipëri arkitektura moderne, periudhën nga 1920 deri para Luftës së Dytë Botërore”. Arkivi bashkëpunon me institucionet italiane, Politeknikun e Torinos, Bolonjës etj. Për 100-vjetorin e pavarësisë mendohet të bëhet një botim që paraqet këto zhvillime kulturore dhe historike në Shqipëri.Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi