Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
i panjohur
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 19172
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne krahet e saj
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/02/2012

INTERVISTA/ Prençi: Ja se si “Kupola e zezë” e sakrifikoi Lamajn. Ky regjim duhet shembur sa s’është Empty INTERVISTA/ Prençi: Ja se si “Kupola e zezë” e sakrifikoi Lamajn. Ky regjim duhet shembur sa s’është

Mon 4 Mar 2013 - 21:45
INTERVISTA/ Prençi: Ja se si “Kupola e zezë” e sakrifikoi Lamajn. Ky regjim duhet shembur sa s’është vonë

INTERVISTA/ Prençi: Ja se si “Kupola e zezë” e sakrifikoi Lamajn. Ky regjim duhet shembur sa s’është Shemsi-premciii-300x195

Shemsi Prençi: Po të na kishin qeverisur këta pushtetarë në kohën e diktaturës, do kishim vdekur të gjithë

Bisedoi: Anisa Xhani



Shemsi Prençi, drejtues i lartë i policisë, flet hapur. Përplasjet me këtë pushtet i kanë dhënë të drejtë. Ai tregon në këtë intervistë për Temën takimet me kryekomisar Lamajn dhe shqetësimin e tij se po e shesin eprorët. Prençi komenton figurën e Agron Kuliçajt, një njeri që emri i del pas çdo krimi dhe skandali të rëndë në vend.

Duke komentuar figurën e Flamur Nokës, ai thotë: “Di të them se unë atë person e njoh që kur e përjashtuan nga Fakulteti i Mjekësisë dhe i është dashur plot 18 vjet për ta mbaruar Fakultetin, madje e ka mbaruar pasi është bërë zyrtar i lartë i PD-së. Ky person nuk ka punuar asnjë ditë në administratë të shtetit. Siç e kam dëgjuar dhe nga kolegë dhe miq te PD-së, është person pa integritet për të drejtuar një ministri si ajo e Brendshmja”.



Zoti Prençi, opinioni publik është tronditur këto ditë nga vrasja e një tjetër komisari, duke e çuar në tre numrin e oficerëve të vrarë në një kohë të shkurtër. Kush mendoni se janë arsyet që qëndrojnë pas këtyre krimeve të rënda?

Organizata e policisë e ka paguar më shtrenjtë tranzicionin e stërzgjatur në Shqipëri, pasi kanë humbur jetën më shumë se 300 punonjës policie të të gjitha niveleve e gradave, nga të cilët 252 janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.

Arsyet e vrasjeve të punonjësve të policisë janë: Së pari, organizata e policisë është një organizatë e ekspozuar në luftën kundër krimit.

Së dyti, organizata e policisë nuk është depolitizuar, pasi përdoret dhe terrorizohet nga politika.

Së treti, organizata e policisë është e tradhtuar nga qeveritarët dhe politika, pasi këta të fundit mbështesin bizneset e pista, dhe në çdo rast që punonjësit e policisë marrin iniciativën për të zbatuar ligjin dhe hetuar informalitetin dhe bizneset kriminale, mjafton një telefonatë e pushtetarëve dhe viktimizohen punonjësit e policisë, përjashtuar “KUPOLA”, e cila merr pjesën nga korrupsioni e krimi ekonomik.

Së katërti, punonjësve të policisë nuk iu është siguruar asnjë kusht për të përmbushur detyrën dhe për të siguruar familjen.

Së pesti, karriera në polici nuk bëhet profesionalisht, por nëpërmjet nepotizmit dhe përkrahjeve politike.

Së gjashti, organizata e policisë është e tradhtuar dhe nga vetë “KUPOLA” që e drejton Policinë e Shtetit, kjo sepse ata nuk njohin strategji për policimin, por punojnë vetëm me urdhra politikë.

Së shtati, punonjësi i policisë në cilindo rol apo pozicion që të jetë, nëse zbaton ligjin, kërcënohet me vendin e punës nga deputetë, drejtorë, zyrtarë të lartë të shtetit dhe fëmijët e tyre duke kërcënuar në emër të baballarëve, që drekojnë me të akuzuarin për vrasjen e kryekomisarit.



Cili është vlerësimi juaj për këto foto?

Normalisht jam njohur me foton nëpërmjet medias vizive dhe asaj të shkruar. Të them të drejtën fillimisht e kam konsideruar shumë normale, pasi e kam ditur se biznesmeni ka pasur shumë lidhje shoqërore me drejtuesit e lartë, dhe duke vlerësuar këtë, kam menduar se nuk ka ndonjë të keqe. Dyshimet e mia kanë rrjedhur kur nëpërmjet “A1 REPORT” kam dëgjuar që të 4 drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit u munduan ta paraqesin si një çast i rastësishem (punë sekondash) sa për një fotografi dhe nuk pranonin drekën e organizuar. Një reagim i tillë justifikues më ka hedhur dyshimet tek drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, pasi unë e dija mirë se kanë shoqëri me biznesmenin dhe me 2-3 prej tyre kishin drekuar me dhjetëra herë dhe jo njohje e çastit. Një gjë të tillë e vërtetoi vetë biznesmeni nëpërmjet linjës telefonike nga Selaniku (Greqi), i intervistuar nga “ORA NEËS”. Pas kësaj në një prononcim në panelin e emisionit “TOP STORY” të gazetarit Sokol Balla, në panel kam deklaruar se morali dhe dinjiteti i biznesmenit (pavarësisht lidhjeve apo jo me ngjarjen kriminale) është më i lartë se morali dhe karakteri i drejtuesve të lartë të policisë. Justifikimet ishin tepër banale dhe komprometuese, për të cilët unë i konsiderova “KUPOLA E ZEZË”, sepse ata nuk kishin marrë asnjë masë për të parandaluar vrasjen e kryekomisarit, madje nuk i kishin marrë në konsideratë kërkesat që kishte bërë, ndërsa drekonin me personin, që pak minuta pas vrasjes po këta drejtues policie e akuzuan për vrasje. Ky është një turp dhe unë do ta quaja një krim të bërë nga drejtuesit e policisë.



Në qendër të thuajse çdo akuze të rëndë mbi policinë qëndron Agron Kuliçaj. Me njohuritë tuaj, cila është e vërteta mbi këtë person? A është ai i implikuar në çdo aferë të rëndë të policisë? Cili është ndikimi i tij? A është dora e Berishës pas tij?

Në njohjet e mia zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është një person me akses të madh në të gjithë shtetin dhe shume i besuar për kryeministrin Berisha. Për hir të së vërtetës ky person në 8 vite pushtet të PD-së është personi që ka abuzuar me emrin e Sali Berishës edhe në periudha të shkurtra kur kanë pasur marrëdhënie jo shume të ngrohta, për shkak të veseve të këqija që kishte ky person. Normal se emri i ka dalë në të gjitha bizneset e pista që bëhen në Shqipëri dhe kjo nuk mundet të konsiderohet rastësi. Ky person ju jep suport aktiviteteve të paligjshme dhe kjo vërtetohet se ai e ka për detyrë t’i godasë e t’i ndëshkojë, por bën të kundërtën duke i mbrojtur e favorizuar. Një rast të tillë në minierën e Bulqizës e kam denoncuar në të gjitha instancat shtetërore, por dhe në prokurori, Agron Kuliçaj me kompetencat e funksionit merrte në mbrojtje, madje me urdhra me shkrim kompanitë që shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme dhe vjedhin kromin në Bulqizë, Batërr, Terrnovë dhe Mat.



Ju keni deklaruar se keni biseduar me Dritan Lamajn dhe se ai druhej se ishte pikërisht Nikolin Balaj që po ia punonte pas shpine. Çfarë keni biseduar saktësisht me Lamajn? Cili është roli i Balës në këtë histori?

Po është më se e vërtetë se unë jam takuar me kryekomisar Dritan Lamajn edhe kur ishte shef komisariati në Kombinat, por edhe pasi e kanë larguar. Nuk kam punuar asnjëherë me të ndjerin Dritan Lamaj, duke e pasur si vartës, por gjatë viteve 2009- 2012 që unë kam qenë Drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale (Forcave Speciale) e kam njohur në shërbimet e përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit dhe mbështetjes që i jepnim Drejtorisë së Policisë, qarkut Tiranë. Ai ishte një oficer energjik, me përvojë, shumë aktiv, ekspresiv në punën për goditjen e veprimtarive të paligjshme. Pasi jam larguar nga policia në prill 2012 e kam takuar dhe tre herë te tjera tek lokali “Diplomat 2” dhe kam pirë kafe si koleg. Në kafe e sipër më ka treguar dhe shqetësimet që kishte nga eprorët e “KUPOLËS”, të cilët nuk e donin dhe respektonin, dhe madje i punonin prapa shpine nën ndikimin e ndërhyrjeve të disa personave me të cilët kishte pasur konflikt. Pas largimit nga detyra, e kam parë shumë të revoltuar dhe më ka shprehur planin e kurdisur nga Nikolin Bala dhe Agron Kuliçaj vetëm se e kishin biznesmenin shumë mik. Kjo vërteton më së miri se “KUPOLA E ZEZE” nuk e kanë për gjë sakrificën e oficerëve të policisë, mjafton të mos iu prishet miqësia dhe interesat me biznesin.



A mendoni se kjo çështje do të zbardhet plotësisht dhe autorët do të përfundojnë pas hekurave?

Me të thënë të drejtën është shumë e kompromentuar situata! Gjithsesi, organi i Prokurorisë duhet të ngrihet në lartësitë profesionale dhe të tronditë njëherë “KUPOLËN” e Policisë dhe pastaj të hartojë një plan hetimi special për të treguar se shteti nuk ka rënë dhe kjo për faktin se vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt, nuk është vrasje si vrasjet e tjera në organizatën e policisë, por është një vrasje e PARALAJMËRUAR, për të cilën “KUPOLA” e POLICISË ka heshtur dhe nuk ka kryer asnjë veprim për ta parandaluar. Po të marrim në konsideratë dhe njohjen që “KUPOLA” kishte me të dy palët në konflikt, mundet të kishin ndikuar që të paktën vrasja të mos vinte, pasi sido që të ishte oficeri, qoftë dhe me ndonjë rast gjaknxehtësie apo kapërcim kompetencash e kryerje të veprimeve arbitrare, nuk e meritonte vrasjen barbare me 27 plumba të zbrazur në drejtim të tij e që i morën jetën. Në fillim të pasngjarjeve jemi mësuar me deklarata politikanësh e pushtetarësh për ashpërsinë e veprimit të ligjit ndaj autoreve të krimit, por më vonë gjithçka zbehet dhe të gjitha strukturat e shtetit e të drejtësisë operojnë jo në ndihmë të viktimave. Përfundimisht oficeri i vrarë “fiton” dy pëllëmbë tokë në Varrezat e Dëshmorëve dhe një titull “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa autorët fitojnë lirinë. Populli me shekuj është shprehur se të ikurit nuk ke çfarë me i ba, se i gjalli e ka dermanin! Shteti nuk kapet ndryshe se nuk ka brirë, po kjo është kapja, kur nuk mbron atë që të shërben, por mbron vrasësit e shërbëtorëve të tu.



Zoti Prençi, a ka një problem policia shqiptare, pasi krimet, sidomos ato krime që prekin direkt qytetarët, janë shtuar ndjeshëm?

Policia është një organizatë që është gjithmonë e riskuar se profesioni është i tillë, por e keqja më e madhe është se drejtuesit e lartë të policisë vazhdojnë të bëjnë eksperimente me strukturën dhe strategjinë e luftës kundër krimit. Organizata e policisë është e tradhtuar, e keqpërdorur nga eprorët dhe politika dhe kjo është kthyer në një sëmundje kronike. Organizata e Policisë nuk ka drejtim dhe për rrjedhojë ka humbur kontrollin mbi territorin dhe grupet kriminale. Organizata e policisë nuk ka më iniciativën të luftojë dhe fitojë kundër grupeve kriminale pasi disa nga drejtuesit janë bërë palë me krimin dhe organizatat kriminale.



Zoti Prençi, si e vlerësoni punën e Ministrit të ri të Brendshëm? A është e vërtetë se ai ka shkuar aty vetëm për të prekur zgjedhjet?

Nuk mundet të them një gjë të tillë, por di të them se unë atë person e njoh që kur e përjashtuan nga Fakulteti i Mjekësisë dhe i është dashur plot 18 vjet për ta mbaruar Fakultetin, madje e ka mbaruar pasi është bërë zyrtar i lartë i PD-së. Ky person nuk ka punuar asnjë ditë në administratë të shtetit. Siç e kam dëgjuar dhe nga kolegë dhe miq te PD-së, është person pa integritet për të drejtuar një ministri si ajo e Brendshmja, që sot ka shumë punë, po të shikohet se ku është katandisur rendi dhe siguria. Këtu duhet të merret në konsideratë dhe periudha 2- vjeçare e Nishanit, ku kjo Ministri nuk ka pasur drejtim me kompetencë për shkak të pamundësisë fizike për ta kontrolluar e drejtuar. Pra, ka rreth tre vjet që kjo Ministri dhe Drejtoria e Përgjithshme janë KATASTROFË.



A ndikon policia në zgjedhje? Ju keni pasur një konflikt me ish- zëvendësministrin e Brendshëm, me sfond zgjedhjet. A mund të na e risillni atë konflikt dhe a gjykoni se këto zgjedhje janë në shënjestër të një policie politike, siç druhet opozita?

Normal që në pushtet ka gjithmonë që ju intereson përfitimi në zgjedhje. Mendoj se duhet të distancohen të gjithë nga këto praktika primitive, pasi nga mospërmbushja e standardeve të zgjedhjeve po vuajmë në garën e stërzgjatur drejt BE-së. Gjithsesi, ka njerëz që nuk zotërojnë asnjë profesion dhe e shikojnë veten si militantë e kamikazë politikë dhe gjithçka e planifikojnë për t’i shërbyer pushtetit për të siguruar vazhdimësinë. Edhe rasti i konfliktit tim si ish- Drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me ish- Ministrin e Brendshëm të komanduar Avenir Peka në lidhje me këto principe ka ndodhur. Ai më urdhëronte në telefon për të futur Forcat Speciale në proceset elektorale, gjë e cila është e ndaluar me ligj. Edhe pse ia sqaroja, ai këmbëngulte në arrogancën e funksionit për të më detyruar që unë të rrihja protestuesit e opozitës. Ne fakt ai nuk ia jepte urdhrin Drejtorit të Përgjithshëm, por direkt mua se kishte dhe qëllim, që nëse ndodhte një ngjarje e rëndë dhe kur t’i kërkohej llogari nga Kryeministri, nën trysninë e monitoruesve ndërkombëtarë, apo të organizmave ndërkombëtare, ky palo ministër do mohonte urdhrin e dhënë me telefon dhe do më bënte mua “kurban” për shkelje ligji. Këto janë forma primitive dhe të turpshme, që ju ka ikur koha.



A ka një frikë të bazuar se është një klan tropojanësh që drejton policinë?

Nuk do ta mendoja një frikë pasi shqiptarët e kanë vrarë frikën kundra regjimit diktatorial që në vitet ‘90, por janë tepruar së tepërmi me pozicionimet e shumë oficerëve nga Tropoja në detyra drejtuese. Shpreh vlerësimet e mia për një pjesë se janë oficerë profesionistë dhe me integritet, por një pjesë tjetër kanë prishur imazhin e tropojanit të ndershëm dhe të organizatës së policisë. Po të marrësh dhe të bësh një analizë strukturës drejtuese të policisë në të gjitha nivelet, del në përfundimin se mbi 70 pozicione drejtuese në 4 nivele drejtimi janë nga Qarku Kukës e 70 përqind e tyre nga Tropoja. Në këto kushte Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, nga Kukësi dhe Drejtori i Përgjithshëm (de facto) i Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj nga Tropoja së bashku me drejtuesit e 4 niveleve nuk kanë se kujt t’ia shesin dështimin e drejtimit dhe të policimit të pasuksesshëm, që sot është katandisur në një turp në të gjitha drejtimet e luftës kundra krimit, parandalimit të aksidenteve etj.



A ka një frikë të bazuar se janë kryesisht njerëz nga bastionet e PD-së, që bëjnë ligjin në polici?

Jo nuk mundet të them kështu! Në fakt tani pas 8 vitesh pushtet dhe 23 vitesh tranzicion në këndvështrimin tim nuk ka më të privilegjuar për shkak të bindjeve dhe kontributeve politike. Tani funksionojnë lidhje klanore mafioze për të përfituar nga pushteti. Ky regjim duhet shembur se për ndryshe nesër do jetë vonë. Policia sot është më e dobët se kurrë, pasi edhe pse disponon teknologji dhe sisteme, është e destinuar të dështojë për shkak të kapjes.



Këto ditë po flitet se miniera e Bulqizës ka edhe një vit jetë nga shfrytëzimi barbar. Ju keni treguar se si funksionon ky shfrytëzim në këtë minierë. A mund të na risillni edhe njëherë detaje nga kjo masakër mbi një pasuri të madhe të shqiptarëve?

Për minierën e Bulqizës dhe fenomenin grabitës e kam dhënë alarmin para një viti në cilësinë e drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër. Në atë pozicion pashë se si shteti ishte në funksion dhe mbështetje të firmave dhe kompanive që vidhnin dhe grabisnin KROMIN në Bulqizë, këtë pasuri për të cilën baballarët tanë kanë dhënë jetën dhe nuk arritën të blejnë një palë pantallona të reja për t’i veshur kur të shkonin mik, ose kur të dilnin në qytet (sheher). Nuk ke se çfarë të flasësh se nuk të dëgjon kush! E kam provuar dhe kam denoncuar në nivelet më të larta të shtetit dhe për çudi prokuroria më dha të drejtë, por ende nuk ka mbaruar ndëshkimi i hajdutëve. Pushtetarët heshtën, që nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Drejtori e Zv/ drejtori i Përgjithshem, Zv/ Ministri dhe Drejtori i SH.K.B– së. Shteti nuk funksionon ose funksionon në favorin e të fortit. Në fakt shteti dhe strukturat e tij janë ngritur për të mbrojtur të dobëtin dhe veten.



Le të ndalemi pak tek 21 janari. Si e gjykoni vendimin e gjykatës për të liruar nga akuzat gardistët që dyshohen për vrasjet?

Gjithçka ndodh në një shtet rrumpallë. Të gjithë shikojmë se si dënohen në Spanjë, Kroaci, Egjipt, Greqi etj. Kjo tregon se funksionojnë organet e drejtësisë të pavarura, punonjësit e këtyre sistemeve ngrihen mbi interesat personale dhe ata klanore dhe mbrojnë shtetin se për ndryshe do të mbizotëronte KAOSI. Sa do të gëzoheshin qytetarët po të funksiononte të paktën drejtësia. Sot në 2013-ën pas këtyre vendimeve skandaloze, ku përligjen vrasjet në Bulevard, pa kaluar dhe rrethimin nuk më ngelet gjë tjetër vetëm të them: Ne shqiptarët paskemi qenë me shume fat, që këta pushtetarë nuk na kanë qeverisur në kohën e DIKTATURES, se do na kishin vrarë të gjithëve! Këta për mua janë diktatorët më të egër se ata të TOTALITARIZMIT, duke i vlerësuar edhe rrethanat në të cilën e ushtrojnë terrorin shtetëror ndaj popullit dhe institucioneve për t’i vënë në interes të qëllimit final të mbajtjes së përjetshme të pushtetit.



A mendoni se ka pasur një urdhër për të qëlluar atë ditë, apo është qëlluar kur është vlerësuar se është thyer perimetri i sigurisë?

Nuk dua të hamendësoj, por veprimet kanë qenë kriminale, pasi vrasjet janë bërë jashtë rrethimit dhe këtë e kupton secili. Kjo tregon se autorët janë pjesë e strukturave të Gardës së Republikës dhe janë të papërgatitura psikologjikisht dhe hapin zjarre kundra turmave ende pa hyrë në objekt apo rrethim. Veprime të dukshme dhe të vlerësueshme kriminale, të cilat implikojnë shtetin në çdo rrethanë.



Kush është fajtori kryesor për atë ngjarje të dhimbshme?

Përgjigja është individuale për ata që kanë qëlluar, pasi secili nga ushtarakët i dinë mirë rregullat e ruajtjes dhe sigurimit të Objekteve të Rëndësisë Shtetërore dhe Personaliteteve të Larta Shtetërore. Gjithsesi do të fajësoja drejtuesit që nuk kanë marrë drejtimin dhe kontrollin e veprimeve të strukturave të Gardës, që të mos precipitonte situata në hapje zjarri kundra një turme njerëzish me gra e fëmijë rreth 30.000 njerëz, që po hape zjarr doemos do të vrasësh njerëz dhe nuk mundet të thuash se mungon dashja si anë subjektive e veprës penale dhe këtu mendoj se gjykata ka gabuar shume rëndë, pavarësisht se do vriste një, dy, apo dhjetëra pjesëmarrës në tubim apo protestë.



A mendoni se në Shqipërinë shqiptare ka një tension që mund të shpërthejë në rast se zgjedhjet preken ose janë problematike?

Në fakt ka shumë faktorë që kanë rritur trysninë e situatës komplekse. 1 Kriza ekonomike. 2. Papunësia. 3. Situata kriminale në vend, përfshi dhe grabitjet në rrugë kohët e fundit që tregojnë se territori është jashtë kontrollit. 4. Bipolarizimi i politikës në ekstrem, pavarësisht patericave të njërit apo tjetrit krah të politikës. 5. Tendencat për të manipuluar votën me format e bllokimit të kartave të identitetit dhe pasaportave përkundrejt parasë si forma më antidemokratike për të ushtuar të drejtën e votës së lirë etj. Të gjitha këto, nëse shteti nuk reagon të normalizojë dhe të ketë nën kontroll situatën, normal mundet të ketë reagime në formën e dëshpërimit dhe revoltave pasi populli shqiptar rri e rri dhe reagon egër. Tensionet në rritje kërkojnë medoemos kontroll, parandalim e menaxhim. Urojmë që krerët e shtetit të jenë të interesuar për të bërë më të mirën nëse vërtet janë të interesuar që Shqipëria një ditë të përmbushë kriteret dhe kushtet për në Bashkimin Evropian, aq shumë të dëshiruar nga shpirti demokratik i shqiptarëve. Shpresoj në afrimin e shkallës së civilizimit të politikës te shkalla e civilizimit të qytetarëve shqiptarë pro- amerikanë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi