Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Shqipëria ratifikon konventën e UNESCO për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore Empty Shqipëria ratifikon konventën e UNESCO për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore

Sat 16 Apr 2011 - 2:52
“Mbi Konventën e Unesco-s për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale”

Shqipëria ratifikon Konventën për Trashëgiminë Shpirtërore


nga Prof. Dr. Vasil S. TOLE

Në sesionin e 32-të të saj, Konferenca e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsimin shkencën dhe kulturën, UNESCO vendosi që të bëjë publike konventen e saj më të re: “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo materiale”. Qëllimi madhor i kësaj Konvente është ruajtja e trashëgimisë kulturore jomateriale; respektimi i trashëgimisë kulturore jomateriale të bashkësive, të grupeve dhe të individëve të prekur; sensibilizimi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe të vlerësimit të saj të ndërsjellë; bashkëpunimi dhe asistenca ndërkombëtare.
Kjo Konventë, një ndër më të rëndësishmet e UNESCO-s për 10 vitet e fundit përfshin në vetvete dhe i referohet instrumenteve ndërkombëtarë ekzistues lidhur me të drejtat e njeriut, në veçanti si deklaratës së përbotshme për të drejtat e njeriut të 1948-ës, paktit ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të 1966-ës apo dhe paktit ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të 1966-ës.
Konventa duke marrë parasysh rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, përmbledhëse e diversitetit kulturor dhe garanci e zhvillimit afatgjatë (siç theksohet në Rekomandimin e UNESCO-s për mbrojtjen e kulturës tradicionale dhe popullore të 1989-s, në Deklaratën e përbotshme të UNESCO-s për diversitetin kulturor të vitit 2001 dhe në Deklaratën e Stambollit të vitit 2002), duke marrë parasysh ndërvarësinë midis trashëgimisë kulturore jomateriale dhe trashëgimisë materiale kulturore dhe natyrore; pranon se proceset e mondializimit dhe të ndryshimit shoqëror, krahas kushteve që krijojnë për një dialog të përtërirë mes bashkësive, shkaktojnë gjithashtu, njësoj si dhe dukuritë e mostolerancës, kërcënime të rënda për degradim, për zhdukje dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore jomateriale, veçanërisht për faktin e mungesës së mjeteve për ruajtjen e kësaj të fundit.
Konventa gjithashtu, vlerëson vullnetin e përbotshëm dhe shqetësimin e përbashkët për të ruajtur trashëgiminë kulturore jomateriale të njerëzimit; duke pranuar se bashkësitë, në veçanti bashkësitë rrënjëse, grupet dhe, sipas rastit, individët, luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe rikrijimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, cka ndihmon kështu për pasurimin e diversitetit kulturor dhe të krijimtarisë njerëzore.
Në mënyrë të vecantë duke shënuar gjithashtu se deri më tani nuk ka asnjë instrument shumëpalësh me karakter shtrëngues që të synojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale;duke patur parasysh se marrëveshjet, rekomandimet dhe rezolutat ndërkombëtare që ekzistojnë lidhur me trashëgiminë kulturore dhe natyrore do të duhej të pasuroheshin dhe të plotësoheshin në mënyrë të frytshme me anë të dispozitave të reja lidhur me trashëgiminë kulturore jomaterial;duke patur parasysh detyrimin e bashkësisë ndërkombëtare për të dhënë ndihmesën me shtetet palë në këtë Konventë për ruajtjen e kësaj trashëgimie në një frymë bashkëpunimi dhe ndihme të ndërsjell;duke sjellë në vëmendje programet e UNESCO-s lidhur me trashëgiminë kulturore jomateriale, duke patur parasysh rolin e paçmueshëm të trashëgiminë kulturore jomateriale si faktor afrimi, shkëmbimesh dhe kuptimi midis qenieve njerëzore u miratua Konventa në fjalë si në dokument i përbashkët në funksion të trashëgimisë shpirtërore.
Në Konventë jepet edhe përkufizimi se cfarë kuptojmë me trashëgimi shpirtërore, duke theksuar se ky togfjaësh kupton më së pari të gjitha praktikat, paraqitjet, shprehjet, njohuritë dhe dijebërja si dhe veglat, objektet, artefaktet dhe hapësirat kulturore që bashkëshoqërojnë ato –që bashkësitë, grupet dhe, kur është rasti, individët i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore. Konventa, duke ju referuar procesit të krijimit të kësaj trashëgimie, vlerëson me respekt se kjo trashëgimi e përcjellë brez pas brezi, është rikrijuar në vijimësi nga bashkësitë dhe grupet në funksion të mjedisit të tyre, të ndërveprimit të tyre me natyrën dhe të historisë së tyre, dhe u jep atyre një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie, duke ndihmesuar kështu për promovimin e respektit për diversitetin kulturor dhe të krijimtarisë njerëzore.
C`ka është shumë e rëndësishme, Konventa përcakton saktësisht edhe fushat të cilat trashëgimia shpirtërore përfshin si: traditat dhe shprehjet gojore, përfshirë këtu edhe gjuha si vektor i trashëgimisë kulturore jomateriale; artet e shfaqjes (spektaklit); praktikat sociale, ritualet dhe ngjarjet festive; njohjet dhe praktikat lidhur me natyrën dhe gjithësinë; dijebërja lidhur me artizanatin tradicional. Dukë shpjeguar saktësisht se qëllimi i saj kryesor është ruajtja e kësaj trashëgimie, në të spjegohet se ruajtja e trashëgimisë shpirtërore së pari kupton të gjitha ato masa që synojnë jetëgjatësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, përfshirë këtu identifikimin, dokumentimin, kërkimin, ruajtjen, mbrojtjen, promovimin, vlerësimin, përcjelljen, kryesisht përmes edukimit formal dhe joformal, si dhe rigjallërimi i aspekteve të ndryshme të kësaj trashëgimie.
Një kapitull shumë i rëndësishëm i Konventës është edhe ai që i kushtohet Organeve ekzekutive të Konventës. Organi më i rëndësishëm është Asambleja e përgjithshme e shteteve palë e cila konsiderohet si organi sovran i kësaj Konvente. Asambleja e përgjithshme mblidhet në sesion të zakonshëm çdo dy vjet. Ajo mund të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm nëse ajo vendos kështu ose nëse asaj i është drejtuar kërkesë nga Komiteti ndërqeveritar i ruajtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale ose nga jo më pak se një e treta e shteteve palë. Një tjetër organ i rëndësishëm është edhe Komiteti ndërqeveritar i ruajtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale. Ky Komitet i ngritur pranë UNESCO-s përbëhet nga përfaqësues të 18 shteteve palë, të zgjedhur nga shtetet palë mbledhur në Asamble të përgjithshme me hyrjen në fuqi të kësaj Konvente. Numri i shteteve anëtare të Komitetit do të bëhet 24 me të arritur në 50 numri i shteteve palë në Konventë. Si rregull zgjedhja e shteteve anëtare të Komitetit duhet të respektojë parimet e shpërndarjes gjeografike dhe të rotacionit të rregullt. Ata, pra shtetet antare të Komitetit zgjidhen për një mandat katërvjeçar. E rëndësishme është të pohohet fakti se shtetet anëtare të Komitetit duhet të zgjedhin për t’i përfaqësuar në këtë Komitet, persona të kualifikuar në fushat e trashëgimisë kulturore jomateriale. Krahas detyrimeve dhepërcaktimeve të punës së Komitetit dhe të sekretariatit të Konventës, një fokusim të vecantë Konventa i kushton edhe detyrimeve të shteteve palë në këtë Konventë për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Konventa vlerëson se i përket çdo shteti palë që të marrë masat e nevojshme për të siguruar ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale të pranishme në territorin e tij; që të identifikojë dhe përcaktojë elementët e ndryshëm të trashëgimisë kulturore jomateriale të pranishme në territorin e tij, me pjesëmarrjen e bashkësive, të grupeve dhe të organizatave joqeveritare. Për të siguruar identifikimin për ruajtjen, çdo shtet palë, në përputhje me gjendjen e tij, duhet të hartojë një ose më shumë inventarë të trashëgimisë kulturore jomateriale të pranishme në territorin e tij. Këto inventare janë objekt i një përditësimi të rregullt.
Me qëllim që të sigurohet ruajtja, zhvillimi dhe venia në pah e trashëgimisë kulturore jomateriale, e pranishme në territorin e tij, çdo shtet palë përpiqet ndër të tjera edhe që të hartojë një politikë të përgjithëshme, që të synojë vënien në pah të funksionit të trashëgimisë kulturore jomateriale në shoqëri dhe të integrojë ruajtjen e kësaj trashëgimie në programe planifikimi; që të caktojë ose të ngrejë një ose disa organizma kompetentë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale të pranishme në territorin e tij; që të nxisë studime shkencore, teknike dhe artistike si dhe metodologji kërkimore për një ruajtje të efektshme të trashëgimisë kulturore jomateriale, në veçanti të trashëgimisë kulturore jomateriale në rrezikm etj.
Shtetet antare duhet që të miratojnë masa juridike, teknike, administrative dhe financiare përkatëse me synim që të favorizojnë e krijimit ose të forcimit të institucioneve për formim në administrim të trashëgimisë kulturore jomateriale si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie përmes forumeve dhe hapësirave të destinuara për paraqitjen dhe shprehjen e saj; që të garantojnë shfrytëzimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, duke respektuar praktikat zakonore që rregullojnë shfrytëzimin në disa aspekte specifike të kësaj trashëgimie si dhe duke synuar ngritjen e institucioneve dokumentare për trashëgiminë kulturore jomateriale dhe mundësimin e shfrytëzimit të tyre.
Konventa në mënyrë të vecantë synoon edhe edukimin, sensibilizimin dhe rritjen e kapaciteteve në këtë fushë. Për këtë, cdo shtet palë duhet të përpiqet që me të gjitha mjetet përkatëse të sigurojë njohjen, respektimin dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në shoqëri, nëpërmjet programeve edukative, sensibilizues dhe përhapës të informacionit për publikun, sidomos për të rinjtë; programeve të posaçme për edukim dhe formim, brenda bashkësive dhe grupeve të interesuar; veprimtarive për forcimin e kapaciteteve në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale dhe në veçanti për administrimin dhe kërkimin shkencor. Gjithashtu kërkohet që të mbahet publiku i informuar për kërcënimet që rëndojnë mbi këtë trashëgimi si dhe për të gjitha veprimtaritë e kryera për të zbatuar këtë Konventë. Theksi vihet edhe tek rëndësia që ka edukimi për mbrojtjen e hapësirave natyrore dhe të vendeve historike, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme për shprehjen e trashëgimisë kulturore jomateriale. Në kuadrin e veprimtarive për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale, c`do shtet palë përpiqet të sigurojë pjesëmarrjen më të madhe të mundshme të bashkësive, të grupeve dhe, sipas rastit, të individëve që krijojnë, mirëmbajnë dhe përcjellin këtë trashëgimi, dhe t’i përfshijnë gjallërisht në administrimin e saj.
Një vend i vecantë në Konventë i kushtohet ruajtes së trashëgimisë kulturore jomateriale në shkallë ndërkombëtare. Për këtë, Konventa rekomandon që të punohet për një ndërgjegjësim më të mirë të rëndësisë së saj dhe për të favorizuar dialogun duke respektuar diversitetin kulturor. Komiteti, me propozim të shteteve palë të interesuara harton, përditëson dhe publikon një listë paraqitëse të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit. Komiteti harton dhe i paraqit për miratim Asamblesë së përgjithshme kriteret kryesore për hartimin, përditësimin dhe publikimin e kësaj liste paraqitëse.
Në bazë të propozimeve të paraqitura nga shtetet palë, dhe në përputhje me kriteret që ai përcakton dhe që janë miratuar nga Asambleja e përgjithshme, Komiteti për detyrë që të përzgjedhë periodikisht dhe të promovojë programe, projekte dhe veprimtari me karakter kombëtar, nënrajonal ose rajonal për ruajtjen e trashëgimisë që ai i gjykon se pasqyrojnë më mirë parimet dhe objektivat e kësaj Konvente, duke mbajtur parasysh nevojat e veçanta të vendeve në zhvillim. Për këtë qëllim ai merr, shqyrton dhe miraton kërkesat për mbështetje ndërkombëtare të formuluara nga shtetet palë për hartimin e këtyre propozimeve. Komiteti e shoqëron zbatimin e këtyre programeve, projekteve dhe veprimtarive me përhapjen e praktikave më të mira sipas modaliteteve të paracaktuara prej tij.
Edhe shteti shqiptar, institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore si dhe personalitetet e fushës, janë shprehur të gatshëm për njohjen, përhapjen dhe ratifikimin e kësaj konvente. Fakt është që shtetit shqiptar qysh prej viti 1956, ka ratifikuar dhe pranuar konventat më të rëndësishme ndërkombëtare të cilat shtrijnë veprimtarinë e tyre në fushën e trashëgimisë kulturore. Kjo gjë është legjitimuar edhe në ligjin 9048, dt. 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”. Përsa i përket trashëgimisë jomateriale, MKRS para disa vitesh ka pranuar dhe shpërndarë nëpëmjet botimeve të saj “Rekomandimet e UNESCOs për folkorin” dhe së dyti ka synuar nëpemjet aplikimit pranë UNESCo-s për të fituar statusin e “Kryeveprës së trashëgimisë gojore të njerëzimit” për fenomenin muzikor popullor të iso-polifonisë. Ratifikimi së fundi nga ana e Shqipërisë i kësaj Konvente, do të sjellë një status më shumë mbrojtjeje, ruajtje dhe popullarizimi të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi