Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Privat apo publik: Ku t'i edukojmë fëmijët tanë? Empty Privat apo publik: Ku t'i edukojmë fëmijët tanë?

Sat 2 Feb 2013 - 2:52
Privat apo publik: Ku t'i edukojmë fëmijët tanë? Edlira%20gjoniEdlira Gjoni

- Arsim privat për të mirën publike, apo arsim publik për interesa private? Debati për këtë ndërvarësi është i nxehtë sot në qarqet që mundohen të rregullojnë ofrimin e arsimit përmes politikave dhe shembujve globalë, rajonalë apo lokalë. Marrëdhëniet dhe raporti mes publikes dhe privates në Shqipëri nuk mund të jenë shumë të ndryshme nga panorama që shfaqet në rajon apo më gjerë, me gjithë specifikat që shfaq vendi ynë. Privatizimi dhe partneriteti publik-privat, po ndodh në forma nga më të ndryshmet, është dukshëm i pranishëm në numër dhe në frekuencë, e prapë se prapë, për të pak flitet, debatohet apo reflektohet në nivele publike e politikë-bërje. Përtej diskutimit që rri si çekan mbi kokën e prindërve shqiptarë (ku ta çoj fëmijën, në shkollë publike, apo në shkollë private?), pyetja që kërkon përgjigje është: Çfarë ka ngelur publike dhe çfarë është private sot në arsim? Reputacioni për ofrimin arsimit është i ndryshëm për nivele të ndryshme të tij. Shkollat fillore dhe ato të mesme private nuk vuajnë për imazh e perceptimi për to është i përcaktuar më qartë, kurse universitetet private vijojnë të perceptohen me shumë skepticizëm, e akoma konsiderohen si zgjedhja e detyruar e atyre studentëve që nuk arrijnë dot të fitojnë degën e preferuar në sistemin publik. Pse ky perceptim, është një tjetër çështje. Ama ndryshimi i tij për nivele të ndryshme arsimore, çon përsëri tek pyetja: Ç’është private e ç’është publike në arsim, veçanërisht në atë para-universitar?

Pse kjo pyetje? Faktet tregojnë që prindërit shqiptarë janë përballë dy zgjedhjeve, që në fakt, financiarisht, të çojnë në të njëjtin përfundim: Ose e regjistron fëmijën në shkollë private dhe paguan gjithçka që në fillim të vitit; ose e çon në shkollë publike dhe paguan për orë shtesë e mësime private në lëndë të ndryshme gjatë vitit. Institucionet private që ofrojnë arsim, në të vërtetë i shërbejnë të mirës publike. Apo janë ato vatrat ku prodhohet elita e vendit? Fare e paqartë kjo pikë, dhe akoma pa asnjë evidencë për t’u pranuar, e as argument për t’u hedhur poshtë. Nga ana e tyre, edhe institucionet publike, nuk ofrojnë arsim vetëm për ata që nesër do të punojnë në administratë apo sektorin publik, por furnizojnë një pjesë të mirë edhe të sektorit privat me të diplomuar të suksesshëm, që në fakt, së pari synojnë pikërisht këtë treg. Duke marrë në konsideratë edhe dëshirën e mirë të prindërve shqiptarë për ta arsimuar fëmijën sa më mirë, duket qartë se të dyja llojet e institucioneve, në fakt, i shërbejnë një të mire të vetme: asaj publike. Po si, në çfarë mase? Me çfarë cilësie? Më çfarë kostoje dhe ku kthehet kjo kosto? Kush e përdor më vonë atë? Mekanizmat dhe instrumentet për ta matur dhe përkthyer këtë çështje në fakte, në debat e në reflektim politikash, akoma janë në fazën identifikuese. Për sa kohë që matja e cilësisë është vetë çështje që shoqërohet nga një pikëpyetje e madhe, është e parakohshme të mbahet një qëndrim i prerë për sa më sipër.

Në vendet që kanë kaluar më parë situatë të ngjashme me të Shqipërisë sa i përket masivizimit të ofrimit privat të arsimit, analiza e shkaqeve dhe pasojave sjell në vëmendje dështimin e shtetit në përballimin e situatës. Raportet tregojnë se pamundësia për të ofruar arsimin sipas kërkesave të atyre që e marrin atë, ka çuar edhe në rritjen e institucioneve private. Mënyra se si menaxhohet arsimi ndikon gjithashtu në këtë raport, që sidoqoftë, përcaktohet nga përmbushja ose jo e detyrimeve shtetërore ndaj arsimit publik. Cili është rreziku? Arsimi privat në vendet e zhvilluara është sektor që synohet, pranon dhe përgatit vetëm kontingjent nga shtresa e mesme, e lartë ose nga familjet me gjendje të mirë financiare, që kërkojnë të blejnë me para edhe dijen e inteligjencën. Por, s’ka nevojë të shkojmë larg. Edhe në rajon, rasti i Kroacisë, me një numër tejet të kufizuar shkollash private, tregon se përcaktimin e ekzistencës dhe përdorimit të këtij lloj arsimi, nuk e ka në dorë vetëm përkatësia gjeografike, ekonomike apo kulturore. Ama në shumicën e vendeve në zhvillim, privatizimin e fillojnë të parët njerëzit që janë më afër arsimit publik. Drejtpërdrejt apo tërthorazi, shteti bëhet privat dhe ofrimi i arsimit bazohet në interesat e një klase të caktuar, duke humbur kështu natyrën e të mirës publike.

Po le të kthehemi edhe një herë tek perceptimet rreth dy llojeve të arsimit. Institucionet private që ofrojnë arsim janë të ngrohta, kanë më pak nxënës në klasë, i mbajnë fëmijët më gjatë në shkollë, ndihmojnë në lehtësimin e ngarkesës së prindit për kohën që duhet kaluar duke mbikëqyrur fëmijët. Të paktën kështu supozohet. Por, me çfarë matet aksioma e tyre dhe e fëmijëve vetë, që pretendojnë se të qenit në shkollë private, i bën ata më të zgjuar? (niveli para universitar). Matës të cilësisë nuk ka. Madje, edhe për vetë fjalën “cilësi” debati mbetet e hapur. Jo domosdoshmërisht palët kuptojnë të njëjtën gjë me të. Perceptimi i cilësisë mund të mos ketë madje as ngjashmëri nga këndet si e shohin nxënësit prindërit dhe ofruesit/pronarët e institucioneve private. Nëse pretendohet se cilësia matet, flitet për matje të dijeve, apo të aftësive të fituara? Kjo analizë mungon, ashtu siç nuk është i disponueshëm as ndonjë studim apo raport që evidenton cilësinë e shkollave e të universiteteve (evidencë mbi të cilën duhet më tej të bazohet listimi i ofruesve më të mirë).

Përveç debateve e analizave të detajuara që kërkon dualizmi i ofrimit të arsimit në Shqipëri dhe ndërthurja e interesave e përdorimit të publikes për privaten e pretendimin për të përdorur privaten për publiken, duhet gjetur edhe përgjigjja e një dileme mjaft të thjeshtë për arsimin: Në ç’drejtim po shkohet dhe me çfarë qëllimi? Dëshira është të supozojmë se përpjekjet të çojnë të gjitha në mbylljen e hapësirës që ekziston midis shkollave të mira e atyre jo shumë cilësore. Gjithmonë nëse shqetësohemi për performancën dhe cilësinë e shkollarëve dhe studentëve që dalin çdo vit në tregun e punës. E akoma më tej, të shihet se si veprohet për të nxitur vijueshmërinë e cilësisë aty ku ajo ekziston, dhe të mundësohet replikimi i saj në raste të tjera. Mekanizma ka, e do ishte absurde nëse nxitja nuk bëhet normë.

Një tjetër aspekt: në rastet kur mbështeten apo nxiten iniciativa arsimore, është e pritshme që vendimet t’i shoqërojë pyetja: Ç’do të thotë ky veprim për shoqërinë? Veçanërisht për rastet e arsimit të lartë, kur të vijë momenti për të bërë analizën e fenomenit të masivizimit dhe liberalizimit me kontroll të limituar të Arsimit universitar e pas-universitar, duhet dhënë patjetër përgjigje edhe për pasojat që solli kjo gjendje në administratën publike dhe efektin që pati po ashtu edhe në sektorin privat.

Sërish vjen në vëmendje Kroacia, me revoltën e studentëve të saj një vit më parë, ku nuk pranonin rritjen e tarifave universitare në mënyrë të papritur, e pa u konsultuar më parë më unionin studentor. Pyetja për zyrtarët ishte: “Ju u arsimuat falas. Po ne, përse jo”? Në thelb, kërkohet llogari publike për shndërrimin e universiteteve në organizma fitimprurëse, gjë që dëmton vetë arsyen e ekzistencës së tyre si institucione edukuese, dhe jo përfituese. Por, fenomeni lidhet në Shqipëri në mënyrë të pashmangshme me luftën që hapën në tregun e studentëve universitetet private: sa studentë do të marr unë? Që përkthehet: Sa para do të fitoj? Nuk ka asgjë të keqe me këtë logjikë. Por, kur imitohet edhe nga ofruesit publikë, jo vetëm që tregu bëhet kaotik, por lindin edhe dyshime të forta për arsyet dhe mënyrën se si menaxhohet shtrirja dhe ofrimi i arsimit në vend.

Pse nuk kemi edhe ne reagim studentor për këtë pikë të errët të sistemit? Mbase sepse për momentin, gjëja më e rëndësishme për një student shqiptar është diploma dhe numri i viteve të studimeve të reflektuara në të, dhe jo çmimi financiar apo social që paguan për heshtjen e tij.

Varësia e statusit social nga diploma ngelet në fakt thjesht në mendjet e njerëzve. Nuk ka evidencë që të mbështesë pretendimin se duhet të shkosh patjetër në universitet që ta gëzosh këtë status. E njëjta paradigmë vlen edhe për punësimin, ku nuk është as diploma, as dija që mendon se ke matur përmes notës, që e përcakton karrierën dhe vendin e punës. Janë aftësitë që përcaktojnë punën, rrogën dhe statusin tënd. Pikë.

Çështja e ofrimit privat të arsimit është delikate, shumë e kritikuar e po kaq shpesh, e keqkuptuar, apo keqpërdorur, si nga ata që e licencojnë,ashtu edhe nga ata që e zotërojë, ofrojnë, marrin apo blejnë këtë shërbim, sikur të ishte çdo lloj malli tjetër për shitje.

Sa kohë që arsimi privat merret me shkencat e buta (që janë sidoqoftë jo-efiçente për shoqërinë), mund të vijojmë të jemi “të qetë”. Por, kur mjeku, kirurgu që na hap kokën, stomakun apo zemrën, ndihmës-piloti i avionit apo inxhinieri që drejton punimet në urën mbi Vjosë vijnë nga ato shkollat private ku regjistrohesh sot dhe e merr diplomën pas 6 muajsh, atëherë ndoshta nuk do të jemi kaq pasivë ndaj dukurisë. Por, po, është e saktë. Vetëm kush pëson mëson. E meqë nuk na pëlqen fort t’i marrim parasysh mësimet e të tjerëve, do të presim për pësimet tona. Me shumë durim madje.

Arsimi në Shqipëri është shumë dinamik në problematikën e tij dhe kjo vjen kryesisht për shkak të konfliktit që ka midis dëshirës së madhe të prindërve dhe fëmijëve për të qenë të arsimuar/diplomuar me çdo kusht dhe lëkundjes së imazhit mbi arsimin që kanë sot shtresa dhe breza të ndryshëm në vend. Sa i përket privatizimit, është e dhimbshme të mendosh se sa shpejt e gllabëruan më të shkathëtit idenë për t’iu përgjigjur kësaj dëshire të madhe duke i ofruar në këmbim arsim me pagesë. Por, a jemi të qetë po të mendojmë se po shndërrohemi në një shoqëri që mbledh para prej fëmijëve? Kështu është. Ato para, prindërit mund t’i përdornin ndryshe për fëmijët e tyre, nëse arsimi publik do të ofrohej siç tregu e kërkon. Ç’lloj arsimi duam të promovojmë me gjithë këtë numër të lartë institucionesh private, që nga çerdhet e deri tek dhomat ku prodhohen doktorë shkencash? Aktivistët e të drejtave të njeriut do hidheshin me të drejtë në debat për të kërkuar llogari mbi drejtësinë sociale, ose mungesën e saj në këto iniciativa. Morali i menaxhimit dhe qeverisjes së arsimit ndikon shumë në drejtësinë sociale. Ka gjithashtu rëndësi fakti se kush projekton ndryshimet në arsim, ç’tjetër dhe pse?

Arsimi është kështu në një dinamizëm të madh ngjarjesh e ndryshimesh që na kalojnë para syve çdo ditë. Dhe po kërkon më këmbëngulje të jetë në qendër të vëmendjes. Për të mirën e të gjithëve. Por me sa duket, i duhet akoma edhe pak luftë për të bërë. Dhe çështja është në pritje të debatit, mundësisht publik.
olsi
olsi
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 1015
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/09/2012

Privat apo publik: Ku t'i edukojmë fëmijët tanë? Empty Re: Privat apo publik: Ku t'i edukojmë fëmijët tanë?

Sat 2 Feb 2013 - 11:28
Varet nga shkolla, se ka vede ku eshte me mir privati, ke dhe vende ku eshte shkolla publike me mire
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi