Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Emërtimi i shqiptarëve ndër shekuj Empty Emërtimi i shqiptarëve ndër shekuj

Sat 16 Apr 2011 - 4:44
Prof. Shaban Demiraj: Gjithësesi, duhet pranuar që kjo çështje është më e ndërlikuar nga sa mund të duket në një vështrim të parë dhe prandaj kërkon hulumtime të mëtejshme.

25. Fjala e prejardhur shqip-tar ndeshet një herë të vetme tek Kuvendi i Arbënit i vitit 1705; "...a dinë mirë gjuhën e shqipëtarëvet...(f.76). Por edhe këtu përdoret më shumë fjala më e vjetër arbënesh, me sa duket, nën ndikimin e traditës së shkrimtarëvë veriorë. Edhe Thunmanni në veprën e tij të vitit 1774, f.243, e përmënd emrin shiptar: "Albanët e quajnë veten skipatar, por burimin e kësaj fjale ata nuk e dinë". Këto dy burime mjaftojnë për të vërtetuar se në shekullin XVIII emri shqiptar ishte në përdorim të gjallë si në Shqipërinë e Veriut ashtu edhe në atë të Jugut, ç’ka parakupton që kjo fjalë të jetë krijuar të paktën, një a dy shekuj më pare [44]. Gjithsesi, etnonimi shqip-tar është krijuar relativisht vonë (shih edhe § § 30-33).

26. Siç u vunë në dukje tek § 24, emri i prejardhur shqip-tar është krijuar duke i shtuar prapashtesën -tar ndajfoljes shqip. Në përdorim ndajfoljor fjala e parme shqip ka zëvëndësuar fjalën e prejardhur arbën-isht/arbër-isht [45], që është formuar rregullisht nga emri Arbën/Arbër me prapashtesën -isht, ashtu si gegëni-sht, toskëri-sht, çamëri-sht, itali-sht, frëngji-sht, spanj-isht etj. Por, ndërsa tema ndajfoljore shqip shërben në disa togfjalësha edhe si mbiemër, ndajfolja arbën-isht/arbër-isht nuk shërben edhe si mbiemër; në këtë funksion shërbente fjala e prejardhur (i) arbënesh/arbëresh P.sh. të krahasohet togfjalëshi i sotëm gjuha shqipe me gjuha e arbëneshe të Budit, Bardhit e Bogdanit (shih § 14) [46]. Por përdorimi i fjalës shqip si mbiemër është historikisht dytësor dhe i kufizuar me një numër të caktuar emrash si: gjuha shqipe, fjala shqipe, libër shqip, shkolla shqipe e ndonjë tjetër rast i këtij lloji, si letërsia shqipe. Për më tepër kjo fjalë me funksion mbiemror është përdorur më parë në formë të ngurosur, siç na dëshmojnë, ndër të tjera, titulli i gramatikës së Sami Frashërit (1886): Shkronjëtore e gjuhës shqip dhe ai i alfabetares së Stambollit (1879): Alfabetare e guhësë shqip.

27. Ndajfolja shqip dokumentohet për herë të parë tek autorët e vjetër të Veriut, por edhe tek ata kjo ndeshet rrallë. Kështu tek Buzuku ajo ndeshet vetëm një herë në f.XXV: ...që vjen me thashunë shqip.... kurse tek Budi e gjejmë të përdorur katër herë: Shqip të mundënj me rrëfyem/ndonjë kankë të re...(DC 220). O për ma të madhe devocione e ngushëllim të popullit shqip të na thotë mbë këtë arësye....;....ndo shqip tue ia thanë, t’i thoetë se...;... ani mbasi të kietë dhanë të rrëfyemtë, që quhetë...o shqip o për letërë ta die...(RR 74, 85, 96) [47]. E gjejmë të përdorur një herë të vetme edhe në parathënien e veprës së Bogdanit : ...tue pasunë bam ende aj një gramatikë fort të godiçime latin e shqip, si dhe në vjershën e Luka Bogdanit kushtuar Pjetër Bogdanit dhe botuar në veprën e këtij: Shqip, latin e taljani gërqisht ende dalmati, jevreisht e arapi, armenisht ende siri. Por në Fjalorin e Bardhit (1635) fjala shqip nuk është përdorur asnjë herë, megjithëse rasti për ta përdorur, nuk ka munguar (shih shënimin 45). Kurse tek Kuvendi i Arbënit (1705), ku gjejmë të përdorur Arbëni, Arbënisë (f.10, 76) në vend të ndajfoljes arbënisht përdoret fjala shqip [48]. Fjala shqip nuk ndeshet as tek arbëreshët e Greqisë dhe të Italisë, të cilët përdorin ndajfoljen arbërisht (shih §§ 17, 23 dhe 26). Nga ana tjetër, do shënuar se fjalën shqip e gjejmë në Divanin e Nezim Frakullës (1685-1780): Këtë divan e zura shqip (shih Myderizi 1954,64). E kjo është një tjetër dëshmi për përdorimin relativisht të hershëm të kësaj fjale edhe në viset jugore të truallit shqiptar.

28. Duke qenë se përdorimi ndajfoljor i fjalës shqip në vend të arbërisht nuk ka qenë në përputhje me formimin ndajfoljor të këtij tipi, lind vetiu pyetja se cili ka qenë kuptimi zanafillës i kësaj fjale dhe si e ka marrë ajo kuptimin, që ka bërë të mundur zëvendësimin e ndajfoljes arbënisht/arbërisht. Gjithashtu edhe etimologjia e kësaj fjale mbetet për t’u diskutuar. Me sa duket, fjala shqip në zanafillë ka pasur kuptimin e ndajfoljes qartë, hapur, troç dhe vetëm më pas ka marrë kuptimin e ndajfoljes arbën-isht/ arbër-isht, të cilën dalëngandalë edhe e ka nxjerrë jashtë përdorimit. Rrethanat në të cilat ndajfolja shqip e ka marrë kuptimin e sotëm nuk janë të qarta. Sidoqoftë, në këtë rast do të ketë ndodhur diçka e ngjashme (por jo e njëjtë) me atë që ka ndodhur me fjalën gjermane deutsch, të përdorur si mbiemër, si emër dhe si ndajfolje. Kjo fjalë e vjetër gjermanike në gotishte del me trajtën thiuda dhe me kuptimin "popull, fis". Kurse aty midis shekujve VIII-X në gjermanishte ajo del me trajtën diutisk dhe me kuptimin "popullor". E përdorur bashkë me emrin gjuhë ajo ka marrë më në fund kuptimin e gjuhës gjermane, si gjuhë popullore në kundërshtim më gjuhën latine (shih edhe § 2). Kështu mund të mendohet që në shprehje të tipit Ma tha shqip (=hapur troç, qartë), foli shqip (=qartë, hapur) [49] etj., fjala në shqyrtim ka marrë dalëngadalë kuptimin e fjalës arbën-isht/ arbër-isht, të cilën më në fund e ka zëvendësuar plotësisht gjatë këtyre shekujve të fundit. Por ky proces zëvendësimi, me sa duket, do të ketë nisur qysh në periudhën parashkrimore, për ç’ka na dëshmojnë veprat e autorëve të vjetër të Veriut.

29. Për burimin e fjalës shqip janë shprehur mendime të ndryshme. Sipas një mendimi mjaft të përhapur ndër disa autorë shqiptarë [50], kjo fjalë është lidhur me emrin e shpendit të shqipes, shqiponjës, d.m.th. si gjuha e shqipes, e shqiponjës. Një shpjegim i tillë nuk del i argumentuar. Të kihet parasysh edhe fakti se në veprat e autorëve të vjetër të Veriut, tek të cilët ndeshet ndajfolja shqip, emri i shpendit shkruhet me /-y-/: shqype. P.sh tek Buzuku: ...aty të mbëlidhenë edhe shqypetë (f.LXXXII (=92)/bis) .....e faqenë e shqypesë (f.L XXXII(=102)/bis); te Bogdani:.... as dheu si s(h)qype nalt qëndron e ri (Pjesa I, I /IV/4). Të kihet parasysh edhe Bardhi (f.59): miluus, nibbio =shqypeja (shih për këtë edhe Çabej: 1975,V,70). Nuk i qëndron kritikës as shpjegimi i Meyer-it (1891,411), i cili fjalën shqip e trajton tek folja shqip-onj (=kuptoj) dhe këtë e merr si huazim nga latinishtja excipio (=ndjej, dëgjoj). Këtë shpjegim e kundërshton me të drejtë Çabej (1975,V,70). Për më tepër, folja shqipoj "them shkoqur, shqip" është një fjalë e prejardhur nga shqip dhe s’duhet të jetë as e vjetër, as e përhapur në mbarë truallin shqiptar. Pra burimi i fjalës shqip mbetet i errët e kjo rrethanë mund të merret edhe si një dëshmi për vjetërsinë e saj. Gjithsesi, një gjë është e sigurt dhe pikërisht dokumentimi më i hershëm i ndajfoljes shqip (shih § 27) në krahasim me atë të fjalës së prejardhur shqip-tar. E një fakt i tillë duhet mbajtur parasysh, kur diskutohet çështja e zëvendësimit të etnonimit më të hershëm (i) arbën-esh/ (i) arbër_esh me emrin shqiptar, që është një krijim relativisht i vonë (shih § 25).

30. Për zëvendësimin e etnonimit më të vjetër (i) arbënesh/ (i) arbëresh me emrin shqiptar të gjithë studiuesit e pranojnë se një dukuri e tillë ka ndodhur gjatë shekujve të fundit. Madje, disa prej tyre e kanë lidhur një zëvendësim të tillë me përhapjen e islamizmit në Shqipëri gjatë sundimit turk. Kështu p.sh e ka shpjeguar këtë dukuri O. Myderrizi (1965,164), i cili e lidh zëvendësimin e emrit të mëparshëm arbëneshë/arbëreshë me emrin shqiptar, sepse: "Emri i vjetër nuk tregonte vetëm kombësinë, po edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndje nevoja edhe e ndërrimit të tij. Emri i ri shqiptar që u përshtat si emër kombëtar bazohej në gjuhën, në një nga elementët kryesorë të kombësisë. Ky emër mund të jetë përdorur si emër kombëtar nga myslimanët e parë shqiptarë që në shekullin XVI, por këta mbasi ishin të pakët nuk ia imponuan dot shumicës". Kurse Aleks Buda (1986, I, 149), pasi bën fjalë për luftën e gjatë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë kundër pushtuesve osmanë dhe për kontradiktat klasore të papajtueshme midis masave popullore dhe pushtuesve, pohon: "Kjo ndeshje ballore e gjatë dhe masive e masave popullore me të huajte pjegon një dukuri në dukje të habitshme etnogjenetike: është pikërisht mbas kësaj periudhe lufte që ne vërejmë të kalojë në radhë të dytë emërtimi i lashtë etnik arbën dhe të zëvendësohet dora-dorës më një emër gjithashtu me rrënjë të lashtë shqiptar, me të cilin kjo kombësi e veçon veten nga pushtuesit e huaj, si një kombësi e veçantë e vetme, e ndryshme në radhë të parë me gjuhën e saj të dalluar, të përbashkët e të kuptueshme shqipe". Për E. Çabejn (1976, 65), "Zhdukja e zëvendësimi i tij (i emrit të mëparshëm - SH. D.) me emrin shqiptar mbase ka lidhje me zbërthimet etnike që u kryen me ardhjen e osmanëve". Autori nuk e zbërthen më tej shjegimin e tij. Një shpjegim të ngjashëm gjejmë edhe tek R. Ismajli (1987,102): "Emrat shqiptar dhe Shqipëri...janë krijuar pas ndryshimeve më të thella shoqërore, politike e fetare". Më poshtë (f.103) ky autor shton: "Emri shqiptar u bë i qëndrueshëm plotësisht si i vetmi emër vetëm në kushtet e krijimit të vetëdijes për kombin, në rrethanat politike të lëvizjes së madhe të Rilindjes".

31. Një mendim të ngjashëm me atë të O. Myderrizit për çështjen në shqyrtim (shih § 30) ka shprehur edhe E. Sedaj (1996,108), i cili pasi pohon se në një nga vjershat e bejtexhiut Sheh Mala (1865-1928) përdoret emri turk për shqiptar dhe se shqiptatët e islamizuar gëzonin të drejta që nuk i gëzonin shqiptarët e krishterë, arrin në përfundimin se ky ka qenë faktori kryesor për braktisjen e etnonimit arbëresh. Por do shënuar se në bazë të një arsyetimi të tillë pritej që shqiptarët e islamizuar në përgjithësi (dhe jo vetëm disa njerëz të ndikuar prej kulturës turke, siç ishin ndër të tjerë bejtexhinjtë) ta quanin veten turq. Ose, të paktën do të pritej që emri shqiptar të ishte përdorur vetëm nga pjesa e islamizuar e popullsisë shqiptare, ose të ishte përdorur nga turqit për të emërtuar këtë pjesë të shqiptarëve, ç’ka nuk i përgjigjet së vërtetës historike. Mbrojtësit e tezës në shqyrtim duhej të dokumentonin të paktën që turqit i emërtonin shqiptarët e krishterë arnautë (=arbëneshë/arbëreshë), ndërsa ata myslemanë i emërtonin shqiptarë. Përndryshme, duhej pranuar që këtë dallim në emërtim ta kenë bërë vetë shqiptarët e dy feve të ndryshme, ç’ka gjithashtu nuk është e saktë. Po t’u drejtohemi burimeve turke, del se ata kurdoherë shqiptarët i kanë quajtur me emrin arnaut. Kështu p.sh. në Fjalorin e Bardhit (1635) f.22, emri latin Epirote përkthehet: i arbëneshë, Turcicé Arnautlar. Dhe mund të pohohet se në dokumentet turke të hershme apo të vona nuk është bërë ndonjë dallim i tillë në emërtimin e shqiptarëve myslemanë dhe të krishterë, duke i quajtur të parët shqiptarë dhe të dytët të arbëneshë/arbëreshë. Gjithashtu, nuk ka ndonjë të dhënë që të vërtetojë se ky dallim emërtimi është bërë nga vetë shqiptarët. Përkundrazi, përdorimi i këtij emri, qoftë edhe një herë të vetme, tek Kuvendi i Arbënit nuk e mbështet hipotezën e mësipërme.

32. Në të vërtetë, çështja e zëvendësimit të etnonimit më të hershëm (i)arbënesh/ (i) arbëresh me shqiptar është pasojë e përgjithësimit të ndajfoljes shqip në vend të ndajfoljes më të hershme arbën-isht/arbër-isht. E përgjithësimi i ndajfoljes shqip është bërë në truallin shqiptar nga vetë shqiptarët, pa dallim feje. Kështu, nuk duhet të jetë rastësi që Buzuku në të vetmin rast, që është dashur të përdorë një ndajfolje të tillë, ka përdorur pikërisht fjalën shqip (shih § 27) dhe jo arbënisht. Po kështu Budi, i cili përdor një gjuhë më popullore se shkrimtarët e tjerë katolikë, në veprat e tij që kapin 1014 faqe, ka përdorur katër herë fjalën shqip (shih § 27) dhe asnjëherë arbënisht. Në këto rrethana, lind vetiu pyetja nëse ndajfolja arbënisht/arbërisht ka qenë me të vërtetë në përdorim të zakonshëm në masat popullore të trevave veriore dhe jugore të banuara nga ata që flisnin gjuhën e arbëneshë a arbëreshë. Mospërdorimi i ndajfoljes arbënisht tek Buzuku e sidomos tek Budi dhe te Kuvendi i Arbënit duket sikur dëshmojnë që kjo ndajfolje nuk do të ketë qenë aq e përdorur në ligjërimin e përditshëm. E ky fakt, me sa duket, i ka dhënë shkas përdorimit gjithnjë e më të dendur të ndajfoljes shqip.

33. Me përdorimin gjithnjë e më të dendur të ndajfoljes shqip ndër të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine dhe feje, erdh e u bë gjithnjë më e ndjeshme kundërvënia midis kësaj fjale dhe etnonimit i arbënesh/ i arbëresh, me të cilin më parë e quanin veten ata që flisnin shqip. Kjo kundërvënie binte ndesh me përdorimin e përgjithshëm të emërtimit të popujve dhe të gjuhëve a dialekteve përkatëse me fjalë të së njëjtës rrënjë. P.sh të krahasohen: grek-Greqi-greqisht, italian-Itali-italisht, turk-Turqi-turqisht, gjerman-Gjermani-gjermanisht, etj; toskë-Toskëri-toskërisht, gegë-Gegni-gegnisht, lab-Labëri-labërisht, çam-Çamëri-çamërisht, etj. Prandaj kundërvënia formale midis fjalëve shqip dhe Arbën/Arbër, (i) arbënesh/arbëresh nuk mund të vazhdonte përgjithmonë. Ajo një ditë do të zgjidhej me mënjanimin e pashmangshëm ose të fjalës shqip ose të fjalëve Arbën/Arbër, etj. Në rastin konkret, fjala shqip u tregua më e gjallë duke mënjanuar nga përdorimi më parë fjalën më pak të përdorur arbënisht/arbërisht. Në këtë mënyrë u hap rruga edhe për mënjanimin e shkallëshkallshëm të fjalëve të tjera të së njëjtës rrënjë (Arbën/Arbër dhe i arbënesh/ i arbëresh) nëpërmjet krijimit të fjalëve të prejardhura shqip-tar dhe Shqip-ë-ni/Shqip-ë-ri. Gjithësesi, duhet pranuar që kjo çështje është më e ndërlikuar nga sa mund të duket në një vështrim të parë dhe prandaj kërkon hulumtime të mëtejshme.

Botimet e përdorura

Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia; vol.I. Vindobonae 1913.
Blancus, Franciscus. Dictionarium Latino-Epiroticum. Romae 1635.
Bariç, Henrik. Hymje në historinë e gjuhës shqipe. Prishtinë 1955.
Bogdani, Pjetër. Cuneus Prophetarum, Patavii 1685.
Buda, Aleks. Rreth disa çështjeve të historisë së popullit shqiptar, të gjuhës e të kulturës së tij. Studime historike 1980/1.
Budi, Pjetër. Dottrina Chtistiana. Roma 1918.
Budi, Pjetër. Speculum confessionis. Roma 1621. Rituale Romanum. Roma 1621.
Çabej, Eqrem, "Meshari" i Gjon Buzukut.I,II.Tiranë 1968.
Çabej, Eqrem. Studime gjuhësore. V. Prishtinë 1975.
Çabej, Eqrem. Studime etimologjike në fushë të shqipes: vëllimi II. Tiranë 1976.
Dara, Gabriele. Kënga e sprapsëme e Balës. Shqipëruar nga Shaban Demiraj: Tiranë 1994.
Demiraj, Shaban. Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Tiranë 1986.
Demiraj, Shaban. Fonologjia historike e gjuhës shqipe. Tiranë 1996.
Domi, Mahir. Prapashtesa ilire dhe shqipe, përkime dhe paralelizma. "Studime filologjike" 1974/4.
Ducellier, Alain. L’Arbanon et les albanais au XI siècle. Në : Centre de Recherche d’Histoire et Civilisation Byzantines. 3 . Paris 1968.
Figlia, Nicolo. Il Codice Chieutino a cura di Matteo Mandalà. Comune di Mezzoiuso. 1995.
Fortino, I.C Giulio Variboba.La vita di Maria. Cosenza 1984.
Sami, Frashëri. Shkronjëtore e gjuhës shqip. Bukuresht 1886.
Phourike, P.A .Pothen to ethnikon Arvanites? Athinë 1931.
Georgiev, Vladimir. Vokalna sistema v razvoja na sllavianskite ezici. Sofia 1964.
Haebler, Claus. Grammatik der albanichen Mundart von Salamis. Wiesbaden 1965.
Hahn, Johann Georg von. Albanesische Studien.I. Jena 1854.
Hetzer, Armin. Wie ist Arnold von Harffs Wortverzeichnis (1496) zu lesen? Balkan-Archiv (Neue Folge1981/6)
Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë; vëll.I. Tiranë 1965.
Ismajli, Rexhep. Artikuj mbi gjuhën shqipe. Prishtinë 1987.
Jireçek, Konstantin.Albanien in der Vergangenheit, Illyrisch-Albanische Forschungen.I. München-Leipzig 1916.
Kagan, D., Ozment, St., Turner. Fr. M. The Western Heritage New York 1987.
Krahe, Hans.Die alten balkan-illyrischen geographischen Namen. Heidelberg 1925.
Concilium Provintiale sive Nationale Albanum habitum.Anno MDCCIII. Romae 1705.
Luka, Kolë. Toponimia shqiptare në kangën e Rolandit lidhur me disa ngjarje të vjetëve 1081-1085. Stud. Hist. 1967/2
Mayer, Antun. Die Sprache der alten Illyrier.B.II. Wien 1959.
Meyer, Gustav. Etimologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg 1891.
Meyer, Gustav. Albanesische Studien V. Wien 1896.
Mirçev, Kiril, Istoriçeska gramatika na bëlgarskija ezik. Sofia 1958.
Moskalskaja, O.I. Deutsche Sprachgeschichte. Leningrad 1969.Myderrizi: 1954- Myderrizi, Osman. Nezim Frakulla. "Buletin për Shkencat Shoqërore" 1954/IV.
Emri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në tekstet e vjetra shqip me alfabet latin e arab, Studime historike 1965/1.
Rix, Helmut. Historische Grammatik des Griechischen. Darmastadt 1976.
Sedaj, Engjëll. Etnonimi arbëresh-shqiptar. Prishtinë 1996.
Shuteriqi, Dhimitër. Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850. Tiranë 1965.
Thunmann, Johann. Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker. Leipzig 1774.
Xhufi, Pëllumb. Migrimet shqiptare në Greqi në shek. XIV. "Studime historike" 1991/3-4. Tiranë 1994.
Xhuvani, A., Çabej, E. Prapashtesat e gjuhës shqipe. Tiranë 1962.
Zojzi, Rrok. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. "Etnografia shqiptare". 1962/1.

Prof. Shaban Demiraj
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi