Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Është luks, që sot të interpretosh një rol në kinema” Empty “Është luks, që sot të interpretosh një rol në kinema”

Sat 14 Sep 2013 - 15:15
  • Elvira Diamanti rikthehet pas pesë vjetësh në shesh-xhirim me Ndriçim Xhepën në filmin “Ada”, bazuar mbi romanin e shkrimtarit Fatos Kongoli

“Është luks, që sot të interpretosh një rol në kinema” 5467715033_1680c8c3fd_z%201
Valeria Dedaj

- Aktorja Elvira Diamanti do të prezantohet së shpejti në rolin e psikologe Zanës në filmin “Ada” me regji të Spartak Pecanit. Filmi është bazuar në romanin “Te porta e Shën Pjetërit” me autor shkrimtarin e njohur Fatos Kongoli. Janë 14 ditë intensive që Diamanti ka punuar së bashku me ekipin në shesh-xhirim për të realizuar rolin e psikologes, një rol që i ka thënë “po” pa hezitimin më të vogël. Në film psikologia merret me Adën, një vajzë shumë e re. Gjatë xhirimeve, Diamanti ka qenë e shoqëruar nga aktori Ndriçim Xhepa, i cili është në rolin e inspektorit të krimeve. Filmi trajton jetën e dy të rinjve, të cilëve me zhvendosjen e tyre nga një fshat i Veriut për në Tiranë, jeta iu merr një rrjedhë krejt tjetër. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Elvira Diamanti tregon punën që ka bërë për të përvetësuar rolin e psikologes, por dhe për kujdesin që bën që njerëzve të mos u shkaktoj asnjë shqetësim.

Zonja Diamanti, riktheheni për të interpretuar në një film pas 5 vjetësh në rolin e psikologe... Si ndiheni?

Për një periudhë 5-vjeçare unë nuk kam pasur asnjë rol në kinema. Filmi i fundit në të cilin kam interpretuar ka qenë “Ne dhe Lenini”. Mendoj se është me të vërtetë luks që të kesh sot një rol në kinema, prandaj le të themi se e konsideroj veten me fat për këtë rol. Pavarësisht se nuk është rol kryesor, është fat që jam pjesë e filmit “Ada”. Për këtë i jam mirënjohëse regjisorit që më ka ofruar rolin.

Si lindi ky bashkëpunim?

Është një histori e çuditshme sesi jam “njohur” me këtë rol. Materialin e printova në shtëpi pasi regjisori kërkonte një përgjigje sa më të shpejtë dhe aty i ngatërrova fletët. I kam lexuar në mënyrë të shpëndarë dhe u mundova që t’i rregulloja ashtu sikurse duhej, por nuk ia dola dot. Kam lexuar vetëm faqen e parë dhe të dytë, e më vonë mund të kem kaluar në të shtatëmbëdhjetën, por roli më pëlqeu që në fillim. Prandaj i ktheva përgjigje regjisorit se e pranoja rolin dhe pse fillimisht isha shumë konfuze nga ngatërresa që më ndodhi me skenarin.

Si ishte puna në shesh-xhirim pas pesë vjetësh?

Kam mbetur shumë e kënaqur nga xhirimet, nga ekipi dhe nga kushtet që kisha gjatë xhirimeve. Një pjesë e tyre janë bërë 14 ditë radhazi me orë të tëra, në një dekor në kinostudio. Ishte një dekor gjysmë i gatshëm, kurse pjesa tjetër janë bërë në Tiranë. Nëse dikur kemi xhiruar në një komoditet, i cili ishte komoditeti i epokës se realizmit socialist, atëherë nuk ishin këto kushtet e xhirimit të filmave, nuk ishte kjo ekonomi tregu që i detyron sot regjisorët të punojnë shumë më shpejt dhe me ritme të përcaktuara. Sot mund të them se dhe lodhja fizike është e madhe, por gjithsesi kur je duke xhiruar përjeton kënaqësi dhe magji të papërsëritshme.

Cila është puna që ju bëni për të realizuar një rol?
Përherë më ka pëlqyer profesioni i psikologut, pavarësisht se kur kam studiuar unë nuk ekzistonte fare një degë e tillë sepse në shkollat tona është hapur pas viteve 90. Më ka pëlqyer sepse unë jam një natyrë që rri shumë vetëm, jam një natyrë që konsumoj orë të gjata duke lexuar ose duke ndenjur në shtëpi. Kjo gjë më ka bërë që ti “përtyp” ose “ripërtyp” të gjitha mendimet e mija. Prandaj mund të them se nuk e kam pasur të vështirë këtë pjesë. Zana është një psikologe krimi, e cila merret me fëmijët. Mendoj se psikologu në radhë të parë duhet të dojë punën e vet, por duhet të dojë edhe atë që ka përballë. Në këtë rast unë personalisht i dua të dyja... Nuk e di nëse mund të thuhet kështu, por jam një natyrë që i jap komoditet personit me të cilin flas. Gjithë ngjarjet në film zhvillohen brenda një nate, prandaj duhet të mbaja një qëndrim gjatë gjithë kohës së xhirimeve. Kjo më krijonte një lloj vështirësie sepse duhet që të zgjidhja figurën njëherë e mirë sa i përket mënyrës sesi shikonte dhe perceptonte psikologia të gjithë skenën rreth e përqark. Nuk mund të them se roli ka një peshë, pasi mjafton vetëm që të bëje detyrën korrekte si aktore. Peshën më të madhe e ka Ndriçim Xhepa, i cili është dhe hetuesi i ngjarjes. Për Ndriçimin kam një përshtypje të jashtëzakonshme. Ai transformohet brenda një seti xhirimi në mënyrë të çuditshme, përpos që e mendoj si një nga kolegët që të bën të ndihesh mirë gjatë punës. Në të gjitha skenat e hetimit jemi bashkë, prandaj kjo punë na lidhi më tepër.

Sa psikologe e “vetvetes” jeni?

Është shumë e vështirë që të kesh për veten tënde përmasat reale të asaj që ti je në fakt, sepse nëse ti e shikon veten tënde nga brenda, të tjerët e shikojnë nga jashtë. Por unë kam disa parime dhe norma që nuk i shkel, pavarësisht sesi mund të tingëllojnë apo duken jashtë. Kështu që le të themi se përpiqem të mos i shkaktoj askujt dëme, të mos i bëj askujt keq dhe të mos shqetësoj njeri. Nuk e di se çfarë tjetër mund të bëj një psikolog me vetveten...

Nëse do të krahasonit rolet e luajtura gjatë realizmit socialist me ato pas viteve 90, mendoni se interpretimi juaj ka ndryshuar?
Këtë nuk mund ta them pasi e thashë dhe në fillim se sot xhirojmë shumë pak. Kjo duket dhe në faktin që ke një rol për të xhiruar në tërë këta vjet, prandaj dhe rolet për moshën tonë janë shumë të paktë. Nëse një film para viteve 90 mund të shkonte dhe katër pesë muaj duke u xhiruar, sot është e përcaktuar që në fillim. Bie shi, je e lodhur apo e sëmur, ekonomia e tregut nuk të fal. Prandaj mendoj se sot xhirimi në të gjithë botën është i vështirë fizikisht. Shkojnë dhe rreth 16 orë xhirime pa ndërprerje dhe të nesërmen duhet të jesh sërish në shesh dhe nuk duhet të reflektosh lodhje. Prandaj në këtë drejtim e kam pasur të vështirë, pasi realisht kam ndjerë lodhje fizike sepse ditët e mija për të xhiruar kanë qenë 14 ditë njëra pas tjetrës.

Në film ka dhe aktorë të rinj. Si e vlerësoni punën tyre?

Gjithë filmi është me aktorë të rinj. Punën e tyre e vlerësoj pozitivisht, pasi nëse mendojmë se sa pak xhirohet sot me të rinjtë dhe sesa pak përballen ata me kamerën është për t’u vlerësuar siguria e tyre përballë saj. Unë nuk do të ndihesha e sigurt në vendin e tyre. Filmin nuk e kam parë të përfunduar, por vajza e re e cila luan Adën, është shumë e talentuar dhe pse është një aktore amatore.







“Gruas shqiptare i mungon liria”





Vjet keni qenë pjesë e programit televiziv “Gra të lira”. Çfarë eksperience ishte për ju ky emision?

Ishte një eksperiencë e re. Le të themi se televizioni është i rehatshëm, sidomos kur nuk është direkt. Mundësitë që të korrigjohesh dhe të korrigjojnë janë shumë të mëdha. Pavarësisht se televizioni të nxjerrë zbuluar, sepse nëse si aktore mund të fshihesh mbas lëkurës së një personazhi, në televizion je thjeshte vetvetja.

Sa të lira janë femrat shqiptare sot?

Gruan jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën nuk e shikoj të lirë. Nuk e shikoj të lirë sepse në mënyrë instiktive gruaja priret të përkushtohet shumë më tepër në familje me fëmijët e saj, sesa në karrierë. Prandaj kjo zgjedhje nuk mundet që të të japë lirinë që ti do në zgjedhjet e tua. Mendoj se një grua në Shqipëri apo jashtë nuk është e lirë njëlloj, prandaj duhet bërë shumë më tepër për lirinë e saj, sidomos nëpër rrethina dhe në fshatra.

Ka pasur një moment që ju e keni ndier veten të kufizuar në zgjedhjet tuaja si femër?

Natyrisht. Nisur nga vetja e thash këtë. Dikur kam qenë me teatrin “PubliMedia”, i cili kërkonte një përkushtim shumë të madh. Asokohe vumë rreth tre premiera në skenë së bashku me Gëzim Kamen, por mua mu desh që të mos vazhdoja më aty. Nuk mundesha që vazhdimisht të isha nëpër turne, pasi bashkëshorti im ishte i angazhuar me biznesin e tij privat, prandaj vendosa që të kisha më shumë kohë që të shikoja fëmijët teksa rriteshin.

Jeni bërë pishman për këtë zgjedhje?

Nuk jam bërë pishman sepse e di se do të kisha humbur shumë gjëra. Kurse tani që janë rritur e di se nuk u ka munguar asgjë nga unë.

Çfarë raporti keni me fëmijët tuaj?

Unë jam jashtëzakonisht e lidhur me ta. Besoj, besoj si çdo nënë, por ata më kanë dhënë shumë kënaqësi, prandaj vazhdojmë ende të jemi shumë të lidhur. Pavarësisht se nuk jetojnë këtu, por jashtë shtetit, ne jemi vazhdimisht në kontakt përmes internetit. Unë besoj se fëmijëve u duhem ende, ndërsa ata mua thjesht më japin kënaqësi.

Si keni influencuar në zgjedhjet e tyre? Kanë pasur dëshirë të jenë pjesë e filmit?

Nuk e kanë pasur asnjëherë këtë dëshirë, as unë nuk i kam nxitur. Kurse sa i përket zgjedhjeve të tjera që kanë bërë, unë nuk kam ndikuar në asnjërën prej tyre. Besoj se kur një fëmijë ka dëshirë të fortë për diçka, atëherë diçka ndien dhe nuk mundet t’ia presësh hovin, nuk mund ta privosh, sepse nuk dihet se çfarë sheh ai në atë gjë. Nuk kam ndërhyrë në zgjedhjet që kanë bërë, thjesht i kam bërë të mendojnë më gjatë ose të reflektojnë më gjatë në atë dëshirë që kanë pasur.

“Filmi i reziston kohës më mirë se teatri”



Ju kujtohet roli i parë që keni interpretuar?

Kam qenë pjesë e disa kinoprovave në filmit “Në shtëpinë tonë”, ishim disa vajza që na kishin përzgjedhur për rolin e Anës, të cilin në fund e luajti Tatjana Leskaj. Kisha një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë pjesë e këtij filmi dhe pse nuk e kuptoja në të vërtetë se çfarë ishte interpretimi dhe filmi pasi isha shumë e re. Por më pas u përzgjodhën kolegët Bujar Asqeriu dhe Tatjana Leskaj. Kam derdhur shumë lot sepse kisha vërtetë dëshirë që të luaja në film, por regjisori e pa të arsyeshme për të zgjedhur atë çift, kështu që nuk më mbeti më asgjë për të diskutuar përveçse të qaja. Më vonë, Dhimitër Anagnosti i tha Rikard Ljarjes të më merrte në provë për filim “Radiostacioni” dhe në këtë film unë kam interpretuar për herë të parë.

Përveçse filmit, keni interpretuar dhe në teatër. Çfarë ndryshimi kanë për ju?

Teatri dhe filmi janë tjetër gjë. Në teatër emocionin e merr direkt, e merr brenda minutit sepse ti e ndjen frymëmarrjen e publikut, e ndjen kur e ke mërzitur apo kur e ke lodhur. Ndërsa në film ke shkëputje. Ajo që ti xhiron është një kënaqësi që e shikon bashkë me të tjerët në premier, është një kënaqësi që e merr më vonë. Filmi i reziston kohës më mirë se teatri, sepse në teatër harrohet çdo gjë.

Cili janë ata kolegë me të cilët sot ruani një miqësi të ngushtë?

Kjo gjë pothuajse më ka ndodhur me të gjithë. Le të themi se disa prej tyre janë: Tinka Kurtin, Robert Ndrenikën, Bujar Lako, Ndriçim Xhepa, Matilda Makoçi, Rajmona Bulku, Luiza Xhuvani etj. Por janë dhe shumë emra të tjerë, që pavarësisht kohës dhe impenjimeve në familje që kam, me ta ruaj miqësi shumë të mirë. Miqësia me ta i ka rezistuar kohës.

Po përsa i përket projekteve në vazhdim?

Në punën ku jam shpresoj shumë që të bëjmë restaurime te tjera. Bëhet fjalë për “Tomkën dhe shokët e tij”, që me projektin Albania Cinema Project mendojmë ta restaurojmë. Ky restaurim nuk është zgjedhja ime sepse nuk hynë tek filmat e dëmtuar, por është një zgjedhje që e bëjnë përfaqësuesit e ACP-së, të cilët duan që me këta filma të bëjnë një turn nëpër kinematë e botës. Dje kam folur me drejtoreshën e Institut Italian të Kulturës dhe mendoj se mund të bëjnë një restaurim të njërit prej pesë filmave të dëmtuar. Bëhet fjalë për seritë e filmit “Liri a vdekje” dhe “Koncert në vitin 36”, “Ballëpërballë” dhe “Në shtëpinë tonë”. Këta nuk janë filma të dëmtuar në magazina, por janë filma që kanë pasur solucionin e gabuar që në momentin e parë. Pra janë filma që kanë nevojë për një ndërhyrje të shpejtë.shekulli.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi