Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Me Ismail Qemalin në Vlorë ishte edhe Mehmet Pashë Derralla nga Tetova - Ismail Arsllani Empty Me Ismail Qemalin në Vlorë ishte edhe Mehmet Pashë Derralla nga Tetova - Ismail Arsllani

Sat 17 Nov 2012 - 18:13
Familja e njohur patriotike Derralla, për disa shekuj i takon Tetovës, ndërsa me origjinë rrjedh nga fshati Gradec, një vendbanim ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit. Nuk dihet me saktësi koha se kur ka ardhur kjo familje në Tetovë, por konsiderohet se ka ardhur para Hasan Pashë Derrallës, për të cilin ka dëshmi se ka dhënë kontribut të madh me veprimtarinë patriotike të tij në Tetovë.
“Ekzistojnë shumë dokumente për Hasan Pashë Derrallën, por edhe për të birin e tij, Mehmet Pashë Derralla, i cili ishte ministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë shqiptare të Ismail Qemalit”, shprehet me krenari mbesa e tij, Valdete Derralla, gjatë një vizite në Tetovë. Ajo kishte lindur në Tetovë, ndërsa në moshën më të re, bashkë me familjen do të shpërngulet në Shqipëri, për shkak të rrezikut nga pushteti i atëhershëm, që sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Përkohësisht jeton dhe punon në Austri.
Duke folur për stërgjyshin e saj, Valdetja do të thotë se Hasan Pashë Derralla ka dhënë një kontribut të veçantë për organizimin dhe mbajtjen e Konferencës së Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1878, duke qenë përfaqësues politik i saj, që dëshmohet edhe me disa akte të shkruara. “Kam lexuar pikërisht në këto akte se Hasan Pashë Derralla ka qenë një ndër përfaqësuesit e “Memorandumit”, që ishte dedikuar faktorit të jashtëm për pavarësinë kombëtare shqiptare”, vë në dukje ajo, duke shtuar se edhe i biri i tij, Mehmet Pashë Derralla, i cili asokohe ka qenë në moshën 30 vjeçe, me disa përfaqësues të tjerë nga Tetova, ka marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit, si përfaqësues politik dhe ushtarak.
“Na tregonte shpesh babai, se pasuria e të parëve tanë, Hasan Pashë Derralla dhe Mehmet Pashë Derralla ka qenë aq e madhe, sa që është numëruar ndër tri më të mëdhatë në trojet etnike shqiptare, bashkë me atë të Libohovëve të Gjirokastrës dhe Begollëve të Pejës”, kujton ato rrëfime Valdetja. Kjo pasuri ishte vërë në shërbim të çështjes kombëtare, që mund të dëshmohet me të gjitha argumentet historike.
Edhe gjyshja e Valdetes, ka lënë gjurmë në kujtesën e saj. “Kur ishte nisur gjyshi im, me ftesën e Ismail Qemalit, për të marrë pjesë në Kuvendin e madh historik kombëtar në Vlorë, ku ka qenë e pranishme edhe gjyshja ime, ajo përshkruante dhomën e Mehmet Pashë Derrallës, para se të nisej. Në një cep të dhomës ishte veshja ushtarake, kurse në tjetrin ishte një arkë, ku ishte e gjithë pasuria me flori, që ishte trashëguar nga stërgjyshi, i cili ka qenë aksionar në minierat e Radushës dhe Orashës”, thotë Valdetja.

Kthimi me gjyle topash i Mehmet Derrallës në Shkup

Një bonjak nga fshati Gradec, vendbanim rrëzë Sharrit, ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit, të cilin e kishte rritur e përkujdesur Mehmet Pashë Derralla, kishte përparuar aq shpejt në hierarkinë perandorake, sa që një ditë ishte bërë këshilltar personal i Sulltan Hamitit, në Stamboll. Pikërisht ky këshilltar, do t'ia shpëtojë jetën Mehmet Pashës në një konflikt për çështje rezistence kundrejt pushtetit osman. Sulltani ka dashur ta dënojë me vdekje Mehmet Pashë Derrallën, ndaj dhe ka thërritur këshilltarin e dytë të tij, pikërisht bonjakun e dikurshëm të Gradecit, për të cilin ishte kujdesur pashai i Tetovës. Sulltani e pyet për këshillë, kurse gradecasi do t’i thotë: “Nëse merrni një veprim të tillë, mund të ngrihet në këmbë e gjithë Tetova”.
Më 1901, Mehmet Pashë Derralla, ka qenë në Bagdad si komandant xhandarmerie, ku është martuar me vajzën e një personaliteti ushtarak turk, prej së cilës do ta ketë lindur Gajur Derrallën, i cili kishte edhe shenjën e Bagdadit. Pas ardhjes së xhonturqve, familja Derralla më 1909 kthehet në Tetovë. Para se ta rrezikonte jetën e vet, Mehmet Pashë Derralla, sipas rrëfimeve të mbesës së tij Valdete Derralla, e cila i kishte dëgjuar nga gjyshja e vet, Pashai i cili kishte qëndruar me familje në Bagdad, një ditë kishte marrë rrugën e kthimit me "vapor" drejt Selanikut. Për kthimin e tij ishin shkrepur gjyle topash, siç ka qenë zakon kur kthehej ndonjë gjeneral ushtarak. Gjyshja e Valdetes do t’ia përshkruajë edhe rrugën prej Selaniku deri në Shkup, ku ka pasur shumë njerëz me plisa të bardhë, sa që nga larg i kishte parë dhe i ishte dukur sikur të kishte rënë borë. Ishin shqiptarë që pritnin ardhjen e Mehmet Pashë Derrallës në Shkup.
Me ardhjen e Derrallës në vendlindje, fillojnë përpjekjet për kryengritje dhe pavarësi kombëtare, që arrijnë deri në fazën që quhet pavarësi gjysmake, e cila ishte firmosur në Londër, ku nuk i kishin lënë të marrin pjesë Isa Boletini dhe Mehmet Pashë Derralla, si personalitete ushtarake. Mehmet Pashë Derralla, do të njihet më vonë si ministër i luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Babai i tij, Hasan Pashë Derralla, i cili ishte nga Tetova, megjithatë kishte transferuar një pjesë të familjes në fshatin Gradec, që të jetonin në një truall të vjetër ilire, siç konsiderohej ky vendbanim i vjetër, prej nga i kishte rrënjët për nga gjaku. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë për organizimin dhe mbajtjen e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, duke qenë përfaqësues politik i kësaj lidhjeje, që dëshmohet edhe në aktet që janë marrë në mbledhjen e saj. “Kam lexuar pikërisht në këto akte, se stërgjyshi im ka qenë njëri ndër pjesëtarët e Memorandumit, që është dedikuar faktorit të jashtëm për pavarësinë tonë kombëtare. Edhe i biri i tij, Mehmet Pashë Derralla, në moshën 30 vjeçe, me shumë përfaqësues të tjerë nga Tetova, ka marrë pjesë në këtë Lidhje, si përfaqësues politik dhe ushtarak, duke përfaqësuar trevat shqiptare në Tetovë e më gjerë”, thotë V. Derralla.
Ajo kishte arritur të grumbullojë një dokumentacion për personalitetin e Mehmet Pashë Derrallës, ndërkohë që kishte botuar një monografi nëpërmjet Gjergj Kasapit, një ushtaraku në Shqipëri, të cilën e kishin prezantuar në Tiranë, por kishte menduar që do të kishte qenë e rëndësishme ta sjellë atë edhe në Tetovë. Kjo për faktin se kishte konstatuar që të rinjtë tetovarë nuk e njihnin sa duhet përfaqësuesit e tyre në luftërat për pavarësi, siç ishin Dervish Carra nga Pallçishti, Mehmet Pashë Derralla e të tjerë, që i kishte mbuluar koha. Dhjetë vjet më parë, ishte organizuar në Tetovë një manifestim madhështor në Pallatin e Kulturës, ku në mesin e 17 personave nga familja Derralla, për herë të parë, edhe pse në moshë të shtyrë kishte ardhur e bija e Mehmet Pashës, si dhe e Halim Bej Derrallës, nipërit e mbesat, bashkë me Valdete Derrallën, të cilët kishin bërë disa ceremoni te varrezat e të parëve të tyre, si dhe kishin qenë në një drekë popullore në fshatin Gradec.

Tetovarët mirëpritën mbesën e Mehmet Pashë Derrallës

Pas një shkëputjeje të gjatë, që nga mosha dy vjeçe e gjysmë, Valdete Derralla, mbesa e Mehmet Pashë Derrallës, gjithmonë ka ëndërruar ardhjen në Tetovë. Gjyshi i saj, më 28 nëntor 1912 ishte pranë Ismail Qemalit, kur u ngrit flamuri kombëtar në Vlorë dhe u zgjodh ministër i parë i luftës. “Në vitin 1989, kur kisha një vizë për në Turqi, këtë ëndërr e realizova me shumë përpjekje, pas një vize transiti për në Jugosllavinë e atëhershme. Madje, me vështirësi kalova nëpër Ulqin, me qëllimin e vetëm për të ardhur në Tetovë”, kujton ato ditë Valdetja.
Ajo asnjëherë nuk do t’i harrojë ato ditë kur duhej të vinte në Tetovë, në qytetin e saj të lindjes që e tërhiqte aq fuqishëm, përkundër faktit se nuk i kujtohej dita kur bashkë me familjen ishin arratisur që andej nën trysninë e regjimit komunist.
“Para kontaktit tim të parë me Tetovën, pyeta babanë nëse arrij të shkoj në vendlindje, në cilën derë do të duhej të trokas. Ai mu përgjigj: "Shko ti moj bijë në Tetovë, se vetë tetovarët kanë për të të gjetur ty". Këto fjalë kaq bindëse të babait kishin lehtësuar sado pak shpirtin e Valdetes, megjithatë babai i saj, Hysen Derralla kishte vërejtur një dozë dyshimi tek ajo. Atëherë, ai kishte shtuar: "Shko bijë në fshatin Gradec, mes Tetovës dhe Gostivarit, se atje ke një lagje të tërë, me dyzet familje, që i përket trungut të familjes Derralla".
Sipas fjalëve të saj, familja Derralla për disa shekuj i takon Tetovës, ndërsa me origjinë konsiderohet se rrjedh nga fshati Gradec, nja 12 kilometra në jugperëndim të Tetovës, rrëzë Sharrit, në drejtim të Gostivarit. “Nuk e gjej kohën se prej kur kjo familje ka ardhur në Tetovë, por me siguri që fillimet janë para stërgjyshit tim, Hasan Pashë Derralla, për të cilën gjë dëshmojnë gjurmët që ka lënë ky personalitet i lartë ushtarak në ngritjen e nivelit të qytetërimit dhe veprimtarisë patriotike të kësaj ane”, shpalon fjalë Valdetja, duke u kredhur thellë në kujtesë për paraardhësit e saj. Ajo ka arritur të gjejë edhe vetë shumë dokumente për stërgjyshin, Hasan Pashë Derrallën, por edhe për të birin e tij, Mehmet Pashë Derrallën, si dhe për brezin e babait të saj, Hysen Bej, Halim Bej dhe Gajur Bej Derralla.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi