Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Monumentet e Kultit Katolik gjatë Mesjetës në Kosovë. Empty Monumentet e Kultit Katolik gjatë Mesjetës në Kosovë.

Sun 7 Jul 2013 - 1:21
Monumentet e Kultit Katolik gjatë Mesjetës në Kosovë. Kostandini+i+Madh+1Jahja Drançolli, Kosovë
Shumë monumente të kultit të krishterë, gjurmët e të cilave heshtin dhe ruhen edhe sot në Kosovë, bashkë me "mitin e Betejës së Kosovës", kanë shërbyer që nga shekujt e shkuar dhe shërbejnë edhe sot e gjithë ditën si dëshmi, jo vetëm për të arsyetuar "djepin e serbizmit", por janë edhe burim dhe "arsyetim" qënsor i agresionit serb, jo vetëm në Kosovë. Për t'u arsyetuar kjo, u shpikën edhe tezat extrashkencore që ndërlidhen me detyrën dhe të drejtën e identitetit kombëtar serb. Që këtej, "treva që ruan identitetin kombëtar është një e drejtë e pakontestueshme, e cila nuk mund të shkëputet as nga populli, as nga shteti". Në këtë aspekt, nëse organizmat botërorë do ta pranonin Kosovën si shtet të pavarur, bota do të kërkonte nga Serbia që të privohej nga suvereniteti i trashëgimisë së saj kulturore, si dhe nga territori që ruan indentitetin e saj kombëtar.
Mbi këtë bazë, të udhëhequr nga politika e ditës, u ndërtua koncepti proserb i monumenteve të kultit të krishterë, numri i të cilave është shumë impozant, për çka edhe treva e Kosovës, sipas tyre, ruan vlera të jashtëzakonshme. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është se, sipas regjistrimit të monumenteve të gjithëmbarshme të Kosovës, gjatë viteve 1956, 1968, 1986 dhe 1993, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të ritit ortodoks serb, 25 xhami, 29 monumente të kultit të ritit bizantin, të cilat u përvetësuan nga serbët apo mbi rrënojat e tyre u ngritën kisha e manastire serbe, që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. Ndërkaq, sipas statistikave të sipërme, u regjistruan vetëm tri kisha të krishtera katolike, të cilat gjenden sot në rrënoja.
Meqë, historiografia jonë, e udhëhequr nga politika e ditës, deri vonë e heshti këtë çështje, njoftimet spekulluese statistikore serbe, që u përmendën më sipër, gjetën përkrahës edhe në botë. Duke u gjendur përballë spekullimeve të këtilla, kohëve të fundit, një pjesë e studiuesve tanë të shquar, si p.sh.: Gaspër Gjini, Skënder Rizaj, Zef Mirdita, Shan Zefi, Fejaz Drançolli e ndonjë tjetër, me rezultatet objektive të tyre, nisën t'i shembin pikëpamjet instrumentalizuese të historiografisë serbe, rreth çështjes së monumenteve të kultit të krishterë.
Nëse shikohen me kujdes burimet historike të kohës, si dhe gjetjet arkeologjike, është e qartë se këtu kemi të bëjmë me përvetësimin serb të monumenteve të kultit iliro-shqiptar të periudhës romake e bizantine, një dukuri që është bërë praktikë që nga koha e sundimit nemanjid. Me fjalë të tjera, monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si Kisha e Manastirit të Deçanit, Graçanica, Shenjtorët Mihal e Gabriel në rrethe të Prizrenit, Kisha e Zojës Prenë në Prizren, kompleksi i Patrikanës së Pejës, Kisha e Shën Shtjefnit në rrethet e Mitrovicës, janë të moçme, si për shqiptarët autoktonë, ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine. Këtej, Manastiri i Graçanicës, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964, është një bazilikë e ndërtuar midis shek. VI–XI. Kjo bazilikë ishte qendër e ipeshkvisë së Ulpianës dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e anijatës së mesme u rindërtua një kishë kushtuar Zojës së Bekuar të Graçanicës. Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e papës Benedikti XI, në vitin 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë, mbreti nemanjid Milutini, rindërtoi Manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316. Gjithashtu, edhe Manastiri i Shënjtorëve Mihal e Gabriel është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Kontribut të madh në ndërtimin e tij kanë dhënë tregtarët katolikë raguzianë, që jetonin e vepronin në Prizren. Arkeologët, në rrënojat e këtij manastiri, kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romanik dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firence. Në kishën e këtij manastiri ruhet dhe varri i kryezotëruesit shqiptar, Strazimir Balsha, nga viti 1372. Po ashtu, është e njohur se mbreti Milutin, në vitin 1307, përvetësoi edhe kishën katedrale Zoja Prenë në Prizren. Kisha në fjalë ka disa faza të ndërtimit, të cilat i vërejti arkeologia Edi Shukriu. Ndërtimi i saj në aspektin kronologjik, karakterizohet me fazën e ndërtimit antik dhe mesjetar.
Në fillim të shek. XIII u ndërtua Kisha e apostujve në Pejë. Në të vërtetë, kjo kishë, që sot gjendet në kuadër të kompleksit të kishave të Patrikanës së Pejës, sikur këto dy të parat, është rikonstruktim i një ndërtimi të moçëm, të cilit iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Në fasadat e kësaj kishe, me një anijatë, vërehet edhe mënyra romanike e punimit, stilit në të cilin u realizuan objektet sakrale në bregdetin dalmatin dhe shqiptar. Mënyra e punimit me gurë të imët dhe të gdhendur, elementet perëndimore të stilit romanik, romaniko–gotik, dalin në të gjitha objektet e karakterit sakral, të ndërtuara gjatë gjithë mesjetës së zhvilluar në Kosovë.
Ndikimet e ndërtimit perëndimor, posaçrisht, ndikimet dalmato – shqiptare, që vinin nga Raguza, Kotorri, Korçulla, Tivari, Ulqini, Shkodra, etj., vërehen më së miri në Kishën e Manastirit të Deçanit, e rindërtuar apo ndërtuar gjatë sundimit të mbretërve nemanjid Stefan Deçani dhe Dushani (1327–1335).
Kisha e Manastirit të Deçanit është vepra më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria shqiptaro–dalmate e ardhur nga bregdeti. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur i arkitektit shqiptar atë Vita Kuçi – Cuci. Për jetën dhe veprën e tij, kohëve të fundit, në regjistrat e Arkivit Historik të Kotorrit, kemi gjetur njoftime interesante. Sipas një të dhëne që del nga zyra noteriale e Kotorrit, françeskani atë Vita Kuçi ishte rektor apo kryemurg i kishë së Shën Mërisë në Kotorr, punë që atëbotë, në këtë pjesë të Adriatikut, bënin kryesisht priftërinjtë shqiptarë. Po ashtu është ruajtur e dhëna se Atë Vita, me 18 skulptorë e gurëskalitës, ndërtoi kishën e Manastirit të Deçanit. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen këtu, është fakti se të gjitha ofiçinat e njohura të gurëskalitësve, si p.sh., ajo e Tivarit, Ulqinit, Kotorrit, Raguzës, Korçullës, madje e Zarës dhe Splitit, i mbanin shqiptarët mjeshtër të arteve. Ndërkaq, njëri nga skulptorët qe Miho (Mikel) Tivarasi, skulptor zulmëmadh i shek. XIV, autor i klaustrit (mungadës) të Kuvendit Françeskan në Raguzë, si dhe i disa veprave të tjera të njohura të kohës. Krahas tij zihen ngoje edhe dy skulptorë të tjerë shqiptarë. Është fjala për Gjin Aleksin dhe Mark Nikollë Gogën, mjeshtër shumë të angazhuar në Raguzë. Emrat e skulptorëve të tjerë janë të panjohur, gjë që bie të dyshohet edhe për ndonjë mjeshtër tjetër shqiptar, që mori pjesë në ndërtimin e këtij monumenti të kultit. Është interesante se disa motive identike që i ndeshim në klaustrin e Kuvendit Françeskan në Raguzë paraqiten edhe në Kishën e Manastirit të Deçanit dhe në katedralen e Novobërdës. Nuk ka dyshim se motivet në fjalë i ka punuar një dorë, pra dora e skulptorit shqiptar Miho Tivarasit, fakt që pohohet edhe nga dokumentet e zyrës së Raguzës, të cilat sot ruhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut. Angazhimin e Miho Tivarasit në ndërtimin e Kishës së Manastirit të Deçanit e shpreh edhe studiuesja J. Maksimović. Për origjinën shqiptare të Miho Tivarasit, Gjin Aleksit dhe Mark Nikollë Gogës u shprehën studiuesit zulmëmëdhenj, si p.sh.: R. Eitelberger von Edelberger në vitin 1888, G. Gelcich, po në këtë vit, T. G. Jackson në vitin 1887, e shumë studiues të tjerë.
Rrënimet dhe përvetësimi e kishave të moçme nga pushtuesit e mëvonshëm serbë, si dhe nëpërkëmbjet e priftërinjve shqiptarë, ndiqen edhe përmes dokumenteve të shkruara të kohës. Vargu i tyre është i gjatë. Janë mbresëlënëse njoftimet e shkrimtarit anonim nga viti 1308; letra e bujarëve shqiptarë dërguar papës, Gjoni XXII, në vitin 1319; relacioni i dominikanit Guillelmus Adae, arqipeshkëv i Tivarit rreth vitit 1330; Kodit të Dushanit nga vitet 1349, 1354; letërpendimi i perandorit Dushan, dërguar papës Inoçenti VI në vitin 1354, etj.
T'u kthehemi sërisht të ashtuquajturave njoftime statistikore të sotme serbe, që u përmendën më sipër, sipas të cilave bashkëjetuan gjatë shekujve në Kosovë afro 130 kisha e manastire të ritit ortodoks serb me vetëm tri kisha të krishtera katolike. Duhet thënë se dokumentet zyrtare mesjetare, që ruhen edhe sot në arkiva të Vatikanit, Raguzës, Kotorrit, Venedikut dhe të ndonjë qendre tjetër, ofrojnë një pasqyrë krejtësisht të kundërt nga ato njoftime serbe të sotme.
Është e njohur se në qytete, tregje dhe afërsi të minierave të Kosovës, së bashku me shqiptarët vendas dhe pushtuesit serbë, bashkëjetonin edhe mijëra kolonistë të krishterë katolikë nga Raguza, Kotorri dhe qytete të tjera bregdetase të Adriatikut. Njoftimet zyrtare të kançelarive dhe noterive, që vijnë nga këto qendra, sidomos kur bëhet fjalë për veprimtarinë ekonomike dhe organizimin e jetës në koloni, dëshmojnë edhe për ekzistencën e dhjetra kishave, kuvendeve e katedraleve të krishtera katolike në kolonitë e tyre. Këtej, në Prizren, qendër e ipeshkvisë së kishës katolike, sipas shumë dokumenteve, mund të ndiqet jeta kishtare. Këtu përmenden kishat e krishtera katolike, si Kisha e Shën Pjetrit, Kisha e Zojës Mëri dhe Kisha e Shënkollit Edhe pse Prizreni ishte qendër ipeshkvnore, gjatë shekujve XIV-XV, Novobërda, me potencialin e madh ekonomik bëhet fidanishte, nga dolën emra të shquar jo vetëm të kishës papnore, por edhe burra të ditur në lëmenj të shkencës, letërsisë dhe arteve figurative. Gjatë shekujve në fjalë, në këtë qytet të madh ekzistonte Kisha Katedrale, kisha sase – Santa Maria de Nuovamonte, Kisha e Shënkollit dhe shumë kisha të tjera në rrethet e qytetit. Kisha katedrale e Novobërdës ishte shumë monumentale dhe zotëronte dy pjesë: pjesa e vjetër në Perëndim dhe pjesa tjetër në Lindje. Meqë kisha në fjalë nuk i takonte ritit ortodoks serb, fati i kësaj godine monumentale ka mbetur në mëshirën e kushteve natyrore. Në muret e rrënojave të katedrales vërehen sot fasadat e larmishme dhe pikturat. Për nga monumentaliteti, me të mund të krahasohet Kisha e Manastirit të Deçanit. Muret e kishës sase – Santa Maria de Nuovamonte-të ruajtura në lartësi 1 m. mbi sipërfaqe të dheut, provojnë se ky monument është konceptuar sipas mënyrës së tipit të Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Dominikan në Raguzë. Pranë katedrales janë gjetur edhe tri kisha të tjera katolike. Në katedrale dhe në portën e saj janë zbuluar disa qindra varreza. Nga vargu i tyre mund të përmendet edhe varri i Mitropolitit të Lipjanit, i cili kishte ikur nga Lipjani për t'u strehuar në Novobërdë me rastin e sulmeve osmane në vitin 1383. Kishën sase apo kishën e Zojës së Bekuar e përshkruan edhe Marin Bici, në fillim të shekullit XVII. Sipas tij, pranë qytetit, gjendet Kisha e madhe dhe e bukur kushtuar Zojës së bekuar, e cila mund të pranonte më se 3000 besimtarë. Kjo kishë ishte e zbukuruar me piktura shumë të bukura. Të gjitha njoftimet që i gjejmë te M. Bici mund t'i referohen kishës sase, përveç numrit 3000, që, sipas gjithë gjasave, është i ekzagjeruar. Jo larg Novobërdës, në Janjevë, dokumentet e vitit 1328 përmendin Kishën e Shënkollit. Qenia e kësaj kishe mund të ndiqet deri në shek. XVIII. Në shekullin e shkuar kisha në fjalë u rinovua dhe ruhet deri në ditët e sotme. Këtë kishë e zë ngoje edhe M. Bici. Disa studiues dyshojnë se kisha e sipërthënë është identike me kishën famullitare të Graçanicës, të cilën e përmend papa Benedikti XI në vitin 1303. Krahas Novobërdës, edhe Trepça, gjatë shekujve XIV–XV, ishte një ndër qendrat më të mëdha të Ballkanit. Këtu besimtarët katolikë zotëronin një kishë të madhe që iu kushtua Shën Pjetrit dhe një kishë më të vogël që mbante emrin e Zojës së Bekuar. Në aspektin e organizimit kishtar, Trepça ishte nën juridiksionin e dioqezës së Kishës Katolike të Kotorrit. Është krejtësisht e kuptueshme që katolikët e Trepçës ta konceptojnë kishën e vet sipas modelit të kishave dalmato-shqiptare. Sipas të gjitha gjasave, Kisha e Shën Pjetrit duhet të jetë kisha famullitare, të cilën e përmend papa Benedikti XI, në vitin 1303 dhe Papa Klementi VI, në vitin 1346. Në Prishtinë, ndërkaq, sipas dokumenteve raguzane, përmendet në vitin 1387 Kisha e Zojës Mëri, dhe një kishë pa emër, e cila përmendet në vitin 1421 në regjistra të Këshillit të Vogël raguzan. Është interesante të theksohet se vetëm në një koloni të vogël kotorrase e raguzane në Llapin e Epërm, përkatësisht në Bellasicë, përmenden 7 kisha.
Dromca interesante për monumentet e kultit të krishterë katolik gjatë mesjetës në Kosovë, ndeshim edhe në njoftime papnore, të cilat hedhin dritë, veç tjerash, edhe për organizimin kishtar në Ballkan. Në këtë aspekt, sipas letrës së papës Benedikti XI, nga viti 1303, përmendet Kisha famullitare në Rudnik, Rogozinë, Graçanicë dhe Trepçë. Gjithashtu, edhe në letrën e papës Klementi VI, nga viti 1346, përmenden një sërë kishash famullitare katolike në trevat e Kosovës së sotme. Vargu i tyre nis me kishën famullitare në Prizren, për të vazhduar me kishën famullitare në Novobërdë, Janjevë, Kopriç dhe Ostrac. Shumë kisha katolike mesjetare në Kosovë zihen ngojë edhe në relacionet e burrave të shquar të kishës papnore gjatë shekujve XVI–XVIII. Qenia e disa kishave që u përmenden më sipër provohet edhe nga dokumentacioni i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, në Prishtinë. Sipas dokumentacionit në fjalë, një pjesë e tyre është përvetësuar apo rrënuar nga pushtuesit osman e serb, pjesa tjetër është në rrënoja.
Po përfundojmë me konstatimin se në trevën e Kosovës, gjatë mesjetës, kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit të krishterë katolik, bizantin dhe ortodoks – serb. Një numër i objekteve sakrale mesjetare, të krishtera katolike dhe bizantine, sot na paraqiten vetëm si gjurma të kulturës materiale dhe si dokumentacion arkivor e muzeal. Në anën tjetër, kisha ortodokse–serbe përvetësoi kisha të moçme iliro–shqiptare, ndërtoi apo rindërtoi mbi to, që nga shekulli XIII, duke u ngjitur në shekujt e sundimit osman, mbretërisë Jugosllave dhe deri në ditët e sotme.
Summary
Monuments of Catholic Cult in Kosovo during the Middle Ages
Many monuments of Christian cult in Kosovo have been used and are still used today to argue the existence of a "Serbian cradle", and they serve as a fundamental pretext or "justification" for Serbian aggression.
According to the Serbian official statistics of 1956, 1968, 1986 and 1993, the number of monuments of Christian cult was much greater than that of other cults. About two thirds of them were registered as being monuments of Serbian Orthodox cult. 22 Monasteries and 110 Churches are registered as Serbian Orthodox. As well as 25 Mosques, there were 29 monuments of the Byzantine cult, which in some cases were appropriated by the Serbs, while in others they built their Churches and Monasteries upon the ruins of the old ones: a process continuing from the 13th century down to the present day. According to these same statistics, there are records of only three Catholic Churches, which are all now in ruins. The main monuments of Christian cult in Kosovo are considered as being Serbian Orthodox Churches and Monasteries. The Monastery of Deçan, the Church of Graçanica, the sanctuaries of Saints Miho (Michael) and Gabriel in the Prizren region, the Church of Saint Prenda in Prizren, the partiarchal complex in Peja, and the Church of St. Stephen in the region of Mitrovica all constitute an ancient patrimony, both for the indigenous Albanians and for the Serbs who came to Kosovo as invaders. The Churches in question were built, rebuilt and restored upon the foundations of ancient monuments of the Romano-Byzantine period.
The medieval official documents of the 14th and 15th centuries that are preserved in the archives of the Vatican, of Raguza, Kotorri and Venice, offer a perspective that is diametrically opposed to the Serbian claims. They testify to the existence of dozens of Catholic Christian Churches, Convents and Cathedrals that served their own communities in this region. Some of the Churches mentioned in these documents are those of St. Peter, of the Blessed Virgin Mary, and of St. Nicholas in Prizren; the Cathedral of Santa Maria de Nuovamonte and of St. Nicholas in Novobërdë. There were also many other churches in Janjevë, Trepçë, Prishtinë, Bellasicë, Rudnik, Rogozinë, Graçanicë, Kopriç and Ostrac.
Many medieval Catholic Churches are mentioned in the reports of Papal legates and visitors from the 16th to the 18th centuries.

The author reaches the conclusion that many monuments of Catholic, Byzantine and Serb orthodox cult "co-existed" in the area of Kosovo in medieval times. A number of sacred medieval monuments, both Catholic and Byzantine, are witnessed to today only by residual material traces of their culture and by documentary evidence preserved in archives and museums. On the other hand, the Serbian Orthodox Church arrogated to itself the ancient Illyro-Albanian Churches, upon the foundations of which they have been building or rebuilding their own churches since the 13th century.

GAZETA VOTRA
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi