Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Pse janë kosovarët pro Berishës (Shkëlzen Maliqi)  Empty Pse janë kosovarët pro Berishës (Shkëlzen Maliqi)

Mon 17 Jun 2013 - 14:06
Ky është një tregim në vete i kushtëzuar nga disa procese historike, por edhe nga paragjykimet dhe stereotipat e vlerësimeve të ndërsjella nga dy anët e Alpeve Shqiptare.
Burimi:Mapo

Pse janë kosovarët pro Berishës (Shkëlzen Maliqi)  76fc495b-be11-4424-89f0-3bdfd7f4a233---0-Nëse në Shqipëri fiton koalicioni i majtë me Ramën në krye, për çka i ka gjasat e mëdha, ky do të jetë një shans që Rama të rivlerësohet në bazë të asaj çka do të bëjë, dhe jo në bazë të paragjykimeve. Voajerizmi politik në Kosovë është sport i ri, shumë i popullarizuar. Të kapur prej kohësh nga mediat depërtuese të Shqipërisë (DigitAlb, Top Channel, Klan etj.), kosovarët me emocione të ndara përcjellin garën elektorale në mëmëdhe, duke anuar me një shumicë bindëse për Sali Berishën, ose edhe Kreshnik Spahiun në vendin e dytë, kurse Edi Rama gëzon përkrahje margjinale.

Por, kuptohet, këto anime kosovare nuk do të kenë aspak ndikim në verdiktin e elektoratit shqiptar. Fansat e Berishës dhe të “kuqezinjve”, edhe pse e dëshirojnë dhe prognozojnë fitoren, në të vërtetë janë mjaft të brengosur me mundësinë që idoli i tyre kësaj here do të humbë garën, pasi që disponimet politike në Shqipëri nuk janë të përputhshme me ato në Kosovë. Ata e dinë se gara do të jetë e ngushtë, mbase sërish si në vitin 2009 edhe në zgjedhjet e Tiranës më 2011, do të mund të vendoset në “fotofinish”, ose në tavolinë!

Pse shumica e kosovarëve e duan Sali Berishën është një tregim në vete i kushtëzuar nga disa procese historike, por edhe nga paragjykimet dhe stereotipat e vlerësimeve të ndërsjella nga dy anët e Alpeve Shqiptare, që dikur i quanim Bjeshkët e Nemuna. Po ndalem në disa prej tyre, pa pretendime që të jap shpjegime të plota e as të sistematizuara sipas rëndësisë.

Shpjegimi i parë që shumicës i bie në mend është se, për dallim nga Edi Rama, Sali Berisha është shumë më kosovar në botëkuptimet, gjuhën që e flet dhe në sjelljet e tij. Madje vetë fakti se Berisha është me prejardhje nga Tropoja, trevë kjo që si gjeografi po edhe në histori më shumë lidhet me Kosovën, e nxjerr atë si “kosovar”. Në Kosovë andaj perceptohet si i “yni”, kurse Rama, sipas logjikës, del se është “i tyre”. Në Shqipëri, sidomos në jug, Berisha edhe paragjykohet si “kosovar”, i cili ka sjellë në Shqipëri frymën dhe nacionalizmin tjetërfare nga ai që do të duhej të mbizotëronte në politikën dhe kulturën e këtij shteti.

Një tjetër element që Berishën e bën kampion të kosovarëve është ideja se merita e tij është ndërtimi i Rrugës së Kombit, si një parakusht për afrimin dhe bashkimin fizik, por edhe shpirtëror të shqiptarit të Kosovës me atë të Shqipërisë. Një gjakovar po më thoshte këto ditë se, në anën e Dukagjinit të gjithë shpresojnë se Berisha do të fitojë edhe një mandat, sepse presin që të ndërtojë rrugën Gjakovë – Shkodër nëpër Tropojë, që do të afronte edhe më shumë dy krahët e Bjeshkëve të Nemuna me ato bukuri përrallore të lumit Valbona dhe maleve përreth… Gjakovari ma pohonte këtë duke komentuar antireklamën e PS-së, në të cilën Sali Berisha në çdo pyetje çka ka bërë, përgjigjet me përsëritjen e një fjale “Rrugët! …Rrugët! …Rrugët…!”. Por unë, animin e tij e lidha me një interes pragmatik të gjakovarëve që kohëve të fundit e kanë gjetur një “det të vetin” në Velipojë, dhe rruga që do t’ua shkurtonte kohën dhe shpenzimet e daljes matanë, është në përputhje me mentalitetin e përfolur kursimtar të tyre.

Një tjetër moment, shumë i rëndësishëm për dashurinë e kosovarit ndaj Berishës, është ideja se ai ka qenë fitues ndaj komunizmit, ndërkaq që kosovarët në vitet ’90 patën një përvojë shumë të keqe me Partinë Socialiste të Serbisë, dhe nga ajo kohë nuk duan të dinë për asnjë parti apo lëvizje që ka lidhje me socializëm dhe komunizëm, sado të moderuara dhe demokratike të paraqiten. Kjo është arsyeja pse në Kosovë nuk ka asnjë subjekt serioz që do të vetëcilësohej si socialiste ose e majtë. Madje edhe ato që i kemi kujtuar si të tilla janë kthyer nga e djathta. Andaj edhe Partia Socialiste e Shqipërisë nuk pëlqehet nga shumica e kosovarëve.

Për më shumë, averzioni ndaj PS-së është thelluar në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur LDK-ja dhe organi i saj “Bota sot” për çdo ditë propagandonin idenë e një komploti të madh komunist, ku Tirana socialiste shihej si aleate e “komunizmit ortodoks”, i cili thuhej se po dirigjohej nga tri qendrat: Beogradi, Athina dhe Moska, e ku kjo e fundit ishte aksi i së keqes të antishqiptarizmës dhe antikosovarizmit.

“Bota sot” ka bërë aq shumë zhurmë rreth një takimi të Fatos Nanos me Sllobodan Millosheviçin në Kretë, sikur ky të ishte akt i tradhtisë më të madhe kombëtare. Por, kur pak më vonë edhe Ibrahim Rugova u takua me Millosheviçin, i këshilluar nga fuqitë perëndimore, në këto qarqe ekstreme antisocialiste, nuk pati reagime të njëjta, ashtu sikur që edhe Berishës do t’i falen bizneset dhe koketimet politike me Beogradin dhe Athinën.

Për popullarizimin e Berishës në Kosovë ka kontribuuar edhe kritikuesi i tij më i ashpër në Kosovë, akademik Rexhep Qosja, i cili me po atë logjikë ekstreme si “Bota sot”, por në drejtim të kundërt, e akuzonte Berishën si tradhtar të kombit për çdo veprim pragmatist që ky ishte i detyruar ta bënte nën presionin e diplomatëve perëndimorë, apo ngase Shqipëria e varfëruar ekonomikisht dhe pa fuqi politike dhe ushtarake, objektivisht nuk kishte hapësirë manovruese për të ndjekur politika ofensive kombëtare. Ndërkaq, që të sulmohesh nga një humbës aq i madh politik siç ishte Qosja, në Kosovë vetëm se ia shtonte namin Berishës.

Kuptohet, e thashë edhe në fillim, në zgjedhjet aktuale në Shqipëri qëndrimi i kosovarëve nuk ka asnjë relevancë. Është vetëm fenomen i voajerizmit të gabueshëm, dhe asgjë më shumë. Në Shqipëri, sovranë janë votuesit shqiptarë, dhe nëse ndër ta ka edhe kosovarë që e kanë marrë shtetësinë shqiptare, numri i tyre nuk është aq i madh që të bëjnë diferencën sado pak ndikuese në rezultat.

Megjithatë, është një aspekt i këtij voajerizmit që nuk është kotësi, por ndikon në edukimin demokratik të shqiptarëve në përgjithësi. Votuesit në Kosovë, sikundër edhe ata në Shqipëri, duhet të tejkalojnë paragjykimet dhe teoritë e komplotit, që një lider e bëjnë idhull, kurse tjetri kriminalizohet. Nëse në Shqipëri fiton koalicioni i majtë me Ramën në krye, për çka i ka gjasat e mëdha, ky do të jetë një shans që Rama të rivlerësohet në bazë të asaj çka do të bëjë, dhe jo në bazë të paragjykimeve. Rama edhe gjatë mandateve të tija të para si Kryebashkiak i Tiranës fitoi shumë simpati në Kosovë për punën që bëri në transformimin dhe ringjalljen e kryeqytetit shqiptar. Çdo hap tutje në tejkalimin e ndasive artificiale dhe paragjykimeve ndër shqiptarë, çdo koalicion pragmatik mes forcave politike që deri dje janë sharë dhe urryer mes veti, çon në emancipimin e përgjithshëm të politikës shqiptare. Kjo mundësi që na jepet të shikojmë garën politike edhe përtej gardhit, voajerizmin tonë e bën të angazhuar. Ky voajerizëm na krijon edhe një mundësi më shumë dhe më të shpeshtë, për mësimin e rregullave të demokracisë, se si duhet t’i kontrollojmë emocionet dhe gjejmë interesin e përbashkët mbipartiak, mbi animet dhe mbi interesat e veçanta partiake.
 

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi