Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Si nuk ha dot më një domate që të ketë shije domate…” Empty “Si nuk ha dot më një domate që të ketë shije domate…”

Wed 2 May 2012 - 3:23
Xhek PreçetajKur vite më parë qeveritarët e Shqipërisë hidhnin firma miratuese nëpër marrëveshjet e tregtisë së lirë, ishin shumë të paktë ata që e dinin se për çfarë bëhej fjalë dhe cilat do të ishin pasojat. Ndoshta edhe vetë firmosësit, ishin profanë në parashikime. Por ndërsa atëherë ata që kuptonin, ishin të paktë, sot ata që vuajnë janë të shumtë. Është pikërisht faj i këtyre historive të viteve më parë, që sot të gjithë habitemi dhe pyesim: “Po pse fruta-perimet e huaja që vijnë nga larg arrijnë të tregtohen më lirë se fruta-perimet e vendit që rriten këtu … (!)

E si të mos mjaftojë kjo, psherëtijmë përpara një pjate sallatë dhe themi: “Si nuk ha dot më një domate që të ketë shije domate…”. Dhe pastaj bëjmë pyetjen e dytë: Pse ato fruta-perime që duken të mëdha e shëndetshme nuk kanë shije dhe ato që duken të vogla e të baltosura janë me shije?

Ndërsa pyetja e parë e ka zanafillën tek të famshmet MTL (marrëveshje të tregtisë së lirë) e dyta është pasojë e këtyre zhvillimeve, sepse nevoja për të shitur kudo dhe shpejt i ka shtyrë edhe fermerët e vegjël drejt përdorimit të hormoneve. Rezultati është kaosi i çmimeve dhe i cilësisë. Bëmë një vëzhgim në tregjet e Tiranës për të parë nga afër këtë situatë.



Të huaja dhe të lira…

Uzina Dinamo është parë në vite si tregu ku mund të kursesh. Ka çmimet më të ulëta në kryeqytet. Pse çmimet janë më të lira sipas vetë tregtarëve? “Janë shumë faktorë ata që ndikojnë. Disa nga ne nuk kanë kosto transporti. Magazinat që furnizojnë të gjithë Tiranën janë këtu shumë pranë dhe ne i marrim direkt, – thotë një nga tregtuesit, Ylli Hoxha. Ylli pranon gjithsesi se cilësia e produkteve lë për të dëshiruar. “Nuk është sekret, këto që shesim këtu nuk është se janë cilësia më e mirë e mundshme, – thotë Ylli duke vijuar të peshojë për klientët.

Tregtarët e tjerë tundin kokat disa në shenjë miratimi e disa për të kundërtën. “Po të shihni këtu vërdallë ka shumë tregtarë dhe mall. Ne i mbajmë çmimet të ulura, dhe kështu detyrojmë edhe ata që vijnë këtu me mendje tjetër, t’i ulin çmimet menjëherë, ndryshe nuk shesin dot. Megjithatë këtu shpesh produktet shiten edhe nën kosto. – shton një prej tyre.



Të vendit dhe të shtrenjta…

Jemi në atë që quhet tregu i Pazarit të Ri. Klientët janë më të paktë, çmimet janë më të larta. Tregtarët e kanë bezdi t’u përmendësh shifrat e larta në copëzat e kartonëve sipër frutave dhe perimeve. Njëri prej tyre, Selamni, na thotë: “Ne kemi dëgjuar shpesh herë të na ankohen klientët për çmimet e larta, por kurrë për cilësinë që kanë produktet”.

Po pse kanë cilësi këto produkte? “Ne ofrojmë produkte vendi, të cilat kanë një çmim më të lartë se produktet e importit, – tregon Selmani, duke shtuar: Të gjithë e dinë tashmë që cilësia e produkteve të vendit është shumë herë më e lartë se cilësia e atyre të importit”.

Sigurisht Selmani dhe tregtarët e tjerë e as qytetarët nuk e dinë përgjigjen pse këto produkte vendi që duhet të ishin më lirë, janë më shtrenjtë. Përgjigja fshihet tek ato nënshkrimet e marrëveshjeve politike që cituam në krye të këtij vëzhgimi.

Një tregtar tjetër pranë Selmanit, ndërhyn duke ngritur zërin: “Nuk mund ta krahasosh kurrë një mollë vendi me një mollë të Maqedonisë. Mollët që prodhohen në vend, janë shumë herë më të shijshme se ato që na sjellin nga Maqedonia apo nga ndonjë vend tjetër. Po kështu edhe portokallet e grekut janë lëkurë trashë dhe nuk kanë shumë lëng. Ndërkohë portokalli që prodhohet në Shqipëri është lëkur hollë, me lëng dhe shumë i ëmbël…”

Njerëzit që blejnë përreth tundin kokën në shenjë pohimi. Përgjithësisht këtu gjen produkte vendi dhe ato janë shumë herë më të kërkuara se produktet që vijnë nga jashtë vendit.



Nga kopshtet personale..

Nëpër kryeqytet ka shumë tregje të tjerë më të vegjël, nëpër tunele pallatesh, buzë rruge, në hapësirat e mbetura mes një ndërtimi dhe një tjetër etj. Këto tregje përgjithësisht furnizohen nga magazinat e Uzinës Dinamo.Ka edhe shumë banorë të fshatrave që zbresin nëpër lagjet e populluara, zënë një cep trotuari dhe shesin sasi të vogla produktesh të kopshteve personale.

Ka raste në këto tregje kur tendencat e dy tregjeve-modele për të cilat folëm më sipër ndikojnë çmimet. Disa herë produkti është vendas dhe i një cilësie të lartë, por në këtë rast ata shpesh bien “viktima” të tregtarëve të tjerë të cilët ulin çmimet e produkteve. Në këtë rast edhe produktet e vendit shiten thuajse me çmim të njëjtë me produktet e importit të cilat ofrohen nga tregtarët e tjerë.

“Unë banoj në Fushë-Krujë dhe shpesh herë vi në këtë treg për të tregtuar produktet që i mbjell vetë në baçen e shtëpisë”, tregon Zydi Shehu. “Unë shes domatet që i mbjell vetë në baçen e shtëpisë. Por shpesh këto domate jam in detyruar t’i shesë me të njëjtin çmim si këta që sjellin domate pa shije serash të huaja dhe jo-bio, pasi nuk mi blen njeri…”.



Mos blini përherë në mëngjes…

Ndryshimet midis çmimeve të njërit treg nga tjetri, shpesh shkojnë deri në dyfish. Për shembull çmimi i një kilogram patate që ofrohet në tregun e Uzinës Dinamo është 30 lekë. Ndërkohë në tregun e Pazarit të Ri është 70 lekë dhe në vende të tjerë gjen patate edhe me 50 lekë. Diferenca është e dukshme.

Ka “mjeshtra” që arrijnë ti dallojnë ftuta-perimet e importit nga produktet bio të vendit dhe ti gjejnë vetë tregjet më të mira duke kërkuar në këmbë. Për ata që nuk e zotërojnë këtë mjeshtëri, këshillat për blerje të lirë e të mirë do t’i kufizonim në dy:

1 – Përpiquni të gjeni tregtarë shëtitës që sjellin produktet e kopshteve të vogla personale. Ku ti kërkoni? Mirë është t’i “gjuani” pranë tregjeve të lira të produkteve të importit. Sepse aty, ata detyrohen të tregtojnë me çmime të ulura për shkak të konkurencës.

2 – Mos blini kurrë kur tregu është plot dhe mos blini kurrë që herët në mëngjes. E dini çfarë na thanë thuajse në të gjithë tregjet ku vëzhguam? Që në mëngjes mbajnë çmime të larta dhe në drekë i ulin, kur shohin që nuk ka njerëz… J





“Të mirat i vendosin në krye të arkës, në fund janë të prishurat”

Tregtarët dhe magazinat të cilat shërbejnë si pika shumice, nuk duket se kanë raporte fort miqësore njëri me tjetrin. Pakica dhe Shumica duken mosbesues me njëri-tjetrin.. “Ata janë pika ku thuajse të gjitha tregjet e Tiranës furnizohen. Ata janë një problem për ne pasi na japin mall të dobët. Kur ne marrim për shembull frutat, ata vendosin në krye të arkës produktet e mira dhe nga fundi vendosin produkte thuajse të prishura apo me probleme. Çfarë të bëjmë ne? Ndaj dhe ne shpesh ulim çmimin në pasi në 10 kilogram portokalle ne duhet të heqim 1 apo 2 kilogram. Por ne ato i paguajmë njësoj si të gjithë arkën. Nuk na lejohet të zgjedhim, pasi ne paguajmë për 10 kilogram dhe ndër to duhet të pranojmë se mund të ketë ndonjë që prishet”, - tregon tregtari Ylli Hoxha, i cili shton edhe shqetësimin e mbëritjes së temperaturave të larta:

“Ky moti kështu na çmendi…Produktet nuk mund të rezistojnë një herë në temperatura të ftohta siç ishte pakë ditë më parë dhe tani, menjëherë në temperatura të ngrohta. Po të shohësh produktet ato kanë filluar të gjitha të humbin freskinë. Problemi qëndron se unë kam ende rreth 8 kilogram portokalle, të cilat nëse qendrojnë deri neser çereku në mos më shumë mund të jenë prishur, nga ndërrimi i kohës”



Krahasimi: Më shtrenjtë se një vit më parë

Sipas “GreenMarket”, një projekt i Usaid, i cili ofron një analizë të çmimeve bujqësore në Shqipëri, frutat dhe perimet janë më të shtrenjta se një vit më parë. Sipas çmimeve të datës 27 prill të këtij viti dhe atyre të vitit të kaluar, çmimet e frutave dhe perimeve rezultojnë me rritje. Bëjnë përjashtim çmimi për kilogram i patates dhe qepës, i cili është ulur. Ndërkohë çmimet e domateve, kastravecëve, specave, mollëve, portokalleve dhe limonëve janë rritur. Rritja shpesh shkon edhe mbi 100% të vlerës së një viti më parë. Portokallet një vit më parë kanë pasur çmimin minimal 55 lekë/kilogram dhe këtë vit kushtojnë 120 lekë/kilogram. Sipas GreenMarket çmimi i qepëve të thata një vit më parë ka kashtuar minimalisht 70 lekë/kilogram dhe këtë vit ai kushton minimalisht 30 lekë/kilogram.





Piramida Ushqimore

Si fillim duhet thënë diçka. Nuk ka asnjë ushqim ideal. Dmth nuk ka asnjë ushqim që i përmban dhe të jetë burim i të gjitha vitaminave. Por sasia e domosdoshme e vitaminave mund të sigurohet nga çdo dietë e zakonshme e ekuilibruar, e shumëllojshme.

Ruajtja e një balance mes karbohidrateve, yndyrnave, proteinave, vitaminave kripërave minerale garanton një ushqyerje të shëndetshme. Kjo duhet bërë sipas një skeme të përcaktuar ose siç quhet një piramidë ushqimore e shëndetshme. Ekziston ajo që njihet si piramida ushqimore, e cila i ndan ushqimet në 7 grupe.

Në grupin e parë futen: mishi, peshku dhe veza. Këto ushqime përmbajnë 18-20 % të proteinave. Në grupin e dytë renditen: qumështi dhe derivatet e tij, që janë burim i mirë proteinash të cilësisë së lartë, por dhe burime të kalciumit, fosforit, vitaminave A, B dhe D.

Në grupin e tretë janë: drithërat, patatja dhe orizi, të pasura me vitamina dhe proteina.

Më pas, në grupin e katërt renditen legumet si fasulet, bizelet, bathët, thjerrëzat, të cilat përmbajnë vitamina, kripëra minerale dhe sasi yndyrnash “të mira”.

Në grupin e pestë renditen” yndyrnat që përdoren për gatim. Këto ndihmojnë për prodhimin e energjisë dhe sigurojnë acidet yndyrore esenciale.

Në dy grupet e fundit janë zarzavatet dhe frutat, të cilat janë burim vitaminash, kripërash minerale dhe fibrave ushqimore.





Histori me MTL dhe hormone

Emirjon Senja

Më duhet të lodhem shumë sot për të ndjerë atë aromën karakteristike që ndjehet pas prerjes së një domateje apo çarjes së një shalqiri. Për t’ia plotësuar këtë tekë (se di pse po e quaj tekë) vetës, zgjedh të bëj pazar tek ata shitësit e vegjël që vendosen kudo ku të gjejnë një hapësirë minimale për të shitur prodhimet e bahçes së tyre, pas plotësimit të nevojave vetjake. Sepse vetëm tek ata kam besim.

Domatja e kuqe nga jashtë dhe e jeshile përbrenda, pjepri të që josh nga lëkura por pa asnjë shije etj., janë eksperienca të përditshme e secilit. Ka ende prej tyre, që në kushtet aktuale mund të quhen edhe sqimatarë që rrëmojnë nëpër treg për të gjetur domaten apo pjeprin që i ka shpëtuar rritjes me hormone, të cilat po pakësohen nga dita në ditë.

Fenomeni i përdorimit të hormoneve për stimulimin e rritjes apo të pjekjes së perimeve ka disa vite që është shtrirë në të gjithë vendin duke rritur prodhimin dhe përfitimet e prodhuesve por duke i privuar konsumatorët nga blerja e një malli cilësor. Tani, sfida nuk është sigurimi i ushqimit, por sigurimi i një ushqimi të shëndetshëm, pa frikën se pas disa vitesh mund të të bëhet shkak për ndonjë sëmundje vdekjeprurëse.

Kur prodhuesit vendas nuk e kishin mësuar ende hilenë, perime të tilla vinin kryesisht nga importi dhe të stimuluar nga ccmimi më i ulët, arritën të kapnin një pjesë të mirë të tregut duke lenë stok edhe prodhimet vendase. I njëjti fenomen po ndodh edhe sot, kur prodhuesit e patates dhe qepës në zonat e Devollit po detyrohen t’i hedhin ato në lumë duke mos gjetur treg ku t’i shesin. Por çfarë i bën perimet e huaja më konkurruese në tregun shqiptar? Marrëveshjet e tregtisë së lirë detyrojnë Shqipërinë që të aplikojë tarifa doganore minimale dhe në shumë raste, tarifa zero për mallrat që vijnë nga këto vende. Kjo është njëra ndër arsyet pse prodhimet e huaja vijnë më lirë në tregjet tona.

Kësaj i shtohet edhe mungesa e infrastrukturës me të cilën përballen prodhuesit vendas, e cila ndikon gjithashtu në rritjen e kostos. Por, elementi kryesor ka të bëjë me politikat që ndjekin shtetet e origjinës. Shtete nga të cilat vijnë një pjesë e mirë e perimeve si Maqedonia, Bullgaria, Turqia apo Serbia aplikojnë subvencione për bujqësinë, përfshirë edhe karburantin duke i mundësuar prodhuesve të tyre konkurueshmëri me çmime më të lira në tregun rajonal. Përballë një situate të tillë, një bujk shqiptar që detyrohet t’a blejë naftën me 180-190 lekë litri, sigurisht që do të ndjehej i dizavantazhuar edhe përballë domates apo specit që vjen nga mijëra kilometra larg Shqipërisë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi