Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Njera Si Asnjera
Njera Si Asnjera
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
 <b>Mosha</b> Mosha : 32
<b>Postime</b> Postime : 30454
<b>Hobi</b> Hobi : Te realizoj enderrat e mija
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Gjakun e zemres te Mamit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 30/01/2012

Nizamët në këngën popullore Empty Nizamët në këngën popullore

Tue 12 Feb 2013 - 4:04
nga L.Gërveshi

Dal ne breg e shikoj fshanë
derë me derë po qajnë
u venë djemtë nizamë
në Jemen, Arapistanë.



Më 1839 sulltani shpalli reformat për zhvillimin e modernizimin e Perandorisë. Turqia ndodhej në një krizë te thellë politike, ekonomike e ushtarake. Çdo vit që kalonte e thellonte gjithnjë e më shumë këtë krizë. Goditjet arrinin nga jashtë e nga brenda vendit. Nga brenda kryengritjet e fshatarësisë – për të cilat do të flasim herë tjetër – në çdo cep te Perandorisë tregonin per gjendjen e mjerueshme. Edhe mëkëmbësit e sulltanit sapo paraqitej mundësia krijonin shtetet e tyre duke mos iu bindur më sulltanit e duke e dobësuar më shumë Porten e Lartë.
Këto reforma të njohura me emrin Tanzimat do te përpiqeshin të ringjallnin këtë gjigand që po lëngonte. Për Perandorinë ishin vërtet nje akt ndoshta edhe për t’u lavdëruar, por shqiptarët nuk ndjenë veç pasojat negative te këtyre reformave, pasi nuk u njihej asnjë e drejtë kombëtare. Vazhdonin të trajtoheshin si turq e si grekë e jo si kombësi më vete. Më rëndshëm u ndje reforma e taksave që do t’i varfëronte edhe më shumë, si dhe reforma ushtarake që detyronte ushtarët të largoheshin nga vendlindja. Me këtë lëvizje shmangej krijimin e ushtrive kombëtare që mund t’i kundërviheshin Portës, e gjithashtu çoheshin djemtë shqiptar në dhe të huaj ku nuk kuptonin gjuhën, që të mos krijoheshin lidhje me banorët vendas e po të qe nevoja të ishin të pamëshirshëm.

Kjo periudhë dramatike krijon një nga ciklet më tragjike të epikës popullore. Familjet që dërgonin djemtë nizamë pësonin një goditje të rëndë qoftë nga pikëpamja njerëzore, qoftë sociale por edhe ekonomike sepse do të thoshte t’i hiqje krahë pune për një kohe të gjatë.

O të zezat dhëntë e mia
do t’u hajë lukunia


Në shumë raste nuk ktheheshin më të gjallë. Në familjet labe kur djali shkonte nizam, në shtëpi hapej zia e nënat vinte përmbi kokë shaminë e zezë që quhej jemeni nga vendi ku shkonin nizamë, në jug të gadishullit arabik.
Në këngët labe përshkruhet gjendja e këtyre të rinjve kur merrnin vesh lajmin për të shkuar nizam.

Doli një pampor nga deti
djema na kërkon dovleti.


Në një variant tjetër thuhet:

Ra kuraja në Janinë.
ku më gjet mua të zinë,
në malet me trëndelinë,
tek kullosja bagëtinë.

Djemtë që shkonin nizam në shumë raste ishin të martuar e kur iknin linin pas gratë:

Qysh do bësh moj ngjalë deti
sa të kthehem un’ i shkreti.

Nëpër shtëpi ngelej vaji e zia e nuk mungojnë mallkimet kundër sulltanit :

Seç u thye nje degë qarri,
o Stamboll të rëntë zjarri,
pa të djegtë anembanë,
na more djemtë nizamë.


Djalëria e Labërisë po shuhej në këto reforma se disa vdisnin e nuk linin fëmijë.

O dovlet, more dovlet,
vit për vit po na thërret,
shkronjë e djallit na u qep.
Na u qep shkronjë e djallit,
na sosi farën e djalit.

Familjet ngeleshin pa mbështetje e nuk kish kush të kujdesej për shtëpinë. Nënat, motrat e gratë mbanin familjen me një mijë mundime.

Mben’ kopetë shkretë malit
qajnë të zonjat e stanit,
me lot e me djersë të ballit.

Ndarjet ishin te dhimbshme, sidomos kur ndaheshin nga gratë, të fejuarat, nuset e sapomartuara.

Kam nje mike, një lanete
që nizam s’më lë të vete,
më thotë merrëm me vete.


Këto ndarje nënkuptonin edhe vdekjen. Ishin ndarje që në rastin më të mirë zgjasnin disa vjet, por nëse nuk ktheheshin brenda një farë kohe do të thoshte që nuk do ktheshin kurrë më. Kur niseshin linin porosi:

Ju nëna, motra mos qani,
shami të zezë mos mbani,
shtatë vjet e ka nizami.
Dhe në u mbodhica më shumë
grua ti të marrësh burrë.


I ngjan legjendës së Ago Imerit, vetëm se nizamët nuk shfaqeshin befas në mes të dasmës për të rimarrë nuset e tyre.

Qaj e qaj moj e pafate
burri në Jemen të vate.


Jeta e nizamit nuk ishte e lehtë. Vuajtjet, sëmundjet, luftrat përgjysmonin ushtarët. Ca ktheheshin të sakatosur në mos të vdekur :

Do këndojmë a ç’do bëjmë
do qajmë gjendjen tënë


Po përse do qanin?

Gjarpëri që na ka zënë
me këtë sulltanin tënë
Sulltani i shtrëngonte sikurse gjarpëri gjahun e tij.

Na mban tre sahat më këmbë
sa na vjen shpirti në dhëmbë.


Në shkretëtirë jeta nuk ishte si ajo që kishin lënë pas në vendlindje. Dielli i shkretëtirës digjte e të bësh shërbimin në vapë duhet të ketë qenë një pervojë e hidhur. E mendja të shkon larg:

Sa na vjen shpirti në dhëmbë,
na kujtohet babë e mëmë.


Siç thashë më lart, ndodhte edhe që vdisnin, vetëm, në mes të shkretëtirës e të pa varrosur, i hanin shkabat e çakejtë. Djalëri e këputur:

O ju shkaba që më hani,
syt’ e zez të mos mi ngani.


T’ia kursenin sytë sepse i prishej bukuria.

Sytë e zez’ mos mi qorroni,
se jam i ri e më shëmtoni.


Djalëria iu thye në mes, e ëndrrat u shuan me të; një nuse, një shtëpi, fëmijë, nëna që e pret përfaqsuar nga një kryevepër e këngëve popullore:

Në pyet nëna për mua
i thoni që martua,
në pyet se ç’nuse mori,
tre plumba te krahërori.


E në përfundim të jetës më e shtrenjta gjë të vjen ndër mend:

Nënë moj e zeza nënë,
si do presësh këtë gjëmë.


Lukunia : kope ujqerish.
p.s. Dovlet-devlet: qeveria, shteti.
Kura: shorti, u hodh shorti.
Mbodhica-mbollisa: vonohem.
Gjëmë: ngjarje e rëndë.
Qorroj: verboj.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi