Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Gramatika shqipe e 1710: A është vërtet ajo e para? Empty Gramatika shqipe e 1710: A është vërtet ajo e para?

Wed 22 Jun 2011 - 5:17
Gramatika e parë e shqipes që i përket vitit 1710.
Dorëshkrimi i saj ruhet në Bibliotekën e Manastirit të Grottaferratës, afër Romës. Informacionin e parë ër këtë gramatikë e pati dhënë studiuesi arbëresh Nilo Borxha, 83 vjet më parë, duke botuar në revistën “Diturija”(1927, nr.12) të Lumo Skëndos një shkrim me titull “Një gramatik’ e voglë e gjuhës shqipe, më 1710″. Artikulli është i shkurtër. Autori njofton se dorëshkrimi hyri në këtë bibliotekë në vitin 1923. Pas tij për këtë dorëshkrim shkruan, dikush më shumë e dikush më pak, G. Pettrota, M. Roku, J. Kastrati, Dh. S. Shuteriqi etj. Së fundi akademiku kosavar Rexhep Ismajli, pasi botoi në revistat shkencore ndonjë shkrim për këtë gramatikë, në vitin 1982 e botoi dorëshkrimin të plotë në Prishtinë, botim kritik, shoqëruar me studim e transkriptim.

* * *

Cili ishte autori i këtij dorëshkrimi?

Për këtë ka mendime të ndryshme, pasi çdo pohim duhet argumentuar, gjë që e bën të vështirë përcaktimin e autorësisë së dorëshkrimit. Kryesisht mendimet janë dy: disa mendojnë se autori mbetet anonim, ide e cila është përkrahur nga N.Borxha, G.Pettrota, M. Roku, Dh.S.Shuteriqi, Addolorata Landi etj. Të tjerë autorësinë ia japin klerikut Diego da Desia. R.Ismajli pohon se mund të themi me më shumë siguri se autor i dorëshkrimit është pikërisht Diego da Desia. Ai ishte misionar në Shqipëri dhe më vonë mësues i gjuhës shqipe në Romë. Por R.Ismajli shpreh dyshimin se dorëshkrimi i ruajtur i kësaj gramatike ka mundësi të mos jetë origjinali, ndoshta ndonjë nga kopjet. Në këtë rast, thekson autori, Da Desio mund të jetë autor, por kjo të jetë kopje e tjetërkujt ose të mos jetë autor fare, ose të jetë edhe autor, edhe dorëshkrues.

Vitin që shkoi u botua në shtypshkronjën “Shkodra” në Shkodër dorëshkrimi i fjalorit të italisht-shqip (1702) të F.Da Leçes nga Gëzim Gurga. Në hyrjen e këtij fjalori që i bën Gurga, duke iu referuar autorit të gramatikës së parë të vitit 1710 shkruan: “Të dhënat arkivore që kemi shfrytëzuar mbështesin dhe përforcojnë më tej pandehmen e Ismajlit . Dorëshkrimi mban datën Durrës, 12 prill 1710. E në fakt Da Desio aso kohe deri në tetor të atij viti ndodhej në Durrës”. Ndërsa studiuesi arbëresh Mateo Mandalà në shkrimin “L’Opera inedita di Francesco da Lecce ; il dittionario italiano-albanese (1702)” shpreh një mendim tjetër. Ai nuk e pranon autorin e dorëshkrimit të përmendur më sipër, pasi Da Desio pjesën më të madhe e ka kaluar në Malësi të Madhe si misionar, ndërsa gjuha e dorëshkrimit afron më shumë me të folmen e gegërishtes jugore. Në këto rrethana është e vështirë të përcaktohet me siguri përkatësia. Për gjuhën e këtij dorëshkrimi me interes është edhe vlerësimi i R.Ismajlit që shkruan se “gjuha e dorëshkrimit është gegërishte me më shumë elemente të gegërishtes bregdetare e të mesme, por edhe me elemente të gegërishtes veripërendimore. Shurdhimi i shpeshtë i bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalës, por jo në mënyrë konsekuente tregon se jemi diku në këtë zonë.”

* * *

A është ky dorëshkrim Gramatika e parë e shqipes?

Sipas Dh.S.Shuteriqit kjo nuk është gramatika e parë e shqipes pasi mendohet se Da Leçe e shkroi gramatikën përpara këtij dorëshkrimi, por edhe se arbëreshi Niko Katalana përpara vitit 1693 na ka lënë “Një sprovë gramatike të shqipes”, pa harruar se disa njoftime gramatikore i kemi edhe nga F. Bardhi(1635). J.Kastrati, kur flet për Frang Bardhin dhe Fjalorin e tij latinisht-shqip (1635) na njofton se në fjalor ka disa shënime gramatikore, gjë që e bën autorin ta konsiderojë si gjurmuesi i parë i gramatologjisë shqiptare. Për Niko Katalanën vë në dukje se la në dorëshkrim një sprovë të gramatikës, e para e llojit të vet. Katalana është i pari arbëresh në shekullin XVII që ka shkruar shqip. Ndërsa Gëzim Gurga shënon se në një reskript të vitit 1711 thuhet se Gramatika shqipe e Da Leçes “u shtyp më 1701, porse nuk u shpërnda asnjë kopje”, ndërsa në margjinë e atij dokumenti lexojmë shënimin “u dha urdhri, por nuk u shtyp”. J.Kastrati dhe E. Hysa në Fjalorin Enciklopedik, Tiranë, 2008 theksojnë se gramatika e parë shqip është një dorëshkrim anonim i vitit 1710. Ndërsa R.Ismajli më parë këmbëngul se ajo është gramatika e parë shqipe, kurse e Da Leçes është gramatika e parë e shqipes e botuar.

* * *

Çfarë përmban ky dorëshkrim?

Sigurisht që përveç shkrimeve të botuara kohë pas kohe për këtë dorëshkrim, botimi i akademikut kosovar Rexhep Ismajli përbën një vlerë për historinë e gramatologjisë shqiptare, i cili i hap një horizont studiuesve të shqipes.

Dorëshkrimi ka 95 faqe me lëndë të ndryshme të shkruara qartë dhe pastër. 18 faqet e para kanë si titull “Dizzionario italiano et albanese per alfabeto”. Në vazhdim deri në faqen 36 kemi gramatikën e cila titullohet: “Delle lettere albanesi”. Janë disa shënime gramatikore, duke përfshirë edhe disa udhëzime për studimin e gjuhës. Në faqet 36-38 kemi disa copa katekizmi. Përfshirja e tyre do të shërbente për të predikuar Doktrinën ndër shqiptarët. Ishte si një përmbledhje tekstesh në shqip.

Ndërsa pjesa tjetër e dorëshkrimit titullohet “Trattatello sopra la lingua turchesca “për të vazhduar me “Dittionario italiano et turchesco per alfabeto”.(f.39-93). Kemi edhe pak të dhëna për arabishten, por kryesisht në fushën e alfabetit.

Ky dorëshkrim, thekson R.Ismajli, “bashkë me Kuvendin e Arbënit dhe Gramatikën e Da Leçes përbën një korpus mjaft kompakt për shqipen e asaj kohe edhe pse gjithnjë vetëm nga një aspekt: në të tria rastet kemi të bëjmë me autorë të huaj .Kjo do të thotë se asnjëri prej tyre s’mund të merret si material burimor për përshkrimin e shqipes në tërësi, edhe pse ka raste kur këta mbështeten gjerësisht te Bogdani a te ndonjë tjetër autor yni.”

Dorëshkrimin autori e nis me një fjalor italisht-shqip, duke përfshirë gjithsej 957 fjalë të renditura sipas alfabetit të italishtes. Por, siç ngjet edhe me vepra të tilla të së kaluarës së largët, duke mos e njohur leksikun e shqipes, duke mos ditur fjalën ekuivalente të italishtes në shqipe në mjaft raste një fjalë e italishtes nuk është dhënë me gjegjësen në shqipe, por me një shpjegim perifrastik. Ne kujtojmë edhe Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635) , që kur ky u kthye në shqip – latinisht nga studiuesit e mëvonshëm, 5000 fjalët e latinishtes u dhanë me rreth 2500 fjalë shqipe. Gjithashtu nga autori i dorëshkrimit janë përfshirë edhe 250 fjalë e shprehje tek ndajfoljet, shprehjet dhe numërorët. Pra numri i fjalëve , sipas Ismajlit duhet të jetë rreth 1200-1300 fjalë. Ajo që duhet vënë në dukje është se ky fjalor nuk ka pasur si pikësynim që italianët ta mësojnë shqipen, por shqiptarët ta mësojnë italishten, pasi ajo ishte gjuha e mësimit të shkollave katolike në vendin tonë.

Pastaj vjen gramatika. Nuk mund të flasim për gramatikë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për shumë arsye, e para, pasi mungonte një traditë në këtë fushë që autori ta kishte si model në strukturë dhe në përmbajtje, e dyta hartuesi i dorëshkrimit ishte i huaj dhe nuk e njihte mirë gjuhën shqipe, e treta nuk kishte bagazhin e mjaftueshëm gjuhësor që të hartonte një gramatikë të nivelit të kohës. Ajo më shumë është një sprovë, një skicë apo trajtesë gramatikore se një gramatikë e shqipes. Ndryshe nga Fjalori, kjo gramatikë do t’u shërbente jo për të mësuar italishten, por shqipen italianëve që punonin në Shqipëri. Një praktikë të tillë ndoqi edhe Da Leçe, më 1716-ën, kur botoi gramatikën.

Gramatika fillon me alfabetin e shqipes. Shkronjat shqipe, sipas autorit të dorëshkrimit, janë 26 dhe i shënon ato. Ai ka përdorur alfabetin latin-italian, të plotësuar me ndonjë shkronjë të veçantë nga autorët e vjetër ose duke huazuar ndonjë shkronjë greke. Ndryshimi me alfabetin latin-italian qëndron në shkronjat dh, th, y, z për të cilat jep ndonjë element për formimin e tyre. Mendimi i shprehur nga N.Borxha se alfabeti i këtij dorëshkrimi është i Da Leçes, është kundërshtuar nga R.Ismajli, duke vënë në dukje se ka ndryshime edhe në tekst për sa i përket theksit dhe shenjave diakritike, si dhe për sa i përket kombinimit të grafive të ndryshme.

Për hundorësinë në këtë dorëshkrim veprohet si te Bogdani duke i shtuar zanores një bashkëtingëllore hundore, por edhe këtu nuk është konsekuent. Edhe te gjatësia e zanoreve ka luhatje, ndonëse ndjek traditën duke i dyfishuar ato. Sipas Ismajlit, kuantiteti kishte vlerë fonologjike dhe se strukturohej përafërsisht si te shumica e teksteve gege si diasistem mjaft i ngjashëm me gegërishten e sotme.

Veçoria dalluese e çdo sistemi shkrimor të asaj periudhe ishte mënyra se si i plotësonin ata tinguj-fonema që i kishte shqipja dhe nuk i kishin ata. Në këtë aspekt alfabeti i dorëshkrimit të vitit 1710 ka vlerën e vet.

Trajtesa gramatikore fillon duke trajtuar si nyjë përemrat dëftorë ky për gjininë mashkullore dhe kjo për gjininë femërore. Pastaj autori kalon tek emri, duke i njohur atij dy numra dhe shtatë lakime, pa i ndarë sipas gjinive.
Kështu në lakimin e parë ka përfshirë të gjithë ata emra të cilët në emëroren njëjës mbarojnë me -t dhe në gjinore me -it, si em. ky: zot, gj. zotit, shumës: em..zotëni, gj. zotëni:vet;

• në lakimin e dytë ata emra që në emërore mbarojnë me -a dhe në gjinore me -së, em. kjo ama, gj. amasë, shumës: em. amash, gj. amavet;
• në lakimin e tretë ata emra që mbarojnë me k dhe në gjinore me -së: em. buk, gj. buksë; shumës: em. bukash, gj. bukavet;
• në lakimin e katërt përfshihen emrat që në emëroren njejës mbarojnë me -u dhe në gjinore me -ut: em. miku, gj .mikut, shumës: em. miq, gj. miqavet;
• në lakimin e pestë ata emra që në emërore mbarojnë me -r dhe në gjinore me at ose -it: em. meshëta:r, gj. meshëtarit, shumës : em. meshëtarësh, gj.meshëtarëvet;
• lakimi i gjashtë përfshin emrat që në emërore mbarojnë me -e dhe në gjinore me -it em. dashunë(?), gj. dashunit; Për shumësin e kësaj fjale shënon se nuk ka.

Në lakimin e shtatë hyjnë emrat që mbarojnë me -l, dh, n, ose i dhe gjinorja bën si në emrat e lakimeve të tjera: em. shtëpi, gj.shtëpi:së, shumës: em. shtëpiash, gj. shtëpi:avet. Gjithashtu emrit i njeh gjashtë rasa: emëroren, gjinoren, dhanoren, kallëzoren, thirroren dhe rrjedhoren. Ndodh jo rrallë që autori i dorëshkrimit i ngatërron rasat, si gjinoren me rrjedhoren ose me kallëzoren etj. siç shihet nga shembujt që dhamë sipas lakimeve Në fund të lakimit ka vënë edhe disa paradigma të lakimit të mbiemrave dhe përemrave.

Folja zë vendin më të gjerë në këtë dorëshkrim, ku një kapitull i veçantë i është kushtuar zgjedhimit të foljeve.

Për sa i përket mënyrave dhe kohëve, ai nuk është i qartë. Sipas autorit gjuha shqipe foljet i ka njëformëshe, kushtëzuar nga folja kam. Shqiptarët për të përdorin kohën e tashme, të shkuarën, të ardhmen, urdhëroren dhe të ardhmen e kushtores, duke e paraqitur të shkuarën në dy forma: të afërmen dhe të largëten. E kryera e thjeshtë shqiptohet ndryshe nga më se e kryera etj. Duke u mbështetur te gramatika e gjuhës italiane , edhe urdhërorja nuk paraqitet si në shqipe, ndonëse vihen re edhe urdhërore të vërteta të shqipes. Paskajorja është ajo së cilës i vihet përpara pjesëza me që përndryshe mbetet supin.

Jep zgjedhimin e foljes kam, sipas kësaj ndarjeje: dëftore e tashme : kam; e kryer: Kam pasunë, e shkuar e mbaruar e largët: unë paça; e ardhme: unë kam me pasunë, e ardhme e kushtores: ndë paça unë; urdhërorja ke ti, keni ju; paskajorja me pasunë, supini: pasunë; Dëshirorja dhe lidhorja nuk përdoren. Kështu vepron edhe me foljen jam.

Foljet e ndan në tetë zgjedhime, mbështetur në mbaresat ose në tingujt fundorë.

Në zgjedhimin e parë përfshin foljet që dalin me në paskajore me -u:m: me kandu:m;
• në zgjedhimin e dytë hyjnë foljet që në paskajore dalin me -unë: me ditunë;
• në zgjedhimin e tretë janë foljet që në paskajore mbarojnë me -lë: me folë;
• në zgjedhimin e katërt përfshihet ato folje që dalin në paskajore me anë: me dhanë;
• në zgjedhimin e pestë merren foljet që në paskajore dalin me -i:m: me pi:m;
• në zgjedhimin e gjashtë përfshihen foljet që në paskajore mbarojnë me -am: me bâ:am; në zgjedhimin e shtatë hyjnë foljet që mbarojnë në pasklajore me -rë: me thir(r)ë;
• në zgjedhimin e tetë përfshihen foljet që paskajore mbarojnë me -em: me shërbyem.

Të gjitha zgjedhimet janë shoqëruar me paradigmat e foljeve sipas konceptit të autorit të dorëshkrimit.

Autori i dorëshkrimit shpreh mendimin se në hartimin e gramatikës, rregullat e formuluara janë nxjerrë, duke u mbështetur në shqipe, ndonëse diçka që duhet pranuar me shumë rezerva, pasi gjatë gjithë trajtesës vihen re njohuritë jo të mjaftueshme për gjuhën shqipe, si për emrin , ashtu edhe për foljen. Le të marrim një rast nga foljet. Për foljet e përbëra ka një trajtim që bie në kundërshtim me konceptin fjalë e përbërë, duke përfshirë njësi gjuhësore, që nuk kanë lidhje me foljet e përbëra, si: ksi unë bie kumbona etj.

Duke pranuar si foljet veprore dhe pësore, autori i dorëshkrimit sqaron se një folje veprore bëhet pësore, duke i paravendosur foljes u, p.sh. unë due bëhet pësore: unë u due.

Jep si bëhet mohimi i një foljeje, duke i quajtur folje mohuese. Këto realizohen me anë të pjesëzës nuk ose s’, e cila kjo e fundit përdoret më shumë për elegancë: unë nuk due, unë s’due.

Pas shembujsh që jep si fraza, pastaj kemi një faqe që e ka titulluar Mbi ndajfoljet, të paraqitura si listë 59 fjalë. Duke e vështruar me kujdes jo të gjitha fjalët janë ndajfolje. Autori nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këto fjalë. Në vazhdim të dorëshkrimit jepen mënyrat e të përshëndeturit, gjithsej 13, si: mirë mingjes, mirë mbrama, natën e mirë, tungjatjeta zot etj. Më pas janë shënuar Mënyra të të pyeturi, gjithsej 60, të cilat jo të gjitha janë pyetje, disa janë edhe përgjigje, si: Ka vjen? Prej Durrësi; Ku vë? Ndë Shkodra. Ke fratinit.; Përse? Kam punë etj. Janë dhënë në këtë dorëshkrim edhe numërorët, siç i quan ai mënyrat e të numëruarit nga numri 1-31. Pastaj ka vazhduar me dhjetëshe, 30-31, 90-91 e përfundon me numërorët 100, 200, 300, 1000, 2000, 3000. Mbyllet dorëshkrimi me copa tekstesh katekizmi të përkthyera edhe në shqip, të shoqëruara me origjinalin italisht. Ky dorëshkrim do të shërbente si tekst për mësimin e gjuhës shqipe në seminarin e Montorios në Romë, ku mësohej edhe gjuha shqipe.

* * *

Vepra paraqet interes në disa drejtime: e para, është një tekst shumë i vjetër me moshë 3 shekullore në gjuhën shqipe, që e pasurojnë inventarin e teksteve të vjetra në gjuhën tonë, të cilat për këtë gjuhë nuk janë aq të pasura; e dyta, tregon se në këtë fushë tradita gramatikore mund të jetë më e vjetër se ky dorëshkrim, të cilat në të ardhmen mund të pasurohen me gjetje të reja; e treta, na ndihmon, sadopak për të parë gjendjen e gjuhës shqipe në fillim të shekullit XVIII.

Nga Tomor Osmani
Marrë nga Gazeta Shqiptare
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi