Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

"Rock-u ynë lindi nga pëshpërimat" Empty "Rock-u ynë lindi nga pëshpërimat"

Tue 24 Sep 2013 - 0:53
Rrugëtimi i rock-ut shqiptar. Intervista me Redon Makashin dhe me djemtë e grupit “Na”. Hapat e parë në Shqipëri dhe prurjet që vijnë nga Kosova në lokalet e kryeqytetit tone
"Rock-u ynë lindi nga pëshpërimat" Redon%20Makashi%20Sander%20Gjoka
Luela Myftari

-Rock-u, sado jokomercial, në kohët e sotme vazhdon të kultivohet. Në klubet e natës në qytete të ndryshme, sot nuk janë të pakta netët e rrokut. Madje, ka nga ato klube që janë hapur vetëm për të ofruar muzikë rock. “Shekulli” mendoi që këtë fundjavë t’i sjellë lexuesit një rrugëtim muzikor, rrugëtimin e rock-ut në Shqipëri. Ndaj edhe zgjodhëm që këtë histori ta dëgjonim të rrëfyer nga një artist i cili e ka nisur karrierën e tij muzikore duke prodhuar rock. Ai është Redon Makashi, një këngëtar i njohur në tregun muzikor shqiptar. Redoni, tashmë i konfirmuar si një profesionist në këtë fushë do të na rrëfejë hapat e parë të muzikës rock në Shqipëri dhe perceptimin e tij mbi muzikën e sotme. Sigurisht, ne nuk mund ta linim Redonin pa e pyetur edhe për muzikën që na vjen nga Kosova, edhe ky një rock shqiptar. Paralelet dhe pikëtakimet e rock-ut të sotëm me atë të viteve ’90 në Tiranën e natës e rrëfen sot për fundjavën e “Shekullit” jo vetëm Redoni, por edhe grupi “Na”, një bandë muzikore që së fundmi po projekton muzikën e saj në kryeqytetin e Shqipërisë.

Si nisi marrëdhënia juaj me rock-un?

Bëhet fjalë për fundin e viteve ‘80, kur unë kam qenë në vitin e tretë a të katërt të shkollës së mesme. Atëherë filluam të dilnim nga liqeni për të kënduar. Ishte ende koha kur dëgjonim muzikë fshehurazi dhe i ndanim me njëri-tjetrin “prurjet e reja” që zbulonim. Gjithçka pak a shumë lindi në fshehtësi, një rock që lindi nga pëshpërimat, gjë që sot të rinjve mund t’u duket për të qeshur. Por, gjithsesi mbetet një kohë shumë e bukur. Ishte koha kur njerëzit kënaqeshin që kishin një copë çamçakëzi, që rrallë mund të të binte në dorë. Imagjino sa i bukur dukej rock-u atëherë. Në fillim, kemi dëgjuar këngët sllave. Më pak dëgjonin Sanremon dhe Festivalin Evropian, i cili më parë ka pasur një nivel më të mirë se tani, sa i përket rock-ut. Krijimtaria lindi brenda klasave të liceut, ku edhe studioja. Vlen të përmendet se rock-u më shumë fshihej brenda nesh se sa transmetohej. Në vitin 1989 kemi dalë për herë të parë me një këngë, ndoshta shumë naive, por që atëherë bëri shumë bujë. Në vitet 1992- 1993 filloi të ngrohet pak rock-u në Shqipëri. Pra, relativisht vonë.

Ju këndoni balada rock-u. A dëgjoni ju rock agresiv, apo jeni pozicionuar totalisht tek baladat?

Zgjedhja ime është ndikuar nga rocku. Brenda meje fle rock-u, por nuk kam dashur të rrezikoj me rock-un agresiv, kjo ndoshta edhe për të mbrojtur vokalin tim. Por, gjithsesi Redoni dëgjon më shumë rock rock, se sa baladë.

Rock-u sot me atë të viteve ’90?

Rock-u që prodhohet sot në Shqipëri është një rock i mirë, më i mirë se ai që prodhonim ne. Këngët tona sot duken disi naive në krahasim me prurjet e të rinjve. Unë e dua shumë kohën time, por më pëlqen edhe të jem realist, ndaj nuk mund të them se ne bënim rock më të mirë dikur. Mund të them se në klubet e dikurshme ku këndohej rock, këndohej rock-u shqip, pra prodhimet tona. Në njëfarë mënyre, ne dinim të paraqisnim punën tonë, gjë që sot në klubet e Tiranës nuk e gjen shpesh. Dëgjoj rock të huaj, rock shumë të mirë, por do të doja të dëgjoja edhe më shumë rock shqip, sepse edhe ky i fundit është shumë i mirë. Renis Gjoka, grupi “Linx”, Eugent Bushpepa dhe disa të tjerë të cilëve shpresoj të mos u ngelë hatri që nuk po i përmend, bëjnë një rock të mirë dhe unë do të isha shumë i lumtur të dëgjoja rock-un shqip nga ata, jo vetëm rock të huaj.

Po një krahasim mes rock-ut që prodhohet në Shqipëri dhe atij që prodhohet në Kosovë?

Në Kosovë nuk ka qenë shumë i ndaluar rock-u. Kosova ka qenë e hapur me botën muzikore jashtë kufijve të saj territoriale. Ndërsa ne jo. Ndoshta ky fakt ndikon edhe në materialet muzikore, të cilat janë po aq të mira edhe nga Kosova, gjë që e verifikon edhe mikpritja e shqiptarëve të Shqipërisë. Sot në klubet e Tiranës këndohet shpesh rock-u që na vjen nga Kosova. Pra në Tiranë mikpritja e këtyre këngëve do të thotë që muzika e tyre pëlqehet. Është fat për artistët që vijnë nga Kosova, edhe pse jo të lirë zyrtarisht, kanë pasur liri për të shijuar rock dhe art.

Planet e tua rock?

Tani jam në hapin fundit të publikimit të një kënge rock. Me siguri që sot ose nesër, pra këto ditë do të dëgjoni një këngë të re nga Redoni. “Ditari” është përfunduar dhe videoklipi siç ju thashë do të fillojë të transmetohet në një nga kanalet muzikore në Shqipëri. Është një bashkëpunim me një djalë të ri shumë të talentuar, Vullnet Ibrahimin. Ndërkohë, jam duke punuar për një këngë tjetër rock. Kam bërë një këngë enkas për Tiranën. Titullohet “Asgjë nuk ndalet” dhe është një këngë që i përket rock-ut klasik.

“Muzika na solli përgjithmonë në Tiranë”

Një prej grupeve që vjen nga Kosova për të performuar në klubet e Tiranës, është grupi “Na”. Kohët e fundit djemtë nga Kosova po bëjnë namin në jetën e natës në kryeqytet. Aq shpesh u është dashur të udhëtojnë drejt Tiranës, sa që kanë vendosur të shpërngulen përfundimisht këtu, duke braktisur përkohësisht Kosovën. “Shekulli” nuk e pati të vështirë t’i gjente djemtë e grupit “Na” për t’i bërë një intervistë të shkurtët për performancat e tyre shumë rock.

Ju nuk jeni të gjithë nga Shqipëria. Çfarë ju sjell këtu?

Neve ose “NA” kemi qenë në grup tri anëtarë: Kreshnik Koshi, i cili është vokalisti dhe kitara bas e grupit, Blerat Kepuska që është në kitarë dhe si zëri mbështetës, unë Bekim Kepuska që jam në bateri. Jemi të gjithë nga Gjakova. Na nevojitet në tastierë një djalë dhe e gjetëm atë në Shqipëri. Klodjan Rexhepaj është nga Fieri. Sot, të gjithë anëtarët e grupit jetojnë në Tiranë, për shkak të impenjimeve muzikore këtu.

A është jeta e natës më aktive në Tiranë?

Jeta e natës është më aktive në kryeqytet, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Ne kemi performuar edhe në Prishtinë, por kohët e fundit po na pëlqen shumë jeta e natës në Tiranë. Arti në përgjithësi është më aktiv këtu në Tiranë.

E njihni historinë e rock-ut shqiptar? Cilët janë emrat më të mirë që mund të lakoni?

'NA' jemi rritur dhe kemi përcjellë gjithmonë rock shqiptar. “NA” jemi rritur me grupet e para në Kosovë si: TNT, Minatori , 403, Telex e të tjerë... Nga Shqipëria kemi dëgjuar shumë: Aleksandër Gjokën, Djemtë e detit, Ritfolk-un, Elton Dedën , Redon Makashin e disa të tjerë. Sigurisht, që e njohim historinë e muzikës rock, madje shpeshherë këndojmë edhe këngë që janë produkte muzikore të këtyre emrave të mëdhenj që përmenda më sipër.

Albumi juaj... keni fituar para nga ai apo shpëtimi është tek netët që këndoni live?

Albumi është realizuar në vitin 2007. Quhet ''Hear it, feel it'' dhe kemi shitur mjaftueshëm. Kohët e fundit kemi realizuar edhe 3 këngë: “Jam zgjuar”, “Si meteor” dhe “Sa larg'', por përfitimet më të mëdha janë jo në festivalet që kemi marr pjesë dhe as në shitjen e albumit, por në netët live. Fitimet janë mesatarisht të mira dhe të kënaqshme për të bërë një jetë të lumtur. Dhe them ta mbyllim kështu intervistën, të lumtur.

Mes Tiranës dhe Prishtinës

Nga Luela Myftari

Jo pak herë kemi dëgjuar të flitet për këngëtarë nga Kosova që kanë ardhur dhe janë transferuar në Tiranë sepse ndihen aq në shtëpi sa të jenë të gatshëm ta ndërtojnë jetën e tyre këtu. Marr këtu përsipër të citoj rastin e këngëtarit Vedat Ademi, i cili prej vitesh punon dhe jeton në Tiranë. Ai erdhi në Shqipëri si një artist nga Kosova. Po ashtu është edhe rasti i djemve të grupit “NA” të cilët kohët e fundit janë transferuar të gjithë në Tiranë. Ka edhe raste të tjera, por po citoj më të njohurit... Vërtet jeta e natës në kryeqytetin shqiptar është e pasur, por po e njëjta gjë thuhet edhe për jetën e natës në Prishtinë. Po pse kjo prurje kaq e madhe e artistëve nga Kosova në Shqipëri? Dhe pse kaq pak artistë nga Shqipëria në Kosovë? Mos vallë ne i duam shqiptarët jashtë kufijve më shumë se ata ne? Historia ka rrëfyer se dyert e ekspozitave, të stadiumeve, të Muzeut Kombëtar, të klubeve të natës apo të kompeticioneve të bukurisë kanë qenë gjithnjë të hapura për shqiptarët që vinin nga Kosova. Vite më parë “Miss Shqipëria” është shpallur një vajzë nga Kosova. Dhe kurorat e bukurisë shqiptare jo pak herë i kanë mbajtur këto vajza. Herën e fundit si Top Modeli më i mirë i Shqipërisë ishte një i ri nga Kosova. Gati një vit më parë, një djalë tjetër nga Kosova fitoi një shumë të majme nga një reali shou që organizohej në Shqipëri. Jeta e natës në Tiranë është e mbushur me emra shumë të mirë të muzikës shqiptare që vijnë nga përtej territorit të Shqipërisë. Dhe institucionet, gjatë historisë, për çdo festival, për çdo aktivitet fundviti apo edhe për festa të tradicionale, kanë pasur ftesa zyrtare për artistët që vijnë nga Kosova. Nuk e dimë nëse Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë bërë të njëjtën gjë me shqiptarët e Shqipërisë, por ajo çka nga të gjithë është e dukshme është fakti se artistët nga Shqipëria nuk para duken në trojet shqiptare, dhe aq më pak si triumfues.shekulli.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi