Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Princo
Princo
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Ilirida
<b>Postime</b> Postime : 3887
<b>Hobi</b> Hobi : Leximin
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 26/03/2012

Feja dhe sekularizmi në shoqëri Empty Feja dhe sekularizmi në shoqëri

Mon 24 Dec 2012 - 16:40
Message reputation : 0% (1 vote)
Sekularizmi dhe sekularizimi[i] është çështje e rëndë dhe komplekse që ngërthen në vete një spektër të tërë problemesh që i përkasin rrafshit individual, shoqëror dhe shtetëror.

Ndonëse sekularizmi përkufizohet si ‘dëshira për këtë botë dhe botëroren’, duket se megjithatë përkufizimi më i mirë i kësaj shprehjeje është ndarja e politikës nga feja, përkatësisht themelimi i një sistemi qytetar në bazë të të përsiaturit sekular[ii], edhe pse edhe ky përkufizim është i mangët dhe i kufizuar. Po ashtu, duhet pa tjetër të thuhet se në sekularizëm racionalizmi është masë dhe kriter i veprimit. Po ashtu, sekularizmi nuk është vetëm shprehje politike apo shprehje ekskluzivisht ideologjike. Madje mbase suazat e tij tejkalojnë edhe shprehjen e modernizmit, i cili është esenca e të përsiaturit, politikës, ekonomisë dhe raportit të botës perëndimore, që janë të shtrirë nëpër tërë botën. Sikur, për shembull, kur flitet mbi sekularizimin e të përsiaturit, e gjatë kësaj nuk mendon se të përsiaturit profan është i ndarë nga religjioni. Në një libër me titull “Sekularizimi i të përsiaturit”, autorë të së cilës janë një grup autorësh (e më së shumti italianë), sekularizmi është ndodhi, krahas së cilës çdo gjë e ka humbur kuptimin e vet, apo për njeriun çdo gjë është bërë e pakuptimtë. Por, si e kanë komentuar ata këtu një shprehje përgjithësisht të njohur në këtë mënyrë të pakuptueshme?

Zakonisht mendohet se sekularizimi në histori të njerëzimit është periudha e hyrjes në epokën e arsyes dhe të sendërtimit të progresit dhe të zhvillimit[iii] (dhe me këtë domethënie sekularizmi identifikohet me modernizmin), dhe si e këtillë kjo nuk është përsiatje e keqe dhe jokorrekte. Njeriu sekular vazhdimisht hulumton kah shkenca dhe dituria, sepse, sipas tij, sekularizmi atij i vetmi i jep strehim dhe mbrojtje dhe se analiza shkencore është analiza më e madhe, në nivel të dobisë dhe dëmit, e cila kujdeset për cakun dhe nuk zgjedh cakun, por kujdeset vetëm për mjetet për arritjen e cakut.[iv] Sekularizimi është rrjedha e historisë së Perëndimit dhe esenca e shoqërisë së re. Ai ka udhëhequr dhe, pak a shumë, gjithnjë udhëheq tërë botën perëndimore. Nëse këtu kemi përdorë togfjalëshin ‘pak a shumë’, kjo është për arsye se në zhvillimin in-telektual, lirinë dhe zhvillimin e botës aktuale, veçan gjatë disa dekadave të fundit, paralelisht me përpjekjen në zbulimin dhe themelimin e ‘kuptimit’, e pakuptimta gjithnjë edhe më shumë dhe edhe më shumë manifestohet deri në atë masë që, nëse zhvillimi dhe liria kanë qenë ndër idealet njerëzore në shekullin e XVIII, tash zhvillimi është sinonim me mirëqenien.[v]

Sekularizimi nuk është kurrfarë forme e blasfemisë dhe e pafesë, atë nuk mund ta identifikojmë me çfarëdo ideologjie dhe pikëpamje kundrejt botës sikur që janë për shembull: materializmi, realizmi, naturalizmi, ekzistencializmi. Po ashtu, atë nuk mund ta kufizojmë në suaza të diskutimeve filozofike dhe të ideve të politikanëve. Sekularizimi i përket çdo vendi dhe tash ka gjetur vendin e vet në të gjitha viset e botës, dhe në këtë mënyrë është dakorduar me sytë dhe veshët njerëzor që mos ta venerojnë në tërë atë që gjendet në suaza të sekularizmit, dhe për këtë në botën e re mjaft dobët dëgjohet dhe kuptohet fjala fe.

Në vendet dhe te popujt muslimanë sekularizmi hyri kryesisht në dy mënyra:

1. Me anë të dominimit dhe presionit, gjatë luftërave të ndryshme, e sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kur Perëndimi vuri nën kontroll botën muslimane dhe u përpoqë ta largojë islamin nga këto vende, sikur në Turqi, Marokë, Algjeri, Tunizi, Iran, Palestinë e të tjera, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e vende të ngjashme.

2. Ballafaqimi i dijetarëve dhe intelektualëve muslimanë me ata perëndimorë rezultoi me dy reaksione brenda muslimane: a) ata që insistojnë se duhet të hiqet dorë nga sistemet e deritashme dhe të aprovohet sistemi perëndimor; b) ata që insistojnë se për të shpëtuar nga sistemi perëndimor duhet të aprovohet sistemi socialist, në thelb materialist por jo sekularist, në vend të atij perëndimor sekularist. Të dy këto sisteme përjetuan humbje në botën muslimane, sikur në Turqi, Egjipt etj.

Ekziston edhe mënyra e tretë, e kjo është që jeta jonë qytetare të zë fill në islam, i cili absolutisht nuk është sekular[vi], por në vete përfshinë edhe dimensionin vertikal edhe dimensionin horizontal, edhe atë sakral edhe atë profan, ku kriter është devotshmëria[vii], e gjyqtar absolut All-llahu.[viii]

Nëse kohëve të fundit jemi dëshmitarë se ka lëshuar pe ashpërsia e këtij presioni,[ix] shkaku është në atë që shtresa iluzore, që e përshkoi sekularizmin, shkallërisht lëshon pe, dhe ajo që me ndihmën e kësaj shtrese ka qenë çdo gjë në një kohë, feja, përsiatja, ligji, dhe mënyra e jetës, vetë është bërë si një fakt kohor dhe historik.

Disa ndoshta thonë se kundërvënia sekularizmit nuk nevojitet as nuk është efektive dhe duhet të presim që ajo vetëvetiu të zhduket. Madje nuk mund të thuhet se nuk mund të kundërshtohet sekularizmi për shkak se nuk është ideologji dhe besim. Këtu është synimi vetëm të ceket se është gabim nëse shpërfillim këtë problem të rëndësishëm dhe fundamental.

Në raport me sekularizmin mund të kemi tri gjendje:

E para: që t’u dorëzohemi ndodhive dhe t’i zbatojmë urdhëresat e saj, çfarëdo qofshin ato kundrejt nesh. Ky është fenomen i shtrirë dhe i përgjithshëm, si rezultat i inferioritetit dhe defetizmit vetjak. Sipas këtij opcioni njeriu redukohet në një fenomen krahas shumë fenomeneve, me të cilin njeriut i mohohet arsyetimi metafizik i ekzistimit të njeriut dhe i imponohet arsyetimi kozmologjik i ekzistimit të tij. Sipas këtij botëkuptimi njeriu mund të bëjë ç’të dëshirojë në aspektin individual, kurse pushteti nuk do të merret me orientimin dhe prirjet e njeriut, por me kontrollimin e lirisë njerëzore dhe personale, a ka shkelur individi të drejtat e të tjerëve në veprimet e individit apo grupit.[x]

Raporti i dytë konsiston në atë që të bëhemi kundërshtarë të saj të rreptë dhe ta mohojmë me ashpërsi dhe agresivitet. Ky botëkuptim konstituohet tek ata të cilët nuk mund ta durojnë sekularizimin dhe e atakojnë atë nga bindja. Njerëzit e tillë duhet të jenë të vetëdijshëm se sekularizimi nuk është degë e zakonshme e hollë e një druri, që i frikësohet çdo ere, dhe nëse duhet të përdoret vrazhdësia dhe represioni, ajo posedon mjete të ndryshme represive, që do t’i përdorë kur do të jetë nevoja. Në të vërtetë, në vend të konfliktit me sekularizmin, duhet të tentojmë t’i shmangemi, e nga ana tjetër duhet punuar që ai të zëvendësohet si në pikëpamjen ideore dhe intelektuale ashtu edhe në pikëpamjen strukturale. Me këtë ai do të dobësohet dhe një ditë do të zhduket.[xi]

Raporti i tretë konsiston në njoftimin, në njohjen e sekularizmit dhe në çlirimin nga dominimi i tij. Si mund të lirohemi nga sekularizmi dhe si mund ta njohim atë? Nuk do të mundet secili, që merret me studimin dhe hulumtimin e sekularizmit dhe sekularizimit t’i mësojë fshehtësitë e tyre dhe të lirohet nga ato. Në çdo botë mund t’i njohim ato gjera që i përkasin asaj bote, dhe për këtë arsye në botën e sekularizuar, për shembull, pyetja e shenjtë nuk kuptohet si duhet. Nga ana tjetër, çdo botë posedon bazamentin e vet, të cilin nuk mund ta njohim, edhe pse çdo gjë është e lidhur për këtë bazament dhe ky formon çdo gjë. Sekularizimi është bazament i botës moderne. Deri sa kjo botë eci rrugës së vet normale dhe natyrore, askush nuk ka pyetur ç’është sekularizmi. Tash është rënduar rrugëtimi i kësaj rruge dhe disa nga banorët e shpellës platonike të Perëndimit arritën të shikojnë edhe në anët tjera, u rrotulluan rreth vetes dhe dolën jashtë kësaj shpelle. Sekularizmin dhe sekularizimin mund ta njohim atëherë kur nuk jemi të varur prej tyre dhe kur nuk u përkasim atyre. Kjo është koha kur sytë, veshët, gjuhët dhe duart nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk flasin dhe nuk veprojnë sipas urdhëresës së tyre. Me fjalë të tjera, me lirim nga ai mund ta njohim thelbin e sekularizimit. [xii]

Liria e botës perëndimore është liria nën protektoratin e sekularizimit dhe kjo liri është e kufizuar në të, edhe pse ky midis nuk është i vogël dhe nuk mund t’i mohojmë dhe përçmojmë këto liri. Mirëpo, me paraqitjen e krizës në botën aktuale, edhe këto liri janë rrezikuar. Kjo periudhë në të cilën çdo gjë është sekularizuar, ka përparësi në raport me periudhat tjera, por nuk mund të shpërfillim edhe rreziqet të cilat njëkohësisht mugullojnë nga ajo, e kjo është absolutizimi i ideve perëndimore, siç është rasti me veprimet e trendit të ri botëror, ku agresor është bota evroperëndimore apo veriu i pasur e viktimë bota muslimane apo jugu i varfër.[xiii] Edhe pse në këtë sekularizim i është kushtuar kujdes intereseve të njeriut në suaza të mendjes së re që gjurmon kah intereset, janë shpërfillur intereset e të vërtetës dhe është rrënuar shtëpia e gjuhës. Me këtë rrënim të gjitha gjerat janë në rrezik. Për këtë arsye, venerimi i të vërtetës mbi sekularizimin nuk është i ndarë nga njohja e të vërtetës mbi ardhmërinë dhe sado të hulumtohet dhe të studiohet çështja e sekularizimit, kjo është korrekte dhe e domosdoshme.[xiv]

Ekzistojnë dy rrugë, dy mënyra për daljen dhe lëshimin e të përsiaturit sekular. Mënyra e parë është e dhunshme, që do të thotë se civilizimi sekular për shkak të problemeve të veta të shumta, si largimi i njeriut nga njeriu, përdorimi jokorrekt i potencialeve më bashkëkohore teknologjike, rrënohet dhe njerëzit largohen nga ky civilizim.[xv] Mënyra e dytë është fryt i mësimit, i njohjes dhe i zgjimit të njerëzve, të cilët do të kuptojnë se civilizimi sekular apo liberal është i keq dhe do të largohen nga kjo ideologji.[xvi] Ky është edhe fundi i modernizmit, i cili për bazë themelore kishte racionalizmin liberal, dhe kalimi në pasmodernizëm. Nëse do t’i bënim një analizë më të thellë lëvizjeve të tashme, do të shohim se shenjat e rënies së civilizimit sekular janë në dukje dhe pas rënies së sistemit socialist në tërë skenën politike botërore, radhën e ka civilizimi perëndimor. Zhvillimi i lartë industrial dhe shkencor në Perëndim nuk janë parametra se rënia e këtij civilizimi është e pamundur.[xvii] Përkundrazi. Mundësia për t’u larguar nga sekularizmi dhe struktura e tij e madhe sekulare është e mundshme.

Në fund, suksesi i muslimanëve nuk qëndron në pranimin apo mospranimin e sekularizmit apo të …izmave të tjerë, por në çlirimin e njeriut më parë nga tradita magjike, mitologjike, animistike, pagane dhe nacional-kulturore, pastaj edhe në çlirimin e kontrollit sekular të synimit të ekzistimit të tij[xviii], e pastaj në kthimin tonë në suaza të sheriatit Hyjnor, që do të thotë ta pranojmë All-llahun Një, Krijues, Drejtues dhe Vigjilues Absolut.[xix]
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi