Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Njera Si Asnjera
Njera Si Asnjera
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
 <b>Mosha</b> Mosha : 32
<b>Postime</b> Postime : 30454
<b>Hobi</b> Hobi : Te realizoj enderrat e mija
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Gjakun e zemres te Mamit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 30/01/2012

Vdekja e Ismail Qemalit në këngën popullore Empty Vdekja e Ismail Qemalit në këngën popullore

Tue 12 Feb 2013 - 3:56
nga L.Gërveshi

Viti 1919.

Lufta e madhe kishte përfunduar. Fitimtarët ishin mbledhur në Paris të vendosnin fatet e botës. Shqipëria ishte në rrezik të madh. Shtetet fqinje po bënin çmos që të mos njiheshin kufijtë e saj. Mes Italisë dhe Greqisë qe lidhur një marrëveshje për ndarjen e Shqipërisë. Trupat italiane ndodheshin në Vlorë. Patriotët shqiptarë ishin organizuar në mbrojtje të pavarësisë.

Edhe 75-vjeçari Ismail Qemali, ati i pavarësisë, ishte gati të rimerrte rrugët e Evropës për të mbrojtur mëvetësinë e Shqipërisë. Kishte shkuar në Peruxhia të Italisë për të takuar ministrin e jashtëm italian, me qëllim që të kërkonte përkrahjen e Italisë e për të krijuar një delegacion shqiptar të vetëm. Aty do të vdiste në mënyre të çuditshme, i helmuar, nuk dihet nga kush. Armiqtë ishin të shumtë e miqtë të paktë.

Erdhi lajm i zi për Vlorën.
Ullinjtë ulën kurorën
.

Kur lajmi arriti në Vlorë, në qytet ra zia. Zemrat e shqiptarëve u helmuan, me vdekjen e tij përçarja ishte e siguruar. Isa Boletinin e kishin vrarë malazestë në 1916, Ismail Qemalin e helmuan, Shqipërisë po i zhduknin bijtë e saj më të mirë.

Shqipëria e la këngën,
se një plagë u hap në zëmër.

Zemra që kullon gjak, u ça më dysh për këtë plak 75-vjeçar mjekërbardhë. Përse një komb qan një njeri? Kush ishte? Ç’kish bërë?

Smail Qemali me derte
çave dallgë e çave dete,
botës anembanë i mbete
për vatan syrin s’e qepe.


Ja ç’kish bërë, kishte shëtitur botën, jo për t’a vizituar, as për t’u dëfryer, as kish vajtur të kalonte netët nëper klube nate, as për t’u gëzuar netëve të zymta me gra të përdala, as për të kërcyer me çingji evrope.

Jo kish shkuar për një qëllim, për kombin, e kombi po e priste në Skelë. Po përse e helmuan, ç’kishin me të, kujt i kish bërë keq?

Armiqve u hape punë
deshën, s’deshën vunë vulë,
se shqipja s’u ra në gjunjë.

Kështu shpjegon populli, ishte pengesë për armiqtë e Shqipërisë, i detyroi të njihnin pavarësinë e Shqipërisë. I dha kombit dinjitet, pa e poshtëruar, pa e nëpërkëmbur.
E shqipja:

pesëqindvjet mbi shkëmb qëndroi
u ngrit lart e fluturoi,

prandaj e qan.

Populli pret Ismail Beun, të gjithë janë ndalur, edhe lumenjtë që s’ndalen kurrë.

Shushica vrapin e ndali,
thonë vdiq Smail Qemali.

Flamuri vajton:

Flamurin e mbuloi zia,
vajton për të zotn’ e tija.

Ishte i pari që e ngriti këtë flamur të lirë e të pavarur, mbi një truall të lashtë e plot histori.
Po kthehej nga deti hipur mbi anije, kështu shprehet poulli:

Veshi po dëgjon
një zë nga Sazani,
vendi po rënkon,
vdiq Smail Qemali.


Edhe Vlora e pret, pret birin e saj për herë të fundit, s’ka për ta braktisur më, do prehet në Kaninë krah njerëzve të tij. Pushtetarët e vendit janë organizuar, i kanë bërë thirrje popullit të dalë ta presë:

Në Vlorë foli prefekti
o Vlor-o-Kanin-o
të mblidhet gjithë mileti
o Vlor-o-Kanin-o


Prefekti donte njerëzit në Skelë që ta prisnin.

Se vjen Smaili nga deti
o Vlor-o-Kanin-o

Dilni e priteni thosh prefekti, po vallë si po vjen:

Po vjen i vdekur i shkreti
o Vlor-o-Kanin-o.


Italianët kishin organizuar ceremoni madhështore, me të shtëna topi e me paradë në shtrat topi, por kishin frikë nga urrejtja e popullit, kishin frikë nga trazirat. Por atë ditë Vlora ish në zi, heshtja kish pllakosur, madhështore, mbizotëruese, tregu ish mbyllur, qepenat e dyqanëve ishin ulur, burrat prisnin ne Skelë, e gjithë Vlora ish aty. Dhe italianët ç’bëjnë? I hedhin përsipër një flamur. Atë kuq e zi do thoni ju! Jo, atë italian. Populli filloi të gumëzhinte.
Poeti Ali Asllani asokohe kryetar bashkie shkruan:

Kur mbi arqe ku ish Plaku
u duk ngjyrë e nje bajraku,
ish bajraku Italisë!
Gjëmoj zëri djalërisë.


Vetë Ismail Qemali do të çuditej po ta shihte e njerëzve u dukej se u thosh, ç’ështe ky flamur që me hidhni përsipër, ku është flamuri im? E Ali Asllani shkruan

Na u duk se Plaku vetë
nëpër heshtje diç na pyet,
sikur Pyeti më përpara.
“Ku është flamuri që vara?”


Italianët kthyen mendje e ndoshta qe më mirë për ta, atë ditë do të dëgjonin vetëm fjalët, plumbat do t’i dëgjonin një vit më pas.
U mblodhën shqiptarët atë ditë, e përcollën deri në Kaninë, me të qarë, të gjithë bashkë atë ditë të përzishme. Rrallëherë nje komb varfërohet kaq shumë nga vdekja e një njeriu të vetëm.

Qemal shqipëtarët erdhë
për të bërë ty razi,
qamë e lot na u derdhë
o Profit për Shqipëri.


Profet i shqiptarizmës, yll i kombit i pashuar, në çdo nëntor, sa kohë që të ketë shqiptarë e Shqipëri do të kujtohet:

Shqipërisë simbol i mbete
u gdhënde në monumente.


Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi