Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Tradhtia nacionaliste e Berishës Empty Tradhtia nacionaliste e Berishës

Fri 7 Dec 2012 - 12:58
Andrea Stefani - Për shpërthimin e beftë të kryeministrit Berisha me
fraza nacionaliste që kanë shqetësuar jo vetëm fqinjët në rajon, por
edhe ndërkombëtarët, duket se vlen përkufizimi i Samuel Xhonson:
“Patriotizmi është streha e fundit e horrave”.


Sepse vërtet që
pseudopatriotizmi, si nacionalizëm primitiv dhe konfliktual, po shfaqet
si streha më e fundit e politikanit Berisha. Për 23 vjet, gjeti strehë
tek antikomunizmi për t’u demaskuar si komunist i rrezikshëm, u fut nën
lëkurën e “demokratit” dhe u demaskua si dhunues e manipulator
zgjedhjesh, u strehua nën sloganin e shtetit ligjor dhe abuzoi për të
kapur të gjitha pushtetet, duke u vetëdemaskuar si autokrat, valëviti
“antikorrupsionin” për të pjellë edhe më shumë korrupsion, premtoi
integrimin për ta degdisur Shqipërinë sa më larg Europës. Tani i është
kthyer nacionalizmit, bunkerit të tij të fundit. Po pse pikërisht tani?

***

Nuk është e para herë që i shqetësuar nga krizat e brendshme, një
sundimtar përpiqet të gjejë valvulën e shkarkimit të tensioneve të
ndrydhura te nacionalizmi, te manipulimi me atdhedashurinë e natyrshme
të njerëzve. Dhe që Berisha është shndërruar në një sundimtar të shtetit
nuk e kuptojnë vetëm ata që, për shkak interesash apo ndjeshmërish të
fikura, qahen për peshën e shtypjes vetëm kur prangat e saj janë bërë
tepër të forta për t’u këputur. Berisha ka një problem të madh që i
drejtohet për shpëtim nacionalizmit. Zgjedhjet po afrojnë dhe bilanci i
qeverisjeve të tij është katastrofik: Kapja dhe përqendrimi i
pushteteve, rënia ekonomike, papunësia dhe korrupsioni galopant,
thellimi i frikshëm i borxhit publik, përkeqësimi i jetesës së shumicës
së shqiptarëve nuk maskohen dot me statistika të manipuluara për
“ekonomi entuziaste”, për “rënie në rritje” apo me retorika boshe për
demokraci “funksionale”, për institucione “të pavarura” apo
“antikorrupsionin”. Zgjedhjet e vjedhura kronikisht nga vetë Berisha,
zhvlerësojnë premtimet e tij se këtë herë do të bëjë “gjithçka” që ato
të jenë të lira e të ndershme. Prandaj kryeministri i drejtohet
nacionalizmit dhe thirrjeve hipokrite për bashkimin e shqiptarëve.
Dashurinë e natyrshme të shqiptarëve për atdheun, kërkon ta konvertojë
në dashuri të verbër për qeverinë qendrore, për kryeministrin “patriot”
që e dashka kaq shumë kombin dhe sigurisht, edhe në vota. E vërteta
është se politikani autokrat Berisha, mbetet përçarësi më i madh dhe
pengesa kryesore për bashkimin e kombit shqiptar.



***

Asnjë e mirë nuk i ka ardhur kombit shqiptar nga sundimet autokratike.
Në rezultante historike ai ka mbetur më i varfëri në kontinent
pikërisht se i ka munguar liria, forca e saj zhvilluese dhe begatuese. I
ka munguar zhvillimi si liri. Por me rënien e sistemit komunist në
mbarë botën, u hap edhe për shqiptarët shansi që të bëhen të lirë dhe të
përparojnë, lumturohen dhe pasurohen me anë të lirisë. Në radhë të parë
në shtetin e Shqipërisë. Kanë kaluar 23 vjet që nga ajo kohë dhe kjo
shpresë nuk është realizuar. Sepse në udhëkryqin e historisë dolën
politikanë autokratë, si Sali Berisha, që i vunë qëllim vetes të
instalojnë sundimin jo më në kushtet e Luftës së Ftohtë, por në kushtet e
epokës së demokracisë. Që në fillimet e karrierës së tij, kur nuk kish
flakur në magazinë ende pardesynë e bardhë të “demokratit”, ju përvesh
punës për të bërë zap shtetin, duke kapur dhe nënshtruar të gjithë
pushtetet: Prokurorinë, gjykatat, Presidencën, Kryeministrinë,
Parlamentin, sindikatat deri edhe opozitën politike. Në 23 vjet karrierë
nuk e ka reshtur asnjëherë luftën për të realizuar një projekt të tillë
autokratik, për t’i bërë varrin projektit europian të demokracisë
liberale, të shtetit ligjor me zgjedhje të lira e të ndershme, me
pushtete të ndara dhe të baraspeshuara dhe bashkë me to, edhe integrimit
europian të Shqipërisë. Në kërkim të një pushteti pa kufij në hapësirë
dhe kohë, Berisha bëri edhe amendimet e Kushtetutës, i ndihmuar asokohe
edhe nga verbëria e Edi Ramës, që e ka shndërruar Shqipërinë, sikundër
ulërinte dikur jo pa të drejtë Ilir Meta (që sot me po aq pa të drejtë e
mban në pushtet), në një republikë kryeministrore pa liri e të drejta
të garantuara për qytetarët. Se një nga garancitë kryesore të lirisë
qytetare është kufizimi i pushtetit të qeveritarit nga ligji i ushtruar
nga gjykata të pavarura.



***

Berishës
mund t’i numërohen jo pak tradhti kombëtare. Nga dërgimi kontrabandë i
naftës Milosheviçit e deri tek falja e ujërave detare Greqisë. Por
tradhtia më e madhe kombëtare e tij është si i dogji Shqipërisë shansin e
integrimit me Europën në dekadën e parë pas rënies së komunizmit,
atëherë kur Europa ishte në kulmin e fuqisë dhe zgjerimit të saj.
Veçoria epokës ku kemi hyrë është se e ka lidhur pazgjidhshmërisht
çështjen kombëtare me atë të lirisë dhe demokracisë. Kombi shqiptar nuk
do të mundet as të përparojë, as të begatohet dhe as të bashkohet, nëse
nuk instalon në shtetet e tij sistemin e lirisë dhe demokracisë.
Pavarësisht krizës ekonomike që po kalon Perëndimi (gjë që i ka bërë
autokratë si Berisha të ngrenë veshët dhe të farkëtojnë aleanca, duke
ëndërruar për një epokë post-Perëndimore), epoka e tij e lirisë dhe
demokracisë nuk ka perënduar. Kriza e ka tronditur demokracinë
perëndimore por nuk e ka shembur. Prandaj autokratë si Berisha dhe
mbështetësit e tij, janë në anën e gabuar të historisë. Rrjedhimisht,
liria si sistem institucionesh mbetet çelësi që do t’u mundësojë
shqiptarëve të hapin edhe dyert e Europës dhe të bashkimit kombëtar në
Europë. Bashkimi kombëtar kalon nga demokracia dhe liria. Nuk mund të
ketë bashkim pa integrim. Thirrja e dy dekadave më parë “E duam
Shqipërinë si gjithë Europa!”, kishte parasysh edhe më të mirën për
kombin. Prandaj çdo tentativë tjetër që shkëput çështjen kombëtare nga
liria dhe demokracia, nga Europa, është e destinuar të dështojë madje
është e mbarsur me rreziqe të mëdha për fatet e kombit. Edhe thirrjet
nacionaliste të Berishës i shërbejnë pikërisht distancimit nga aleatët
tanë perëndimorë, gjë kjo shumë e lakmuar për qarqe antishqiptare në
shtetet fqinjë. Nuk është aspak çudi që Serbia të përpiqet ta
shfrytëzojë këtë orgazmë nacionaliste të Berishës, për të këputur ndonjë
copë në veri të Kosovës, tani që e ka humbur njëherë e përgjithmonë
atë. Është e vërtetë, edhe Berisha ka folur dhe do të vazhdojë të flasë
për integrimin në Europë. Por brirët e autokratizmit që nuk i fsheh dot,
e demaskojnë atë si një nga kundërshtarët kryesorë të integrimit pra,
edhe të bashkimit kombëtar. Dhe shqiptarëve që nuk kuptojnë se sa e
rrezikshme është për lirinë qytetare grumbullimi i pushteteve në një
dorë, sikundër po bën Berisha, u themi: Shikoni egjiptianët që po
kundërshtojnë me vendosmëri zgjerimin e pushtetit nga “demokrati” Mursi
që pikërisht për këtë, po e denoncojnë si tiran! E nëse prapë nuk duan
të kuptojnë, atëherë për ta vlejnë këto vargje të Xhon Milton:

Çirren liri pa patur sens për të

Dhe revoltohen kur e vërteta rreket t’i çlirojë,

Padronin kanë në kokë kur luten liri,

Pa mirësi e zgjuarësi atë kurrkush s’mund ta dojë.

Gazeta "Shqip"
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi