Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Histori që lexohen nëpërmjet imazhit Empty Histori që lexohen nëpërmjet imazhit

Wed 29 Aug 2012 - 15:09
Histori që lexohen nëpërmjet imazhit Foto-amrubiValeria Dedaj

Këto ditë piktori Zef Paci ka bërë një studim mbi fotografinë e Marubëve, të cilin e ka botuar në libër. Nuk është studimi i parë i bërë nga një studiues, por kjo dëshirë e pedagogut të Historisë së Arteve, i ka lindur nga albumet dhe ekspozitat që ka parë për fotografinë e Marubëve. Sipas profesorit “fotografia na sjell njëherësh realitetin e një kohe të caktuar përcjellë prej këndvështrimit të fotografit”. Personi i parë që solli fotografinë në Shkodër e Shqipëri është italiani Pietro Marubi. Më pas këtë profesion ai ia përcjell djalit nga Zadrima, Mat Kodhelit, i cili për shkak të vdekjes së parakohshme ia trashëgon profesionin vëllait, Kel Kodhelit. Brezi i tretë që vijon këtë rrugëtim të fotografisë është i biri i Kelit, Gegë Kodheli (Marubbi). Fotografitë që ka zgjedhur për t’i paraqitur në libër janë foto të bëra me porosi nga njerëz të thjeshtë ose të rëndësishëm, prej shtresash të ndryshme, shqiptarë, por edhe të huaj. Për më tepër artisti shkodran në një intervistë për “Shekullin” ka bërë një përmbledhje të të gjithë elementëve që ka vënë re gjatë studimit të fotografive.

Si ju lindi dëshira për të bërë një studim mbi fotografinë e Marubit?

Ky studim mbi fotografinë e Marubit, ose më mirë të Marubëve, vjen nga një kërshëri që më kishte lindur kohë më parë, që fëmijë, e që kishte vijuar prej kontakteve të herëpashershme që kam pasur me imazhet që ata na kanë ofruar, përmes ndonjë albumi apo ndonjë ekspozite të tyre. Kjo kërshëri erdhi duke u forcuar e duke ndjerë tërheqjen e asaj ç’kishin fotografuar Marubët. Ndjehej se kërshëria do të shpërblehej bujarisht prej kërkimit duke u shfaqur përherë e më shumë i pasur, informues dhe formues. Gjithashtu ky studim është ushqyer edhe prej interesit të mësimdhënies së lëndës së historisë së artit, një fushë ku fotografia solli një revolucion si në fushat e tjera, natyrisht përmes pranimesh, refuzimesh e klasifikimesh të debatuara gjatë. Marrëdhëniet e saj me realitetin, me fushat e ndryshme: historinë, antropologjinë, filozofinë, letërsinë dhe rrymat e ndryshme artistike moderne janë të një interesi të madh. Kjo temë e këtij studimi ishte edhe tema ime e studimeve pasuniversitare, dy vjet më parë për antropologji kulturore, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Ç’periudhë kohore i përkasin fotografitë?

Fotografitë e Marubit shtrihen në një hark kohor rreth njëshekullor, zënë fill diku nga vitet 1856-1858 e mbarojnë rreth viteve 1960, por ato që shfaqen në tekst janë përafërsisht të periudhës nga 1875- 1935, pra të një harku kohor që zgjat diçka më shumë se një gjysmë shekulli.

Kush janë përkatësisht fotografët?

I pari që pati përndritjen e sjelljes së fotografisë në Shkodër e Shqipëri është një i ardhur, italiani Pietro Marubbi; ai kërkon t’ia mësojë dhe t’ia përcjellë këtë profesion një djali nga Zadrima, Mat Kodhelit, i cili e ushtron këtë aktivitet për një kohë të shkurtër për shkak të vdekjes së parakohshme. Aktiviteti vazhdohet prej vëllait të tij Kel Kodheli, i cili vijon të mbajë në këmbë mjeshtërisht dritëshkrojën me përgjegjësitë etike dhe estetike që i përkasin një fotografi. Brezi i tretë që vijon këtë rrugëtim të fotografisë është i biri i Kelit, Gegë Kodheli (Marubbi).

Çfarë është fotografuar nga Marubët? Në arkivën e tyre gjejmë persona konkretë apo edhe fenomene natyrore?

Në arkivën e Fototekës mund të gjejmë fotografi të çmuara në aspektin historik, social, kultural, antropologjik. Më thjesht, gjenden foto sa me një prirje artistike, po ashtu dhe me qëndrim shkencor, dokumentues dhe dëshmues. Pra edhe njërën edhe tjetrën që përmendët ju, edhe më shumë. Në arkivin e tyre mund të gjesh fotografi të karakterit dokumentues, historik, personazhe të shquara, por edhe njerëz të thjeshtë të ardhur nga shtresa të ndryshme shoqërore, fenomene sociale si luftra e fenomene natyrore si përmbytje. Nga ana estetike gjen kompozime standard apo të paanshme e të tjera më të pazakonta, me mëtime artistike e simbolike.

Cila është fotografia që ju ka lënë më shumë mbresa dhe përse?

Janë shumë të këtilla e për arsye dhe shtysa të ndryshme, por fotografitë që janë në tekst më kanë lënë mbresa e prandaj janë aty. Ato janë zgjedhur duke parë imazhet e skanuara të negativëve në fototekë pa e ditur se cilët ishin personat e fotografuar. Më pas, duke parë në regjistrat, në bazë të kodit që kishin imazhet kam gjetur emrat e tyre e kam kërkuar mbi to. Më ka bërë përshtypje për shembull se si Kel Marubi ka ditur të kthejë një fotografi të zakonshme njerëzish të thjeshtë në një vepër e cila të hap shumë dritare në drejtim të njohjes, por pa i konfirmuar prerazi.

Gjatë studimit çfarë vështirësish keni hasur për të prezantuar punën tuaj tek publiku?

Nuk kam arritur ende t’i shoh vështirësitë e prezantimit sepse libri sapo ka dalë. Vështirësi kam ndeshur gjatë punës për përgatitjen e këtij punimi në drejtim të njohjes e sqarimit të të dhënave teknologjike të dritëshkronjës në kohë të ndryshme, në gjetjen e dëshmive prej personave që e kishin jetuar së paku periudhën e fundme të Marubëve (gjithnjë e më të rrallë). Kam pasur mundësi të shoh një numër imazhesh të skanuara në Fototekën Marubi e gjithashtu të gjej disa të dhëna në arkivin e Muzeut të Shkodrës dhe në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Këtu gjej rastin për të falenderuar edhe Shtëpinë Botuese “Princi”, që pati besim te ky studim. Duhet të them se kjo nuk është iniciativa e parë sepse janë bërë disa botime të njëpasnjëshme mbi këtë dritëshkronjë dhe atelie të tjera fotografike, duke filluar nga botimi i viteve më parë i Kahreman Ulqinit me botimet e huaja për Marubin, me botimet e katalogëve nga vetë Fototeka Marubi nën kujdesin e Semiha Osmanit, studimet e botuara të: Qerim Vrionit, Xhyher Canit, Dashnor Kokonozit etj., dhe besoj se do të vijojnë të botohen duke pasur parasysh në mos tjetër, interesin dhe diskutimet për historinë dhe mundësitë e fotografisë si dëshmitare e vyer me pasurinë e madhe që ngërthen brenda. Konsultimi i botimeve të sipërpërmendura më ka ndihmuar edhe në punimin tim.

Çfarë përfaqëson për ju një fotografi?

Pyetje shumë e vështirë! Në këtë rast fotografia na sjell njëherësh realitetin e një kohe të caktuar përcjellë prej këndvështrimit të fotografit, poezia është një mjet i thellë i vetëdijes.

Çfarë emocionesh ju ngjallen kur shikoni një fotografi nga e shkuara?

Është emocioni i gjendjes përballë të një imazhi që nuk është më. E kjo vlen jo vetëm për rastin e Marubit që ka foto të bëra njëqind vjet më parë, por edhe për fotot e bëra një minutë më parë. Është pikërisht kjo ndalje e kohës te fotografia, ai çast i shkurtër apo i gjatë që ka kaluar tashmë, por që ne e shohim dhe e lexojmë falë saj. Në rastin e fotografëve në fjalë, përjetohen emocione si kur je përballë një imazhi që mbart shijen e një pikture, mbart një proces meditimi herë poetik e herë antropologjik. Një rol ka pasur edhe diçitura e fotografisë e shënuar te regjistri. Kam ndjekur siç mund të shihet tek komentet e fotografive të paraqitura një moment eksplorimi e analizimi të tyre që në manualet e fotografisë e quajnë studium derisa kam mbërritur në një pikë kur kam menduar se e kam rrokur gjetjen, apo domethënien e fotografisë, në atë pikë që quhej punctum. E natyrisht emocioni, ngazëllimi për kapjen e thelbit të fotografisë është i pranishëm duke kuptuar procesin që ka ndjekur fotografi, por edhe duke provuar ndjesitë që shpalos apo ngërthen subjekti i fotografuar.

Elementet e përbashkëta të fotografive

Nga fotografitë që kam parë (natyrisht kam parë shumë pak në raport me numrin e tyre) kam zgjedhur fotografinë e njerëzve të ndryshëm në studion e fotografit ose në shtëpinë e tyre. Kjo zgjedhje ka ardhur se më ka interesuar marrëdhënia e fotografit me subjektet, të cilët janë më të shumtën e rasteve edhe porositësit e fotografisë. Për sa kam parë nga skanimet e negativëve dhe regjistrat, kam vënë re se kjo lloj fotografie përbën edhe pjesën më të madhe të arkivit të Marubit: njerëz që fotografohen në studio ose në shtëpi me kërkesën e tyre ose në ndonjë rast me dëshirën e fotografit. Kjo është e përbashkëta e fotove që paraqiten. Individë, çifte, grupe që pozojnë para fotografit në atelienë e tij ose në shtëpinë e tyre. Kërkimi nis nga një konstatim historik mbi Marubin dhe duke u mbështetur në këtë konstatim, merr një kah teorik. Mund të thuhet se, pikënisja qenë disa tipare të këtyre imazheve fotografike, për të mbërritur në një argument teorik. Kjo është arsyeja për të cilën është gjetur edhe kjo lidhje e fotografisë me ritualin dhe elementet e tij si: procesi gjatë të cilit shtjellohet, vendi i posaçëm ku vihet për ta kryer, që ishte atelieja me fondalet e ndryshme ose shtëpia e subjektit, objektet në të, nga ana tjetër ishin pozat e gjestet që bënin njerëzit, magjia e fotografisë në shtangien e imazhit të tyre mbi një pllakëz xhami, etj. Natyrisht këtë përqasje e kanë vënë re edhe studiues të mëdhenj të fotografisë si Susane Sontag, më vonë Chiara Galli e të tjerë, por në rastin e këtij studimi mbi këtë lloj fotografie kjo përqasje më ndihte më së miri për të provuar t’i shoh e shpjegoj ato. Në fotografitë që janë zgjedhur për t’u paraqitur në libër kuptohet që janë foto të bëra me porosi, njerëz të thjeshtë ose të rëndësishëm, prej shtresash të ndryshme, shqiptarë por edhe të huaj.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi