Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Erë katedrale: mermeri prej Kozane, ikonat nga Mali i Shenjtë Empty Erë katedrale: mermeri prej Kozane, ikonat nga Mali i Shenjtë

Tue 26 Jun 2012 - 21:52
Erë katedrale: mermeri prej Kozane, ikonat nga Mali i Shenjtë B_200_150_16777215_00___images_Kulture_katedralja_ortodokse_ne_tirane_e_re_82Elsa Demo



Kisha katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, dje hapi dyert për besimtarët ortodoksë që ishin disa qindra. Punë për të bërë ka akoma por duhej ky inaugurim sepse në verë 2012 bëhen 20 vjet nga fillimi i rimëkëmbjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Rindërtimi i kishave mbi rrënojat që la regjimi komunist dhe ngritja e të rejave, që sipas raporteve të Kishës Ortodokse janë rreth 150, ka ndodhur me zhvillimin e kishës vetë. Kryepeshkopi Anastas Janullatos që erdhi në Tiranë korrikun e vitit 1991, kur bën një prolog të veprave ndërtuese, shënon që ky zhvillim është përballur me reagime të shumëllojta. “Qëndrimi ynë u përmblodh në frazën simbolike që e formuluam për herë të parë gjatë themelimit të kishës së hirshme të Ngjalljes në Korçë: Kur na gjuajnë me gurë, ne i përdorim këta gurë për të ndërtuar.”

Kush më mirë se kryepeshkopi Anastas mund të flasë për gurët që kanë ngritur shtëpirat e zotit, gurë me ndikim në “zhvillimin ekonomik të vendit pa zhurmë e me dinjitet”, në “punësim e vendasve” dhe me qëllimin për të mos eksportuar “asnjë dollar apo euro jashtë vendit”.

Pas meshe, përballë krerëve të komuniteteve fetare, përballë Topit, Topallit, Ramës, Dules dhe hallkave bashkëshorte të zinxhirit politik, dikush do t’i lëvdonte jo dhe aq shkurt këto punë të Fortlumturisë së tij Anastas Janullatos. “Unë nuk kam njohur njeri tjetër në jetë me përkushtimin e tij...”, thotë një nga mitropolitët, i njëjti që do të përkthente pas pak fjalën greqishte përshëndetëse të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Objekti që ndodhet në zonën historike, krijon një trekëndësh me Xhaminë e Et’hem Beut dhe Muzeun Historik Kombëtar. Në të njëjtën zonë, por në një projeksion të përmbysur të këtij trekëndëshi, ngrihej deri në vitin 1967 kisha katedrale ortodokse. Ajo u shemb dhe në truallin e saj u ngrit 15katëshi. Kisha katedrale e re, ngrihet në sip. rreth 1600 m2. Arkitektura e saj është shprehje ku shkrihen modernia me traditën bizantine të kishës me kube. Ajo është pjesa më e rëndësishme e kompleksit që përfshin dhe koshëzën e pagëzimit, selinë e sinodit të shenjtë, qendrën kulturore dhe kambanoren.

Fasada e saj formohet nga një hark i madh, me një shirit të ndritshëm, të qelqtë, në ngjyrë të kaltër, që jep përshtypjen e harkut të ylberit. Mbi hyrjen kryesore është vendosur një kryq i madh i bronztë, i qarkuar nga dy kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit. Kalliri është i pranishëm edhe në hapësira të tjera si element dekorativ në reliev.

Inxhinier Jani Taçi ka ndjekur punimet që prej fillimit thotë se kjo është një vepër që bashkon punën e mjeshtërve shqiptarë e të huaj. Në pamjet nga lart të kompleksit bie në sy kryqi i kupolës i veshur me fletë bakri ngjyrë floriri. Nga brenda, kur ke hyrë në sallën e madhe të kishës katedrale, ajo kupolë është e veshur me një vepër arti, që përmban edhe punim ari. Inxhinieri tregon se në projektin fillestar kupola ishte parashikuar me xham blu, por u zgjodh betoni dhe u vendos që sipërfaqja e kupolës e cila duhet të jepte idenë e qiellit dhe përshkueshmërinë kundrejt Zotit, të bëhej një mozaik me portretin e Krishtit. Mjeshtrit shqiptarë të mozaikut, Josif dhe Liljana Droboniku fituan konkursin për të realizuar portretin e Krishtit Pantokrator. Dje pamë të realizuar idenë e Drobonikëve: Krishti gjykatës mbulon 600m2 të kupolës së katedrales. Në njërën dorë mban Ungjillin dhe me dorën tjetër bekon në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë.

Është vepra më e madhe në Shqipëri e punuar në teknikën e mozaikut në një stil neobizantin. Drobonikët kishin treguar për “Shekullin” një vit përpara për procesin e kësaj pune të jashtëzakonshme. Gurët e mozaikut, që prej disa shekujsh bëhen në mënyrë artizanale, vijnë nga Venecia, me nuancat që shkojnë nga bluja në të bardhë. Fytyra dhe duart janë punuar në Lungro, Itali, në laboratorin që kanë ngritur Drobonikët.

Është imponues, me gjithë efektin e zbutës të dritës së ditës që vjen nga tamburi me 52 dritare. Paralel me portretin varet llambadari qendror me fletë bronzi. Llambadarë satelitorë dhe vargje qirinjsh janë të vendosura në lozhat përqark. Rreth 120 qirinj të shpërndarë në mënyrë perimetrike, plotësojnë ndriçimin e kishës.

Lozhat i japin brendësisë një madhështi monumentale që nuk ka si ta gjesh në ndonjë objekt tjetër në Shqipëri. Si hajatet anësore dhe lozhat sipër tyre, bashkë me sallën e madhen që merr ulur rreth 400 persona, ishin plot e përplot me besimtarë që këndonin “Krishti u ngjall së vdekurish” bashkë me korin e kishës që ndiqte drejtimin muzikor të një organoje të vjetër, dhe filmonin e fotografonin çfarë t’u zinte syri dekoret e kudogjendura, gdhendjet në mermer që vesh tej e ndanë dyshemenë e dekoruar edhe me simbole.

Inxhinier Jani thotë se në kishë brenda është një tempull prej mermeri, i punuar në Tino, një ishull grek i famshëm për traditën e gdhendjes në mermer dhe për përgatitjen e mjeshtërve. “Në të njëjtën logjikë janë bërë edhe punimet e tjera brenda kishës.”

Punimi në mermer arrin një shprehje të ndërlikuar në ikonostasin me të cilin besimtarët ndeshen drejtpërdrejtë. Bëjnë kontrast e kuqja dhe ngjyra e floririt në foletë e bardha të ikonostasit. Janë 25 ikona të cilat janë realizuar në Malin e shenjtë Athos, i famshëm për shekujsh në traditën e artit ikonografik.

Një kontribut i madh në gdhendjen e mermerit dhe të gurit i mjeshtrit shqiptar Taqo Mio. Nga inxhinier Jani Taçi mësojmë se ky mermer i bardhë që na ha syri dhe lëkura në këtë të nxehtë ia ndjen freskinë që vibron, është mermer Kozane. Aty janë përgatitur edhe kolonat, jo vetëm për cilësinë që ka mermeri i Kozanës, por edhe tek zgjedhja e tij masive, sepse kolonat janë 3 metra të larta dhe duhen bllok, pa të punohet pastaj e dt vijë tek ajo rrumbullakësia e kolonës nëpërmjet pajisjeve që Shqipëri nuk i gjen.

Punimet e drurit, tip ikonostasesh të cilat janë më shumë të pranishme në Selinë e Sinodit të Shenjtë, ku do të ndodhet edhe zyra e kryepeshkopit, janë vepër e mjeshtrit Ari Paguna, shqiptar që punon në Janinë.

Kjo anë e kompleksit, paraqet interes për Qendrën e saj Kulturore. Është shfrytëzuar mjaft mirë nëntoka. Aty shohim një sallë të madhe amfiteatri 500-850 vende, me sistem audio dhe ndriçimi të teknologjisë së fundit. Thuhet që skenë do të jetë e hapur veprimtari muzikore, shfaqje, teatër.

Në anën e Qendrës Kulturore është hapësira për një bibliotekë dykatëshe. Është parashikuar dhe krijimi i një muzeu historik për kishën ortodokse autoqefale të Shqipërisë, dhe një muze i ikonave dhe veprave të vjetra të artit bizantin të ruajtura nga kisha. Thuhet se qëllimi i kësaj qendre është kontributi në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkulturore ndërmjet grupeve sociale dhe në plotësimin e nevojave strehimore të Sinodit të Shenjtë dhe të kryepeshkopatës së Tiranës.

Pjesë e rëndësishme e kompleksit është ora katërfaqëshe dhe kambanorja ka 16 kambana bronzi edhe këto janë punuar në Greqi. “Nuk është thjesht çështje forme, por edhe çështje e tingullit origjinal”, thotë inxhinier Jani. Konceptimi arkitektonik i kambanores, 46m e lartë, i përket Kryepeshkopit Anastas. Koncepti mbrun katër llambadhet e Pashkës, të cilat simbolizojnë katër ungjillorët që shpallin Ngjalljen.

Kryepeshkopit Anastas i njihet merita e iniciativës, mbledhjes së fondeve dhe mbikëqyrjes të të gjithë veprës.





Arkitekti Steven Papadatos:

“Edhe sot po të vdisja, them se kam përmbushur gjithçka.”



Kisha e vjetër katedrale e Tiranës u shkatërrua nga regjimi ateist më 1967. Në atë truall u ndërtua Hoteli 15katësh. Për ndërtimin e një katedraleje të re, Kisha ortodokse zhvilloi në vitin 2002 një konkurs ndërkombëtar ku u shpall fitues projekti i Zyrës “Papadatos Partnership LLP Architects” nga Nju Jorku. Vepra filloi ndërtimin më 2004. Arkitekti Steven Papadatos i pranishëm dje në ceremoninë e inaugurimit tregon për “Shekullin” se ideja kryesore për ndërtimin e kishës katedrale bazohet te kryqi. Koncepti arkitekturor i mbështetet në ciklin që përmban kuptimin e kohës së përjetshme, aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është qendra e një kryqi të madh me gjerësi dhe gjatësi 49 m.

“Unë i kisha parë imazhet e kishës së vjetër katedrale”, thotë arkitekti, “por doja diçka krejt ndryshe, diçka moderne, në kuptimin e thjeshtësisë. Forma tregon shumë, s’është nevoja për tulla dhe beton, po për ide krijuese.”

Një nga gjërat më krijuese të këtij kompleksi Papadatos vlerëson mozaikun e kupolës. “Është mozaiku më i bukur që kam parë ndonjëherë. Fytyra e Krishtit në artin e hershëm bizantin është serioze dhe e çuditshme. Në kohë më të vonë fiton njëfarë shprehje të çelur, gëzimi. Ndërsa vepra e Drobonikëve qëndron diku ndërmjet, i ka të dyja. Ka ndjenjën, ka shprehjen që është gjëja më e vështirë për t’u realizuar në një vepër arti.”

Ai i jep një vlerë domethënëse edhe kishëzës së pagëzimit që ndodhet në të majtë të kishës katedrale. Kjo vlerë qëndron tek konceptimi i underground i vendit të pagëzimit, për të cilën është mbajtur parasysh përvoja e rëndë historike e praktikantëve besimtarëve gjatë represionit komunist.

Steven Papadatos, që duket t’i ketë lënë të shtatëdhjetat, kujton se kur studioja e tij fitoi konkursin, erdhi në Tiranë dhe në truallin ku do të ngrihej objekti gjeti shtrirë sa gjetë gjerë kafene, ndërsa lulishtja përdorej nga njerëzit si nevojtore publike. “Nëse do të pyesni se ç’vend zë kjo vepër në gjithë punën time do t’ju thosha: Edhe sot po të vdisja, them se kam përmbushur gjithçka.”





1000 kokrra vezë për kishëzën e pagëzimit

Kristo Papanikolau (1968) ka 10 vjet në Shqipëri. Ai jep mësime për ikonografinë dhe restaurimin, i thirrur dikur nga kryepeshkopi Anastas për të ngritur degën e artit bizantin në Shkollën profesionale greke në Tiranë. Kristo është piktori i ikonografisë murale që vesh kishëzën “Lindja e Krishtit”, 55 m2. E veçantë e kësaj kishëze pagëzimorja e cila gjendet në katin e nëndheshëm, në trajtën e një dritare të qelqtë rrethore në qendër të dyshemesë ku hyn drita natyrale. Artisti ka ndërtuar një histori në pikturë. Deri tani është përfunduar krahu mural lindor ku trajtohet lindja e Krishtit. Një grup engjëjsh, rreth 40 derdhen nga lart kupolës së kishës së vogël. Vazhdimi i gjithë kësaj përfundon me momentin e pagëzimit që mblidhet te një qendër e cila zbret poshtë te vaska origjinale e pagëzimit.

Për këto mure janë konsumuar mbi 1000 kokrra vezë. Kristo tregon se veza është përdorur gjithnjë në teknikën e ikonografisë murale. “Veza përdoret si tretës i elementeve minerale si kobalti ose dhera të ndryshëm për t’u shkrirë me ngjyrat. Ky element jep shkëlqim që e ruan jetëgjatësinë, nuk shuhet me kohën. Materialet e sotshme kanë një datë kadence, por jo përdorimi i vezës dhe ujit të gëlqeres me të cilat lyhet sipërfaqja e murit.”

Sa për teknikën artistike, subjekti, portretet, realizohen me penel shumë të hollë.

Kristo Papanikolau është njohës i veprës së ikongrafëve shqiptarë, Selenicasi, Shpataraku, Zografët. Gjatë këtyre ai ka mbikëqyrur restaurimin e objekte të vjetra kishtare, e veprave të artit që janë në fondet e kishës ortodokse.

Si e përkufizon ai kompleksin e kishës së re katedrale? “Një vepër që ka vlera ndërkombëtare për sa i përket zgjidhjes arkitektonike. Është një vepër që sjell vlera nga artistë shqiptarë dhe grekë; një grup nga Polonia që ka bërë veshjet e bakrit, një grup rumunësh që ka bërë punimet e hekurit etj.. Unë besoj që kjo do të jetë qendër për shumë vizitorë nga gjithë bota.”Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi