Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Gustav Majer Dhe Albanologjia Empty Gustav Majer Dhe Albanologjia

Wed 22 Jun 2011 - 5:12
Kontributi i studiuesve gjermanë në studimet albanologjike

Shkolla gjermane, që ka arritjet më të suksesshme në fushë të albanologjisë dhe njëri prej studiuesve më të shquar nga kjo shkollë, Gustav Majeri, janë të lidhura ngushtë me fillimet e albanologjisë, me studimet e saj më të rëndësishme në të gjitha kohërat, me themelimin e albanologjisë si shkencë, dhe me shkallën më të lartë të studimeve të saj në ditët tona. Mund të thuhet kështu se: në shekullin XV, kur gjejmë veprën e parë për gjuhën shqipe ndër të huaj, një Fjalorth, që sado i vogël qoftë, e kemi trashëguar nga një udhëtar gjerman, Arnold von Harff (1497); për shkak se në shekullin XVI, në mesin e disa veprave të njohura që flasin për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, gjendet edhe vepra e një studiuesi gjerman: Konrad von Gesner (1555); për shkak se, në shekullin XVII, veç të tjerash, kemi edhe një lutje në gjuhën shqipe, të cilën e ka botuar Andrea Muller (1680); për shkak se, në shekullin e XVIII njëri prej filozofëve më të mëdhenj gjermanë dhe evropianë të kohës së tij, Gottfried Wilhelm Leibnitz (1705-1715), është njëri prej popullarizuesve më të mëdhenj të prejardhjes së gjuhës shqipe, madje jo vetëm një herë dhe në një rast, por për mëse njëzet vjet me radhë.
I po kësaj kohe është edhe kritiku e filozofi i madh gjerman Johan Gotfrid Fon Herder (1744-803), si dhe historiani Johan Erih Tunman (1746-1778); në shekullin XIX, disa prej studiuesve më të shquar të gjuhësisë evropiane, gjermanët: Johan Christoph Adelung (1809), Christian Gottlieb von Arndt (1818), J.A.G. Schmidt (1822), Johann Severin Vater (1822), Karl August Anton Alfons Joseph Ritter von Xylander (1835), gjendet edhe studiuesi i madh gjerman Johann Georg von Hahn (1853-1855), i cili vuri bazat materiale dhe shkencore të albanologjisë. Le të kujtojmë se në gjysmën e parë të shekullit XIX vepron edhe studiuesi i njohur për zonën mesdhetare të Evropës, Jakob Philip Falmerajer (1790-1860).

Po i kësaj kohe është edhe njëri prej historianëve më të mëdhenj të këtyre dy shekujve, Teodor Mommsen (1817-1903). Gjithë ky interesim dhe gjithë kjo punë për studimin e gjuhës shqipe edhe është pritur që do të kurorëzohet një ditë me rezultate të reja shkencore në fushë, jo vetëm të albanologjisë si shkencë, që po linte, por edhe në shkallë të ballkanologjisë dhe të indoevropianistikës në përgjithësi. Për të ndodhur kjo nuk është dashur shumë kohë. Vetëm disa dhjetëvjetsha më vonë, pra në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte studiuesi i madh Franc Boppi (1855) dhe më pas Gustav Majeri (1891), i cili do t’i vërë bazat e shkencës të albanologjisë. Puna shkencore e studiuesve gjermanë dhe austriakë nuk mbaroi me këtë shkallë të ngritjes së dijes për albanologjinë.

Ata do të shtohen, jo vetëm për nga numri i hulumtuesve, por edhe sipas fushës së interesimit. Le të kujtojmë këtu punën e madhe shkencore që në fillim të shekullit XX e bëri Norbert Jokli (1916-1939), angazhimin e madh jo
vetëm shkencor, por edhe kulturor e kombëtar për shqiptarët të Maksimilian Lambercit; vlerat shkencore të studimeve ilire nga profesori i gjuhësisë krahasimtare Paul Kreçmer (1886-1956), le të kujtojmë këtu profesorin e historisë Hansjorg Frommer (1939-), filozofin dhe historianin Peter Robert Franke (1926), studiuesit, nga më të zellshmit në ditët tona: Herman M. Olberg, Wilfred Fiedler e Oda Buchholz, Norbert Boretzky etj.

Megjithatë, ata që kontributin e studiuesve gjermanë e shikojnë vetëm në një kënd dhe i qasen vetëm nga një anë, nuk harrojnë të thonë se: interesimi i shkollës gjermane për gjuhën shqipe ishte i natyrës politike; i natyrës së rastit, d.m.th. studiuesit gjermanë ishin marrë me albanologjinë falë pranisë së tyre në trojet shqiptare, e madje edhe kolonitë shqiptare, për aktivitete të caktuara politike, tregtare, ushtarake etj; se për studiuesit gjermanë gjuha shqipe ishte vetëm një trampolinë krahasuese me gjuhët e tjera, për të nxjerrë rezultate sa më të sakta në shkallë të gjuhësisë indoevropiane etj. Prandaj, në këtë rast shtrohet nevoja që interesimi i studiuesve gjermanë për gjuhën shqipe, popullin shqiptar dhe për historinë e tij, të trajtohet edhe në aspekte të tjera.

Jeta dhe vepra

Gustav Majer u lind më 25 nëntor 1850 në Gross-Strelitz, krahina e Silezisë së Epërme të Gjermanisë. Ishte bir i një nëpunësi prusian. Mësimet i filloi në Gjimnazin e Opelit dhe i vazhdoi në Universitetin e Breslaut. Tregoi interesim të veçantë për studimin e gjuhëve të lashta: për indishten, sanskritishten, latinishten e në mënyrë të veçantë për greqishten. Në fillim emërohet asistent i gjuhëve të lashta në Gjimnazin e Gotës (1871), por vetëm pas një viti emërohet profesor i universitetit të këtij qyteti. Pas dy vjetësh emërohet profesor i gjuhëve të lashta në Universitetin e Pragës dhe më 1877 emërohet profesor i Gjuhësisë indoevropiane në Universitetin e Gracit, ku i vazhdoi studimet për greqishten e vjetër, turqishten, dhe bëri një punë të madhe sidomos në studimet albanologjike. Rezultat i studimeve të tij në fushë të gjuhëve klasike, në këtë kohë, është studimi “Ndihmesë për teorinë e fjalëformimit të greqishtes dhe të latinishtes”.(1872)

Aktiviteti i tij si mësimdhënës dhe studiues në Universitetin e Gracit, baza e gjerë e dijes shkencore që kishte fituar deri më 1877 dhe metodat e rrepta shkencore që në fushë të gjuhësisë shtroheshin në fund të shekullit XIX, bënë që horizonti studimor i Gustav Majerit të kufizohej në zona më të ngushta gjuhësore. Interesimi i tij për gjuhën greke, e cila në studimet indoevropiane mbahej për gjuhë mis, nuk ishte i rastit, ashtu sikur edhe për gjuhën latine, por as interesimi i tij për gjuhën shqipe nuk mund të thuhet se ishte një rastësi. Shqipja tashmë ishte bërë fushë studimi nga shumë paraardhës të tij, si: Lajbnici, Ksilanderi, Mikloshiqi, Hani, Shuhardi, e ndonjë tjetër filozof, historian, arkeolog a gjuhëtar, dhe kishte zënë vend të qëndrueshëm në familjen e madhe indoevropiane e në bashkësinë gjuhësore të Ballkanit, bashkëthemelues i së cilës do të bëhet edhe vetë Gustav Majeri.

Për ne këtu është me interes të thuhet se, ndryshe nga studiuesit e mëparshëm (historianë, filozofë, gjuhëtarë, etnografë, arkeologë etj.), Gustav Majeri me studimet albanologjike nuk do të merret në kontekst krahasues ose të rastit, por edhe me studimet e brendshme të shqipes. Aq më shumë, Majeri do të bëhet mbledhës, botues, studiues dhe sintetizues i folklorit, leksikut, të folmeve, letërsisë së shkruar etj. Një jetë të tërë do t’ia kushtojë albanologjisë, duke u bërë kështu edhe themelues shkencor i saj.

Duke hulumtuar materiale për studimet greke në Itali, Gustav Majeri u interesua edhe për gjuhën, folklorin dhe letërsinë shqiptare, prandaj të njëjtin interesim e vijoi edhe gjatë hulumtimeve të tij shkencore në Greqi. Kështu, dy kolonitë arbëreshe, kolonia e arbëreshëve të Italisë dhe kolonia shqiptare e arbëreshëve të Greqisë, u bënë nxitje e tij për gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre, për të cilat do të punojë deri në fund të jetës së tij. Studiuesit shqiptarë dhe të huaj asnjëherë nuk e kanë vënë në pyetje karakterin thjesht shkencor të interesimeve të tij, mirëpo tash së fundi në një analizë të zgjeruar lidhur me studimet austro-hungareze për shqiptarët, kanë vënë re se interesimi i Gustav Majerit për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, pas Kongresit të Berlinit, nuk ka qenë i rastit.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi